Foto:Armand Sallabanda
Pas lotëve për
dorëheqjen e Berishës si kryetari PD-s, pas largimit nga godina e
kryeministrisë, ku ajo shërbeu për tre vjet si zëdhënësja e Kryeministrit, për Erla Mëhillin ka nisur një erë e re. Zyra
të reja, axhenda e re, pozicioni i ri,
një projekti ri akademik, por sërish përkrah Berishës...
Ashensori
lëshon tringëllimën e zakonshme sapo mbërrin në katin e pestë të godinës më të
lartë të kryeqytetit. Dyert hapen dhe ja ku shfaqet Erla që buzëqesh si e zënë
në faj për vonesën disa minutëshe.
Me
xhinset e puthitura pas trupit, një bluzë të lehtë ngjyrë qershie dhe flokët e
lëshuar lirshëm mbi supe dhe buzëqeshjen e pakursyer nuk i ngjet shumë Erlës së
foltores së kryeministrisë me xhaketat serioze dhe ngjyrat e errëta. Është po aq e bukur sa gjithmonë, por një
bukuri ndryshe, më e shpenguar. Ndoshta prej pushimeve nga të cilat sapo është
kthyer, apo ndoshta prej lirisë që i kanë falur këto ditë pas dorëheqjes nga posti i zëdhënëses së Kryeministrisë,
zgjimet e vona, koha vetëm për veten...
“
Këtu isha, në godinë por kisha pak punë te zyra e re Berishës” – thotë
nxitimthi për të argumentuar vonesën
ndërsa porosit një lëng frutash të sapo shtrydhura. “ Sapo u ktheva nga Roma,
më telefonoi Berisha”. Ishte larguar drejt Romës pas ditës kur firmosi dorëheqjen.
“Kam qenë një nga tre të fundit që lamë godinën e kryeministrisë” –saktëson jo
pa keqardhje megjithëse e shoqëruar nga buzëqeshje diellore. Erla e mbytur në ngashërim teksa Sali Berisha
deklaronte përpara shqiptarëve se dorëhiqej nga posti i Kryetarit të Partisë
Demokratike duket se ka mbetur pas.
Tashmë
duket se e ka pranuar atë vendim edhe
nga mënyra e qetë sesi komenton. I
njëjti shpengim e shoqëron edhe teksa komenton qeverinë e re.
“Të
them te drejtën, kanë qenë ditë të mbushura me ndjesi të përziera. Kur lë një
detyrë, gjithmonë të kap një ndjesi e lehtë trishtimi dhe nostalgji për gjithë
kohën dhe gjërat që ke bërë, për njerëzit, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët
me të cilët ke punuar dhe me të cilët, rrugët e jetës mund të të ndajnë. Kjo
është shumë njerëzore. E gjitha mbyllet me rrotullimin e fundit të çelësit në
bravë, nga ai moment filloi një kapitull tjetër në jetën time”
Duket
entuziaste dhe e emocionuar si një fëmijë që do të shkojë për herë të parë në
shkollë për atë ç’ka e pret tani. Plane konkrete duket se nuk ka, por ka të gjithën kohën e botës për të
menaxhuar lirinë prej angazhimeve në politikë. Ato aktivitetet që para dy muajsh i quante luks,
tani mund t’i bëjë sa herë të dojë.
Si kanë qenë
ditë për ty?
Në
këto ditë, sigurisht kam shumë më tepër kohë, kam dalë me mikesha për të cilat
më kishte marrë malli të qëndroja gjatë qoftë edhe për të bërë biseda pa
impenjim, palestër dhe sigurisht, më shumë kohë me Keltin.
Buzëqesh teksa
përmend të fejuarin me të cilin bashkëjeton prej dy vjetësh. Një marrëdhënie që
Erla është munduar ta ruajë të gjithën për vete, me një vel të padukshëm
diskrecioni dhe ia ka dalë.
