Një fëmijë gjashtë vjeçar merr pjesë
në Ngjarja më glamour e shekullit
XX në botën shqiptare, ceremonia e
martesës së mbretit Zog me konteshën Geraldina Appony të
Hungarisë. 75 vite më pas ai jep në një dëshmi të pazakontë. Zbulojeni
madhështinë e pallatit mbretëror, luksin e një dasme aristokrate të Shqipërisë
së vitit 1938 në një version origjinal!
“...Mbaj mend një burrë të gjatë dhe një grua
elegante, me flokë gështenjë, të qeshur dhe
ne fëmijët që i mbanim fustanin e bardhë që ledhatonte dyshemenë...”, kështu
e ka të ruajtur në kujtesën e tij
prej fëmije, paska të mjegulluar, si një fotografi e zverdheme prej moteve.
Janë plot 75 mote që i duhet të kapërcejë në një mëngjes të ftohtë
janari burrit me fisnikërinë e flokëve
të argjendtë, teksa ndez një cigar’. Tymi i saj duket se është
elementi magjik që e transporton në fëmijërinë e tij, në vitin e gjashtë të
jetës.
27 Prill 1938, djali gjashtë vjeçar i veshur me
frak të zi gjendet në hollin e pallatit Mbretëror...
I turbullohen kujtimet e asaj Tirane që kish
mbledhur njerëz nga të katërta anët e Shqipërisë, ahengun që nuk pushonte prej
ditësh, rrugët e mbushura me njerëz dhe dekorimet nëpër qytet. Por sjell
ndërmend zhurmën dhe lëvizjet që kishte shkaktuar lajmi se Mbreti i
Shqiptarëve, Zogu i Parë, kishte vendosur t’i jepte fund beqarisë me konteshën
hungareze.
Radha e
përgatitjeve për dasmë i erdhi edhe kopshtit të vetëm në Tiranë, asokohe e
njohur me emrin “Çerdhja foshnjore”. Nga
Oborri i Mbretit ishte çuar lajm se duheshin zgjedhur disa fëmijë, për të shoqëruar nusen drejt altarit.
“ Ishim 12 të vegjël që u zgjodhëm. Gjashtë
djem dhe gjashtë vajza. Mbaj mend disa prej tyre; Fatos Aliko, Diamant
Daupllari...”, mundohet t’i qartësojë kujtimet Amik Kasoruho, tanimë në moshën 81 vjeçare.
Ai fëmija i 75 viteve më parë që mbante me duart e tij të vogla fustanin
vezullues së Mbretëreshës së shqiptarëve,
u bë një prej intelektualëve dhe
burrave të letrave shqipe. Nuk e
ka shkruar në kujtimet e tij këtë ngjarje, por kujtdo që ia ka rrëfyer i ka
ndezur kureshtjen për të ditur më shumë nga një burim që e ka të jetuar atë
martesë, edhe pse fëmijë.
“ Nuk ruaj shumë kujtime nga fëmijëria ime e
hershme, por çuditërisht këtë ngjarje e mbaj mend mirë. E ruaj si diçka të
veçantë dhe më ka dhënë kënaqësi sa herë
e kam kujtuar. Atëherë më dukej vetja si protagonist, megjithëse detyra
zgjati fare pak”
Djemtë
e veshur me frak dhe vajzat e vogla me fustane të bardhë morën pozicion
pas nuses, si për t’ia lehtësuar pak barrën jo vetëm të atij fustani përrallor
të qëndisur me perla dhe diamante nga
shtëpia e modës Chanel de Paris, por edhe të kurorës si mbretëresha e
Shqiptarëve.
Si u gjend Amik Kasoruho fëmijë në Pallatin e
Mbretit? Kush e zgjodhi për të qenë edhe ai pjesëmarrës në atë dasmë plot luks
dhe shkëlqim?
Thotë
se rastësia ishte ajo që e përzgjodhi, duke përjashtuar lidhjet e afërta që
familja e tij kishte me mbretin Zog. I ungji ishte Drejtor i Përgjithshëm i
Mjekësisë në regjimin monarkik dhe njeri i besuar i Zogut. “Por nuk mendoj se
ka qenë kjo. Fundja në atë çerdhe foshnjore ishim gjithsej 30 fëmijë”.
