Regjisorja e
talentuar shqiptare prej dhjetë vitesh ka ndërtuar një karrierë në SHBA, duke
realizuar plot dokumentarë për National Geographic” dhe disa filma artistikë të
pavarur me metrazh të shkurtër e metrazh të gjatë. Por nuk harron të kthehet
edhe në Shqipëri, duke lënë vulën e saj me produksione artistike që i sjell për
herë të parë. Para disa vitesh realizoi të parin sitcom shqiptar “Radio-Radio”,
ndërsa këtë vit filmin “Femrat”, me skenar të Koloreto Cukalit, një komedi e
cila garanton të qeshura pafund. Rudina Vojvoda zbulon edhe planet për projektet e
radhës mes filmave dhe një ceremonie martese
I ka mbyllur të
gjitha detajet e post-produksionit e filmit “Femrat” dhe pret të vijë shtatori
për të shijuar premierën e shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe trupa e aktorëve,
me të cilët realizoi të parën komedi romantike të realizuar në Shqipëri në 23
vitet e tranzicionit. Por kjo nuk do të thotë se është ulur dikur buzë detit
dhe po pret qetësisht të shijojë frytet e një pune të bërë mirë. Maratona e
projekteve nuk ka të sosur. Po punon për xhirimet e një dokumentari në Republikën
Demokratike të Kongos dhe bashkë me kompaninë e saj “Rucksack Production”, në
Nju Jork janë duke realizuar ehe dy filma të tjerë: një në Francë dhe një në
Nigeri, si dhe dy projekte të tjera për publikun shqiptar, për të cilat
dëshiron të ruajë disa elementë surprizë deri në 2014-ën kur edhe shpreson t’i
çojë deri në fund. Kështu janë të mbushura ditët për Rudina Vojvodën,
regjisoren e talentuar shqiptare, e cila prej dhjetë vitesh ka ndërtuar një
karrierë në SHBA duke realizuar plot dokumentarë për “National Geographic” dhe
disa filma artistikë të pavarur me metrazh të shkurtër e metrazh të gjatë. Por
nuk harron të kthehet edhe në Shqipëri, duke lënë vulën e saj me produksione
artistike që i sjell për herë të parë. Para disa vitesh realizoi të parin
sitcom shqiptar “Radio-Radio”, ndërsa këtë vit realizoi filmin “Femrat” me
skenar të Koloreto Cukalit, një komedi e cila garanton të qeshura pafund. “Dita
ime është një maratonë nga studioja e montimit, në zyrë, në studion e montimit,
në takime për tria projektet e tjera që do të xhirojmë deri në fund të vitit –
të gjitha këto, maje biçikletës e duke iu përgjigjur e-maileve. Ka rrezik që
nga fundi i kësaj eksperience të mos më njohë më as qeni im”, - thotë Rudina
duke zbuluar edhe produksionin më të madh që ka marrë përsipër të realizojë:
martesën me Adam Pray, bashkëpunëtorin e saj, tetorin që vjen...
Ka disa muaj që ke
realizuar filmin “Femrat”. Film që pritet të shfaqet muajin e ardhshëm në
kinematë shqiptare. Si lindi ky film? Çfarë do të sjellë ndryshe apo të re për
publikun?
Ideja
e filmit i lindi shkrimtarit Koloreto Cukali, i cili është frymëzuar nga
realiteti shqiptar, nga historitë e shokëve dhe miqve që na argëtojnë, na
habisin e na preokupojnë por që gjejnë pak vend në kinemanë shqiptare. Është e padiskutueshme
që ne kemi ambicie ndërkombëtare dhe që filmin do ta shfaqim në Nju Jork,
Londër Toronto e më gjerë, por ai që kemi në zemër, ai që e ka motivuar filmin është
publiku shqiptar. Unë vërtet doja një film që kur të ulem ta shoh me prindërit
e miqtë e mi, t’i shoh të qeshin me shpirt. Dhe kjo është një ndër gjërat ‘ndryshe’
të këtij filmi. Për sa i përket realizimit të filmit, është një bashkëpunim ndërkombëtar.