Pak dihej për
jetën e saj sentimentale derisa Erla e rrëfeu vetë historinë e dashurisë me
atëherë Prefektin e Tiranës Keltis Kruja dhe bashkëjetesën me të. Po planet për
ceremoninë e martesës...? Për t’i planifikuar më së miri duket se tani është
koha më e përshtatshme. Do të kishte kohën e mjaftueshme për t’i parë një më
një katalogët e tendencave më të fundit të fustaneve të bardhë, të vizitonte
mjediset derisa të gjente të duhurin ku do organizonte ceremoninë për të ndarë
gëzimin me miqtë dhe familjarët. Por Erla ta ndërpret pa u zgjatur përshkrimin.
“ Nuk dua të bëj misteriozen, aspak. Planet e rëndësishme personale dëshiroj
t'i mbaj për vete, aq më shumë ato që kam me partnerin tim. Kemi një raport
shumë të mirë dhe solid dhe ç'është e vërteta, tashmë kemi më shumë kohë për
njëri-tjetrin. Këto kanë shumë rëndësi për ne. Martesa?! Mund të them që numri i personave që më pyesin
është rritur. Por çdo gjë në kohën e vet dhe me natyralitet”.
Një telefonatë e
Keltisit që e pyet nëse mos gabimisht ajo ka marrë në mëngjes edhe kopjen e tij
të çelësave dhe të dy e kombinojnë të takohen për pak që ajo t’ia japë çelësat
e shtëpisë të tyre, të bën të kuptosh se
raporti i tyre është solid. Fundja ceremonitë që shpesh janë angazhim dhe burim
i pashtershëm stresi, më shumë se për çiftin bëhen për kënaqësitë e të tjerëve.
Pastaj ditët që
Erla thotë se i ka disi më të lira, nuk janë plotësisht ashtu. “Puna nuk më
është ndarë asnjë ditë” – pohon Erla.
E ka fjalën për
postimet në rrjetin social facebook me fotografi të kryeministrisë?! Ai debati
që u ndez kur kryeministri i ri Edi Rama hyri në godinën e qeverisë dhe, siç
pretendon ai, e gjeti në gjendje thuajse të mjerueshme që e dokumentonte edhe
me imazhe dhe reagimet e qeverisë Berisha tashmë në opozitë me Erlën që
postonte në faqen e saj zyrtare në facebook foto të godinës qeveritare që
përgënjeshtronin pretendimet e kreut të ri Rama?!
Tregon se për
t’i ngarkuar ato foto të shkrepura disa ditë para largimit nga Kryeministria ka
kaluar peripeci që tani e bën të qeshë, kur i duhej të hynte e të dilte nga
disa qendra interneti në Romë. “Kam postuar disa statuse me natyrë politike.
Dhe këto javë të para të qeverisë së re kanë pasur plot gjëra për të
kundërshtuar, kritikuar apo qesëndisur. Të drejtën time të fjalës e kam
përdorur duke komunikuar në rrjetet sociale. Jam e bindur se jo kushdo ndan të
njëjtin mendim me mua dhe kjo është e drejtë. i rëndësishëm është respektimi i
opinionit të tjetrit edhe kur nuk je dakord. Unë do vazhdoj ta them mendimin
tim kur ta gjykoj me vend, gjithsesi”.
Por nuk e ka
fjalën pikërisht për këtë përfshirje të saj, që megjithëse ishte dorëhequr nga posti i doli shumë natyrshëm të sillej e
reagonte sërish si zëri i qeverisë.
E ka fjalën për punë të vërtetë , ku i duhet të
shkojë çdo ditë edhe pse jo më në mëngjes herët, megjithëse Erla ka vite që
është mësuar me oraret zyrtare.
A do e shohim
Erlën të përfshirë në instancat e Partisë Demokratike? Në ç’rol?
