Wednesday, February 11, 2015

Kur fati përkundet me muzikë klasike




















Kur ishte motak,  përkundej sipas një  ritmi të brendshëm dhe vazhdon të përkundet nga fati që i këndon në gjuhën që ai di më mirë; kanton klasike.  Një nga emrat e spikatur të skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, baritoni Armando Likaj, numëron 40 role në tetë vite karrierë, duke arritur një rekord në moshën 31-vjeçare



Kur ishte motak, ndryshe nga të vegjlit e tjerë, ai preferonte të përkundej vetë sipas një ritmi të brendshëm derisa ta zinte gjumi në ëndërrime të pafajshme vocërrakësh. Kur u rrit pak, e nisi të merrte këmbët ecte me delikatesë mbi majën e gishtërinjve, sikur të shkelte në kristale delikate në përdhe... Kur u bë për të nisur shkollën, hyri menjëherë në korin e Shtëpisë së Pionierit në Shkodër, nxënës i profesor Kujtim Alisë. Mësoi kur ishin orët e pikturës, baletit e recitimit dhe nuk humbte më asnjë prej tyre edhe sikur t’i duhej të sakrifikonte orët e lojës me shokët.  Në Gjimnaz do të bëhej këngëtar me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, derisa erdhi ai....
 Këngëtari i  madh lirik, Lukë Kaçaj që zbuloi talentin e vërtetë të një fëmije që  i kishte të gjitha tiparet e një  “prodigy” .... Ishte pikërisht ai që i dha shtysë të ndiqte udhën e fatit që pa dijeninë e tij e kishte përkundur me muzikë klasike.
Sot, Armando Likaj është një prej baritonëve më të suksesshëm të Teatrit  Kombëtar të Operës dhe Baletit.  Numëron  40 role në tetë vite karrierë, duke arritur një rekord në moshën 31-vjeçare.
 “Isha në një koncert me ansamblin e këngëve dhe valleve më 1999, kur m’u afrua një burrë de më tha: A e di që ke zë të fuqishëm, operistik?!  Duhet të merresh me opera. Atëkohë nuk e njihja fare operën, por të të vinin këto komplimente nga një emër i madh si Lukë Kaçaj,  ishte nder. Pas dy takimesh dhe disa vokalizash që bëra ai këmbënguli duke më thënë se duhet të merresha me opera. Aty nisa edhe të interesohesha për gjininë më të madhe të artit”- tregon Armando, i ulur në bar “Opera” fare pranë vendit të tij të punës, ku kalon me orë e orë të tëra. Edhe kur nuk ka shfaqje që e ngjisin mbi skenë  është aty për të ndjekur ato që të tjerët vënë në skenë dhe ai i ndjek si spektator.
E fundit shfaqje që e ngjiti në skenë për këtë vit, ishte rënia  e  operës gazmore  të kompozitorit Moxart “ Cosi Fan tutte” , ku ai ishte në rolin e Don Alfonsos, një filozofi të vjetër italian.  “Bashkë me simfoninë dhe operën “La boheme” i numëroj plot 40 role në karrierën time 8 –vjeçare” – rrëfen baritoni, i cili ka arritur një rekord për moshën dhe vitet që ka mbi skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Nga pjesëmarrjet e vogla në korin e këtij teatri, kur ishte student rishtar, te ftesat e panumërta që merr nga kompozitorë e regjisorë për role të rëndësishëm. “Kam interpretuar thuajse te të gjitha shfaqjet që janë vënë në skenë”- tregon ai, duke shtuar se vokali i tij po kalon atë fazë ku lehtësisht mund të përshtatet në role të rënda, por edhe rinorë, nga dramatiket te komiket dhe t’i përsosë me lojën e tij aktoreske dhe potencën e vokalit.
