Foto:Armand Sallabanda
20 vite në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit si balerinë e parë, dhjetëra kryevepra të vëna në skenë dhe dhjetëra të tjera që mbajnë firmën e saj si koreografe. E fundit “Traviata” e rivënë në skenë në fillim të marsit, pas suksesit që pati premiera e vitit të kaluar, të cilën Enada e solli si balet për të parën herë për publikun shqiptar...Enada Hoxha rrëfen sfidat e balerinës për të qenë gjithnjë e përsosur dhe për të shkëlqyer mbi skenë
Është
mëngjes i vonë me diell i 14 Marsit, ndërsa Enada shfaqet me të birin Roanin
për dore në kafenenë pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, të cilit nuk ka
dëshirë largohet as në ditë pushimi zyrtar. E
ka të pamundur ta fshehë siluetën prej balerine edhe pas rrobash sportive: qafa
e hollë, flokët e mbledhur chignon, mollëzat
e theksuara, mjekra e mprehtë, eleganca mbresëlënëse dhe qëndrimi drejt i trupit
i japin atë aurën që e shoqëron sa herë hipën mbi skenë.
“Sot
kemi shfaqje. “Balloja e Diplomës” quhet baleti që ka vënë në skenë koreografi
dhe drejtori i TKOB, Ilir Kerni dhe ne të dy, unë dhe Gerdi, kemi një pjesë të
vogël disa minutëshe ku shfaqemi si dy personazhe të një epoke tjetër mes
gjithë asaj hareje të të rinjve. Është vepër e këndshme, komike...Më pëlqen, më
përshtatet. Megjithëse shfaqemi shumë pak, pak më shumë se pesë minuta, kam
ditë që jam në ankth si do të dal” –ia nis Enada sapo është rehatuar.
Ende
nuk i kanë ikur emocionet e “Traviata” –s të cilën Enada dhe Gerdi e rivunë në
skenë një vit pas premierës absolute për shkak të bujës dhe suksesit që korri
në fillim të marsit.
“Kam
marrë emocionet më të jashtëzakonshme. E kam dashur gjithmonë personazhin e
Violetës dhe mendoj se kësaj here solla një Violetë më të pjekur: koketë, femërore
por edhe të sigurt, më zonjë. Jam e kënaqur në mënyrën sesi e solla tani”
–thotë Enada duke shtuar se për të hyrë e gjitha në lëkurën e një roli, duhet
të kesh një lloj pjekurie, kur miksohen në një të tërë jo vetëm nga karriera e gjatë
profesionale, por edhe eksperienca e të jetuarit. Jo vetëm personazhi i
Violetës, por i gjithë baleti është si fëmija i saj.
Dy
vite më parë kur ishte e ftuar në një shfaqje në Itali, një homazh për “Maria
Callas” jeta e së cilës ishte personifikuar disi me atë të heroinës së Verdit,
Violeta apo Dymasë “Zonja me Kamelie” dhe aq u magjeps sa nuk mundi më ta mbajë
për vete mendimin që i kish lindur. “I thashë koreografit Fredy Franzutti pse
të mos e vinim në Tiranë?! Edhe ai i rrëmbyer nga pasioni i bisedës tha: pse
jo?!. Që në atë moment nisi të më punojë mendja për të. Isha shumë entuziaste.
Erdha në Tiranë, e bisedova me drejtorinë e atëhershëm Zhani Ciko dhe ishte
dakord. Kur po diskutonim mbi shfaqjet e reja të sezonit, Ciko e përmendi edhe
njëherë Franzutti-n, por unë i thashë: Në fakt e kam menduar ta vë vetë në
skenë. Ai ma dha një gjysmë pohimi dhe ende pa u konfirmuar zyrtarisht i hyra
punës” –vijon Enada dhe nga ritmi dhe toni i zërit arrin ta kuptosh sesa shumë
e kishte përfshirë kjo vepër, e cila edhe pse e njohur për publikun shqiptar
nuk kishte ardhur më parë në formën e baletit.