Kam
rreth 6 vjet që jam e përfshirë në politikë, gjithmonë e më shumë. Këto tre
vitet e fundit të punës pranë zotit Berisha ma kanë bërë të mundur ta ndjek nga
afër apo të jem e përfshirë në politikën e lart. Gjithashtu, kam qenë anëtare e
Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kam ndërtuar raporte shumë të mira
në parti. Të gjitha këto janë një eksperiencë e vyer dhe e rrallë. Sigurisht,
tani kam kohë që këtë eksperiencë ta filtroj e sistemoj brenda meje dhe ta
kthej në një aset për të ardhmen time.
Vazhdimi
i angazhimit politik është diçka normale. Tashmë kam bagazhin dhe eksperiencën
time modeste politike, por mënyra e përfshirjes sime të ardhshme në politikë
dhe instancat e Partisë Demokratike është pjesë e reflektimit.
Ajo që nuk është
pjesë e reflektimit, por fakt, është
puna e përditshme me Sali Berishën, e cila ka vazhduar normalisht sikur secili
prej tyre të ishte ende në rolet e dy muajve më parë. Intensiteti ka rënë disi,
thotë Erla, por puna vazhdon po aq
rregullisht.
Takimi në një prej bareve të godinës “ABA Center” me
Erlën nuk ishte i rastësishëm. Ish
kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ish kryeministri sapo ka marrë
një zyrë në këtë godinë dhe duket se prania dhe ndihma e Erlës është e
pazëvendësueshme. Aq shumë janë mësuar me njëri-tjetrin sa as Erla nuk kishte
nevojë për një ofertë të formuluar zyrtarisht apo për një kontratë pune dhe as
Berisha nga ana e tij nuk e pa të udhës të kërkonte një tjetër zëdhënëse, duke
qenë se impenjimet nuk i ka më as prej kryeministri e as prej kryetari partie.
Aq besim ka
krijuar ai te Erla sa diskuton me të mënyrën se si do të pozicionohen mobiliet
për të dalë sa më mirë mediatikisht. Është aq e kujdesshme ndaj detajeve të
kurimit të imazhit si specialiste e komunikimit publik sa ka nisur të mendojë
çfarë perdesh do ishin më të mirat për realizimin e fotove brenda mjediseve të
zyrës për shkak të dritës së fortë që hyn përtej godinës prej xhami. Pastaj nis
të mendojë për takimet me delegacionet e ndryshme, vendin për praninë e
kamerave dhe gazetarëve...Gjatë intervistës mendja e saj punon njëherazi aty,
te zyra e Berishës.
Domethënë
vazhdoni t’i ruani kontaktet me zotin Berisha. Kjo do të thotë se do të
vazhdoni të punoni pranë tij në të ardhmen?
Sigurisht
që i ruaj kontaktet, madje i kam të përditshme. Në mos e takoj përditë në zyrën
e tij, me siguri bisedoj disa herë në ditë në telefon. Jam e lumtur që raporti
vazhdon. Madje në disa aspekt është edhe më i mirë. Marrëdhënia është më e
çlirët nga tensioni dhe protokolli i punës në Kryeministri. Ai ka më shumë kohë
për biseda të ndryshme, pune ose private. Aty del edhe natyra e tij e ngrohtë e
babaxhane. i detyrohem shumë dhe është kënaqësi të vazhdoj të kontribuoj pranë
tij me dedikim, profesionalizëm e luajalitet.
Luajalitet që
përtej fjalëve e treguan lotët e saj gjatë fjalimit të dorëheqjes së Berishës
si kryetar i Partisë Demokratike. Fotoja
e Erlës që mbulonte sytë me pëllëmbët e duarve nga ngashërimi bëri
xhiron mediatike të rrjeteve sociale dhe u mbush me lumenj komentesh.
