Tuesday, February 10, 2015

Arratisja për t’u bërë artist





















Foto:Armand Sallabanda 
Ka ngjitur skenat më prestigjioze ndërkombëtare me performancat e tij dhe ka marrë shumë vlerësime nga publiku dhe kritika europiane. Brigel Gjoka, koreografi dhe balerini shqiptar që po mahnit botën, rrëfen sesi e la Shqipërinë dhjetë vjet më parë në kërkim të famës dhe suksesit.

Gjithçka zë fill në errësirë. Tullumbace në ngjyrë të ndezur mbërthejnë vëmendjen e publikut dhe shpërthejnë më pas me urgjencë. Mbeten disa drita të mekëta shumëngjyrëshe, që shoqërojnë protagonistin që mbin nga errësira. Dritat  ndizen dhe në qendër mbretëron e bardha. Tkurrja dhe përhapja e bardhësisë është një grimcë kujtese që bën zhurmë të bardhë. Një burrë tjetër i veshur në të bardha shfaqet në cep të skenës dhe shoqëron lëvizjet e fragmentuara e kuturu të protagonistit. Dritat fiken dhe një pishtar ndriçon, burri me të bardha i arratiset...Kjo është tabloja e pjesës “Eksod”, që koreografi dhe balerini shqiptar, Brigel Gjoka çoi në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit dhe artit performues, që u mbajt pak ditë më parë në Karaçi të Pakistanit. Shfaqja flet për një burrë, i cili ka humbur kujtesën dhe i duhet ta rijetojë të shkuarën përmes syve të një tjetri dhe rrëfimet për veten i duken si të një personi të tretë.
“Eksod është krijimi im i fundit, i dhënë në premierë në “Leggere Strutture Factory”, Bolonja,  në nëntor të vitit të kaluar dhe pas ftesës nga Instituti “Gëte” për të marrë pjesë në Festivalin Napa në Karaçi, vendosa të shkoja pikërisht me këtë pjesë. Publiku e priti mjaft mirë shfaqjen, megjithëse pak shokuese për ta. E them këtë edhe nga ana e kritikëve dhe konkluzionit pas  shfaqjes”, - rrëfen Brigeli, i cili pak ditë pas festivalit ka udhëtuar drejt Tiranës. 
“Eksod” - një pjesë sa koreografike aq edhe teatrale, e shoqëruar me video-projeksione, instalacione dhe muzikë rrëqethëse, sipas Brigelit, autorit që e ka krijuar, nuk është vetëm lufta mes kujtesës dhe harresës dhe rolin që luan e para në jetën e individëve, por flet për nënshtrimin ndaj një regjimi dhe ndikimin e tij në shoqëri. Eksodi për të është arratisje e detyruar. Një lloj arratisjeje së cilës i është nënshtruar edhe ai vetë 10 vite më parë kur vendosi të braktiste Akademinë e Arteve, me synimin e përmbushjes, realizimit, gjetjes së vetes. Dhe ia doli. U shkollua në një prej shkollave më të mira të Kanës për baletin kontemporan, duke iu arratisur atij klasik për të cilin ishte formuar për vite me radhë në Shqipëri, dhe preku skenat më prestigjioze të Europës. Ka qenë pjesë e trupës së baletit të Operës së Strasburgut, Teatrit të Meinz-it, në Gjermani, Teatrit dhe Operës kombëtarë të Holandës, ndërsa tani është një artist, i cili jo vetëm performon në kompaninë më prestigjioze të kërcimit kontemporan në Europë “Forsythe” në Frankfurt, por edhe realizon projektet e tij vetjake, që më shumë sesa balet janë filozofi jete me tema që prekin mendjen njerëzore dhe qëllimin e njeriut në këtë botë.  
 “Të gjithë jemi në arratisje. Jemi shtegtarë, jemi në ndryshim...U arratisemi mendimeve, veprimeve, jetës sonë të përditshme”, - thotë teksa rrëfen se për krijimin e kësaj pjese –tashmë  me sukses ndërkombëtar –është frymëzuar nga filmi shqiptar “Rrethi i kujtesës” .
“Disa fragmente të atij filmi më  kanë impresionuar në fëmijëri. Më ka intriguar gjithmonë ideja e humbjes së memories, një bagazh informacionesh të cilat janë të implementuara për të na  identifikuar dhe personalizuar. Bazuar mbi idenë e humbjes së memories, më intrigon fakti i procesit traumatik,  të cilit i nënshtrohet truri si organi vital i saj”.
Megjithëse gjuha dhe subjekti kinematografik janë të huaja për publikun që e ka ndjekur deri më tani, “Eksod” tregon sesi arti komunikon përpara se të kuptohet dhe simbolika e përdorur nuk është e koduar.
