Monday, February 9, 2015

Betejat diplomatike të Luftës së Kosovës

















Ja si e  kujton diplomati shqiptar odisenë e përpjekjeve për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve të Kosovës  në luftën e përgjakshme të ushtrisë serbe  pasi kanë kaluar 15 vite dhe Kosova feston më 17 shkurt 5 vjetorin e Pavarësisë së saj . Episodet, protagonistët  dhe antagonistët, qëndrimet dhe vendimet për fatet e mijëra njerëzve  i sjell në dëshminë e tij.



Ksenofon Krisafi e mori detyrën si  Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i  Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë në vitin 1998. Ndërsa në Shqipërinë zyrtare  pushtetin e kishte marrë e majta dhe po mundohej të rimëkëmbte shtetin e rrënuar pas luftës civile, në veri të trojeve etnike të saj , kishte ngritur kryet një tjetër luftë, e cila civile nuk kishte asgjë, as edhe emërtimin.  Çdo ditë, ushtria serbe dhe grupe paramilitare  masakronin, dhunonin, nxirrnin nga shtëpitë  mijëra shqiptarë të Kosovës.  Si kundërpërgjigje ishte formuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës që  mobilizoi edhe më shumë makinerinë vrastare serbe për ta shtypur çdo grahmë frymë të rezistencës. Opinioni publik botëror kishte çdo ditë para sysh pamje të servirura nga mediat ndërkombëtare të  pozicionuara   në vijën e parë , por sa e ndërgjegjësuar ishte diplomacia e huaj në zemër të Gjenevës për tragjedinë që po ndodhte pas derës së saj?! Si vinin dhe përpunoheshin informacionet dhe merreshin vendimet për fatet e një populli të shtypur e të dhunuar ? Si lobohej për Kosovën dhe sa e vështirë ishte ta thyeje qëndrimin e ngurtë të diplomatëve?  Ishte kjo sprova e parë dhe më e rëndësishme që Krisafi duhej të kalonte . Të trokiste në çdo derë, përfaqësi, organizatë ndërkombëtare  për t’i dhënë zë, zërit që po shuhej të mijëra shqiptarëve përtej kufirit zyrtar të Shqipërisë. Ishte një betejë edhe ajo që zhvillohej në OKB, fitorja e së cilës do të shënonte edhe fituesen e luftës. Po si e  kujton diplomati shqiptar odisenë e përpjekjeve për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve të Kosovës pasi kanë kaluar 15 vite dhe Kosova feston më 17 shkurt 5 vjetorin e Pavarësisë së saj . Episodet, protagonistët  dhe antagonistët, qëndrimet dhe vendimet i sjell në dëshminë e tij.

Natyrisht,  detyra e ambasadorit  të Shqipërisë në një forum të tillë si OKB-ja në Gjenevë, ku për më tepër ishte edhe një  strukturë të  posaçme si Komisioni i  të Drejtave  të Njeriut, ishte  me patjetër dalja në mbrojtje e fateve të këtij populli që ishte pjesë e popullit tonë.
Që  në ditët e para  të misionit tim atje, u ndjeva jo vetëm si përfaqësuesi zyrtar i shqiptarëve në Gjenevë,  por edhe i shqiptarëve të Kosovës...
Me të dëgjuar për mbërritjen e tij, përfaqësues të lëvizjeve të ndryshme të rezistencës në Kosovë trokitën menjëherë në derën e misionit shqiptar.  Kishin informacione të dorës së parë, rrëfime rrëqethëse  që kishin kaluar më parë në lëkurë të tyre dhe shpresën e vetme  të një zëri zyrtar që do përçonte  dhimbjen dhe zemëratën e një populli që vritej çdo ditë.
“Madje aq të  fuqishëm u bënë  lidhjet tona saqë takoheshim  jo vetëm në mision, por shumë nga eksponent e UÇK-vinin  mysafirë në shtëpinë time”- tregon Krisafi. 
Nga Kosova e shndërruar në shesh betejë, informacionet që rridhnin nga terreni ulërinin  për shpëtim.   Dera e parë ku i duhej të trokiste ambasadorit shqiptar ishte ajo e Sadako Ogatës , Komisionere e Lartë  për refugjatët në OKB. Me mijëra njerëz   i arratiseshin çdo ditë Kosovës në kërkim të një strehe që të mund t’u siguronte jetën në shtetet fqinjë të Europës, madje shumë syresh kishin mbërritur në Gjenevë.