Ndërsa është përfshirë i gjithi në rrëfim, i
kujtohet mësuese Tuli teksa u tregonte
pse po përzgjidheshin. “Prej saj janë edukuar me qindra fëmijë në Tiranë”-
vijon ai.
Në pallatin e mbretit gjithçka shkëlqente
tamam si për dasmë mbretërore. “Na dukej vetja edhe neve të rëndësishëm” qesh
ai, ndërsa burrat e veshur me uniforma dhe gratë me fustane elegante i dukeshin
tamam si të dalë nga ndonjë përrallë.
Dasma ishte një ceremoni civile, në hollin e
hijeshuar plot lule të pallatit mbretëror.
Nusja ecte me hap të ngadaltë drejt mbretit, e
me po të njëjtin ritëm ndiqej nga të vegjlit
në harmoni pas saj.
Ajo që mund të shihte djali i vogël me sytë e
tij ishte një grua e hollë dhe e gjatë, e bekuar me një bukuri të rrallë që i
afrohej një burri të gjatë e të pashëm me uniformë të bardhë. Sigurisht që ai nuk i vuri re detajet as të
unazës me diamant blu e as i njihte emrat
e dëshmitarëve të mbretit; Konti Çiano e
Princi turk Abdi, apo kontin Appony, xhaxhain që dorëzonte nusen në dorën e
mbretit e as të ftuarit që ndoshta vinin të gjithë nga aristokracia botërore
...
“Historia është shumë e thjeshtë. Nuk është se kam shumë
për të rrëfyer rreth kësaj”- thotë Kasoruho.
E megjithatë, e ruan si një prej kujtimeve më të bukura.
“Për fat të keq nuk kam asnjë fotografi nga ajo kohë. Të paktën jo aty ku shfaqemi edhe ne, fëmijët shoqërues. Ndoshta ato do të më bënin
të kujtoja edhe më shumë detaje”, zbulon
me keqardhje.
I ka kërkuar me sy të mprehtë hetues të gjitha
fotografitë që kanë parë dritën e botimit nga ajo ceremoni, por nuk ka gjetur asnjë ku të tregojë me gisht
ndonjë fëmijë të vogël e të thotë “Ja, ky këtu
jam unë!
Kishte dëgjuar se fotografi i shquar shkodran
Dedë Jakova, me të cilin kishte lidhje
familjare i kishte pasur të ruajtur në fototekën personale disa fotografi të
martesës së mbretit Zog ku shfaqeshin
edhe fëmijët e vegjël të çerdhes foshnjore. Por, nga frika e regjimit
diktatorial ai i dogji, ndërsa Kasoruho
nuk mundi t’i vërtetonte ato çka kishte
dëgjuar për ekzistencën e atyre fotove.
“Ndoshta mund të ketë në fototekën e Marubit...”,
thotë jo shumë i bindur, duke shtuar se ai
regjim ka zhdukur fotografi dhe të dhëna
edhe më të rëndësishme se kaq.
Mbretin Zog e pa për herë të parë e të fundit teksa
lidhte martesë me konteshën Geraldinë. “Nuk e pashë më kurrë. Mundësitë i
kisha. Mund të më merrte im ungj me vete. Ose prindërit, të cilët e
frekuentonin shpesh pallatin në mbrëmjet mondane të organizuara. Por ata nuk
kishin dëshirë të rritesha në atë ambient”.
Një vit më vonë mbreti u largua nga Shqipëria,
duke kaluar jetën në ekzil. Edhe fati i djaloshit nuk qe më i mirë. Djali, familja e të cilit ishte e afërt
me mbretin, që i përkisnin klasës aristokrate të asaj kohe, po vuante të gjitha të këqijat
e regjimit të ri.
Dhjetë vite më pas, në vitin 1949, kur
ishte nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme
teknike, Amik Kasoruho arrestohet dhe dënohet për agjitacion e propagandë
kundër pushtetit. Pas pushkatimit të të atit e kalon jetën në një kalvar
vuajtjesh në fshatra të varfër të Shqipërisë, i detyruar me punë krahu.
Mbretin e Shqiptarëve e njohu nga rrëfimet e
familjarëve, por edhe nga shkrimet e
kundërshtarëve.
“Mendoj se populli duhet të mbajë mend momente
e lavdisë. Mbreti ishte simboli bashkimit. Figura impotente dhe frymëzuese e një populli”.