Ai
ka qenë një nga momentet më të trishtuara”- pohon Erla- “Kam marrë pjesë në
mbledhje ku zoti Berisha e ka thënë pa lëkundje se do të dorëhiqej në rast se
humbte. Pra duhej të isha e përgatitur. Por kur e dëgjova ta shqiptonte atë
vendim u trondita. M’u duk një humbje e madhe. Jam e sigurt, e tillë i është
dukur shumë njerëzve, por unë kam punuar me të e për të pa pushim na katër
vitet e fundit, qëkur fillova si zëdhënëse e PD-së. Kjo më ka krijuar një
ndjesi gati atërore. E them këtë me sinqeritet. Në gjithë këtë, si mund t'i
mbaja lotët?! Ishte e pamundur. U përpoqa të kthej mënjanë fytyrën e të ul
kokën, por lotët më rridhnin pa pushim. Çuditërisht, ajo foto është bërë si
‘testimonial’ i atij çasti që preku qindra mijëra demokratë anembanë
Shqipërisë. Ajo foto do mbetet një nga më të rëndësishmet për mua. Është sa një
imazh publik, aq edhe më sjell mbrapsht një kujtim të fortë.
Po skeptikëve ç’ke
për t’u thënë?
Vërtetë
ka pasur disa reagime skeptike. Përpiqem t'i kuptoj sepse jam e sigurt që nuk e
shohin në një plan sentimental njerëzor, po ia mveshin thjesht politikës. Kjo
është tregues sa pak sensitivë shpesh jemi. Po ka gjëra të vogla, ndjesi të
thjeshta njerëzore që kanë shumë forcë. Shpresoj që ata prej atyre që kanë bërë
komente skeptike apo ironike të më kuptojnë në thjeshtësinë e atij çasti. Jam e
sigurt se plot prej tyre do bënin të njëjtën gjë si unë në momente të ngjashme.
Si e ke parë
Berishën gjatë periudhës ku ke punuar me të? Sa të ka përfshirë nga ana
njerëzore?
Para
se ta njihja kisha vlerësimin nga jashtë, si shumë të tjerë. E admiroja për
energjinë dhe pasionin që transmetonte. Prindërit e mi e njohin personalisht se
edhe ata janë mjekë. Nga ta kisha dëgjuar më shumë seç mund të dijë ndonjë
tjetër. Kur e njoha dhe fillova të punoj, më impresionoi. Ka një energji që të
duket e pashtershme, punon jashtë mase shumë, karizmatik në marrëdhëniet me
njerëzit. E kam parë të drejtojë e të marrë vendime në mbledhjet e Këshillit të
Ministrave dhe task forca të ndryshme. Eksperienca e tij në drejtimin e shtetit
është e jashtëzakonshme. Kujtesa e tij është emblematike. Shpesh, veçanërisht
kur udhëtonim jashtë, tregonte histori apo ngjarje të shumë viteve më parë.
Doktori ka një bagazh të jashtëzakonshëm letrar, në lidhje me artet vizive,
etj. Por mua më ka bërë gjithmonë përshtypje ngrohtësia që tregon herë pas
here, edhe kur dita ka qenë shumë e ngarkuar. Ato janë momente që të karikojnë
vërtet.
A ndjen
keqardhje nga largimi ?
Sigurisht.
Nostalgjia më kaplon të tërën. Nuk është keqardhje nga aspekti politik. Nuk ka
lidhje. Është ndjesi e fortë në plan të thjeshtë njerëzor, për shumë nga ato
gjëra që përmenda. Zyra e vogël po funksionale, kolegët, respekti i tyre,
kujtimet e punës, të gjitha janë pjesë e një kapitulli të jetës dhe karrierës
sime.
Çfarë do të
mbash mend nga koha si zëdhënëse e Kryeministrit? Si ka qenë e
gjithë kjo përvojë?
E
jashtëzakonshme! Kjo fjalë i përmbledh të gjitha. Po të mos e kisha provuar,
nuk do e dija se ç’është, sa impenjative por edhe sa shumë të jep. Shumë vetë e
shohin zëdhënësin si një person që vetëm do të dalë të lexojë një deklaratë.
