Monday, February 9, 2015

Ishte koha për pajtim...
















Atëherë  kur  Bashkim Finon e thirrën nga Gjirokastra për t’u bërë kryeministër  i një shteti në udhëkryqe të rrezikshme, ku në krye të kabinetit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar ai do të përpiqej të kthente paqen dhe sigurinë në vend. Por si  i kujton vetë Fino ato ditë të mbrapshta të vitit ’97?! Lexoni rrëfimin e tij...



Bashkim Fino, një burrë tek të 50-at,  duket se i ka kaluar të gjitha sfidat e një politikani, madje ka mbërritur të mbërthejë edhe ato majat e vështira që jo gjithkush në ‘profesionin’ e tij ia del.  E nisi si anëtar i partisë Socialiste, për të kaluar në vendimmarrjen lokale, për të arritur kulmin si  kryeministër i vendit.
E megjithatë kohëve të fundit profili i tij politik duket i rezervuar; i pa lakuar nga mediat, ndryshe nga kolegët e tij si Blushi, Harasani, Malaj apo Islami, të rreshtuar në frontin e mendimtarëve në rryma të ndryshme me atë të kreut të PS-së. I fundmit episod që mbahet mend bujshëm kur Fino ishte një prej protagonistëve të shumë mediatizuar ishte mbledhja e famshme e KPD-së pas lëvizjes ‘katharsis’ që kish ndërmarrë kryetari Nano,  asokohe ministër ai bashkë me Anastas Angjelin dhe Mustafa Muçin dhanë dorëheqjen.
Nuk  ngjan të jetë as ndonjëri prej benjaminëve të kryetarit Rama,  si Ruçi, Braçe, e të tjerë, të zgjedhur në Kryesi në Asamblenë Kombëtare, megjithëse në deklaratat publike ka artikuluar shpesh përjashtimin me rregullore të atyre që shkojnë kundër rrymës së përgjithshme të Partisë.
Larg  zhurmnajës  mediatike, axhenda duket e ngjeshur. Nga seancat plenare në Kuvend si deputet i grupit të Partisë Socialiste, qyshse opozita iu rikthye parlamentit, tek komisionet e ligjeve. Më  pas qëllon të mbahet Asambleja, ku ai do të dilte prej andej me një post si sekretar për Pushtetin Vendor, e paskëtaj mbledhje të gjata me  kryetarin Edi Rama.
Pikërisht në një prej sallave të vogla të mbledhjes në selinë rozë,  Bashkim Fino risjell edhe njëherë ditën kur e thirrën nga Gjirokastra të bëhej kryeministër. Ishte  9 marsi i vitit 1997 edhe kulminacioni i karrierës së tij politike.  
Sigurisht që nuk është nga ato ngjarjet e parëndësishme që njeriu i vendos në skuta të errëta dhe pasi ia kanë kërkuar t’i nxjerrë prej aty mundohet shumë t’i kujtojë me vështirësi...Kjo është një nga ato ngjarjet që në kujtesën e tij  është e gjallë, ndaj kur nis të tregojë me detaje duket si i ulur në kolltukun e një kinemaje ku e gjitha shfaqet si një film që nis nga  9 Marsi për t’u mbyllur më 29 Qershor të vitit 1997.

