Sunday, February 15, 2015

All that jazz!

















Nëse do të donte të shkrihej në një fjalë të vetme, ashtu siç bën sa herë improvizon me tingujt, Eda Zari do të zgjidhte identitetin. Asgjë më shumë e asgjë më pak se aq.

Ajo ndoqi për 6 vite Konservatorin e Këlnit për muzikë operistike e ndërsa pedagogia mentore e saj shihte një lloj ardhmërie te sopranoja e ardhshme, që shtuar vokalit kishte edhe një lloj dramatizmi në interpretim do të pushtonte skenat e operave, Eda Zari takohej fshehurazi me dashurinë e saj të parë, që e kishte njohur nga dy radiot që kishte në shtëpinë e saj në Shqipëri dhe ndalej te ndonjë stacion italian apo sllav.
Xhazi ishte rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e saj prej atyre viteve të varfra ’80 ku këngëtarë si Ella Fitzgerald, Billy Holiday apo Duke Ellington mundej t’i dëgjonte veçse me pikatore dhe fshehurazi. Por edhe pse nuk e kishte fare idenë se ç’zhanër muzikor quhej ai që bënin ata, me ato notat e trishta, harmonia e asaj muzike e kishte bërë të dashuroj.
Që dashuritë e vërteta i rezistojnë kohës, në këtë rast nuk ishte më një shprehje klishe.
“Pasi mbaroja orët në kanto klasike, shkoja në departamentin e xhazit, me të cilët kisha bërë një sërë projektesh, të fshehta”. Deri në momentin kur dolën artikujt në faqet e gazetave gjermane, duke e etiketuar si ylli shqiptar i muzikës xhaz...  
Nëse do të donte të shkrihej në një fjalë të vetme, ashtu siç bën sa herë improvizon me tingujt, Eda Zari do të zgjidhte identitetin. Asgjë më shumë e asgjë më pak se aq.
Atë identitet origjinal që ylli i muzikës xhaz e ka krijuar duke mbledhur melosin, gurrën, folkun, vajtimin, poezinë dhe shpirtin shqiptar për ta shkrirë me notat blu të xhazit.
Në vend të kënaqej duke u quajtur një Ella Fitzgerald e një vendi të vogël ballkanik, ajo e mori atë vendin e vogël nga brigjet e Mesdheut dhe e shkriu në zërin dhe krijimtarinë e saj për të mahnitur publikun nga çdo cep i botës...

Janë plot 24 vjet kur Eda, atëherë 17 vjeçare, udhëtoi për të studiuar në Konservatorin e Këlnit. Këtë vit për shkak të angazhimit në festivalin “Kënga ime” shënoi në kalendar edhe   qëndrimin më të gjatë në Shqipëri që kur u largua dhe nga të gjitha kthimet, të cilat nuk i kanë zgjatur më shumë se disa ditë, ky i tanishmi po i lejon të gjithë kohën e mundshme, atë që mund të quhet luks i munguar në rutinën e zhytur mes angazhimeve profesionale, për t’iu rikthyer Tiranës si njëherë e një kohë.
 Ta shëtisë ngeshëm cep më cep, të zbulojë skena underground ku luhet muzikë e mirë, por edhe t’i prekë nga afër fenomenet muzikore, trendet, ngjarjet, segmentet, proceset... të gjitha kthinat që nuk shihen nga perspektiva e një zogu shtegtar...
 “Njerëzit janë ngopur nga zhurmat dhe multikulturalizmi. Na duhet identiteti! Ja, të marr shembullin tim: Unë e kam bërë punë të mirë duke kënduar xhaz, por suksesin e kam arritur atëherë kur kam sjellë melosin shqiptar dhe e kam shkrirë në dialog, në harmoni, në ritmet e xhazit” –ia beh, duke iu rikthyer temës që e solli në Shqipëri. Është ajo lloj shkrirjeje që e bën muzikën e saj të rrjedhë si mjaltë e të zbusë si balsam veshët e publikut, i cili për Edën dëgjon në katër dimensione, duke e lënë muzikën të depërtojë deri në të pandërgjegjshme.
“Nuk mendoj se publiku duhet edukuar. Atij i duhet sjellë muzikë e mirë, por jo të thuhet se po e edukon”. Arti nuk është edukativ. Arti është i lirë të shprehet. Dhe nëse bazohesh te tradita duke e sjellë në një formë të re, atëherë publiku nuk është veçse mirënjohës”.

