Pas komedisë
“Kasollja e vogël”, regjisorja është rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar këtë
fundjavë me një dramë tronditëse. Historia e një gruaje , e dënuar me prerje
koke sepse ka vrarë 15 njerëz. Sesilia Plasari rrëfen arsyet që e shtynë të
sjellë këtë vepër për publikun. Heroina, Geshja vjen si një luftëtare spontane e
përpjekjes së gruas për emancipim. Sipas saj, shumë gra shqiptare mund të
gjejnë në jetën e Geshes, historinë e tyre personale...
Ekzekutimi
i fundit publik me prerje koke në Bremen të Gjermanisë, ishte ai i një gruaje
që kish helmuar me arsenik pesëmbëdhjetë persona të familjes e të rrethit të
saj, në vitin 1831. Autori Rainer Werner Fassbinder nxjerr nga kjo ngjarje e
kronikës së zezë një tragjedi agresivisht naive të jetës sociale...Për të fituar
lirinë, Geshe tenton të fitojë kundër burrave dhe të bëhet e pushtetshme, e
fuqishme në atë domen në të cilin ata vetë e gjejnë supremacinë : në domenin e
parasë. Dhe pikërisht në këtë pikë, ideja e saj për të fituar lirinë, është
korruptuar paraprakisht. Për të fituar të ashtuquajturën liri, ajo duhet të plotësojë
këtë kusht : të hyjë në logjiken e borgjezisë, në logjikën e një shoqërie të pa
shprese. Edhe nëse bëhet e barabartë me burrat, ajo hyn në një shoqëri që nuk
sjell as lirinë as lumturinë e individit, një shoqëri që të skllavëron, të
tjetërson, një shoqëri qe është nënshtrim. Heroina është anti-heroinë. Të tillë
e ka dashur autori sepse të tillë e sheh frytin e kësaj bote, që e përfaqëson
denjësisht.
Riktheheni në skenën e Teatrit Kombëtar me “Liri në Bremen”.
Pse kjo vepër? A ka ndonjë domethënie të
veçantë për ju?
E
pëlqeva menjëherë dhe therazi tragjedinë borgjeze “Liri në Bremen” kur e lexova
në bankat e shkollës në Sorbonne. Vepra
ma fitoi zemrën për arsye më naive se ato për të cilat më pëlqen tani, me pjekurinë që kam dhe me aftësinë për të deshifruar nivelet e tjera të leximit të saj, për të cilat atëherë nuk kisha
aq kulturë. Është teatër i mirëfilltë, i
madh, i paanashkalueshëm dramaturgjikisht. Vepra është tejet e pasur me tema të
cilat, me thjeshtësi dhe mjeshtëri të madhe, si me një shkop magjik, autori na
i hap për reflektim, na shtyn t’i meditojmë, teksa na provokon. Është tema e lirisë
së individit dhe e shoqërisë në përgjithësi,
ajo e lirisë dhe e emancipimit të gruas në veçanti, tema e moralit, tema e diferencës, e të qenit ndryshe, tema e fatit të njeriut të parakohshëm, ose të jashtëzakonshëm
në shoqëri, tema e veprimit ose e të vepruarit, e vendosmërisë
aktive të njeriut për ta shndërruar ekzistencën e vet, për
të luajtur një rol aktiv në këtë ekzistencë.
Tema e zgjedhjes - e arbitrit të lirë, tema e injorancës, tema e përgjegjësisë së individit, tema e
besimit. Tema e dhunës dhe e derivatit të saj, vuajtjes. Tema e revolucionit dhe e
evoluimit. Tema e krimit në familje… për të përmendur vetëm këto ! Një vepër që
falë ndërtimit të saj plot ironi dhe
paradokse të jep mundësinë
të përballesh me të gjitha këto nyje temash të gërshetuara, me këtë
minierë reflektimi, është vërtet një fat i madh.
Një dramë tronditëse,
çfarë keni dashur të sillni përmes protagonistes, Geshes?
Jam
kujdesur që të mos bëj zgjedhje që do t’i limitonin interpretimet shumëfishe që lë të mundshme dhe të hapura vetë autori, e qe
do t’ia pakësonin shfaqjes thellësinë e niveleve të leximit. Ka brenda pjesës shumë
liri mendimi, pikërisht e vetmja
liri që kemi në dorë, ndonëse në të duket sikur merremi kryesisht me mungesën e lirisë.
Autori mëton të zgjojë shpirtin kritik të spektatorit, ta bëjë të
vendosë vetë se çfarë do përftojë prej
saj - secili sipas kapacitetit të vet.
Edhe revoltimi, hedhja poshtë e veprës është një zgjedhje me vlerë. Nuk është një
vepër që është bërë për t’u pëlqyer, jo. As për të unifikuar publikun nën një emërues të përbashkët.