Telefonata  që e bëri kryeministër
Ora shënonte 15:30 kur telefoni i shtëpisë së tij tringëlloi më fort se herët e tjera.  Ishte ajo orë përpara muzgut kur njerëzit pasi kishin mbyllur angaritë e vogla shtëpiake, nguteshin t’i vinin shulet dyerve për t’i çkyçur vetëm mëngjesin tjetër. Në atë orë krismat dëgjoheshin edhe më fort, mbi tarracat e çdo pallati qëndron të gatshëm në rojë të armatosurit gjer në dhëmbë. Pothuaj në çdo shtëpi gjendeshin armatime  dhe municione të çdo lloji; automatikë,  pistoleta, mitralozë të cilët shpraznin inatin e mbledhur mbi perden e përhime të qiellit, e cila çahej tejetej për pak çaste për t’u nxirë edhe më nga të shtënat, që si bumerang i kthenin gëzhojat në tokë. Ishte kjo atmosfera që rrethonte Gjirokastrën, ashtu si e përshkruan Bashkim Fino, por nga edicionet e  lajmeve  kjo ishte gjendja edhe në qytete si Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Vlorë...“Nuk  bëhej fjalë për shtet,  për pushtet lokal, për polici, gjykatë, çerdhe, kopësht, arsim, pothuaj të gjithë të mbyllur, një gjendje gri, një gjendje që të krijonte një ndjesi ku pas orës një e gjysmë të drekës të gjithë njereazit mbylleshin nëpër shtëpi”, kujton Bashkim Fino përpara se të riprodhojë thuajse me të njëjtin precizion si pat  ndodhur  biseda telefonike që i lajmëroi se qe zgjedhur për të qenë kryeministër. Ajo pasdite teksa rrufiste kafenë me mikun e tij Hito Hitaj dhe ndiqnin së bashku të rejat nga situata në vend dikush e kërkoi në telefon për t’ia prishur njëherë e përgjithmonë qetësinë e asaj pasditeje, nëse mund të kishte qetësi në kuptimin e parë të fjalës në ato kohë.  Në anën tjetër të receptorit, 142 km larg, nga Tirana fliste Namik Dokle. Pas përshëndetjes kordiale, të dy e dinin që kishte diçka tjetër që e kishte shtyrë anëtarin e kryesisë së Partisë Socialiste të telefononte. “Bashkim të kemi zgjedhur të bëhesh kryeministër i vendit”-foli zëri i qartë dhe i prerë. Për ish kryetarin e Bashkisë, i cili prej tetorit të vitit 1996, ku kryente funksionet vetëm si Këshilltar në atë seli që për katër vite e kishte drejtuar vetë e që e konsideronte veten prej pesë muajsh të papunë ajo që dëgjoi t’i thuhej nuk mund të merrej ndryshe veçse si një shaka. Por ç’ta shtynte Doklen, që në ato kohë të vështira, kur në Tiranë opozita arrinte një marrëveshje me maxhorancën e asaj kohe për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike, të kishte ngenë dhe kohën për shaka?! Sigurisht ai i kish paraprirë duke i thënë se propozimi do i dukej i çmendur dhe duke e shtensionuar situatën Fino kujton t’i ketë thënë:  “Do doja të bëhesha vetë, por nuk më lejojnë”. Kushtet e presidentit të askohe Sali Berisha kishin qenë të prera; askush nga kryesia e Partisë Socialiste nuk duhej të propozohej për kryeministër. Vetë Fino pohon se ishte në brendësi të informacioneve mbi bisedimet që bëheshin mes presidentit dhe partive politike. Por ato detajet ku propozoheshin emra të përveçëm ai nuk ishte në dijeni. “E mora si një shaka të momentit, por ndërsa biseda vijonte nisa të ndërgjegjësohesha që nuk bëhej më fjalë për shaka, por ishte e vërtetë. Në pjesën e dytë të bisedës nisi rezistenca ime. Ç’ne unë?! Pse erdhët deri tek unë? Ka shumë të tjerë në Partinë Socialiste, të tjerë që ndodhen në Tiranë...Gjeja mundësi dhe shkaqe për të shmangur kur kishte shumë të tjerë që mund të bëheshin kryeministër”.  Argumentat nga ana tjetër ishin gjithaq ngulmues për të thyer rezistencën e tij. Pasi dëgjoi edhe njëherë ç’ishte folur në tryezën me presidentin Berisha, sesi do të bashkëpunonin forcat politike, sesi PS-së i kishin dhënë postin  e kryeministrit dhe partive të tjera poste ministrore, duke përjashtuar anëtarët e kryesisë si edhe nga disa rrethe, si Vlora.  