Wednesday, February 25, 2015

Iris Luarasi: Feministe? Jo, jam aktiviste kundër dhunës në familje















Shpesh lufta e saj dhe e kolegeve në mbrojtje të grave perceptohet si ajo e feministeve agresive që luftojnë burrat. Gazetarja, pedagogia dhe aktivistja e luftës kundër dhunës në familje, Iris Luarasi flet për angazhimin e saj me Qendrën e Këshillimit të grave dhe vajzave dhe për linjën më të re të këshillimit për burrat dhunues. Arritjet, vështirësitë dhe sfidat drejt një shoqërie më të ndërgjegjësuar dhe më pak të dhunshme


Është java përpara 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku debati rikthehet i nxehtë nëse duhet protestuar apo festuar, kur për të miliontën herë kritikohet mënyra sesi festojnë masivisht gratë shqiptare, duke u përpjekur për të marrë maksimumin e kënaqësisë nga mbledhjet së bashku, drekat jashtë qytetit dhe dhuratat simbolike në një ditë në vend që të mblidheshin e të manifestonin për më shumë të drejta...Iris Luarasi, aktiviste prej vitesh në mbrojtje të grave dhe vajzave të dhunuara, e mendon pak më butë sesa rryma e opinionit kritikues. Për të, nëse kjo i bën vërtet të lumtura – qoftë edhe për një ditë–ia vlen të festohet edhe në këtë mënyrë. “Dikur unë kam qenë një nga ato që thosha: Ç’tmerr është kjo mënyrë e të kremtuarit të 8 Marsit me gratë që mblidhen bashkë me njëra-tjetrën nëpër lokale! Ka disa kohë që e kam ndryshuar këtë perceptim. Gjatë eksperiencës kam njohur shumë gra, të cilat 8 Marsin e kanë të vetmen ditë kur lejohen nga burri të dalin nga shtëpia. Do më dukej e tepërt që në një ditë të tillë t’u mbash konferencë dhe t’u flasësh për dhunën në familje. Nëse gruaja atë ditë është e lumtur, kjo është fantastike. Nuk i hyj pjesës së paragjykimeve. Me rregull duhet të ishte një ditë ku protestohej, por ndonjëherë duhen thyer edhe rregullat. Burrat harbohen 364 ditët e vitit dhe asnjë nuk e sheh këtë si fenomen i çuditshëm”, –thotë Irisi, duke shtuar se puna e saj dhe e kolegeve nuk shtrihet vetëm në ditë të caktuara për ndërgjegjësimin e grave – dhe jo vetëm –mbi të drejtat e tyre dhe luftën kundër dhunës në familje. Ato janë aty, në frontin e parë dhe jo ashtu siç perceptohen shpesh, si feministet agresive që luftojnë rolin e privilegjuar të burrave në Shqipëri. Ajo zbulon sesi edhe burrat janë bërë pjesë e kësaj lufte ndaj dhunës në familje, sesi burra të dhunuar janë asistuar ndër vite dhe flet për punën më të re, atë të rehabilitimit të burrave dhunues.
Keni hapur linjën për rehabilitimin e dhunuesve. Si lindi kjo nismë nga një Qendër që ofron kryesisht këshillim për gratë dhe vajzat e dhunuara?
Kishim Qendrën e Këshillimit për gra dhe vajza kundër dhunës në familje, e cila është themeluar që në 1996-ën, dhe gjatë gjithë kësaj eksperience me viktimat mendon se po i fuqizon duke i mbështetur psikologjikisht dhe emocionalisht. Nëpërmjet partnerëve kemi pasur mundësi t’u sigurojmë strehim, konsulencë ligjore falas, kurse profesionale dhe vjen një moment që shumica kthehen te shtëpia ku janë dhunuar. Kjo edhe për shkaqe financiare. Duket ndonjëherë se e gjithë puna shkon dëm. Padyshim që janë më të mësuara dhe dinë si të kërkojnë ndihmë. Ndodh edhe që rikthehen në qendër. Nisëm të mendonim se nuk ishte cikli i plotë i shërbimeve. Duhej të punonim dhe me ata që e shkaktonin dhunën. Mësuam se në vendet e zhvilluara, rehabilitimi i dhunuesve ishte shumë i përhapur si një nga mënyrat më të mira për të reduktuar dhunën në familje. Shpesh, ka burra që pendohen për dhunën e ushtruar dhe po t’u ofrosh disa teknika për ta menaxhuar zemërimin, mund ta kontrollojnë veten. Investuam në këtë aspekt. Pamë disa qendra në Zvicër ku kishte funksion të jashtëzakonshëm.
A mendoni se kjo mënyrë funksion në Shqipëri? Mendon se burrat shqiptarë do e pranonin problemin dhe do kërkonin ndihmë?
