Një
prej protagonistëve të atyre netëve, që lanë gjurmë të mëdha në historinë
shqiptare jo vetëm të muzikës , konferencieri i festivalit Bujar Kapexhiu
risjell kujtimet, emocionet, përshtypjet, por edhe ato çka la pas në jetën dhe
karrierën e tij Festivali i XI i Këngës në RTSH. Një rrëfim mbi atë khatarsis
që desh ta sillte ndryshimin nga muzika
Vitet
’60 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shenjoheshin fort nga revolucioni
i të rinjve që guxuan të preknin tabutë... rroku psikedelik, koncertet turne, vera
e dashurisë, thirrjet kundër luftës, kriticizmi i vlerave të klasës së mesme,
bërja njësh me natyrën, protestat paqësore ndaj stigmave sociale, predikimi i
lirisë personale dhe paqes, revolucioni seksual,tymosja e bimëve narkotike, moda
e çuditshme...e deri tek i famshmi festivali Woodstock, i cili mblodhi rreth
500 mijë të rinj të pagëzuar me emrin hippie
, të cilët dëgjonin Richie Havens, Joan Baez, Janis Joplin, The Grateful Dead,
Creedence Clearwater Revival, Crosby, Stills, Nash & Young, Santana, The Who,
Jefferson Airplane, Jimi Hendrix, etj. Idealet e hippie-ve për dashuri dhe paqe
duket se pushtuan gjithë botën, duke ndikuar ndjeshëm në muzikë, letërsi,
pikturë dhe artet e tjera
Fillimvitet
’70 , shumë larg Amerikës, në një vend të vogël e të izoluar të Bllokut Lindor
komunist, revolucioni hippie kishte
arritur të tejshponte, edhe pse me grimëza, realitetin e çeliktë. Vajza me
fustane të gjatë, flokë të derdhur e të lëshuar mbi supe, bizhuteri dhe
aksesorë të shkëlqyeshëm, djem me favorita të gjatë alla Beatles, xhaketa me
ngjyra të forta, kopsa metalike në nuanca argjendi e florinjta, pantallona me
prerje cowboy, këpucë lustrafine, që këndonin këngë për dashurinë, rininë,
miqësinë nën ritmet moderne rrok...
Ashtu
si Woodstock-u në SHBA, Bashkim Alibali, Dorian Nini, Ema Qazimi, Françesk
Radi, Iliriana Çarçani, Ilmi Sino, Justina Aliaj, Lefter Agora, Liljana
Kondakçi, Lindita Theodhori, Petrit Dobjani, Suzana Qatipi, Sherif Merdani,
Shkëlqim Pashollari, Tonin Tërshana, Valentina Gjoni, Vaçe Zela, por edhe Todi
Lubonja, Mihallaq Luarasi, Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, ata të rinj të
talentuar në passkenat e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit patën të
vetëndjerin se po sillnin Erën e Re të ndryshimit edhe në Shqipëri...
Bindja
e tyre qe po aq jetëshkurtër sa edhe vetë Festivali i XI i Këngës në Radio
Televizionin Shqiptar , në ato tri netë të funddhjetorit të vitit 1972.
Revolucionet
kur nuk qëllojnë të suksesshme mbartin fatin e hidhur të shtypjes, ashtu si
ndodhi shpejt me të gjithë ‘frymën moderniste perëndimore’ që këta armiq të
rinj i sollën frymës së shëndoshë komuniste. Fundi i hidhur i historisë është
fortmirë i ngulitur në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Të përjashtuar, të internuar
e të burgosur pati lëvizja e re, që mëtoi ta sillte revolucionin nga muzika.
Një prej protagonistëve të atyre netëve, të asaj ngjarjeje që ka shënjuar
historinë e vendit tonë , konferencieri i festivalit Bujar Kapexhiu risjell
kujtimet, emocionet, përshtypjet, por edhe ato çka shënjoi në jetën dhe
karrierën e tij Festivali i XI i Këngës në RTSH.