Ka një  besim të patundur, kokëfortë, tipik shqiptar që e ka  bërë  këngëtaren që është sot; një yll ndërkombëtar i muzikës xhaz që përtej 8 albumeve e ka bërë të shëtisë nëpër botë me koncerte e festivale xhazi, nga Gjermania deri në Shangai të Kinës... “Pikërisht kjo kokëfortësi shqiptare më ka bërë të këmbëngul të studioj jashtë, t’i përkushtohem xhazit dhe të punoj profesionalisht” – thotë ajo.
Nëse identitetit origjinal që kërkon të ruajë e të mbajë, ai me të cilin u spikat menjëherë në skenat gjermane të xhazit, do i shtonte edhe një tjetër kriter, ai do të ishte liria, pa të cilën Eda Zari nuk do të ishte sot kjo që është.
Qesh ndërsa hamendëson sesi do të kishte qenë nëse nuk do të kishte këmbëngulur për të ikur jashtë vendit apo nëse do të mbetej besnike e auditorëve të kantos klasike.
Si këngëtare operistike i ka pasur disa eksperienca me Filarmoninë e Këlnit, Mynihut, Opera, Musical, Opereta dhe shumë prezantime recitale të formës koncertore me formacione orkestrale, WDR -Rundfunk Orchestra (orkestra e dhomës Drezden, në operën e Shangait... “Por
e shoh si të padisiplinuar te unë këtë gjë. Nuk mendoj ta bëj diçka të rregullt. Nëse nuk do të improvizoja, të isha e lirë, të krijoja nga vetja, nuk do të mund të bëja muzikë. Xhazi ma lejon këtë” –tregon, duke shtuar se deri më tani ka zgjedhur të jetë e lirë për të bërë atë që i pëlqen. Ndoshta ky është edhe sekreti i të bërit art, pa qenë e imponuar nga forca jashtë vetes që ta shtypin frymëzimin.
Kjo liri e të eksperimentuarit me muzikën, ia shtyn edhe më kufijtë, sa herë është përpara një projekti të ri. Kësaj here kufijtë shkojnë në një takim të xhazit me muzikën bizantine; himnet e lashta, muzika liturgjike do të vijnë në një bashkëbisedim me xhazin. “”Bizanti në konverzacion me xhazin” quhet albumi im i ri, të cilin kam në plan ta prezantoj në Krishtlindje. Promovimin do ta bëj në Shqipëri” –zbulon Eda duke shtuar se është një projekt që po e punon imtë, në çdo detaj. “Jam me piskatore në dorë” –shton duke qeshur.

Himnet bizantine do të shkrihen me xhazin, me atmosferën gotike të kishave në Shqipëri, me një kor bizantin dhe do vijnë të qasura në gjuhën shqipe. “Para disa kohësh një miku im ikonograf më foli për Kodikët që kemi në Shqipëri, si ai i famshëm i Beratit. Ishin të jashtëzakonshëm. Tekstet dhe muzika janë në gjuhën greke, por rrëfejnë ecurinë në vendin tonë. Aty më lindi ideja për të tentuar drejt kësaj; ta sillja këtë muzikë në një konceptim të xhazit. Përshtatej shumë mirë edhe me zërin tim. Doja të sillja diçka të panjohur, por edhe të kohës. E kam përshtatur me atë pjesë të xhazit që i shkon, ato instrumente të xhazit që harmonizohen me të. Këtu e them pa modesti që jam e para që sjell diçka të tillë” – tregon duke buzëqeshur.
Nëse njëri vjen nga perandoria mesjetare e Bizantit dhe tjetri nga një histori më moderne e shekullit të kaluar nga një perandori më e re e bashkëkohëse, në dukje jo shumë të përputhshëm me njëri-tjetrin, Eda thotë se notat e trishta të xhazit, bluzit, vajtimit, por edhe flokut, ngjizen shumë bukur me himnet bizantine dhe iso polifoninë shqiptare. Nëse himnet –disa prej tyre shumë të njohur si “Ngjallja e Krishtit” apo “Virgjëresha e kulluar” janë të shkruar në gjuhën greke kryesisht, ajo ka dashur t’ i sjellë në shqip. “Përqasja me shqipen është një sfidë më vete”. Një tjetër sfidë janë edhe stacionet nga ku do të kalojnë incizimet –nga disa kisha në Shqipëri deri te studiot gjermane. “Por jam menaxhere shumë e mirë. Po i marr pikë pas pike të gjitha, pa kapërcyer etapat. Çdo gjë shihet imtë, me lupë. Mendoj se rezultati do të jetë diçka me vlerë edhe për gjuhën tonë. Janë himne shumë të njohura dhe të sjella në shqip do ta bëjnë gjuhën tonë të dëgjueshme për të huajt”, – thotë Eda duke shtuar edhe disa detaje ku krahas poezisë, pjesëve të recituara apo këndimit “a capella” do të shoqërohet nga një kor bizantin, i pari në Shqipëri i këtij lloji, nën drejtimin e mjeshtrit Teodor Peci, me të cilin Eda po bashkëpunon për këtë projekt, që nuk vjen i vetëm në axhendën e Edës. Një tjetër paralel me albumin është edhe realizimi i edicioni të parë të “Jazz wine festival”, i cili do e ngrejë siparin në qytetin e Beratit në datat 5 dhe 6 shtator të këtij viti. “Mendova të bëj një bashkim të xhazit me verën”. Eda thotë se janë shokë shumë të mirë të njëri-tjetrit. Pjesëmarrësit në këtë festival do të vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe trojet shqipfolëse. “Doja që të merrnin pjesë edhe disa nga prodhimet më të njohura shqiptare të verës. Më vjen keq që jashtë nuk gjen verë shqiptare kur e kërkon atë”
Jo rastësisht ka zgjedhur Beratin për edicionin e parë të këtij festivali që synon ta kthejë në traditë të përvitshme, i cili do të shëtisë edhe në treva të tjera shqipfolëse. “Berati është në UNESCO, xhazi ka dy vjet që është në mbrojtjen e UNESCO-s e po ashtu edhe muzika polifonike shqiptare prej 9 vjetësh. Ishin pikërisht këto tri pika bashkimi që më bënë ta çoj këtë festival në Berat. Si një lloj sensibilizimi për qytetërimin”.