Edhe në Zvicër kishte nisur shumë ngadalë procesi. Por tani 50 % klientëve shkojnë me dëshirën e tyre dhe është shërbim që gjeneron të ardhura, sepse paguhet. Sigurisht që është shumë larg nga situata në Shqipëri. Deri tani kemi pasur tri raste burrash dhunues në linjën tonë të këshillimit. Në ligjin kundër dhunës në familje, gjykata e dërgon dhunuesin në shërbime rehabilitimi. Rasti i parë ishte negativ, ku dhunuesi shfaqi agresivitet ndaj këshilluesit, por dy rastet e tjera janë shumë bashkëpunues dhe kanë dëshirë të ndryshojnë. Filozofia e qendrës së burrave është krejt e ndryshme nga ajo e grave. E sheh dhunën në familje nga një këndvështrim mashkullor, mundohet të justifikojë gjëra që i shpëtojnë në zemërim e sipër një burri. Është një linjë ku burrat gjejnë mbështetje, flasin hapur çfarë i detyron ta shkaktojnë këtë dhunë. Shumica e tyre nuk marrin kënaqësi nga dhuna që ushtrojnë, madje dhe pendohen. Duke marrë parasysh edhe mentalitetin në Shqipëri, është më e lehtë të flasësh me dikë që nuk e njeh dhe që është aty për të ndihmuar. Rregullat e ruajtjes së konfidencialitetit janë shumë strikte. Kjo linjë këshillimi është vetëm një nga gjërat, pasi aktiviteti ynë po shtrihet më gjerë.
Çfarë aktivitetesh dhe shërbimesh të tjera ofron kjo qendër këshillimi?
Kemi krijuar klubet e djemve dhe të burrave, po punojmë me djem në shkolla për parandalimin e dhunës. Jemi pjesë e një projekti rajonal “Care International”, ku marrin pjesë Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Katër vendet kanë partneritet me ministritë përkatëse të arsimit për të hapur një program si pjesë e kurrikulës në shkolla, që t’u mësojë djemve gjithçka rreth dhunës në familje dhe masat për ta parandaluar. Janë kurrikula për shkollat 9-vjeçare vjeçare dhe të mesme. Mendoj se është zgjidhja më e mirë dhe duhet ta kishim bërë më parë. Për të reduktuar dhunën në familje, nëse nuk punon me atë që e shkakton dhunën, nuk mund të flasësh për shifra më të ulëta. Ky program është si bebja jonë. E kemi marrë më shumë dashuri dhe seriozitet. I gjithë stafi prej 9 djemsh dhe burrash janë profesionistë nga fusha e Psikologjisë dhe Sociologjisë dhe kanë kaluar një cikël shumë të gjatë trajnimesh dhe do të vazhdojnë deri në fund të 2014-ës.
A mendoni se ky shërbim i ri për burrat do e ekuilibrojë pak atë perceptimin e shoqërisë se shoqatat në mbrojtje të grave nuk janë gjë tjetër veçse feministet në luftë kundër burrave?
Ka një keqkuptim me organizatat në mbrojtje të grave, sepse duken sikur urrejnë burrat. Nuk ka qenë ky konceptimi. Nëse është e mundur të punohet me burrin, patjetër që i jepet një shans punës me burrin. Nuk është e mirë të shkatërrohet një familje dhe psikologjia e linjës së këshillimit nuk ka qenë asnjëherë divorci si zgjidhje e parë, por zbutja e konfliktit, pajtimi i palëve. Që nga gjeneza nuk është menduar si një luftë që e bëjnë vetëm gratë kundër burrave. Pjesë e qendrës sonë kanë qenë edhe shumë burra të mençur. Kjo është luftë e shoqërisë kundër dhunës. Ka pasur edhe burra viktima të dhunës, megjithëse të rrallë. Në 17 vjet vetëm 18 raste janë shënuar, por edhe këta i trajtojmë si viktima të dhunës në familje. Nuk ka rëndësi gjinia. Personalisht nuk e kam parë si luftë kundër burrave dhe e mira është të sqarohet kjo.
Në rast se do të kishte burra dhunues, që duan të ndjekin vullnetarisht seanca rehabilitimi, si e marrin informacionin për këtë qendër?
Gjatë 16 ditëve të dhunës (nëntor-dhjetor) kemi organizuar një seri workshop –esh me djem në shkolla, prodhuam një poster me numrin dhe adresën e qendrës që burrat e interesuar, një tryezë e rrumbullakët me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, u bë një anketim i madh me burra për të parë nga këndvështrim mashkullor sesi perceptohet dhuna në familje, një konferencë kombëtare për angazhimin e djemve dhe burrave në luftën kundra dhunës. Tani do fillojmë projektin me punën e djemve nëpër shkolla, të gjitha këto janë pjesë që ndihmojnë dhe bëjmë sa më shumë PR për qendrën që kemi krijuar.
Duke parë shifrat që kap dhuna në familje, a bëheni pesimiste se kjo situatë nuk ka për të ndryshuar?