Ishte
buzëmbrëmja e 22 dhjetorit që shënonte natën e parë të Festivalit. Provat
gjenerale kishin përfunduar me kohë, salla ishte e tejmbushur me spektatorë, formacionet
e orkestrës kishin zënë pozicionet e tyre, dy mikrofonë të mëdhenj statikë
zotëronin qendrën e skenës. Ndërsa prisnin t’i bashkoheshin skenografisë për ta
bërë përfundimisht të plotë me prezencën e tyre, partnerja me të cilën do të
prezantonte tri net festivali, Edi
Luarasi, diç zgjat me duar. Një shami në
formë fiongoje të bukur, të blerë në Kosovë pak ditë më parë ndërsa kishte qenë
në turne, ishte dhurata e saj për kolegun. “Unë e mora shaminë dhe e vendosa në
xhepin e xhaketës”, tregon Bujar Kapexhiu ndërsa kishte qenë i vetëdijshëm se
ajo ishte qershiza mbi tortë tek veshja e asaj mbrëmjeje. “Kisha veshur një
xhaketë blu me kopsa të mëdha të verdha metalike, pantallona të gjera poshtë, të përhime, dhe një palë këpucë lustrafini me tokëz të
madhe metalike që fekste dhe duke i shtuar edhe këtë shami paraqitja bëhej
shumë moderne. Për kohën flasim”, tregon ai ndërsa buzëqeshja i zbulon përzierje të hidhur e të ëmbël kujtimesh.
Edi
Luarasi nuk ishte më pak moderne; fustani i larmë, i gjatë e i derdhur deri në
fund të këmbëve, flokët e lëshuar, buzëqeshja e ëmbël, si e dalë prej ndonjërit
nga ata katalogët, që hynin kontrabandë
në Shqipëri e kalonin dorë pas dorë tek
të rinjtë e rrobaqepësit që kopsitnin sipas modës së kohës veshje të reja.
Moderne
dukej edhe skenografia e krijuar enkas për ngjarjen nga i riu Edi Hila, ashtu
si juria, që për herë të parë do të kishte pesë rrethe të përfshira dhe pikët
do të komunikoheshin në lidhje direkte, moderne ishin edhe tri formacionet
orkestrale-orkestra simfonike me dirigjent Zhani Cikon, formacioni i veglave
frymore të Gasper Çurçisë, ai i kitarave të Alfons Balliçit , moderne mund të
quheshin edhe këngët, të cilat për herë të parë guxuan të mos e përfshinin partinë
në tematikat e tyre, porse t’i këndonin dashurisë, natyrës, rinisë, ndërsa
orkestrimet me kitara elektrike e saksofonë, simbole të muzikës perëndimore i
vinin ‘i’-së moderne pikën mu në bash.
“Ishte
gjithçka e çlirët, e shpenguar. Më lanë të përgatisja skenarin, nuk më udhëzuan
apo kufizuan aspak në mënyrën e komunikimit me spekatorët, këngëtarët apo
juritë e rretheve. Gjithçka ishte e ngrohtë dhe origjinale”. Nëse ajo çka dukej
në skenë mund të quhej moderne, alla perëndimore, pas perdes atmosfera ishte me
doza edhe më mëdha ‘shfaqjesh të huaja’. Të rinj, të talentuar, të bukur , që
këmbenin batuta jashtë dogmave dhe të qeshura të zëshme. “Ishte shumë e bukur gjithë
ajo tablo”, kujton Kapexhiu. Dukej sikur frika ishte përzënë, e mpirë dhe e
pafuqishme duke ia lënë vendin gëzimit, gjallërisë dhe atyre netëve të
suksesshme.
Duartrokitjet
e natës së parë dhe komplimentat pas mbrëmje ishin korrja e parë e asaj çka ende po mbillej. Notat miqësore mes kolegësh e amortizonin edhe më shumë tensionin.
