Ishin
dy vjet që skulptori e kish pritur dhe fantazuar këtë çast. Skulptura rreth 5
metra e lartë zbriti në mbrëmje vonë nga kamioni që e kish transportuar nga Athina
me orë të tëra drejt qytetit. Më në fund, shqiponja mund të hapte krahët në të gjithë
gjerësinë e saj, mbi platformën e ngritur enkas në lulishten e sheshit kryesor të
Lushnjës, përballë shtëpisë historike ku u mbajt Kongresi, më 1920-ën.
Jashtë
kishte njerëz që e kishin marrë vesh lajmin dhe kishin dalë të shihnin. Ata afroheshin,
e preknin dhe pëlqenin format e çuditshme sesi artisti e kish sjellë shqiponjën
që do të zinte vend në qytetin e tyre, përgjithmonë.
“Njerëzit
e shihnin me kureshtje, një formë e çuditshme që u pëlqeu. Rëndësi ka që pëlqehej
forma ime. Ishte shumë bukur, mrekulli, ndjesi madhështore. Si triumfi im. Monumenti
im i parë nuk është pak”, - rrëfen skulptori Ilirian Shima, ndërsa është ende
duke u marrë me detajet e fundit, përpara ceremonisë së përurimit.
Qytetarët
u ofruan ta pastronin vetë, me solucionet që skulptori i ka sjellë enkas nga Athina.
Monumenti
“Shqiponja” do të përurohet sot në qytetin e Lushnjës, me rastin e 95 vjetorit të
mbledhjes së liderëve të atëhershëm politikë për të formuar qeverinë e re, me në
krye Sulejman Delvinën.
E
ka ndjekur veprën e tij në të gjithë rrugëtimin. Që nga Athina e deri në
Lushnjë, dhe nuk është larguar asnjë moment nga ajo, “E ndoqa çdo sekondë procesin,
e vura me dorën time. Kemi punuar gjithë natën për monumentin, por e vërteta është
që pasi u çlodhëm, kisha pak ankth sesi do të dukej në dritë natyrale. Frikë
mos ishte bërë ndonjë gabim, pasi u punua natën thuajse në errësirë. Por kur e
pashë në mëngjes nga makina, u emocionova aq shumë saqë nuk dilja dot nga dera
e makinës. Më dukej si ëndërr”, rrëfen Shima, ndërsa zbulon edhe të gjitha
peripecitë që i janë dashur të kalojë “Shqiponjës”.
Puna
për realizimin e përmendores me bazë allçie dhe e veshur në bronz ka nisur dy vjet
më parë, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë qëkur Shima u shpall
fitues me bocetin e tij, një shqiponjë dykrerëshe, e formuar me dy pjesë të ndara
nga njëra –tjetra, e duke u rrotulluar shqiponja bëhej një e vetme.
U
fol se statuja do të vendosej në qendër të qytetit të Lushnjës, me një vendim të
Këshillit Bashkiak, atje ku edhe ka zënë vend tani, që në fillim të vitit 2013,
por kjo mundi të realizohej vetëm tani. Më 2012-ën u mor një vendim nga komisioni
ndërshtetëror në prag të 100-vjetorit të pavarësisë, e për realizimin e kësaj vepre
me rëndësi historike, qeveria shqiptare akordoi një fond prej 12 milion lekë të
reja. Mes 11 studiove nga Tirana, Kosova, Athina që morën pjesë në konkursin për
realizmin e këtij monumenti, fitues u shpall ideja e Ilirian Shimës.
“Statuja nuk vonoi shumë për t’u realizuar.
E bukura ishte se ma kërkuan urgjent Bëra një bocet tjetër me dimensione 1 metër
prej bronzi, përveç fituesit, të voglit, që paraqita në konkurs rreth 15 centimetra.
Mblodha disa djem të fortë skulptorë dhe e realizuam në kohë rekord. Për tre a katër
muaj. Përmendorja ka përmasa 5mx2.5mx1m”, - rrëfen Shima. Por përmendorja e realizuar
së pari në allçi e më pas e derdhur në bronz nga fonderia Gavala, në Athinë një
ndër më të famshmet në Ballkan, mbeti atje. Për një vit e gjysmë në pritje të një
lajmi nga Tirana zyrtare, e cila pas 2012-ës kishte ndërruar qeveri.
“Ndodhi
ndërrimi i qeverive dhe u la ajo punë. Kisha një ankth, edhe nga fonderia gjithashtu
kishim frikë se mos nuk e merrnin. Ngacmohej herë pas here tema, por vetëm sa na
linin me shpresë. Realisht nuk po ndodhte asgjë”. U desh shumë këmbëngulje nga vetë
skulptori, i cili u ka dërguar shkresa dhe është takuar me një sërë ministrash,
derisa u vendos që më në fund monumenti i menduar si homazh për Kongresin e Lushnjës,
të shkonte aty ku e kishte vendin.