Ndër emrat e propozuar ishte pranuar ai i Finos. Presidenti kishte qenë dakord që kandidatura e 35-vjeçarit anëtar i Asamblesë,  që kishte shërbyer si Kryetar Bashkie i Gjirokastrës, të cilin e kishte njohur në rrugë institucionale në vizitat zyrtare në qytet, të ishte kryeministri i vendit. Rezistenca e tij do të zgjaste edhe pak, derisa të gjithë anëtarët e kryesisë në një maratonë telefonike i kalonin radhën njëri-tjetrit për të shpalosur aftësitë e tyre bindëse. Ethem Ruka, Rexhep Mejdani, i cili në atë kohë ishte sekretari i përgjithshëm. “Qe i ngjirur e i lodhur dhe pasi bëra një tur telefonik me ta kuptova rëndësinë kur ata më thoshin : “Bashkim ne nuk kemi kohë. Duhet  të shkojmë te presidenti t’ia japim përgjigjen. Por nëse ti nuk e konfirmon kjo do të thotë se ne mund ta humbasim drejtimin e vendit. Ne do të jemi bashkë dhe do të të ndihmojmë”. Natyrisht që e doja një ngrohtësi të tillë shpirtërore dhe një afrimitet me ta dhe pasi bëra rezistencën e domosdoshme, i mbështjellë nga një sërë dilemash...”  Sot kur e kujton është i njëmendtë se qe ndërmarrje shumë e rrezikshme e ndoshta në kushte të tjera nuk do e kish pranuar në mënyrë të prerë. “Por për shkak të argumenteve të ët gjithë anëtarëve të kryesissë pranova të vija me kushtin e mbështetjes që ata do më jepnin”.  Gjatë asaj bisede që dukej sikur nuk do kishte mbarim familjarët, gruaja, nëna, fëmijët që kishin arritur të mblidhnin copëzat e asaj bisede kishin mbetur të habitur . Duke kërkuar ndonjë farë miratimi në sytë apo mimikat e  tyre ai nuk arrinte të kuptonte asgjë. “Ata ngrinin supet si për të thënë që kjo është zgjedhja jote, ne nuk dimë ç’të të themi. Kishte një lloj frike dhe aspak kënaqësi të tipit “shyqyr të ra kjo mundësi dhe o burra pranoje!” . Aty kuptova që nuk qe kënaqësi për ta”. Por ndoshta ishte optimizmi i shfaqur hapur në fytyrën e mikut të tij Hitaj i cili me gjeste i thoshte të pranonte, e shtyu të thoshte “Dakord, pranoj!”.  “Pas pranimit miku im u ngrit menjëherë e më dha dorën, ndërsa gruaja dhe nëna rrinin të strukura. Ishte një situatë e dhimshme dhe rrëqethëse kur e kujtoj tani. Mendoj se i vura familjarët përpara një vështirësie për ta pranuar propozimin”

Përshëndetje prej Cezari
Kishin kaluar vetëm 15 minuta ndërsa përcillte mikun  e tij jashtë shtëpisë dhe nuk kishte pasur kohën re mjaftueshme për ta përtypur lajmin dhe për ta mësuar veten se tanimë ai ishte kryeministër i Shqipërisë. “Ndërsa po kthehesha shoh të gjithë banorët e pallatit tim kishin dalë në dritare dhe më uronin”. Ndërkaq lajmi qe dhënë në media se kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar  kishte një emër dhe ai ishte Bashkim Fino. “E kam gjetur veten kur hyra në shtëpi ashtu si isha i veshur me rroba sportive me një turmë njerëzish, të gjitha agjencitë e huaja të lajmeve, sidomos greke që gjendeshin me shumicë në Gjirokastër të cilët kërkonin të më shkëpusnin intervistën e parë. Ndërkohë që unë kisha folur vetëm me anëtarët e Partisë Socialiste dhe nuk kisha mundur dot të bisedoja ende me Presidentin e vendit.  Ai kujton se ishte ora 8 e mbrëmjes kur presidenti i Republikës e telefonon për herë të parë. “Ai më tha: Bashkim unë të kam dekretuar me propozimin që kemi bërë me forcat politike për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar me dhjetë partitë politike. Pres të vish nesër në mëngjes të takohemi e të marrësh detyrën. Janë ndarë postet sipas partive politike. Ata i kanë thuajse gati emrat. Do të punojmë bashkë dhe kemi përpara një punë të vështirë. Të lutem do të vijë helikopteri në jug për të të marrë por duhet të marrësh përsipër të mos e qëllojnë”.