Në nëntor ishte piktori i shpenguar bohemian, Marcelo në operën “La Boheme”. E po ato ditë interpretoi edhe në premierën botërore të simfonisë për orkestër, kor e bariton të kompozitorit David Tukiçi “ Shfaqu Zot”
“ Ishte ngarkesë e jashtëzakonshme. Më duhej të isha në të njëjtën kohë tek të dy provat. Nga njëra anë ishte David Tukiçi që më thoshte të kujdesesha për veten, që të mos sëmuresha deri në premierë, nga ana tjetër nuk gjendej dot një bariton që të më dublonte në rolin e Marcelo-s në “La Boheme”. Por ia doli t’i menaxhonte me sukses. Më datë 20 nëntor ishte Marcelo në premierën e operës e cila erdhi në skenën shqiptare pas 11 vitesh dhe më 21 nëntor, ishte zëri i fuqishëm që sillte lutjen e martirëve ndaj Zotit, një pjesë e frymëzuar nga At’ Zef Pllumi dhe rrëfimet e tij të gjalla në librin “Rrno për me tregue”...
Kur e pyet sekretin e suksesit dhe motivin pse është më i kërkuari këto kohë në Teatrin e Operës dhe Baletit, me modesti përgjigjet se ndoshta është shkak belcanto-ja italiane, së cilës i referohet dhe e respekton ndërsa këndon. “Është e rëndësishëm artikulimi, Të kuptohesh se çfarë këndon. Kur i thashë kompozitorit Tukiçi përse nuk gjente dikë tjetër për simfoninë- kjo për shkak të përplasjes së shfaqjeve në kalendar- më tha se donte një si unë, që i kuptoheshin qartë çka këndohej. Dhe vargjet ishin të fuqishme vërtet”, - vijon baritoni, i cili edhe pse gjendet sërish pranë mjediseve të Operës dhe Baletit, shtëpia e dytë tashmë për të, i ka hequr petkat e personazhit të cilin e interpretoi pak ditë më parë për publikun.
“Interpretimi zë një peshë të madhe. Nuk është e lehtë të hysh e të dalësh në petkat e personazheve. Të shkosh për një periudhë të shkurtër nga roli komik, te ai dramatik, nga një i ri te një burrë i moshuar...Apo të interpretosh një të verbër. E kam bërë me operën Turandot, në rolin e plakut Timur”. Ishte vetëm 28 vjeç ndërsa interpretonte këtë rol.
Kur e pyet nëse ka një rol të preferuar, nuk i duhet kohë për ta menduar dhe nuk të vjen me përgjigje klishe se nuk mundet t’i ndajë. “ Kryeroli im është Don Giovanni, në operan me të njëjtin emër të cilin regjisori austriak Christian Papke e vuri në skenë vitin e kaluar”.
Deri më tani ky është roli që e ka magjepsur, por e ardhmja premton shumë për këtë talent që është vetëm 31 vjeç dhe numëron 40 role në repertorin e tij muzikor.
Por për t’u maskuar në pamje dhe në vokal, për t’i hyrë personazhit në shpirt, nuk ka pasur kohën që do të dëshironte për shkak të kalendarit të ngjeshur.
“Por ia kam dalë”- thotë ai, i kënaqur që ka mundur të shprehë potencialin e tij artistik.
Këtë vit u shpall edhe si Interpretuesi më i mirë lirik, duke u vlerësuar me çmimin “Kult”.
“Një çmim që më erdhi pas tre vitesh nominim”- pohon, për të treguar se kur punon shumë shpërblimet vijnë vetë.
“Këtë u them edhe studentëve të mi në Akademinë e Shkodrës, të punojnë fort, të kenë ambicie. Të dinë çfarë duan dhe t’ia dalin për ta marrë!”.
Kujton se vetë e ka nisur me pak orë në korin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa studionte në Akademi. Ishte çdo ditë aty, ndiqte gjithçka që vihej në skenë pa humbur as edhe një vepër.
Nga kori, erdhën rolet e vogla, pas tyre shumë shpejt do të bëhej një zë i spikatur në skenën operistike shqiptare.