“Këtë situatë ia raportova znj. Ogato duke i kërkuar zyrtarisht të vinte në veprim strukturat e Komisionit të Lartë për Refugjatët në OKB”. 
Por  japonezja, gruaja e mençur dhe me mjaft përvojë në qarqet diplomatike qëndroi ftohtë. Aq  të fohtë dhe distant e kujton qëndrimin e saj, sikur ngjarjet të ndodhnin diku  në Afrikë apo Azinë e largët dhe jo në mes të Evropës. Edhe pse kanë kaluar 15 vjet i ka mbetur ende i pashpjegueshëm qëndrimi i kësaj zonje, që kishte për detyrë të kujdesej për refugjatët.
“I thashë se shqiptarët e Kosovës kishin gjendeshin   në Kukës dhe  po i drejtoheshin me vërshim  Tiranës. U kërkova të bashkërendonim përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë, por përgjigjja e tyre ishte se nga raportimet e tyre nuk rezultonte një situatë e ngjashme”.
Nga njëra anë qëndrimi i distancuar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga ana tjetër këta shqiptarë të Kosovës po përballeshin me një “shtet amë” të drobitur nga hallet e saj , ku shkrumbi i  97-ës  nxinte ende mbi gjithçka. I pamundur ekonomikisht  për të  mirëpritur me mijëra qytetarë që mbërritën në fare pak ditë, duke e lënë  të shkretë në plot kuptimin Kosovën.
Nëse e para nuk hapej, dyer për të trokitur me shpresën se do dëgjohej deri në fund duke dalë me premtimin për zgjidhje  në Gjenevë kishte plot.
Hapi i dytë ishte takimi me Komisioneren e të Drejtave të Njeriut, Mary Robinson. Ish presidentja e Irlandës ishte një grua me  shumë influencë  dhe kishte reputacion pozitiv në qarqet diplomatike të Gjenevës.
“ I  kërkova  të mobilizonte opinionin politik, diplomatik, opinion e gjerë kudo në botë, për të dënuar dhunën e organizuar shtetërore të Beogradit kundër popullit të Kosovës”.
Edhe ajo mbajti të njëjtin qëndrim, atë të njeriut  të distancuar nga zhvillimet në Kosovë.
“I kërkova disa herë, me insistim, që komisioni duhet  të mblidhej  në sesion të jashtëzakonshëm, të merrte në shqyrtim situatën  e Kosovës dhe të dilte me një rezolutë për të dënuar ç’ka po ndodhte  si edhe të parashikonte masat për t’u ardhur në ndihmë këtyre njerëzve. Qëndrimi ishte  krejt indiferent”.
Në Kosovë gjithçka kishte marrë rrokopujë,  situata degradonte dita-ditës ndërsa pamjet atje ishin apokaliptike... Serbët nuk ishin mjaftuar vetëm me ndërhyrjet ushtarake. Tani edhe grupe paramilitare si ajo e udhëhequr nga Arkani, krimineli  më i kërkuar nga Interpoli dhe i dënuar nga Kombet e Bashkuara   për krime kundër njerëzimit, po kryenin krime monstruoze duke përdhunuar e vrarë. 
Më erdhi një djalë i Kosovës që jetonte në Francë, në kufi me Gjenevën dhe  më solli një CD me skena të xhiruara të masakrës së Reçakut” .
Ishte mëngjesi i  15 janarit të vitit  1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.
Sipas dëshmitarëve që i mbijetuan  krimit, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë granatuan  fshatin. Fshatarët  u përpoqën  të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ua bëri të pamundur ... në  Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve edhe një grua.
“ Pamjet që erdhën nga Kosova, ishin rrëqethëse. Me  këto në dorë i shkova në zyrë Mary Robinson-it   dhe i kërkova të merrte masa për t’u ardhur në ndihmë, sepse ky ishte misioni i zyrës së saj.  E   drejta bazë ishte ajo për jetën dhe këtyre mijëra  njerëzve po u cenohej jeta. Ajo nuk  mund të ishte më  indiferente për nëj tragjedi që ishte në prag të derës”.
I kërkoi të prisnin edhe pak, me gjithë rezervimin që karakterizoi qëndrimin e saj dhe se pas pak ditësh, ajo vetë do të ndërmerrte një udhëtim për ta parë nga afër situatën.
“ Pas pak ditësh ku popullsia e Kosovës vërshoi në mënyrë masive  drejt Tiranës,   i  thashë të mos lodhej me udhëtimin pasi Kosova tanimë  ishte zbrazur. I thashë të shkonim në Shqipëri, të fliste me qytetarët kosovarë  e të dëgjonte  nga goja e tyre ç’kishte ndodhur”.