Shfaqjet e tij flasin universalisht, krijuesi e quan veten kozmopolit dhe gjuha që ai ka zgjedhur të komunikojë artin e tij, ajo e trupit është e kuptueshme nga të gjithë. Njësoj emocionohet publiku kur ai performon në Itali, e po njësoj kur është në Gjermani dhe po të njëjta janë ndjesitë e publikut malajzian.
Pas eksodit të tij personal, i është rikthyer Shqipërisë pas dhjetë vitesh mungese në skenat artistike. Përpara se të ikte ishte i angazhuar në TKOB dhe me aktivitete të ndryshme televizive të lidhura me kërcimin, ndërsa tani vjen si koreograf, si krijues performancash që të fusin në ujëra të thella mendimesh. “Puna që dua të prezantoj, kam dëshirë të jetë sa më afër sociales. Dhe pse në shumicën e rasteve dua ta shpreh në mënyrë indirekte, ndryshe do ishte shumë banale. Besoj se çdo artist ka të drejtën dhe duhet të shprehet në mënyrën që ai e percepton artin e tij”, - vijon Brigeli, duke zbuluar edhe projektet që e kanë sjellë në Tiranë këto ditë.
Më i afërti është ai i datës 29 prill, në vilën e diktatorit Enver Hoxha, në zonën e ish-Bllokut, e cila do të hapet për herë të parë për një performancë artistike. “Pesë artistë shqiptarë do të hyjnë  në vilë në mëngjes dhe do të kenë hapësirën  personale për të zhvilluar performancat e tyre, ndërsa do të ndiqen nga publiku i përbërë prej anëtarëve të qeverisë. Jashtë do të vendoset një  ekran i madh për publikun e gjerë. Jam i lumtur që vij për këtë projekt, sepse është tamam ashtu siç doja të kthehesha, sipas mënyrës sime, me artin tim”, –thotë ai.
Projekti i titulluar “The Iron Curtain” (Perdja e hekurt) është i organizuar dhe kuruar nga Ema Andrea dhe Klod Dedja.
Më 24 maj e pret një tjetër eveniment, i organizuar po nga dyshja Andrea-Dedja, po aq simbolik dhe historik sa i pari. “Informal mind” është projekti artistik që do të zhvillohet në Kombinatin Metalurgjik të qytetit të Elbasanit, ku krahas Brigelit do të ketë edhe artistë të tjerë ndërkombëtarë. “Para  ca kohësh e vizitova Metalurgjikun. Është i mahnitshëm, seç ka një atmosferë marramendjeje, një lloj grije dhe mjegulle që duket se i mban gjërat pezull, gati surreale. Është tamam mjedisi që më pëlqen për performancat e mia. Më pëlqen shumë absurdi”.
Ajo që pëlqen më së shumti është të shkaktojë debat me idetë e tij. “Edhe sikur të flasin keq, nuk e kam problem. Por nëse flitet për veprën time, nëse i bëj të tjerët të mendojnë rreth saj, kjo ka rendësi për mua dhe them se vepra ia ka arritur qëllimit”.
Shfaqjen “Eksod” do e sjellë këtë vit edhe për publikun shqiptar në nëntor, në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Kam shkuar ta shoh Galerinë dhe ka një hapësirë të hatashme, një strukturë të mrekullueshme dhe kam nisur që tani të mendoj sesi do e sjell për publikun shqiptar”.
Duket se edhe vepra, po ashtu si autori, do të vijë në vendin e vet.
Projektet e Brigelit në Tiranë janë vetëm një pjesë e vogël e aktiviteteve të tij që shtrihen intensivisht gjatë gjithë vitit me ture të panumërta që e presin me kompaninë gjermane  “Forsythe” dhe ato si artist i lirë bashkë me kompaninë “Leggere Strutture”, ku krahas  performancave në skenë, ai është edhe trajnues dhe pedagog i studentëve të rinj në fushën e baletit kontemporan.
Vërtet ka 10 vite që është shkëputur nga Shqipëria, por lidhjet me shqiptarët nuk i ka humbur. As me ata që jetojnë në Europë dhe i ka kolegë –nëntorin e kaluar bashkë me një trupë balerinësh të kryesuar nga Kledi Kadiu dhe Ambeta Toromani, organizuan një mbrëmje gala në Romë me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar –as me ata në Shqipëri, ku ai i kthehet rregullisht shkollës së tij të vjetër të baletit për të rekrutuar talente të reja. Nëse dikush ka perceptimin se në botën e baletit altruizmi nuk ka jetuar kurrë, Brigeli është shembulli i së kundërtës. “Kam dëshirë të ndihmoj të rinjtë që kanë ambicie në fushën e baletit kontemporan. Edhe pse vërtet e kam pasur të vështirë dhe për t’ia dalë mbanë nuk është aspak e lehtë dhe duhet të kalosh njëmijë e një aventura të hidhura, kam dëshirë t’i ndihmoj talentet e reja. Kur unë fitova bursën Tempus nga UNESCO-ja 10 vjet më parë në Kanë, kishte qenë vetëm një student shqiptar përpara meje në balet kontemporan. Ndërsa pas meje erdhën shumë të tjerë që kam pasur mundësi t’i ndihmoj”.