“Natën e parë Vaçe Zela e la në mes këngën “Natën vonë”, ndërsa natën e dytë do
të këndoheshin sërish të njëjtat këngë dhe passkene unë i thashë me shaka: “Ti
Vaçe, i bie të këndosh gjithsej një këngë e gjysmë. I ke borxh publikut një
gjysmë kënge. Ndërsa të gjithë ia plasëm të qeshurit ”. Batutat nuk mungonin
edhe nga publiku në sallë. “Në lidhjet direkte pati një defekt ndërsa
komunikonim me jurinë e Gjirokastrës. Imagjinoni pak sikletin ndërsa unë
tentoja e tentoja të lidhesha me radion
në dorë. Kur dëgjoj nga salla një zë: “Futi dylekëshin që të punojë”! Të gjithë i
mbërtheu gazi”.
Festivalit
po i vinte fundi ndërsa ishte krijuar bindja se fituesja do të qè Lindita Sota
me këngën “Udhët janë të bukura”, një kompozim i Agim Krajkës. “Të bindur për
fitoren, mbaj mend që i thashë Agimit të ulej në cep nga e majta në rreshtin e
dytë të sallës, që kur të thërrisja emrin ai të vinte menjëherë. Pashë që ashtu
bëri. Por Juria e Tiranës përmbysi çdo parashikim tonin. Me figura letrare,
kryetari i jurisë Alfons Gurrashi tha që dega e mimozës në dritare ka çelur 105
lule, duke iu referuar këngës së Tonin Tërshanës “Erdhi Pranvera”. Unë me shaka
i përgjigjem “Epo nuk paska hyrë dega, por e gjithë pema e duke shtuar se kjo
nuk ishte ndeshje basketbolli, por
festival kënge”. Kështu Agim Krajka shumë pranë fitores, u desh të kënaqej me
vendin e dytë. “Ndërsa Krajka ngjitej në skenë i thashë: “ Epo paska qenë e
thënë të mbetesh fitues i përjetshëm i çmimeve të dyta”, tregon ndërsa shton se
pikërisht këtë moment e ka të dokumentuar me një fotografi që e ruan sot e kësaj
dite në albumet e tij. Festivali përfundoi dhe jehona e mirë dëgjohej ende,
edhe në ditët e para të janarit . “Dëgjonim kudo fjalë të mira dhe ndjenim
krenari e kënaqësi”.
Gjithçka
dukej se i ishte rikthyer ujërave të qeta të ditëve të zakonshme, por atëherë kur nuk pritej pati stuhi në qiell të
pastër.
“Një
mësuese më shkruan se kur u thotë nxënësve se si duhet të kenë paraqitjen e si
duhet të sillen, këta i përgjigjen: “Ju, shoqja mësuese, na thoni të jemi të
sjellshëm, me paraqitje të rregullt, por ne shikojmë se në televizor dalin
njerëz me veshje, me flokë e pamje që ju na i keni kritikuar. Mirëpo, ato që
shfaqen në televizor janë zyrtare”. Jo, shokë, këto gjëra nuk janë zyrtare, por
kontrabandë”, ishte gjëmimi që lëshonte shoku Enver në mbledhjen e Presidiumit
të Kuvendit Popullor për zhvillimin e letërsisë dhe arteve. Artikujt në revista
e gazeta që lëvdonin jehonën e mirë të festivalit, shumë shpejt u zëvendësuan
nga artikuj kritikues e letra nga të rinj të vendit plot vërejtje për ndikimet
e muzikës dekadente, largimin nga traditat e mira të muzikës që mbështeteshin
në tabanin popullor. Ky ishte hapi përpara famëkeqit Plenium të Katërt, ku u
morën vendimet për fatin e ‘mëkatarëve’ që i kishin shkaktuar dëme Partisë e Shtetit. Ata u përjashtuan nga Partia e Komiteti. Populli që s’kishte bërë tjetër veçse e kishte shijuar si
kurrë më parë atë copëz perëndimore në Festivalin e XI, i dënonte tani armiqtë
në emër të tij, duke i burgosur, internuar e degdisur në mëshirë fati për
krimet e (pa)kryera.