Mbledhja e jashtëzakonshme që përfaqësia  diplomatike shqiptare kishte kërkuar që në fillim nga Komisionerja për të Drejtat e njeriut më në fund u vendos në axhendën e kësaj të fundit.
“Pati  një moment që ndikonte negativisht. OKB kishte ngarkuar të përgatiste një raport  ish ministrin e jashtëm të  Çekisë, Jiri Dienstbier,  i cili që në vend të merrte në mbrojtje popullsinë qindra mijëshe të Kosovës, në raportin e tij  përpiqej të justifikonte veprimet e Beogradit”.
 Kjo dukej se ishte fryma e orientimit të mbledhjes.
“Bashkë  me stafin tim, zbuluam se nuk ishte rastësore. Ai ishte shumë i lidhur me Beogradin, tezja e tij serbe punonte në Ministrinë e Punëve të  jashtme të Serbisë në Beograd. Gjithçka që ai po paraqiste vinte e parafabrikuar nga Beogradi. Tashmë do na duhej një forcë e madhe argumentuese dhe prova, të cilat nuk mungonin pasi të  gjitha mediat transmetonin, të përgënjeshtronim raportin e tij. Dhe  e bëmë!”.
Ajo që  nisi si një mbledhje rutinë e Komisionit , u shndërrua në mbledhje të fuqishme zëri i   Kosovës u përfaqësua dhe gjetën jehonë.
Sigurisht që Shqipëria këtu kishte një rol të veçantë, që  realizohej vetëm nga dy njerëz. Nuk  ishte shumë e lehtë të përballoje një ngarkesë të tillë dhe një barrë kaq të rendë për t’iu përgjigjur kërkesave. U përpoqëm duke mobilizuar edhe forca të tjera që ndodheshin në Gjenevë.
Me dy ish titullarë të përfaqësive diplomatike të Shqipërisë e instalova bashkëpunim të vazhdueshëm dhe u konsultova me ta. Kishte edhe mjaft  kosovarë, figura të spikatura të lëvizjes kosovare dhe mjaft studentë shqiptarë ...”
Më  janar  të vitit 1999 shqiptarët organizuan  një manifestim paqësor në rrugët e Gjenevës.  Më  shumë se 5 mijë veta , ecnin duke mbajtur  në duar qirinj dhe pankarta, duke përshkuar qytetin e vjetër të Gjenevës e për t’u ndalur  në dyert e OKB-së, në një parakalim prej 4 kilometrash. Simpatizantë të Kosovës nga e gjithë Europa, përfaqësues shtetesh, studentë shqiptarë dhe shqiptarë të Kosovës.
 “Unë ndjenja katër vjet në Gjenevë  dhe aty përplaseshin të gjitha hallet e botës, por rrallëherë ka ndodhur të ketë pasur një manifestim kaq masiv dhe mbresëlënës si ai i shqiptarëve për ngjarjet e Kosovës”.
Si qëndronin   të paprekur dhe të ftohte këta komisionerë ndaj medias që  vërshonte  me informacione nga fronti mbi masakrat që i bëheshin popullit kosovar?!
“E kam një shpjegim timin. Përfaqësia  diplomatike e Beogradit në OKB, e cila në atë kohë ishte e pezulluar pasi ishte shtruar problemi i përfaqësimit të ish Jugosllavisë e së shpërbërë, kishte mbetur e pazgjidhur çështja e përfaqësimit të tyre OKB.  Ekzistonte formalisht , por  nuk kishte  drejtën të  ulej dhe të fliste në forumet  OKB. Ata rrinin në galeri. Megjithatë  ishin shumë aktivë. Punonim me  të gjitha mjetet që ka në dispozicion  përfaqësia diplomatike, ishin mision shumë i madh, kishin në dispozicion shimë fonde të cilat i përdornin pa kufi për të kompromentuar çdo njeri që mund të kishte një zë në këto forume.  Kishin krijuar një atmosferë lobuese në favor të tyre”.
Sipas Ksenofon Krisafit, kjo duhet të ketë qenë  një nga shkaqet që situata  në Kosovë binte në vesh të shurdhër.
Por kishte edhe nga ata që e dëgjuan zërin e Kosovës që në fillimet e trazirave, duke ofruar edhe ndihmë të menjëhershme për popullsinë e Kosovës. Një prej këtyre ishte edhe
Brunson McKinley, Drejtori i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionit.