Ai vetë e ka parë kështu, i pakushtëzuar nga
rrëfimet me simpati të familjes apo edhe atij imazhi që kishte ruajtur nga ai
si fëmijë. “Është e vështirë për shqiptarët të mbajnë qëndrim të moderuar. Ka
nga ata që e kanë ngritur në qiell, ka nga ata që e kanë hedhur poshtë. Mendoj
se Zogu ka qenë një burrë inteligjent”.
Për ta mbështetur
mendimin tregon një anekdotë . Kur e
pyetën mbretin Zog pse e ke quajtur veten Mbret të Shqiptarëve ai u tha: “Mbret
i Shqipërisë bëhesh lehtë; me disa cuba dhe një kobure vjen në tiranë dhe
shpallesh mbret. Por, Mbret i Shqiptarëve është zor, sepse nuk gjen dot dy
shqiptarë me një mendje”.
“Unë Zogun e kam njohur nga kundërshtarët e
tij. Sigurisht që nuk ishte engjëll. Por një sundimtar. mendoj se ishte njeriu
i duhur i asaj kohe. Ia doli të krijonte
një shtet nga hiçi”.
Në kujtimet e tij ruan edhe mbretëreshën
Geraldinë. Nëse për pjesën më të madhe të shqiptarëve, kanë qenë fotografitë e
martesës që nisën të qarkullonin lirshëm vetëm pas viteve ’90, Amik Kasoruho ka
epërsinë e kujtimeve të tij fotografike. “E kujtoj si tani; një grua e gjatë me
flokë gështenjë të çelur... Një bukuri e
vërtetë. Kur ajo u kthye në Shqipëri, unë ndodhesha në Itali. Do kisha dashur
ta takoja dhe t’i thosha: “Unë të kam mbajtur fustanin e nusërisë”. Geraldina e
ka dashur vërtet Shqipërinë. Ishte vërtet mbretëresha e shqiptarëve. Nuk u
dëgjua kurrë të mallkonte. Nuk i shau ata që i bënë keq familjes së saj. Ishte
një grua fisnike dhe e ëmbël”.
Në një prej udhëtimeve të tij në Budapest, i
shkrepi të shihte pallatin e kontit Appony, aty ku u lind dhe u rrit Mbretëresha Geraldinë.
“Gjendej aty pranë Danubit. Dukej e vjetruar,
pak e vetmuar. Sikur e kishte humbur shkëlqimin. Si të kishte ndjekur të
njëjtin fat me Geraldinën”.
Ndonjëherë jeta të rezervon rastësi nga më të ndryshmet. Vërtet që
mbretin Zog nuk e pa më kurrë që prej asaj here, por pas shtatëdhjetë vitesh u
takua me pasardhësit e familjes mbretërore.
“Më
është dukur koincidencë e habitshme të takoj nipin e Mbretit, Princin Leka”.
Ishte po një tjetër ceremoni mondane, ndoshta
jo me po të njëjtin shkëlqim të pallatit
mbretëror të fund viteve ’30, por motivi
ishte gati i njëjti si atëherë;
fejesa e Princit Leka me Elia Zaharian.
“ U gjenda për urim atje, pasi Yllka Mujo, mamaja e së fejuarës së Princit është
mikesha ime. E takova për së dyti në një
prej lozhave të Parlamentit ku gjendeshim të dy”.
Për të tretën herën e tretë e ritakoi në zyrat e
Presidencës, ku të dy shërbejnë si këshilltarë të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë.
Në një prej mbrëmjeve të organizuara prej
presidencës, pati rastin t’ia rrëfente Princit Leka se ai vetë kishte qenë në martesën e
gjyshërve të tij.
“Ia rrëfeva pasi e kisha pyetur për
fotografitë që ruan familja mbretërore nga ceremonia martesore. Më ka premtuar
se do t’i kërkojë”, rrëfen Kasoruho.
Princin Leka e sheh si një djalë inteligjent,
i edukuar e plot kulturë, që duket se ka trashëguar atë fisnikëri dhe elegancë të
mbretëreshës Geraldinë, që ndoshta i shëmbëllen pak edhe me atë burrë të gjatë
të përfytyrimeve të tij të fëmijërisë...
No comments:
Post a Comment