Muzika, kinematografia, montimi, zëri janë bërë nga specialistë të huaj, ndërsa
arti, kostumografia, animacioni dhe aktorët janë shqiptarë. Kjo jo vetëm që ka përmirësuar
anën teknike, por ka sjellë edhe një lloj krijimtarie shumë të veçantë.
Cilat janë
pritshmëritë pas premierës së filmit?
Pritshmëria
ime është ajo e çdo artisti, që filmi të pëlqehet, që publiku të ndihet se ia vlejti
të harxhonte kohën dhe biletën dhe të ngelet me diçka për të menduar më pas. Një
ndër qëllimet tona është që filmi të shfaqet në të gjithë Shqipërinë dhe trojet
shqiptare.
Është detyra jona si artistë dhe si shqiptarë që
të ndërtojmë një shoqëri ku, si ai që jeton në Pukë dhe si ai që jeton në Tiranë,
të kenë jo vetëm mundësi të argëtohen por edhe të frymëzohen nga puna jonë.
Thuhet se është
i pari i llojit komedi romantike i realizuar në Shqipëri pas viteve ’90. Mendon
se publiku shqiptar ka nevojë për më shumë filma të këtij zhanri?
Unë
mendoj se çdo lloj publiku ka nevojë për komedi, ndaj edhe komeditë janë zhanri
më i shitur në botë. Është një ndër format më të mira për të përçuar një mesazh
të caktuar. Për fat të keq, në Shqipëri ka pak filma komikë dhe kjo nuk ka të bëjë
me faktin sesa humor kemi ne si popull apo sa e duam humorin. Ka të bëjë me
fondet për film dhe axhendat e atyre që japin këto fonde. Ne i kemi ndenjur
larg “Shqipërisë bombastike” me gjakmarrje, drogë e prostitucion, sepse e para,
në nivelin personal nuk gjej ndonjë frymëzim aty, dhe e dyta, e kemi parë këtë Shqipëri
në çdo festival filmi që shkojmë. “Femrat” është një ngjarje me të cilën
identifikohen shumë njerëz në botë– si e gjejmë njeriun me të cilin do kalojmë jetën
–por është thënë me humorin shqiptar.
Prej vitesh e ke
vendosur karrierën tënde profesionale jashtë Shqipërisë. A ishte e vështirë të
përshtateshe me standardet shqiptare ?
Të
bësh një film me buxhet të ulët është e vështirë ngado. Unë xhiroj në ShBA Europë,
Afrikë, Australi dhe nuk mbaj mend një herë që të mos jemi rraskapitur, si unë
ashtu edhe stafi realizues. Këtu ka vështirësi teknike, atje ka qindra vështirësi
të tjera. Këtë radhë kam punuar me një brez të ri artistësh që e duan kinemanë
me pasion dhe njerëz mikpritës, që na kanë hapur derën e na kanë dhënë shtëpitë
e tyre për xhirime. Në fakt i jam shumë mirënjohëse gjithë stafit realizues që ka
punuar pa fund në mes të shiut, që në 5 të mëngjesit çdo ditë, sepse besuan në këtë
projekt.
“Femrat” është
film me buxhet të ulët. A është ky një shembull se me ide të mira dhe me
vullnet ia dilet të realizosh një film?
Me
ide të mira, por edhe të sinqerta. Për mua është shumë e rëndësishme që t’i përgjigjemi
ndershmërisht pyetjes “pse po e bëjmë këtë film?”. Gjithashtu edhe me një plan biznesi
realist dhe me bashkëpunim krijues real, ku egot personale lihen mënjanë për të
mirën e filmit. Dhe më kryesorja, më pasion për atë çfarë bën.