Nuk u vë faj. Edhe unë, para se të filloja këtë rol, ndoshta do të thosha të
njëjtën gjë. Sigurisht, të jesh zëdhënëse e Kryeministrit Berisha ka qenë një
privilegj si profesioniste dhe si person. Më ka rënë rasti dhe më parë ta quaj
një shkollë të dytë. Ai është mjeshtër i komunikimit politik dhe publik. Duke i
ndenjur pranë në punën e përditshme, mëson pafundësisht përtej librave dhe
teorisë. Jam e lumtur që pata atë fat. Këtë e kam thënë edhe herë tjetër, por
sot jam plotësisht e bindur dhe e them e pakondicionuar. Një eksperiencë
profesionale pranë një lideri të fortë politik dhe burri shteti si zoti Berisha
është privilegj për këdo profesionist. Këtë nuk e them vetëm unë, e kam dëgjuar
edhe nga kolegë të mi të të njëjtës fushë apo të fushave të ndryshme nga e
imja”.
Kujton punën
intensive, lodhjen që nuk të kursente asnjë ditë me oraret që shpesh, për të
mos thënë çdo ditë zgjateshin deri mbrëmjeve vonë, udhëtimet nëpër çdo cep të
Shqipërisë në kohë fushatash, inaugurimesh, townhall-ësh, vizitat dhe
delegacionet jashtë shtetit...”Por nuk mund të jetë ndryshe po të punosh me
Doktorin”- thotë e bindur Erla. Është si një lloj kontrate e heshtur që bën
duke u përshtatur ritmeve shpesh pa limite të tij. Duket se ka ditur ta
përcjellë edhe te të gjithë bashkëpunëtorët që ka pasur pranë.
Kujton duke
qeshur sesi ia dilte që me anë të lap-topëve ose së fundmi iPad-it apo
telefonit të saj Blackberry të komunikonte lajmet në kohë reale. Qesh kur
kujton sesi “ia nxinte” jetën kolegëve pjesë të delegacionit. “Sot iu kërkoj
ndjesë po jam e sigurt që më kuptonin. Lajmi është lajm kur ndodh, jo një ditë
më vonë. Por Kryeministri u mësua me këtë dhe mua dhe kolegëve na duhej ta
mbanim atë standard edhe kur ishte thuajse e pamundur”.
Tani, kur hedh
sytë pas që nga dita e parë që nisi punë në kryeministri dhe deri tani e ndjen
se po t’i jepej sërish rasti do të ishte më e pjekur, më një eksperiencë të
vyer mbi supe. “Për fat, unë jam e re dhe kam ende mjaft për të marrë dhe dhënë
nga profesioni im. Ky dhjetëvjeçar që kam përpara është një periudhë ku
eksperienca dhe profesionalizmi kanë fazën decizive të pasurimit, pjekjes dhe
produktivitetit. “ – shton ajo.
A e mban mend
ditën e parë kur u emërove si zëdhënëse e Kryeministrit?
Sigurisht
që e mbaj mend. Kryeministri Berisha më thirri në një ditë mes-korriku të 2010
dhe më komunikoi se do të filloja si zëdhënëse e Kryeministrit. Sado e
përgatitur të isha për një situatë të tillë, pata përsëri emocion. Jo aq sa
ditën kur më thirri në zyrë për të filluar si zëdhënëse e PD-së kur nuk e
njihja nga afër. Gjithsesi, do të ishte një detyrë e re, mjaft më sfiduese dhe
kontakti me Kryeministrin më i afërt dhe konstant. Megjithatë, pata
kthjelltësinë të kuptoja në çast vlerësimin dhe besimin që zoti Berisha po më
jepte. Eksperienca e deriatëhershme ma bëri më të lehtë, por kur e mendoj sot,
me eksperiencën që kam akumuluar, do ta kuptoja më qartë sfidën që kisha
përpara. Ashtu si ma shtroi zoti Berisha, nuk është se kisha opsione (buzëqesh)
por edhe sikur, do ta pranoja me kënaqësi dhe përgjegjësi. Që pas atij çasti, i
jam dedikuar asaj detyre. Kam bërë më të mirën time dhe shpresoj të kem lënë
një gjurmë të mirë me Doktorin, po aq sa e kolegët në Kabinet.