E nesërmja do ta shndërronte vendimmarrësin lokal në një politikan të klasit të parë, në kreun e ekzekutivit të një vendi i cili pat  marrë rrokopujën. Ashtu si e përshkruan edhe ai vetë, një vendi i cili pas falimentimit të skemave piramidale, nuk kishte më shtet, në një vend ku banorët që humbën thuajse gjithë kursimet e tyre, e shfrynë frustrimin në histeri masive duke shkatërruar çdo gjë, që u dilte para, në një vend ku ishte paralizuar vetë jeta.  Banorët e Gjirokastrës ia bënë të gjitha nderimet, e shoqëruan në turma dhe me të shtëna armësh në ajër, që ndoshta për të parën herë ishin nga gëzimi, deri në fushën e helikopterëve, ndërsa bashkëqytetari i tyre largohej vetëm me një çantë të vogël ndërresash e shumë pasiguri dhe pikëpyetje që i vareshin mbi kokë. Udhëtimi qe i qetë, ndoshta në një formë apo tjetër, ishte marrë vesh që helikopteri në qiellin gri të jugut ishte ai që transportonte kryeministrin e vendit. “Kur u ulëm në Tiranë pashë se kishin ardhur të më prisnin me eskortën shoqëruese dhe makinën zyrtare. Në atë moment dëgjova të më thërrisnin për herë të parë “Zoti Kryeministër!”. Kjo do të ishte edhe shkundja e parë që do e zgjonte njëherë e mirë nga trullosja ku  prej telefonatës së Dokles nuk  kishin kaluar ende 24 orë.
“Kërkova që stacioni i parë në Tiranën e cila dukej më e qetë se Gjirokstra dhe krejt Jugu të mos ishte selia e kryeministrisë por ajo e Partisë Socialiste. Nuk m’u duk e drejtë të bëja asnjë veprim pa u takuar më parë me anëtarët e Kryesisë. Përpara selisë rozë qëndronin turma njerëzish të cilët e morën mbi krahë kryeministrin. “Takova të gjithë anëtarët e Kryesisë së Partisë dhe isha shumë i kënaqur që vajta në fillim atje. Së bashku pastaj shkuam të takonim presidentin Berisha”.  Atë pasdite që i binte të ishte e dyta si Kryeministër do të pinte një kafe me Aleksandër Meksin, i cili vetëm pak ditë më parë kishte dhënë dorëheqjen nga Kryeministër i Shqipërisë, si një gjest fairplay mes dy lojëtarësh, kur njëri ndërron tjetrin në çastet më kritike të ndeshjes. Dita e parë në zyrën e Kryeminsitrit i shte tejet e ngarkuar. Takimet me kryetarët e partive Politike të cilët me emrat e propozuar po plotësonin kuadron e qeverisë së Pajtimit Kombëtar që do të i shte; Belul Çela, Ministër i Brendshëm, Shaqir Vukaj, Ministër i Mbrojtjes, Arian Starova, ministër i Jashtëm, Arben Malaj Ministër i Financave, Spartak Ngjela, Ministër i Drejtësisë, Eduard Ypi, Ministër i Privatizimeve, Astrit Kalenja, Ministër i Shëndetësisë dhe Mjedisit, Myqerem Tafaj,  Ministër i Arsimit të lartë dhe kërkimeve shkencore, Luan Skuqi, Ministër i Arsimit dhe Sportit, Haxhi Aliko, Ministër i Ushqimit dhe Bujqësisë, Kastriot Shtylla, Ministër i Mineraleve dhe burimeve energjitike, Foto Dhuka, Ministër i i ndustrisë, transportit dhe tregtisë, Ëngjëll Ndocaj , Ministër i Kulturës, rinisë dhe gruas, Elmaz Sherifi, Ministër i Punës dhe çështjeve sociale, Vasillaq Spaho, Ministër i Punëve publike,rregullimit të territorit dhe turizmit. “Ky ishte momenti i parë si filloi dhe nisi të funksionojë qeveria e re”, tregon Fino.