Veç punëve në kompaninë e saj muzikore të kolonave zanore për filma, dokumentarë e reklama –me të cilën ka realizuar spote për marka të njohura dhe regjisore me emër –Eda Zari i është kushtuar fotografisë. Një pasion që ka kohë që i ka ikur etiketimit si hobi, duke u kthyer në diçka më të rëndësishme. Ka realizuar shumë në udhëtimet e saj, nëpër zonat e thella malore në fshatra, në bregdet në Shqipëri, por edhe në Europë e Azi saqë ka gati materiale për një ekspozitë të plotë me katër cikle. “Sigurisht që nuk pretendoj të jem profesioniste në këtë fushë. Më shumë sesa teknika, mua më josh magjia e momentit. Ngrirja e një çasti të caktuar. Nuk dua të sjelle peizazhe që janë fotografuar me mijëra herë, por ato çka syri im kap dhe emocionohet në atë moment. Më pëlqen të punoj shumë me efekte sepia dhe bardhezi”, - thotë ndërsa ka hedhur sytë për të gjetur një mjedis të përshtatshëm ku të ekspozojë fotografitë e realizuara në vite dhe publiku do të ketë mundësitë shijojë gjendje të ndryshme emocionale nga katër ciklet e ekspozitës të titulluara; bota në fokusin e një fëmije, erosi në dy gjinitë, një cikli urban me dhe kronika. Kudo ku Eda ka udhëtuar ka të paktën një foto. Pas çdo koncerti, merr aparatin fotografik dhe shkrep emocione. Gjithçka do të vijë me muzikë xhaz të interpretuar nga Eda Zari dhe çdo cikël fotosh do të ketë muzikën që i përshtatet që do e bëjnë publikun të shkojnë në një gjendje transcendente për të shijuar artin tjetër të Edës. “Mendoj ta sjell në tetorin e madh gjerman, që organizon Ambasada gjermane këtu”, - thotë ajo, ndërsa publiku do të ketë mundësi të zbulojë edhe një tjetër dimension të yllit të xhazit, por që Eda e sheh si një zgjatim të muzikës që bën, duke e gjetur xhazin në peizazhet që të lënë pa frymë, te portretet e njerëzve që jetojnë në vërtetësi me natyrën, me vetë natyrën që e bën njeriun të vogël, me gratë dhe burrat e thjeshtë që punojnë çdo ditë... një lloj filozofie jete që ajo e ka mbërthyer në ngjyrat bardhezi të një letre të lustruar dhe në shpirtin e saj, për ta shpërfaqur në gjithçka që bën më pas, si një lloj identiteti që pasurohet me gjithçka të vërtetë.  

No comments:

Post a Comment