“Ai na  dëgjoi realisht dhe kontribuoi i brenda kompetenca ve e dhe mundësive për të lehtësuar pozitën e emigranteve kosovarë”. Që nga ai moment ai do të hapte një zyrë të posaçme në Tiranë dhe udhëtoi vetë drejt kryeqytetit shqiptar për të parë gjendjen në terren.
N ë Gjenevë funksionon si një strukturë më vete grupi  vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike,  që gruponte rreth  50 shtete.  në këtë grup doemos bënte pjesë edhe Shqipëria.
“Kam mbetur i impresionuar  nga një organizim, preokupim, nga  një punë jashtëzakonshme energjike, e kryer nga ky grup në favor të Kosovës.  Drejtuesi  ishte ambasadori i Iranit në atë kohë, një burrë i mençur i vili vuri në lëvizje të gjitha mekanizmat e kësaj organizate. Ky grup ka dhënë kontributet e veta”.  
Sigurisht që vendet islamike do të rreshtoheshin në favor të Kosovës, ku kjo njihet për popullsinë myslimane dhe nga ana tjetër Serbia me popullsinë ortodokse.
“Objektivisht ishin në favorin tonë, pa e përzier veten fuqimisht,  pa dalë si protagonistë të këtij grupi,  e shfrytëzuam në perfeksion”- rrëfen  diplomati.
Gjeneva është kryeqendra e  diplomacisë multilaterale. Aty  përplasen të gjitha llojet e shërbimeve politike, diplomatike, shërbimeve të inteligjencës  nga e githë  bota. Nuk është sekret që misionet  diplomatike  në OKB një pjesë të  mirë të personelit e  kanë edhe për  funksione t ë tjera, informative, shërbime inteligjente, të cilat mbledhin  informacion nga  çdo lloj burim i mundshëm i përqendruar në Gjenevë dhe ua  përcjellin vendeve të tyre për  të përgatitur  qëndrimet.
“Patëm fat në këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme sepse patëm  mirëkuptim edhe nga misioni i ShBA-ve dhe BE-së në Gjenevë. Këta kapërcyen kompetencat e këtyre organizatave ndërkombëtare dhe ndërmorën një varg nismash për të vënë në  lëvizje strukturat e OKB-së. Titullarë ë këtyre dy misioneve ishin në kontakte të vazhdueshme me mua përmes takimeve të shpeshta”.
Krahas burimeve të sofistikuara të informacionit, i duhet të dëgjonin edhe burimin që vinte nga Shqipëria, përmes përfaqësuesit të tyre në Zyrën e OKB-së, për të krijuar tablonë e plotë e për të marrë më pas masat e nevojshme dhe ato të duhurat...
Disa gjëra bëhen në publik, ndërsa të tjera qëndrime  sanksionohen në kulisa. Gjeneva ishte vendi ku formalizoheshin të gjitha nismat që merreshin në negociata. Asokohe zhvilloheshin bisedimet në Rambuje midis delegacionit kosovar dhe atij serb “Por jehona, gjurmët, hijet e nëndheshme të bisedimeve reflektoheshin në Gjenevë., ku do të përpunoheshin edhe zgjidhet që do i jepeshin Kosovës.
“Është një fakt që dihet tashmë se  ishte  fat i jashtëzakonshëm qëndrimi destruktiv obstruksionist  i Millosheviçit që Kosova sot feston 5 vjetori ne pavarësisë së saj, sepse nëse Millosheviçi do të pranonte të firmoste marrëveshjen e përgatitur nga faktori  ndërkombëtar,  Kosova do të kishte  mundur të realizonte vetëm një autonomi të zgjeruar, ky ishte projekti maksimal i asaj kohe.  fati deshi  të ngurtësohej  me qëndrimet që mbajti, pasojat të cilat i vuajti  ai vetë dhe Serbia bashkë me të  që Kosova të shpëtonte njëherë e  mirë nga zgjedha serbe”.
Një çlirim që pati kostot e veta në humbjen e mijëra jetëve të pafajshme.
Vlerësohet, se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë, ku 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur . U  përdhunuan afër 20 mijë femra shqiptare, u rrëmbyen mbi 3 mijë shqiptarëve, ku pas luftës një pjesë e tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi, ndërsa ende nuk dihet për fatin e 2087 të tjerëve...A u kundërpërgjigj kur duhet dhe sa duhet diplomacia ndërkombëtare?!  Një gjë është e sigurt, që pa të nuk do të kishte Kosovë të pavarur sot...


No comments:

Post a Comment