Unë jam natyrë optimiste dhe asnjëherë nuk mendoj se burrat shqiptarë janë ndryshe nga burrat zviceranë, gjermanë apo të tjerë. Mendoj se po t’i lësh të pandëshkuar ligjërisht çdo njeri tenton të sillet njësoj. Profili i dhunuesve është i njëjti. Shifrat e dhunës nuk janë më të larta nga vendet tjera. Në Shqipëri një në tri gra dhunohet, por kjo është statistikë botërore. Edhe në Angli një në katër gra dhunohet. Shifra e Shqipërisë nuk është ekstremisht e madhe, por për numrin e popullsisë kemi pasur një numër shumë më të madh vrasjesh të grave këto kohët e fundit dhe kjo është alarmuese. Mendoj se çdo njeriu i duhet dhënë pak ndihmë dhe disa mekanizma që të përpiqet të ndryshojë. Nëse ne do të asistojmë 100 burra dhe sikur 30 nga këta të rehabilitohen, është sukses i jashtëzakonshëm. Do të kemi 30 familje të lumtura nga 100 të palumtura, nëse ky shërbim nuk do të ekzistonte. Në Zvicër pamë që një pjesë e mirë e klientëve ishin kosovarë dhe shqiptarë që kishin emigruar dhe përderisa kishte funksionuar me të njëjtin target-grup , pse të mos funksiononte në Shqipëri?! Gjatë eksperiencës me Qendrën e Këshillimit për gra kanë ardhur të na takojnë burra që kërkojnë ndihmë për të ndryshuar. Pikërisht për këtë grup njerëzish ia vlente që shërbimi të ngrihej.
Nga eksperienca e Qendrës së grave të dhunuara, a ndihen ato sikur e kanë merituar dhunën e pësuar? Sa e vështirë ka qenë t’i bindnit për të kundërtën?
Krahasuar me vitet e shkuar, ndërgjegjësimi i publikut është rritur shumë. Më parë duhej shumë punë që të bindje gratë e dhunuara se ajo që u kishte ndodhur nuk ishte e drejtë. Ato e mendonin si çështje e fatit të keq; kishin lindur gra, nënat e tyre ishin rrahur nga bashkëshorti, kur ishin fëmijë rriheshin nga babai e vëllezërit e më pas nga bashkëshorti... Përpjekja më e madhe ishte t’i bindje se nuk ishte mënyra normale e të jetuarit dhe përpjekjet mëdha bëheshin për ndërgjegjësim. Ka ende zona ku ekziston ky mentalitet, por numri i grave që nuk i di të drejtat e veta, është shumë më i vogël tani. Numri i atyre që telefonon në linjën e këshillimit, në numrat: 0800 40 40 dhe 042233408, është i madh. U bëj thirrje kujtdo që ndihet e dhunuar fizikisht, emocionalisht dhe seksualisht të marrë në telefon dhe të kërkojë ndihmë. Është shtuar numri i telefonatave, i denoncimeve dhe këshillimeve ballë për ballë, dhe kjo nuk flet për një shtim të dhunës, por rritjen e ndërgjegjësimit.
A mendoni se duhet rregulluar ligji kundër dhunës në familje?
bashkë me organizata të tjera kemi lobuar për të hartuar ligjin dhe mblodhëm 20 mijë firma që ta detyronin parlamentin shqiptar ta miratonte. Ligji u mor nga legjislacionet më të mira perëndimorë, por gjatë rrugës e sheh se mungojnë gjëra të tjera dhe gjatë kësaj periudhe janë hartuar edhe akte nënligjorë. Një nga gjërat më të rëndësishme që kemi ndihmuar për realizim ka qenë krijimi i mekanizmit të referimit në të gjitha njësitë vendore që i jep detyrë të caktuar punonjësve të shtetit që nga njësia bashkiake, sistemi arsimor, shëndetësor, policia, gjykata të gjitha organizmat që kanë një mundësi për të kontribuar ndaj luftës kundër dhunës në familje. Gjatë zbatimit të ligjit në punë e sipër del nevoja për të bërë ndryshime por është normale. Deri tani ligji ynë kundër dhunës në familje është ligj shumë i mirë.
Kur sheh gjithë atë agresivitet të shprehur në formën e dhunës ndaj grave, a e mendoni se jemi një shoqëri ku burrat urrejnë gratë?
Nuk e besoj. Njerëzit janë njësoj në këtë botë. Aty ku nuk vepron ligji njeriu tenton të bëhet më i dhunshëm, aty ku kanë frikë nga ligji funksionon në baza më të drejta barazia dhe emancipimi. Ky është problem global, është problem i shoqërisë dhe mbi të gjitha i zbatimit të ligjit.
“A mile in her shoes” është një fushatë ndërkombëtare, ku burrat marshojnë me këpucë me taka kundër dhunës së grave. A mund të bëhet edhe në Shqipëri kjo? A ka djem dhe burra të gatshëm të dalin në mbrojtje të grave në këtë formë, meqë jemi edhe në prag të 8 Marsit?
Këto janë forma të ndryshme të marrëdhënieve me publikun që përdoren për të tërhequr vëmendjen e një mase të caktuar. A mund të ndodhë në Shqipëri? Patjetër. Ka burra dhe djem që nuk e kanë problem fare ta bëjnë këtë për hir të një kauze. Do gjenim plot bura dhe djem që do ecnin në bulevard me taka për të mbështetur luftën kundër dhunës në familje, por problemi është sa do të kishte efekt për pjesën tjetër të shoqërisë dhe nuk do të përfundonte duke u parë si qesharake.



No comments:

Post a Comment