Drejtori
i RTVSH-së, Todi Lubonja internohet në Lezhë, regjisori i festivalit Mihallaq
Luarasi burgoset ashtu edhe këngëtari Sherif Merdani. Edi Luarasi u katandis
rrobaqepëse. U dëbua nga RTVSH-ja Justina Aliaj, kompozitori Nikolla Zoraqi, u hoq
nga TKOB-i edhe drejtuesi artistik, Zhani Ciko. Ndërsa Bujar Kapexhiu , ai
regjisori i ri-vetëm 27 vjeç- i Teatrit të Estradës , i cili ishte në kulmin e
karrierës me shfaqjet që sapo kishte vënë në skenë, përfundon në Kombinatin e
Çimentos “Josif Pashko” si punëtor ngarkim-shkarkimi. Dukej sikur fati ia
kishte punuar paq kësaj here, duke i luajtur këtë ironi të shëmtuar. E të
mendoje që në fillim, kur ia propozuan të ishte konferencieri i Festivalit të
XI, ai nuk e kishte pranuar. “ Unë kisha qenë konferencier i Festivalit IV, por
tani që karriera ime ishte në kulm, po punoja si regjisor dhe kisha vënë në
skenë disa shfaqje, të isha konferencier më dukej sikur m’i ulte vlerat. Nuk më
dukej që kishte ndonjë peshë të madhe”. Megjithë refuzimin që i bëri pedagogut
të tij Mihallaq Luarasi, emri i doli në fletëpalosje, artikuj gazetash dhe nuk
kishte më asnjë zgjidhje veçse të gjendej në skenën e Festivalit.
Megjithë
koktejin e rrezikshëm të emocioneve që ndiente brenda vetes, ku herë shijonte inatin e urrejtjen, pastaj eliksirin e kënaqësisë
për atë festival të pallojtë në historinë e festivaleve shqiptare, pastaj
revoltën teksa punonte në sektorin e
prodhimit, i ndaluar të vijonte krijimtarinë e tij, e dinte se nuk qe koha për
trimëri. Mund ta konsideronte veten ende me fat, për aq kohë sa nuk e kishin
arrestuar. “Në fakt sa herë që shihja një “GAZ-69” të policisë në rrugë, zemra
më ndalte teksa kaloja trotuarin. Thosha me vete: “Tani më arrestuan!” . Ishte
një agoni që zgjaste”.
Por
a nuk e kishin marrë me mend këta të rinj të ngërthyer nga entuziasmi, moda,
muzika e huaj, se pasojat do qenë të rënda ?! A nuk kishin pasur frikë teksa bënin
përgatitjet për eventin e madh, kur frika i shoqëronte çdo mbrëmje teksa
vjedhurazi i kthenin antenat e televizorëve për të parë Rai-n e Sanremo-n, apo
kur dëgjonin në stacionet e huaja radiofonike Beatles-at apo Rolling Stones?! Nuk e njihnin
mirë vijën ideologjike të partisë?! Po shfaqjet e huaja, moderniste e perëndimore nuk
i kishin dëgjuar sa e sa herë të anatemoheshin si në rituale voodoo-je?! Po ata
fatzinj që kishin mbushur burgjet duke e pësuar për t’u bërë mësim për të
tjerët nuk u thoshin asgjë?! Mendjelehtësi apo arrogancë ndaj pushtetit,
partisë e shokut Enver?! Revolucion si
ai i hippie-ve që sot e kësaj dite kanë ndryshuar mënyrën e të menduarit e të
të jetuarit të amerikanëve?! Rrokje për ta rrëzuar sistemin për të ngritur më pas ideale të reja?! A
kishin kaq besim tek vetja, a kishin aq forca për ndryshime të këtyre
përmasave?! Apo ishin deshërit e kurbanit që lajnë mëkatet e të tjerëve?!
Provat
e gjata ishin ndjekur nga anëtarë të komitetit qendror si Fadil Paçrami apo
edhe Ramiz Alia, madje ky i fundit e kishte miratuar festivalin. “Nga vetë
partia ishte kërkuar që ky festival të sillte një frymë të re, të dilte nga
rutina. Kjo ishte ajo çka na bëri të kishim ndjesinë e lirisë në gjithçka që bënim.