“Nisa
të lexoj veprën “Zonja me Kamelie”, kërkoja në internet pafund mbi Traviatën,
doja t’i hyja sa më thellë në psikologji personazhit, t’i studioja mirë të
gjithë rolet. E zbërtheva veprën deri në detajet më të imta ”. Nuk kishin
kaluar as katër ditë nga ajo gjysmë ‘Po’-ja e drejtorit të TKOB, ku Enada i
trokiti në derë me libretin gati.
Si
ithtare e veprave klasike, e ruajtjes së origjinaliteti vendosi që të mos bënte
si shumë kolegë të saj në botë që kishin zgjedhur ta përshtatnin këtë vepër në
balet me muzikë më kontemporane, ajo vendosi t’i qëndrojë besnike Verdit.
“Bashkë me pianisten nisëm të përzgjidhnin pjesët muzikore për ta sjellë si një
vepër të plotë”, ndërsa në mendjen e saj kishin nisur të formoheshin figurat
koreografike. “Koreografinë e kemi bërë bashkërisht me Gerdin, pasi unë nuk
punoj dot me djemtë, ai merret vesh më mirë. Ishte një punë intensive, ndërkohë
mendja më punonte te skenografia, pastaj kostumet... Janë shumë të rëndësishme
këto. Sado përkryer ta kesh sjellë baletin, pa një skenografi dhe kostumografi
dinjitoze, do të dilte diçka e varfër. E doja gjithçka të përsosur”.
Kur
vjen puna te përsosmëria, Enada është nga ato balerina që ka vetëm një rrugë:
të shkëlqejë! Asgjë më pak se kaq nuk i
toleron vetes. Salla e mbushur plot me 800 spektatorë si asnjëherë tjetër në
sallën e Teatrit dhe Operës, duartrokitjet që e bëjnë ende të dridhet sikur
ngjitet për herë të parë në skenë dhe ata dhjetëra e dhjetëra njerëz që
trokisnin në xhamat e biletarisë me lutjen për t’i lënë të hynin brenda, pasi
të gjitha biletat ishin shitur, janë gjithçka që do kishte dashur për ta
quajtur veten të përmbushur.
“Ka
qenë punë intensive, jemi lodhur por do të doja të lodheshim më shumë” –thotë ajo,
ndërsa orët e gjata në prova si koreografe duke kërkuar nga trupa lëvizje që
arrinin në përsosmëri dhe si balerinë, i duken se fluturojnë. Është mësuar me
atë ritëm dhe disiplinë pune saqë kërkon edhe më shumë. “Do të doja të
ushtroheshim siç bëhet jashtë kur futesh në sallë në ora nëntë e mëngjesit dhe
pa pushuar aspak dilet prej andej vetëm kur ora të ketë shkuar gjashtë e
mbrëmjes. Këtë dua dhe unë”. Ngulmon se nuk i ka ndodhur asnjëherë të jetë
ndier pa dëshirë për prova. “Edhe tani që kemi rol kaq të vogël, jam mbyllur në
prova për të nxjerrë më të mirën. Edhe pse koreografi Kerni më thoshte “je
perfekt” mua nuk më dukej. Vetë nuk kënaqëm, por më vjen mirë që të tjerët më
shohin perfekte” – tregon ajo, por e shoqëruar nga një modesti e sinqertë. “ Në
stadin ku jam unë, mund të ketë ushtrime për shembull që mund të mos i bëj,
sepse nuk janë të nevojshme. Megjithatë, kur vendos ta kaloj atë fazë dhe shoh
që të tjerët e bëjnë rutinën deri në fund, ndjehem keq me veten, të betohem!” .