Fassbinder-it nuk i intereson unanimiteti.
Ai flet për besimin në veprën “Liri në Bremen”, por personazhi i tij, gjithë
duke besuar më shumë ndoshta se kushdo, nuk mund të ketë të njëjtin besim që i kanë imponuar. Ka një tjetër. Çdo njeri që jeton, ka
mendjen dhe besimin e vet. Një përçarje, një pështjellim, një shoshitje
të tillë të opinioneve synon Fassbinder-i dhe kjo është përgjithësisht
estetika e përbashkët e teatrit sot, sidomos e teatrit publik, siç është ky
yni.
Keni sjellë një prej aktorëve të kastës së vjetër, le të themi, si Ndriçim Xhepa. E vështirë për ta bindur?
Kastës
së vjetër? Nuk i shkon kjo fjalë Ndriçim Xhepës! Pale sa vajza të reja do të vijnë në spektakël, qoftë edhe vetëm për të parë sesi
puth ai! Sot e gjithmonë! J . Përpos
admirimit ndaj Zotit Xhepa si artist, më
duhet ta falënderoj për mbështetjen që më ka dhënë pareshtur. Pa mbështetjen e tij – ndërhyrjen
e tij në favorin tim –nuk do ta kisha bërë dot, ndoshta, shfaqjen “Kasollja
e vogël” dhe rrjedhimisht “Liri në Bremen”.
Perfeksionistët e kanë këtë aftësi, ata
dinë ta peshojnë sesa i vlen lëkura
dikujt në profesion. Jam me fat që Zoti
Xhepa pati besim tek unë. E kam pare shpesh Ndriçimin të preokupuar që në teatër të mund të afrohen e të kontribuojnë njerëz që premtojnë. Ndriçimi kultivon një
pseudo-shkujdesjeje, tërheq pas vetes një zhgënjim, të cilin, pasi ke kaluar dy muaj punë në Teatër e
kupton fare mirë se nga vjen… e gjen mëse
të ligjshëm. Por ftohtësia e tij është më tepër një dukje. Se në thelb, problemet e
teatrit, atij i dhembin shumë fort. Ai ka lexuar pothuajse pjesën më të madhe të veprave që unë kam përkthyer, interes që më ka prekur. Në
këtë kuadër, ai lexoi edhe Fassbinder-in
dhe, ndërsa shumë të tjerë u trembën, e anashkaluan, shqisa e mprehtë e Ndriçim Xhepës e pëlqeu menjëherë brumin
revolucionar të këtij autori. Dhe kështu
zuri fill bashkëpunimi për këtë vepër. Ndriçimi bindet vetëm kur bindet. Dhe
bindja e tij, për ne të tjerët është
padyshim inkurajim, përgjegjësi, frymëzim.
Sa shumë është dashur të punoni për ta sjellë personazhin kryesor siç e keni imagjinuar?
Për
mua, personazhi ka qenë mëse i qartë por për t’ia përcjellë qartësinë time Gladiolës, u desh punë vërtet. Për një rol të tillë , puna që kemi bere është një minimum, e pamjaftueshme.
Në botë për këtë shkalle vështirësie do merrej shumë më tepër
kohë se kaq. Por them se spektatori do
mund ta shquaje dashurinë dhe përkushtimin që ka shtëne në të Gladiola Harizaj, se cilës i shpresoj dhe i
uroj një perspektive të shkëlqyer
sepse skena jonë ka nevojë për një potencial si Gladiola dhe ajo vetë ka nevoje për role të tjerë e të tjerë që të mund
të rritet në profesion dhe t’i eksplorojë
gjithë mundësitë e bukura të vetvetes.
Cili është
mesazhi që përçoni përmes kësaj vepre?
Fassbinderi
kërkon nga një vepër arti që ajo të mund të të ndihmojë – në një farë mënyre – të jetosh. Mua, “Liri në Bremen” më ka ndihmuar të
jetoj. Dëshiroja ta ndaj këtë ndihmë me të tjerët,
me ata që kanë nevojë. Fassbinder-i kërkon nga një vepër që ajo të të ndihmojë të zhvillosh teori pa qenë
teorike, të të detyrojë të zgjedhësh qëndrime morale pa qenë morale, të të ndihmojë ta pranosh banalen si esenciale, si të shenjte pa qenë banale as dhe e shenjtë. Ai i zhvesh lakuriq pa mëshirë personazhet e
tij dhe në të njëjtën
kohë, me mjete të tjera të tërthorta na mëson
t’i shohin me dhembshurinë më të madhe këta qenie të lakuriqtë deri në
mediokritet, dhe më në fund t’i duam…
Keni zgjedhur
një skenografi pak eksperimentale. A komunikoni edhe përmes saj?