Çfarë ke ruajtur
nga e gjithë eksperienca në kryeministri?
Unë
punova pak më shumë se tre vjet si zëdhënëse e Kryeministrit. Sinqerisht është
kohë e gjatë në një detyrë të tillë me aq shumë intensitet. Për eksperiencën e
punës me Kryeministrin fola tashmë. Por dua të kujtoj me kënaqësi dhe nostalgji
kolegët e mi në kabinet. Me ta kam kaluar shumë mirë dhe i respektoj të gjithë
e i falënderoj për mirësinë e tyre karshi meje. Me disa jemi miq të mirë. Do
bëj çmos të ruaj sa më shumë nga ato raporte edhe pse jeta do më ndajë prej një
pjese prej tyre. Por një vend të veçantë zë stafi i zyrës së shtypit. Pa ta,
eksperiencën, aftësinë dhe sakrificën e tyre, puna ime nuk do të kishte të
njëjtën cilësi dhe eficencë. Po ashtu falënderoj djemtë e transportit me të
cilët kemi udhëtuar pas Kryeministrit në çdo cep të Shqipërisë, dhe në dy raste
kemi rrezikuar edhe jetën, por falë tyre gjërat kanë shkuar mirë. i falënderoj
nga zemra të gjithë! Këto kujtime dhe raporte humane janë diçka që do i ruaj në
kujtesë si diçka e bukur.
Në
2006-ën kur u kthye nga studimet në Romë me diplomën në duar si specialiste e
Shkencave të Komunikimit për t’ia treguar prindërve asgjë nuk kishte të qartë,
e aq më pak plane konkrete për t’u përfshirë aq shumë me politikën. Asokohe
ende nuk e kishte ndarë mendjen nëse do të kthehej përfundimisht në Tiranë për
të lënë pas ato vitet e shpenguara si studente në kryeqytetin italian, pranë së
motrës Ilenjës. “Ndoshta do të qëndroja e të shihja sistemimin me punë atje,
ose do kthehesha tek prindërit në Tiranë e të gjeja një punë këtu. Por ishte
ende aq herët sa nuk shqetësohesha shumë- kujton Erla duke sjellë edhe njëherë
ndërmend sesi ofertën për të filluar
punë si zëdhënëse e Ministrisë së Transporteve e mori nga Ministri Basha.
Si u gjende
zëdhënëse e Bashës në ministrinë e Transporteve?
Ai
ka qenë shok gjimnazi me time motër. Kishte rënë fjala edhe më parë me të se
ç'studime po kryeja, dhe sapo mori vesh nga ime motër që isha në Tiranë, më
thirri e më ofroi atë post. Ai ishte post politik në kabinetin e Ministrit,
por, gjithsesi, nuk më shkonte në mendje se do i futesha politikë. Vazhdov anë
të njëjtin pozicion edhe me ministrin Olldashi, duke u angazhuar edhe në FRPD. Aty
filloi angazhimi i parë politik sado modest. Gjatë kohës që kam punuar me
ministrin Olldashi madje fillova të dal më shpesh në media. Mesa duket, pata
sukses, sepse një ditë më telefonoi Ministri e më tha të shkoja në zyrën e Kryeministrit
Berisha. Çfarë tensioni! Sot e kujtoj me buzagaz, po atë ditë nuk dija ku isha.