Qesh ndërsa kujton vështirësitë e para, mezi i dinte dy fjalë frëngjisht dhe ishte torturë nëse duhej të pyesje vendasit për orientim. Por ia arriti të diplomohej, të përzgjidhej si profesionist junior në shkollë dhe të fitonte menjëherë audicionin e parë mes qindra kolegësh në Operën e Strasburgut.
Në 10 vite e ka shëtitur Europën skenë më skenë, pasi një tjetër tipar i tij që e bën edhe më të dallueshëm, është dëshira për të mos qëndruar gjatë në një vend. “Jam për ndryshimin. Nuk dua kurrsesi të mbetem në një vend. Dua të lëviz, të eksploroj. Përmes ndryshimit e njoh edhe më shumë veten”.
Pas tri viteve në Strasburg, udhëtoi drejt Meinz-it për një vit intensiv pune në teatër, pastaj drejt Hagës për disa muaj, për t’u rikthyer sërish në Gjermani në destinacionin e tij të fundmë. “Aty kam ndërmend të qëndroj gjatë. Derisa të ekzistojë ajo kompani. Është ajo që kam dashur qëkur isha balerin i ri, i sapodiplomuar”. I magjepsur kokë e këmbë pas një performance të asistentit të kompanisë “Forsythe” – me famë botërore –në atë moment i kishte vënë vetes qëllimin për të arritur atje. Iu deshën disa vite, por më 2011-ën, i vendosur, mori trenin nga Haga drejt Frankfurtit, takoi ikonën e tij, William Forsythe dhe ia shprehu dëshirën që kishte prej vitesh.  “Ishte gati çmenduri ajo që bëra, sepse të takoheshe me të duhej të njihje shumë të tjerë që të të siguronin qoftë dhe vetë një takim. Unë vajta vetë. Fati im ishte që ai kishte ndjekur një nga performancat e mia dhe e njihte stilin tim”. La punën në Holandë dhe pas një muaji u gjend në Frankfurt, ku po punon prej tri vitesh tashmë. “Aty kam të gjithë hapësirën dhe lirinë time”. Atë liri që e lë t’i kapërcejë kufijtë e vetes dhe të artit që ai bën. Veç koreografisë dhe ekzekutimit në skenë- nga i cili duket se nuk do të heqë dorë kurrë, jo vetëm për hir të performancës, por për t’u përhumbur në emocionet që i sjell skena –Brigeli eksperimenton duke kompozuar muzikë për performancat  e tij, si edhe realizon instalacione dhe video projeksione. Si në performancën “Eksod”, që e ekzekutoi me kolegun e tij Mattia Gandini, ku koreografia shoqërohej nga instalacione dhe projeksione video të krijuara nga ai vetë.Më pëlqen të kompozoj dhe të filmoj, ose më saktë të eksperimentoj. Është një mënyrë tjetër për të gjetur veten. Në bazë të mundësive krijoj dhe për balerinë të tjerë, por ajo është eksperience tjetër, sepse është ndryshe nga vetë zotërimi i lirisë në të ekzekutuar”.
Për performancat e tij rrëfen se frymëzohet nga çdo aspekt i jetës: një ngjyrë, një tingull, një dritë drejt një ideje...një botë e tërë udhëtimesh e ndryshimi që e bën të kalojë në një fazë të re vetëdijeje e që më pas marrin formën harmonike të lëvizjeve trupore, që është gjuha e vërtetë e artistit shqiptar me të cilën flet, dëgjohet dhe rebelohet duke i rrëzuar barrierat  kulturore. “Dua të jem një qenie njerëzore që do të shprehet nëpërmjet një forme, të cilën e quajnë art”, - përfundon Brigeli duke e mbyllur fjalinë se, pas disa ditësh do i duhet të udhëtojë prapë drejt Gjermanisë e të kthehet sërish në Shqipëri për shfaqjen e madhe në vilën e diktatorit Hoxha.  Janë këto rrugëtime që e kanë pasuruar edhe më shumë, pranon ai, duke e quajtur të gjithë eksperiencën e tij jetësore e profesionale një Eksod që vazhdon, drejt sfidave të reja...



No comments:

Post a Comment