Është
nga ato profesioniste që punën e ka të shenjtë, e nëse nuk është aty duke
derdhur djersë, nëse nuk do e përsëritë deri në ezaurim një lëvizje që të japë
shpirtin e saj, atëherë asgjë nuk do të kishte kuptim për të. “Gjithmonë
mundohem të sjell diçka nga vetja, origjinale. Një lëvizje, një plastikë që të
ketë personalitetin tim, firmën time, të pakopjueshme. Do të më lëndonte nëse
dikush do të donte ta imitonte. Edhe gjatë punës me koreografë të tjerë kur më
është kërkuar të bëj diçka dhe unë kam menduar ta sjell ndryshe kam
kundërshtuar qysh në prova. Sigurisht, respektoj punën e gjithsecilit dhe
kundërshtoj me lëvizje dhe nëse nuk është pranuar, në shfaqje e kam bërë si kam
dashur”. Por të rralla janë rastet kur është ndier e shtrënguar, pasi gjatë
karrierës Enada tregon se të gjithë koreografët i kanë lënë dorë të lirë dhe
nuk e kanë penguar në krijimtarinë dhe origjinalitetin e saj. Kur bie fjala te
ky i fundit, mania e Enadës për të qenë gjithnjë e veçantë shkon deri te
detajet më të vogla. Ja për shembull, edhe kostumin që ka te shfaqja “Balloja e
diplomës” e ka ideuar e qepur vetë, megjithëse kostumet në TKOB nuk mungojnë.
Ajo kërkon të jetë gjithnjë ndryshe. “Ndoshta njerëzve mund t’u dukem e keqe,
por është bota ime, qoftë me lëvizje të veçanta, qoftë me detaje në veshje që
nuk dua të mi kopjojnë. Nuk dua të lë njeri aty brenda. Është bota ime” –zbulon
krejt e sinqertë në një dëshirë legjitime të një balerine që i numëron 20 vite
në Teatrin e Operës dhe Baletit si soliste dhe balerinë e parë
“Më vjen mirë që drejtori i ri, Kerni ka marrë
një nismë që të ketë shfaqje çdo fundjavë. Kjo na bën mirë për të qëndruar në
formë” –vijon ajo, duke zbuluar ndoshta edhe një nga frikërat e saj, të ruajë
formën e përsosur si ditën e parë . “Dua të mbetem kjo që jam. Nuk e imagjinoj veten
në të ardhmen të mos kem të njëjtën formë”- rrëfen ajo, duke shtuar se disa
sekrete, nga ato që si të ishin ndonjë formulë porcioni magjik nuk zbulohen
sepse ndryshe i ikën efekti, për të ruajtur formën perfekte i ka.
Thotë
se megjithë eksperiencën, ende i duket se është në fillimet e saj se ka ende
shumë për të dhënë dhe ka sa e sa plane që sillen në mendjen e saj që një ditë
të marrin formë ashtu si “Traviata” . “ Me Gerdin kemi 3 vepra në mendje, por
pa i pasur të arritshme nga çdo anë nuk dua t’i zbuloj. Është pak e vështirë të
vihen vepra të reja, ngandonjëherë edhe për shkak të buxhetit modest që
disponon TKOB, por me pasion dhe vendosmëri, thotë Enada ia del.
Ajo
vendosmëri që e ka mbajtur në Teatrin e Operës dhe Baletit , nga skena e të
cilit Enada ka marrë kënaqësi të mëdha dhe ka dhënë po aq për publikun që e ka
ndjekur. Në të gjitha veprat ku ka qenë balerinë apo krijimet e saj dhe të
Gerdit si koreografë.
“Nuk
do e lija kurrë këtë skenë teatri” –përgjigjet sa herë e pyesin pse nuk ka
tentuar për një karrierë jashtë vendit. Jo se nuk ka pasur një të tillë. I ka
prekur skenat e teatrove me histori dhe prestigj nëpër botë. Ka qenë e ftuar
bashkë me Gerdin dhe kanë kërcyer gjithmonë si balerinë të parë, është vlerësuar
edhe me çmimin ylli i baletit. “ I kam marrë të gjitha, jo se nuk kam ende për
të marrë, të kuptohemi, por qëkur kemi shkelur për herë të parë me Gerdin në
këtë teatër kemi hyrë me një status të caktuar, në fillim si solistë dhe shumë
shpejt balerinë të parë. Këtu kemi pasur mundësinë të luajmë kryeveprat
botërore, kemi vënë në skenë koreografitë tona. Është shumë bukur kur jashtë
shkojmë si të ftuar specialë dhe shkojmë me prestigjin e balerinëve të parë”.