Ndihej një erë e re ndryshimesh dhe ne kishim kuptuar se këtë liberalizëm po e
sillte vetë partia me dëshirën e saj ”.
Partia
ishte në kërkim të vazhdueshëm të armiqve dhe ajo çka i solli ishte largimi i menjëhershëm nga puna i
vulosur në librezë “për arsye të shfaqjes së tendencave moderniste e liberale”.
Jeta e tij u bë krejt mekanike me vatje-ardhjet e përditshme nga shtëpia në
punë, duke ngarkuar e shkarkuar thasë të rëndë çimentoje.
Për
kolegët që ndanin të njëjtin fat me të pothuaj nuk kishte dëgjuar më. “Nëse
ndodhte të shiheshim nga njëri trotuar në tjetrin, thjesht përshëndeteshim me
një gjest thuajse të padukshëm e të pakuptueshëm nga të tjerët. Mbaj mend
njëherë po hyja në kinemanë 17 nëntori ,ku ulur nga rradhët e fundit më zënë
sytë Zhani Cikon, të cilin e kishin transferuar në Patos. Zgjatëm të dy kokën
dhe me një nënqeshje të lehtë u përshëndetëm. E kujtojmë shpesh me Zhanin atë
takim. ishte kohë e frikshme”. Aq e frikshme sa spastrimi i partisë nuk kurseu
edhe antenat mbi tarracat e shtëpive dhe pallateve. Asnjë kontakt më me botën!
Tre
vitet ku supozohej se partia do e çonte sërish në binarë atë regjisorin me ide
të huaja, të cilat edhe shfaqjet teatrale ia kishin kritikuar jo pak, kaluan të
ashoqëruar nga dhimbja që mbytej prej frikës dhe revoltës që shuhej si llavë
vullkani prej aty ngak u kish lindur; së brendshmi. “Me trupën amator të
kombinatit kam fituar shumë çmime. Por në shfaqjet që vinim në skenë nuk
përmendej emri im, sepse isha i dënuar. ishte shumë qesharake kur lexohej
“Regjisor: Me forcat tona”. Pas kryerjes së dënimit ai iu rikthye punës
krijuese në Kinostudion shqiptare, në sektorin e filmit vizatimor si regjisor,
por censura e kishte bërë të sajën. “Madje më kishin kërkuar që edhe
karikaturat që deri atëherë i bëja në stilin kubist, duheshin ndryshuar. Kështu
që u detyrova të ndërroja stil.
Ishin
vetëm tri net ato, ndoshta shumë modeste për t’u konsideruar si ndezëset e fitilit
të një revolucioni apo revolucionarizimi të jetës kulturore e shoqërisë
shqiptare, por shumë të rëndësishme e me peshë mbi jetët e atyre që u shenjuan prej
tyre, përfshirë dhe jetën e Bujar Kapexhiut. “Isha i ftuar me 35-vjetorin e
Festivalit të Këngës në RTVSH dhe përpara se të dilja nga shtëpia, mamaja më
tha se kishte diçka për mua. Më dha shaminë që më kishte dhuruar Edi Luarasi në
natën e parë të festivalit. Ishte shumë emocionuese”.
Sot
kanë kaluar gati 40 vite nga ai festival i këngës dhe Kapexhiu rrëfen
dëshirën e madhe të tijën dhe kolegëve të tij për ta bërë edhe njëherë
Festivalin e XI. “Ndoshta në dhjetor, në edicionin e këtij viti, do ishte bukur
që një natë të ishte ai; festivali i XI”, tregon me entuziasëm për të ngjitur
edhe njëherë në skenë muzikën rrok, xhaketat me kopsa metalike, kravatat me
lule (kravatën me lule që kishte vënë
natën e tretë të festivalit e ruan ende sot) , fustanet e gjata dhe modelet
e flokëve alla hippie dhe shpresën e iluzionet e humbura për ndryshim...
No comments:
Post a Comment