Pasi u diplomua në Akademinë e Arteve, udhëtoi drejt Italisë për të ndjekur studimet Master, dy të tillë, në Periuga dhe Bari.
“Më ndryshoi krejt dimensionin e kantos. Ishte eksperiencë e vyer” –rrëfen  ai, ndërsa sjell në kujtesë konkursin “Rossini Opera Festival”, një nga më prestigjiozët e muzikës operistike në shtetin fqinj, konkurs të cilin Likaj e fitoi. Fitoi gjithashtu edhe një rol në shfaqjen e Gioachino Rossini-t.
“Viti 2009 ishte edhe viti i ndryshimeve të mëdha”- vijon Armando, ndërsa thotë se ishte viti kur vendosi të kthehej sërish në Tiranë, me ambicien për të fituar një vend fiks në Teatrin e Operës dhe Baletit.
“TKOB mbetet kulti i madh i të gjithë studentëve të kantos. Të gjithë do donin ta preknin dhe të interpretonin mbi skenën e tij Unë jam nacionalist si natyrë, e dua vendin tim, do doja të ndieja emocionet këtu, të duartrokitesha nga publiku im.”
Megjithatë nuk e fsheh ambicien për të prekur skenat e teatrove të madhe botërore.
Vitin që vjen i ka vënë vetes synim të marrë pjesë në audicione jashtë vendit.
“Do doja të më dëgjohej zëri edhe në teatrot me emër të botës. Kam kënduar në skenat botërore, si për shembull viti i kaluar në Spanjë, me “Berberi i Seviljes”. Ishte shumë emocionues. Por
do doja të këndoja në “La Scala”, apo “Metropolitan Opera”, ku këndon një prej të preferuarve të mi, bas baritoni Samuel Ramey”.
I ka shërbyer puna me regjisorë të huaj nga Gjermania, Franca, Italia apo edhe ShBA me të cilët ka bashkëpunuar në Tiranë për t ë njohur kulturat e ndryshme të punës dhe diferencat e shkollave të kantos, duke ia bërë më pak të huaj ambientin që mund të hasë gjatë audicioneve.
Për një këngëtar lirik njohja me gjuhët e huaja është njëlloj si njohja me partiturat. “Jam mirë në gjuhët angleze dhe italiane, por dua shumë të mësoj edhe gjermanishten”. Rolin e parë  zbulon se e ka pasur pikërisht në gjuhën gjermane, kur luante rolin e një ushtaraku gjerman . “ Edhe të dytin më rastisi sërish ta kisha në gjuhën gjermane, në operën “Flauti magjik”. Më duhet të këndoja në gjermanisht. Mbaj mend që në fund m’u afrua ambasadorja gjermane për të më komlimentuar. M’u drejtua në gjermanisht, ndërsa unë ia ktheva në anglisht se nuk kuptoja asgjë. U habit sesi mund të këndoja aq saktë në gjuhën gjermane dhe të mos dija asnjë fjalë”- kujton duke qeshur. 
Ndërsa flet, duket se ka bërë një kthim pas të kokës, në Shkodrën e tij të dashur, sjell ndërmend sesi lindi muzika brenda tij, apo ai lindi brenda muzikës, duke u rikthyer edhe ndërsa zbulon se të dy prindërit e tij nuk kanë qenë muzikantë, megjithëse e dashuronin muzikën si shumë shkodranë me traditë.
Nëse fati është ai që vendos rrugët e njeriut, në rastin e Armandos ka zgjedhur mirë, duke ia nxjerrë në pah dhuntinë.  Vendosi të ndjekë Akademinë e Arteve, i ndihmuar nga pedagogu Burhan Spahiu që e bëri ta fitonte konkursin me vetëm 2 javë përgatitje, diçka thuajse e pagjasë në logjikën e konkurseve të kantos klasike. Që prej asokohe kanë kaluar jo shumë vite, por Armando Likaj është tashmë bariton i formuar, një emër premtues i kantos lirike në Shqipëri, ndërsa vazhdon të përkundet nga fati që i këndon në gjuhën që ai di më mirë... kanton klasike.




No comments:

Post a Comment