E
do aq shumë skenën sa nuk do të shkëputet kurrë prej saj. Nuk e imagjinon të
jetë koreografe e të mos ngjitet në skenë si balerinë. “Sigurisht që është një
stres i shtuar, sepse ndërsa kërcej e kam mendjen të shoh si po e bëjnë
balerinët këtë pjesë a janë ashtu siç duhet, por që të sjell një vepër pa
kërcyer vetë, nuk e mendoj dot”.
I
ka ndodhur me shfaqjen “Historia e një kënge” ku Zhani Ciko i kërkoi të ishte
koreografe por të mos dilte vetë si balerinë. “Kam vuajtur shumë që nuk
kërceva. Megjithëse ishte një gjetje që të shfaqesha në fillim dhe në fund të
baletit. Kam një mikeshën time që me thotë që të vë një vepër tjetër e të mos
kërcej, të bëj thjesht koreografen. Por as që e çoj nëpër mend kështu. Nuk
mendoj se jam në atë moshë për të hequr dorë nga kërcimi. Është herët akoma dhe
kam shumë për të dhënë”.
Veç
baletit, ku Enada me Gerdin kanë qenë kryefjala e shumë kryeveprave, ata të dy
janë të angazhuar edhe me operat që vihen në TKOB.
Bashkë
me Gerdin do të marrin në dorë koreografinë për Operën “Orfei” që pritet të
vihet në skenë. “Kemi bërë koreografinë e disa operave dhe ajo që bëj
fillimisht është një studim i thellë i veprës. Nuk mund të hedh asnjë hap
konkret pa e kuptuar mirë operën”. Nuk është e qetë asnjë moment të ditës,
madje edhe në darkë kur bie të flejë e ka mendjen aty, të lëvizjet si do të
dalë sa më mirë., ndryshe nga Gerdi që është më pragmatist. “Jemi natyra sa të
ngjashme, që e dashurojmë atë çka bëjmë aq edhe natyra të kundërta. Por plotësojmë
njëri –tjetrin më së miri. Pa Gerdin nuk
do ia kisha dalë të bëja ato që kam bërë deri tani”, thotë Enada.
Teatri
dhe baleti klasik mbeten dashuria e saj, megjithëse tashmë është shumë e
famshme bashkë me Gerdin si koreografët e një prej spektakleve më popullorë në
vend “Dancing with the Stars”. “Jemi selektivë në këtë aspekt. Tani u bëmë vite
që bashkëpunojmë me producenten Holta Dulaku –fillimisht kemi punuar në
muzikalet që ka vënë ajo –dhe është një staf dhe spektakël mjaft prestigjioz.
Është eksperiencë e këndshme ta shprehësh veten edhe në anën moderne të baletit
dhe pastaj ana financiare është shumë e kënaqshëm. Nga njerëzit që na
përshëndesin dhe na komplimentojnë në rrugë e kuptoj që na shohin, na duan”.
Është ndoshta nga të paktat raste ku balerinë të teatrit dhe të operës- edhe në
botë- marrin statusin “celebrity”. Enada e pohon që shumë nga ata që i shohin
nga ekrani, vijnë edhe t’i ndjekin në teatër dhe janë të ndjeshëm kur shohin
emrin e saj në posterat e mëdhenj përpara teatrit të operës dhe baletit. Aty ku
është habitati i saj natyral, ku mbi puante dhe brenda tutu-së ndihet si zonjë
e shtëpisë...
No comments:
Post a Comment