Megjithëse punon
dhe jeton në ShBA, nuk i ke shkëputur marrëdhëniet me Shqipërinë. Ke qenë
regjisorja e sitcom-it ‘Radio-Radio’. Si ishte ajo eksperiencë? Solle për herë
të parë në Shqipëri zhanrin e komedisë së situatës...
Sigurisht
që nuk mund t’i shkëpus marrëdhëniet me Shqipërinë, jo vetëm sepse familja ime është
këtu, por mbi të gjitha sepse nuk mund të krijohet në vakum. Ajo që unë dua të them
si artiste, pavarësisht nga forma apo vendi ku ndodh, ka si bosht identitetin
tim. Meqenëse më pyetet për vështirësitë e punës në Shqipëri, ‘Radio-Radio’
ishte shkolla ime e parë në një produksion të pavarur shqiptar dhe nuk ishte
aspak e lehtë. Megjithatë, pavarësisht nga vështirësitë e produksionit, unë jam
shumë krenare për projektin dhe për bashkëpunimin me një grup artistësh shumë të
talentuar.
A ke në plan
bashkëpunime dhe projekte të tjera të këtij lloji?
“Rucksack
Production”, që është kompania jonë në Nju Jork, për momentin është duke
realizuar dy filma të tjerë: një në Francë dhe një në Nigeri dhe unë
personalisht po përgatitem për një dokumentar në Kongo në nëntor. Por puna me
skenarin e ri ne Shqipëri ka filluar, ndonëse akoma embrionale. Shpresojmë që në
mars 2014 të jemi gati për një film tjetër me metrazh të gjatë në Shqipëri.
Je përfshirë në projekte
të të gjitha llojeve; nga filmat dokumentarë, serialet deri te filmat me
metrazh të shkurtër e të gjatë. Ju pëlqen t’i lëvroni të gjitha gjinitë?
Sigurisht,
secila ofron kënaqësinë dhe vështirësitë e veta. Mbas shkollës për regji, puna
ime e parë ishte në realizimin e dokumentareve me metrazh të gjatë në Afrikë, gjë
që është pak a shumë si të shkosh në “ushtri” për produksion. Aty kam mësuar
shumë për sa i përket anës teknike dhe strukturës së ngjarjes, çfarë e bën një
histori të vlefshme për ekran. Por, për të qenë e sinqertë, puna me aktoret është
një ndër momentet më magjike për mua.
Nga punët e
realizuara deri tani, a mund të veçosh një që e ke më përzemër?
Pa
dyshim “Femrat”. Puna me aktorë aq të talentuar, pasioni i stafit, një skenar që
na ka bërë të qeshim pafund gjatë xhirimeve... të gjithë këta elementë e kanë
bërë këtë eksperiencë shumë të dashur për mua.
Përveç punës si
regjisore, ke punuar edhe në fushën e medias dhe komunikimit. Regjia është pasion
dhe komunikimi profesion?
Në
fakt unë vazhdoj të punoj në fushën e medias dhe të komunikimit si producente
dhe regjisore e jashtme për Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Puna ime e parë ka
qenë si gazetare për “Shekullin”. Po t’i shohësh me vëmendje, të gjitha këta
formato kanë një qëllim të përbashkët: të ndërtojnë një ngjarje interesante që informon,
emocionon dhe provokon një reagim nga publiku. Ky është pasioni im, është dhe
profesioni im. Për mua elementi i regjisë erdhi në mënyrë organike, si rrjedhim
i dëshirës për të thënë diçka më shumë, për të shtuar edhe elementin vizual ne
ngjarje.
Kur e ke zbuluar
pasionin për kinematografinë? Ka qenë që në moshë të hershme?