Kryeministri më priti me përzemërsinë e tij që më shtangu e hutoi ca. Më bëri
ofertën. Zëdhënëse e PD-së. Nuk di ç'të them, ishte e papritur edhe pse Sokoli
më kishte paralajmëruar pak. Ndoshta për të më përgatitur. Aty filloi
përfshirja ime disi më reale në politikë. Pas një viti e pak në PD, Doktori më
thirri përsëri për të filluar zëdhënëse e tij në Kryeministri. Besoj ia kam
dalë mbanë, por kam bërë më të mirën që mundja për punën, pa menduar ç'vjen
pas. Për fat, puna më është shpërblyer. Nëse i është afruar eksperienca ime e
punës pritshmërive pas studimeve? Është shumë, shumë më tepër. As që e mendoja
të arrija këtu. Diçka të mirë në karrierë e kisha menduar, por kjo ka qenë më
shumë.
Përtej axhendës
politike në PD, ku do e shohë publiku Erla Mëhillin tani e tutje?
Nuk
është një pyetje e thjeshtë. Unë jam një person i ekspozuar politikisht dhe
publikisht. Kjo është edhe avantazh edhe disavantazh. Tashmë më njohin shumë,
kam mjaft miq të mirë edhe në fushën time të ekspertizës, të cilët i vlerësoj e
më vlerësojnë dhe me të cilët më lidhin edhe marrëdhënie pune. Kjo është një
fazë kur, siç e thashë më parë, kam më shumë kohë edhe për të reflektuar e
menduar mbi të ardhmen dhe planet e mia dhe të realizoj shumë gjëra për të
cilat herë-herë as kam pasur kohë t'i mendoj. Po përpiqem të vlerësoj gjërat me
maturi dhe qetësi.
Një
drejtim që shpresoj të marr është fusha akademike. Shpresoj t'i futem së
shpejti mësimdhënies në universitet. Është një drejtim që më pëlqen. Sigurisht
do të ishte një sfidë dhe eksperiencë e re, por kjo më pëlqen. Është një botë
tjetër ajo universitarja dhe unë do t'i qasesha duke kombinuar formimin tim
teorik universitar me eksperiencën që kam grumbulluar në praktikë. Shpresoj
shumë ta realizoj këtë projekt. Nga ana tjetër, kam në plan të thelloj studimet
e mia. Kam një vit që jam regjistruar në studimet për doktoraturë. të jem e
sinqertë, nuk kam pasur kohën e mjaftueshme për t'iu dedikuar studimeve. Por,
ky projekt më tërheq shumë. E di që kërkojnë dedikim, por besoj do t'ia dal.
Tani kam edhe kohë për këtë. Detaje të mëtejshme dua t'i mbaj për vete për
momentin .
Ja ku kthehet
prapë Erla diskrete, që nga përvoja profesionale di mirë çfarë të thotë dhe
çfarë e sheh të udhës ta mbajë për vete. Në fund të fundit ruajtja e imazhit
është me shumë rëndësi. I ka mbetur shprehi kujdesi, ndoshta edhe i tepruar mbi
jetën e saj private, mbi çka të veshë apo të mos veshë, si të ekspozohet në
vende publike dhe kur, pasi shpesh edhe gjesti më i pafajshëm bërë në ndonjë
mbledhje me miq, mund të interpretohej në shumë mënyra.
“Impenjimet e
ndryshme kanë bërë që të kem pak kohë të lirë, dhe atë që mbetej, shpesh e
kaloja në shtëpi. Nuk jam tipi që e ka të domosdoshme të dalë nëpër lokale,
megjithëse kur jemi me miq, na pëlqen të lëvizim e shkojmë diku. Për rrjedhojë,
nuk shqetësohem shumë sepse nuk kam gjë për të mbajtur sekret. Unë vazhdoj të
jetoj jetën time”.