Një
mori kutish mallrash që hyjnë e dalin në
spektakël, me të cilat bashke me
skenografen dhe kostumografi e spektaklit, mjeshtren dhe zonjën e nderuar
Berina Kokona, vendosëm ta ndërtojmë atë.
Arka mallrash, të cilat konfondohen me shtretërit,
mobilet, qivuret, si dhe me njerëzit vetë -
të cilët, edhe ata shndërrohen
gati-gati në mallra dhe vihen përposh
prej mallrave. Për to bëhet lufta, për to rivalizohet, duket sikur vetëm ato
mund ta sjellin lirinë ! Kuadri flet
vete : për një jetë në të cilën
është më i rëndë bishti se sqepari, në të cilën
rëndësia dhe vlerat nuk janë në vendin e duhur. Njerëzit e shkojnë dëm jetën dhe marrëdhëniet
duke rendur pas kamjes, ambicies, rivalitetit, konvencioneve e jo pas dashurisë, jo pas harmonisë, gëzimit,
respektit, tolerancës e mirëkuptimit. Pa e parw jetën me sy të ri, të qashtër,
pa u çliruar nga ato që na kanë mësuar,
pa u munduar të dimë mbi jetën më shume se ç ‘dimë, pa vrare mendjen: përse
vallë mund të na jetë dhënë kjo jete ? Cila është arsyeja e duhur e të jetuarit të saj ? Dhe jeta është shumë e shkurtër për të mos u mbështetur mbi kolonat
e vlerave të vërteta… Gjithë këta njerëz të vdekur-të gjallë që e vrasin jetën… Dhe njëra
prej tyre, krejt e gjallë, që nuk pranon të vdesë pa jetuar ! Nga dashuria për jetën
dhe ëndrra për liri e utopi, vret disa prej të pareve…Ndoshta për të na zgjuar ? Po a zgjohemi ne ? Paradoks i
hidhur, po, ironik, provokues, therës. Tragjedi ! Që në fillimet e saj ky zhanër
është marrw me të pazgjidhshmen, me të patrajtueshmen ! Por kjo jona është një
tragjedi meskine, borgjeze. Është vetëm një fillim. Mbi këtë kontekst, mbi këtë
shtrat, materializohen edhe preokupimet
e tjera të veprës.
A është një
manifest feminizmi kjo vepër?
Ah
jo, jo, është një piste e gabuar. Personazhet
kryesore të Fassbinder-it janë
femra, ngase, siç thotë ai vete, konfliktet brenda shoqërisë janë më pasionante kur i observon nëpërmjet grave. Ato
janë të shtypura, por sipas mendimit të tij ato gjithashtu e provokojnë, e përdorin këtë shtypje, për shkak të situatës që kane në shoqëri, si një instrument terrori. janë figurat meë
pasionante të shoqërisë, konfliktet janë më të dukshme nëpërmjet tyre. “Gratë janë
shumë më të detyruara se burrat të përdorin mjete pjesërisht
të neveritshme që t’i shpëtojnë përdorimit si objekt”. Liri në
Bremen nuk është gjithashtu një pjesë mbi emancipimin e grave, emancipimi është
problem i secilit, i burrave, si dhe i atyre grave që duket sikur kurrë nuk kanë
nevojë
për emancipim e nuk e duan atë se kanë një shpirt prej skllavi, (siç ka të tillë edhe burra). Emancipimi është problem i shoqërisë.
Emancipimi artificial tenton ta bëjë njeriun të jashtëm, artificial e sipërfaqësor,
si ato zarzavatet me hormone, si pemët e standardizuara në formë
koni, kubi etj. Emancipimi i praktikuar kështu është dështim. (E kemi dhe një dështim ne spektakël,
apo jo.)Duhet të emacipohemi nga një emancipim i tillë nëse duam emancipim të vërtetë. Duket si paradoksale, por… emancipimi
nuk bëhet me statistika, në kutitë e
votimit, ne sallën e ligjit, por në ndërgjegje dhe në shpirt. A është rregulluar bota se votojnë gratë
? Korrupsioni në domenin politik ? Ky
korrupsion nuk ka të bëjë më të qenit
pak apo shume i moralshëm i politikaneve dhe burrave të shtetit. Origjina e tij
është materiale. Këtë atmosfere politike
nuk e purifikon dot e drejta e votës së gruas.
Pra, e drejta e votës, e punës etj., janë gjera boll të mira, por emancipimi real, fillon në shpirtin e gruas. E njeriut. E shoqërisë.