Në
fakt, mua më duket sikur dëshirën për regji e kemi të gjithë që në fëmijëri, sidomos
ne gocat. E mban mend kur mblidhje shoqet dhe luanit me “shpira”, njëra bëhet
mami, tjera bëhet nuse...? Gjeneza teatrale janë apo jo?! Unë isha gjithmonë
ajo që u thosha shoqeve ç’rol kishin. Unë nuk e humba këtë dëshirë dhe më vonë
m’u dha mundësia të vazhdoj për Regji në “New York Film Academy” në Nju Jork. Me
“m’u dha mundësia” dua të them që punova ca vite të mira përpara se të kisha mundësi
të paguaja një shkollë dhe një jetesë në Nju Jork.
A mund të na
zbulosh më shumë rreth vetes? Kur je larguar nga Shqipëria? Kur nise eksperiencat
e para në fushën e regjisë ?
Nga
Shqipëria jam larguar në vitin 2001, menjëherë pas luftës në Kosovë. Kalova
disa vite në Prishtinë duke punuar në fushën e medias dhe komunikimit, më pas në
Australi, në Republikën Demokratike të Kongos dhe së fundmi në Nju Jork. Me
dokumentar dhe teatër jam marrë herët, po në filmat artistikë me metrazh të gjatë
kam filluar të punoj pasi mbarova studimet në Nju Jork.
Duke qenë se
jeton në ShBA, atdheun e Hollivudit, a ke ambicie për t’iu afruar kësaj bote të
kinematografisë?
Do
të ishte naive të thosha ‘Jo!’ dhe sigurisht që sikur të më jepej mundësia do
isha shumë e lumtur, por nuk mund të them se është qëllimi im kryesor dhe që shoh
ëndrra hollivudiane çdo ditë. Sikur të ishim në vitet ’70, kur Hollivudi ishte
pak a shumë mënyra e vetme për të bërë e për të shitur filma në Amerikë, do
ishte puna ndryshe, por situata artistike dhe financiare ka ndryshuar shumë. Filmat
e financuar në mënyrë të pavarur po tërheqin gjithmonë e më shumë publik dhe
kanë cilësi teknike shumë të lartë. Mënyra e shpërndarjes dhe shitjes nuk është
më monopol i Hollivudit, më shumë njerëz shohin filma online sesa në kinema apo televizorë. Yjet e kinemasë po shfaqen gjithmonë
e më shumë në filma të bërë jo nga studiot hollivudiane, filma që kanë vërtet
forcë krijuese. Me pak fjalë, spektri ka ndryshuar shumë dhe ambicia ime si ajo
a shumë artistëve është të krijojnë e të lënë pas diçka kuptimplote, jashtë apo
brenda Hollivudit, ka pak rëndësi tani.
Si nis dhe
mbaron një ditë e zakonshme ? Mes punëve dhe jetës private...
Për
momentin, dita ime është një maratonë nga studio e montimit, në zyrë, në
studion e montimit, në takime për tre projektet e tjera që do të xhirojmë deri
në fund të vitit – të gjitha këto, majë biçikletës e duke iu përgjigjur e-maileve. Ka rrezik që nga fundi i kësaj
eksperience të mos më njohë më as qeni im. Për sa i përket jetës private, kam
fatin që gjysmën tjetër ta kem bashkëpunëtor dhe ortak biznesi, çka që i bën gjërat
më të lehta. Tjetër?! Do të martohem tetorin që vjen, kështu që po organizoj
edhe një dasmë, që të paktën në Nju Jork është një produksion më vete.
Projekti i radhës
çfarë parashikon? Nëse mund të na zbulosh ndonjë detaj...
Siç
thashë, po punoj për një dokumentar të shkurtër në Kongo për momentin. Dy
projekte të radhës për publikun shqiptar janë një film që po e shkruan Koloreto
Cukali dhe që ka ca elemente surprizë që vetëm Kolo mund t’i bëjë publikë, si
dhe një film që po e zhvillojmë në bashkëpunim me një kompani tjetër amerikane
në Los Anxhelos. Për këtë të fundit mund t’ju them që flet për një familje
shqiptare në Hollivud dhe do ketë si aktor kryesor një ndër figurat më të
dashura të kinemasë shqiptare.
No comments:
Post a Comment