***
Takimin e parë me  Vranickin, i cili atëkohë ishte de facto kryeministri i Shqipërisë i vendosur nga Amerika dhe vendet e Evropës për të monitoruar situatën në vend dhe në krye të negociatave me ndërkombëtarët. “Ajo që kërkohej urgjentisht ishte vendosja e qetësisë, për të mos e lënë vendin të kalonte në Luftë Civile”. Takimin me Vranickin e kujton ta ketë kryer mbi një Fregatë ushtatake në mes të detit Adriatik. “Në një shtet ku nuk funksiononte as ushtria dhe as forcat e policisë kërkohej me patjetër  ndihma e forcave shumëkombëshe për të vendosur qetësinë në vend. Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrej leje nga të gjitha parlamentet e vendeve pjesëmarrëse në mënyrë që ndërhurja të ratifikohej prej tyre. Pra ishte diçka që nuk mund të bëhej menjëherë”. Situata në vend bëhej çdo ditë e më tragjike, tanimë nuk ishin më vetëm ‘të fortët e jugut’ që posedonin armatime. Depot kishin shpërthyer edhe në Tiranë e rrethe të tjera, ndërsa të gjithë donin të largoheshin nga sytë këmbët prej këtij vendi, fatet e kryqëzuara të të cilit ishin gjithnjë e më të pasigurta.  Atë ditë ministrat të njëzëri dolën në deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje ish ushtarakëve se vendi kishte nevojë për ta më shumë se kurrë. “Më erdhi mirë për këtë veprim të tyre”, pohon ai.
Të rejat që i solli presidentit nga takimi me Vranickin duket se nuk e kënaqën aspak këtë të fundit. Forcat shumëkombëshe do të mbërrinin vetëm nga mesi i prillit, ndërsa presidenti mendonte se ndërhyrja e tyre do të qe e menjëhershme duke marrë parasysh që situata nuk mbante më. Nga ana tjetër ishin zërat shqetësues që paralajmëronin një ikje të mundshme të presidentit duke e lënë në mëshirë të fatit gjithçka. “Kërkova takim me presidentin dhe i thashë që duhet të mblidhte menjëherë parlamentin që të votëbesohej qeveria e re. Nëse do të ndodhte se ai ikte, të paktën Qeveria të ishte legjitime”. Në atë mbledhje të jasthëzakonshme të Parlamentit Kabineti i ri qeveritar paraqiti një program prej vetëm katër faqesh. Sigurisht që nuk bëhej fjalë për një program mirëfilli  ekonomik, politik, reformash e për çdo fushë të jetës.“Ishte një qeveri e vullnetit politik të 10 partive që kërkonin realizimin e mundshëm të zgjedhjeve të parakohshme, të pranueshme nga të gjithë dhe natyrisht, vendosja e një rendi kushtetues që ishte cenuar”. Ndërsa fjalimi që ai mbajti, të pa shkruar në letër, por i shtytur nga ndjenja patriotike u duartrokit nga parlamenti me shumicë të djathtë. Ajo të paktën qe një natë e qetë. “Qeveria ishte e legjitime”.

Kur merreshin vendime
Periudhën nga marsi deri në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme që duhej të ishin me patjetër të pranueshme nga të gjitha palët për t’i dhënë zgjidhje të ardhmes së vendit,  e kujton të mbushur me plot episode, të cilat i ka përshkruar imtësisht në librin “Humnerë ‘97”. Vendosi  ta botonte  pas dhjetë viteve, në 2007-ën për publikun e gjerë. Në fakt, ky është një libër me dëshmi. Unë kisha detyrimin që shqiptarët të kishin dëshmitë e një prej protagonistëve të asaj kohe, të Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar. Kisha kohë që kisha përmbledhur gjithë ato momente të vështira për popullin tonë. Këtu e kam fjalën për muajt mars-korrik të 1997-ës”, shprehej ai ditën e promovimit të librit. Axhenda e kryeministrit ishte e ngarkuar, vendosej sipas zhvillimeve të ditëve, të cilat bëheshin më të lodhshme se kurrë. Ndërkaq forcat shumëkombëshe kishin mbërritur në vend dhe policia e cila funksiononte vetëm në Tiranë jepte ndihmesën e vet.  Një prej atyre zhvillimeve që do të caktonte jo vetëm axhendën prej kryeministri por edhe fatet e një komuniteti i cili për ironi ishte në mëshirë të fatit. Të burgosurve, disa të arratisur disa të mbledhur në burgun e Tiranës.  “ I kërkova presidentit të lëshonte një dekret për faljen e të burgosurve për aq kohë sa ne nuk mund të dilnim garant për sigurinë e jetës së tyre. Në një moment të dytë kur ujërat të ishin qetësuar mund t’i arrestonim sërish”. Presidenti, si politikan me përvojë dhe njohës i mirë i shtetit, siç e pranon edhe vetë  Fino, kërkoi të hartohej një vendim nga Këshilli i Ministrave. “Mblodha kabinetin dhe në momentin që ne hartonim vendimin shpërtheu edhe burgu i Tiranës. Të vetmit që nuk ishin larguar nga burgu për hir të së vërtetës ishin Fatos Nano dhe Ramiz Alia”. Presidenti e pranoi të nxirrte një dekret faljeje me një listë të gjatë emrash. “Por më kërkoi të dilnim në një deklaratë të përbashkët për të hedhur poshtë përshtypjet se këta dy institucione nuk shkonin, gjë që ishte e vërtetë. Megjithatë pranova për të mirën e vendit”.  Situata u rëndua edhe më pas tragjedisë në Kanalin e Otrantos. “Ata njerëz u larguan për një jetë më të mirë pasi vendi i tyre nuk mund t’ua siguronte. Ishin ditët më të errëta kur pyesja veten : “Pse?”, Çfarë bëja unë aty?!”. Një tjetër moment i rëndësishëm në jetën prej Kryeministri ishte edhe vizita e kryeministrit Prodi në Gjirokastër. Pas ngjarjes së Otrantos, shefi i opozitës së asaj kohe në Itali, Berlusconi kishte kërkuar mocion mosbesimi për Prodin. Situata shqiptare prekte edhe poltikën italiane. “Unë isha nisur të takoja kryeministrin grek Simitis dhe po qëndroja një natë në shtëpinë time në Gjirokastër. Prodi insitonte për një takim. Isha në dilemë për ta pranuar nga frika se mos shkaktoja ndonjë incident diplomatik”. Por më 2 prill 1997 ai dhe Prodi dalin në një komunikatë të përbashkët për mediat, gjë që i shpëtoi postin kryeministrit italian.
 Pas masakrës së Cërrikut, informacionet që kish marrë kryeministri flisnin qartë për një tjetër masakër drejtuar opozitës. “Kisha të dhëna se nën justifikimin se po vidhej Banka e Shtetit, Berisha do të nxirrte autoblindat me qëllimin e vërtetë për asgjësimin e opozitës. “I telefonova kancelarisë ndërkombëtare të cilët ndërhynë duke e ndalur masakrën e mundshme. Them se kemi shpëtuar një konflikt të hapur që nuk dihej si do mbaronte”. 

Fundi i qeverisjes së pajtimit
Kur bën një bilanc të kohës së shkurtër por ndoshta më intensiven që mund të ketë një kryeministër, i cili ka gjiothë kohën mudnësitë dhe qetësinëe duhur për të krijuar një program dhe për ta vënë më pas në jetë, ai nuk e fsheh krenarinë për arritjet, se bëri atë që do bënte gjtihkush me ndjenjë patriotike, por edhe një krenari të partikuluar por të ditur nga gjithkush se ishin pikërisht ata muaj të trazuar që e bënë Bashkim Finon të dilte nga anonimati e të kthehej në një politikan të kalibrit të lartë. Mendon se ka bërë ç’ishte më e mira e gjykuar për atë kohë, por në disa raste-siç është fakti i debatuar se në krye të komiteteve të shpëtimit kishte shpesh emra kriminelësh si Zani Çaushi, i përdorur shpesh si truprojë në takimet me Prodin. “Ishe i detyruar të luaje të gjitha rolet, që t’i mbaje të qetë këta njerëz, se s’kishe rrugë tjetër. Kur e mendon më pas, është edhe mire, edhe keq mbase, duke menduar bëmat që kanë bërë këta njerëz, por në atë moment ata ishin të fuqishëm në zonat përkatëse”, është shprehur në një intervistë të disa viteve më parë ai. Ndoshta kur e mendon tani, në të atilla kushte nuk do e kishte pranuar kurrë propozimin që i erdhi me anën e një telefonate të papritur, por në fund të fundit pas asaj kohe të vështirë kur iduhet shpesh të shfaqte shpresë dhe optimizëm për popullin qeveria e përkoshme i arriti dy synimet kryesore; gjendja nisi të stabilizohej dhe në korrik u zhvilluan zgjedhjet e lira dhe të pranueshme nga të gjitha palët, që do të sillnin partinë e tij në krye të qeverisë. Ai i dorëzoi postin Fatos Nanos ndërsa vetë do të bëhej Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit...




No comments:

Post a Comment