Ama këto ditë
mund të shijojë të dalit nëpër Tiranë e veshur me xhinse, apo të veshë edhe
fustane të cilat si zëdhënëse ia kishte privuar vetes, të dalë nga ngjyrat e
errëta dhe të gjallërojë pamjen me ngjyra të forta e të ndezura. Tundim i ëmbël
së cilës do i binte pre çdo femër. “Megjithatë për look-un si zëdhënëse kam
marrë gjithnjë komente pozitive”.- shton ajo.
Si është të bësh
jetën e një personazhi publik dhe të jesh imazhi i Kryeministrit?
Ata
që më njohin nga afër, e dinë natyrën time të çiltër me miqtë. Në raportet me
ta dominon pozitiviteti. Më vjen mirë kur më pas dëgjoj tërthorazi komente
dashamirëse. Edhe nga persona që nuk i njoh drejtpërdrejt. Gjithsesi, më vjen
keq kur shoh sulme të ulëta nga persona që s'kanë asnjë lidhje apo që nuk më
njohin. Kjo nuk ka të bëjë privatësinë, por me mungesën e respektit ndaj
femrës. Më duket një simptomë vulgare e një shoqërie ende patriarkale që këtë e
demonstron duke dhunuar verbalisht femrën, aq më shumë kur është në politikë,
por që shpesh e reflekton me akte të rënda të dhunës në familje. Ndoshta simptoma
nuk është kaq e madhe dhe ky percepsion krijohet nga fryrja që i jepet nëpër
blogje apo mediatikisht. Për fat të keq, ka media që u kanë dhënë qytetari
këtyre banaliteteve. Kjo është vërtet e papranueshme. Media nuk mund të jetë
trampolinë e këtij negativiteti. Aq më keq kur inskenon histori të trilluara.
Për fat, këto lloj mediash tregohen me gisht.
Je përfshirë në
politikë, edhe pse jo mirëfilli me një rol politik. A e mendon të ardhmen tënde
me ndonjë post politik? A është kjo ambicia jote për të ardhmen?
Edhe
kjo hyn tek reflektimet e mia për planet afatmesme dhe afatgjata. Tashmë kam
investuar gjatë edhe pse në mënyrë modeste në politikë. Kam investuar
personalitetin, imazhin, impenjimin, sakrificën dhe kohën e viteve të mia më të
bukura. Gjykoj se rruga më e mirë është të vazhdoj të angazhohem e të
kontribuoj për PD-në. Do të doja që angazhimin politik ta mbështes me anën
profesionale. Besoj se është më i qëndrueshëm dhe efikas kështu.
Nuk
pres të më dhurohet asgjë në këtë aspekt. Por as mendoj për gjëra konkrete. Unë
jam e re dhe gjykoj se kam mjaft kohë në dispozicion për të hedhur hapa të
matur në politikë. Besoj se eksperienca, ekspertiza dhe maturia të ndihmojnë në
politikë. Nga ana tjetër, angazhimet impenjative varen nga koha, rrethanat dhe kontributet.
Njeriu nuk duhet të përjashtojë mundësitë, por gjërat gjykohen ose
materializohen në momentin e duhur. Për arsye objektive, nuk është koha për të
folur për të tilla objektiva. Deputete? Politika ka nevojë për kontributin e
femrave, jo si kuotë gjinore, por si kontribut substancial. Gjithsesi, dy nga
një shtëpi nuk lejohet .
Nëse do të
projektojë apo jo ide të qarta në këta katër vite për t’u përfshirë edhe më në
politikë këtë do e ruajë për vete edhe
për ca kohë, por që do të gjendet në zemër të saj, mes Berishës si lideri për të cilin jo vetëm
ka punuar por edhe e ka admiruar në çdo plan, profesional e personal, dhe të fejuarit deputet. Ajo buzëqesh, kalon duart mes flokëve dhe
thërret ashensorin për t’u larguar nga godina që këtej e tutje do të jetë vendi
i saj i ri i punës.
No comments:
Post a Comment