Liria e gruas dhe e shoqërisë shtrihet deri aty ku ato kanë fuqi të çlirohen vete. Është më e rëndësishme që ato të rigjenerohen se brendshmi, të çlirohen nga paragjykimet. Vërtet të drejtat duhet të jenë të barabarta, por e drejta më vitale është
të japësh dhe të marrësh dashuri. Nëse, të bëhesh i/e pa shpirt është një mënyrë emancipimi, ky nuk është emancipim, është një skllavërim
i ri, është futje ne një logjikë antagonizmi, dualizmi… Vrasja, kjo hakmarrje e dëshpëruar, është kapitullim, nuk është liri, por vetmi.
Geshja juaj, në fund është viktima po aq sa edhe kriminelja?
Ajo
çka më intrigon dhe më prek më shumë në mënyrën sesi është shkruar vepra është fakti
se Fassbinder-i nuk interesohet për krimin, nuk kërkon të na impresionojë me të, e tregon vetëm dy herë pasojën e helmimit, vdekjen. I anashkalon
vdekjet, i jep madje vetëm në didaskalite shpjeguese. Eviton gjithashtu të na tregoje ekzekutimin e Geshes, me të cilin mund të bënte mjaft sensacion. Ai interesohet vetëm për
motivet e vrasëses. Arsyet. Pra, nuk janë vdekjet dhe vrasjet që e bëjnë pjesën tragjedi. Tragjedi e bën ajo çka
po vuan Geshja, hap pas hapi, shkallë pas shkalle, tragjedi është fakti sesi ajo e
humb pak e nga pak statusin e njeriut, zbardhet, ftohet, ngurtësohet, tjetërsohet,
çnjerëzohet në duart e fatit. Geshen , studiuesit e kanë quajtur heroinë të ndjeshmërisë
se me penelata shumë të holla autori ka arritur të fiksoje ne një koncentrim veprimi dhe dialogu
maksimal, një oqean të tërë vibracionesh ndjeshmërie. Është transparente
trysnia që e detyron njeriun të kalojë
në vendime e në sjellje ekstreme. Për
mua ky koncentrim ka një vlere jashtëzakonisht të madhe. Në fillim, Geshe nuk e ka llogaritur rrëshqitjen e saj,
por më pastaj, kur rrëshqitja merr vrull, nga fundi, duket sikur thotë: unë do
iki, por do t`ju vë juve përpara njëherë. Ajo shijon një liri të tmerrshme, një
vetëvrasje të shkallëzuar, dhe ky shkallëzim monstruoz, në zbritje dhe në ngjitje njëherësh, nuk mund të
mos e trondiste njeriun dhe ta bëjë të reflektoje. Po, është një viktime e
frikshme dhe një kriminele e bukur.
A ka ndonjë lloj
ngjashmërie me realitetin e sotëm shqiptar? Ku gruaja trajtohet si mall, si
objekt në shërbim te burrit? A mos ka qenë edhe kjo një shtytje për ta vënë në
skene?
Oh
sigurisht, kur e hasa për herë të parë këtë
vepër ajo me kujtoi mjaft jetë grash
shqiptare, ndër të cilat edhe timen, e shumë femra mund të gjejnë në jetën e Geshes
elemente që ju flasin për historitë e tyre personale.
A vazhdojnë
burrat të kenë frike nga gratë e zgjuara?
Varet
nga secili burrë, individualisht ! Varet
sesa të zgjuar, të lirë e të emancipuar janë
ata.
Prej nga i vjen
liria e vërtetë një gruaje ?
Receta
ime personale është : Zemër e dëlirë, ndërgjegje e qetë, asnjanësim i frikës
dhe i pritshmërisë. Dashuri për jetën sidoqoftë ajo dhe
pranim i gjithçkaje që vjen si një e mirë,
si një dhuratë , sado e ashpër qoftë. Besimi se e gjitha kjo ka një kuptim që
nuk e rrokim dot ende.
Mes përplasjes së
lirisë së brendshme me shtrëngesat e jashtme, cila mund
të jetë zgjidhja?
Ky
është një problem i njëjte për të gjithë njerëzit. Zgjidhja është gjetja e
ekuilibrit. S’e kemi në dorë të zgjedhim jetën që duam, por e kemi ne dorë të jemi
të lumtur sidoqoftë. Duhet të njohim ligjet e shpirtit dhe t’i përdorim ato.
A mos vallë, autori i bën një lloj "justifikimi"
Geshes? Në vend që ta shohim fajin individual a është shoqëria
fajtorja, e cila pjell vrasës?
Siç
e thashë edhe më lart, autori qëndis deri në detaje “vrasjen” që i bëjnë të tjerët Geshes, ndërsa gjestit të saj i lë vetëm një frazë , një propozim për kafe. Ai nuk i bën asnjë
lloj justifikimi Geshes, por ai tregon se si procedon transformimi, nga një idealizëm
i madh, i pamundur, i parealizueshëm kolektivisht në një zhgënjim, një helm kaq të madh.
No comments:
Post a Comment