“
Nuk është se mungonte bonsensi. Unë e publikova në Facebook dhe të gjithë e panë
se vepra ishte e bukur. Bocetin e vogël, në bronz ia dhurova Kryeministrit Rama,
i cili është mik i imi dhe artist. Ishte edhe një ngacmim, një shtysë që gjërat
të merrnin rrugë. Luftë të madhe ka bërë edhe kryetari i Bashkisë së Lushnjës,
i cili është vërtetë artdashës. Ai erdhi në ekspozitën time personale në GKA disa
muaj më parë dhe më tha se do të bënte çmos që kjo vepër të vendosej të paktën për
95-vjetorin. Të dy bashkë kemi bërë luftë të jashtëzakonshme”.
Skulptori
thotë se jo pak e vështirë ishte edhe që monumenti të mbërrinte në destinacion.
“Kamioni
ecte përpara dhe ne nga pas. Çanim sikur ishim në luftë. Kemi hequr keq në doganën
greke, pasi na vonuan sapo morën vesh që ishte shqiponjë. Menduam se kur hymë në
tokën shqiptare problemet kishin mbaruar, por jo. Më tepër na vonuan këtu me burokraci
pafund. Madje morëm edhe gjoba nga policët”.
“Shqiponja”
që simbolizon qëndresën dhe lirinë shqiptare është punuar në studion e skulptorit
në Athinë, ku ai jeton dhe punon prej vitit 1991.
“Është
pak provokuese, sepse puna është bërë e gjitha në Greqi. Megjithatë ka provokuar
njerëz jo të kulturës. Miq të mi, artistë, arkitektë e kanë parë me shumë dashamirësi,
megjithatë ka pasur edhe nga ata që nuk e kuptonin”.
Kur
realizoi bocetin dhe e paraqiti në konkursin kombëtar më se 2 vjet më parë, u nis
të sillte një shqiponjë që shkëlqente, që pasqyronte të gjitha ndjenjat që mbështillen
brenda shpirtit njerëzor.
“Sot
në mëngjes kishim një bisedë me disa studentë, që erdhën aty dhe e fërkonin me mëngë,
ishte emocionuese. Ajo çka unë sjell është reflektimi; të shohësh veten në trupin
e një shqiponje. Të shohësh sesa patriot je, sesa e do shqiponjën dhe veten si shqiptar.
Të shohësh ndërgjegjen tënde, edhe si njeri. Ai ishte qëllimi im dhe në dy vjet
e kam parë veten time dhe kam fituar shumë gjëra nga vetja ime. U thashë të vazhdonin,
ta prekni me mëngë, për t’i dhënë gjithmonë shkëlqim”, thotë ai, ndërsa fotografia
që e ilustron këtë moment, për Shimën është më e bukura e shkrepur ndonjëherë shqiponjës,
pasi zgjodh ndërgjegjen kombëtare.
Shima
është gjithashtu fitues me bocetin “Zinxhirët” për realizmin e monumentit e viktimave
të komunizmit, i cili do të vendoset në lulishten përballë Muzeut Historik Kombëtar.
Me këto dy vepra madhore, ai mund të quhet skulptori që gdhend lirinë, lirinë që
karakterizon artistin, njeriun dhe shoqërinë. “Është fjalë e madhe. E vërteta
është që ai bocet është bërë përpara 24 vitesh, përpara se të shkoja në Greqi. Kur
ika, e mora me vete dhe e futa në valixhe, bashkë me tri a katër skulptura të tjera
prej druri. Janë hallka zinxhiri rreth 35 cm të ngjitura dhe të tendosura,. Qysh
atëherë e kisha menduar për monumentin e lirisë”.
24
vjet më pas lexoi në internet shpalljen e konkursin dhe realizoi dy punime të tjera
për të marrë pjesë në të. “Po rrija në studio dhe më shkuan sytë te kjo skulpturë,
e mora në dorë. Kisha një mermer aty, e theva në bllokun e mermerit dhe e vendosa
në dy copa, thyerja e zinxhirit, thyerja e një tendosje të jashtëzakonshme. Ashtu
e lashë. E vura në një platformë dhe e solla në Tiranë. U ndje ekspresioni i lëvizjes
sime. Është një emocion që ka ngrirë”- e përshkruan veprën skulptori, por thotë
se edhe për këtë vepër ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete, përveçse u shpall
fitues mes 11 studiove konkurruese. “ Do të vij në Tiranë, për të bërë ndonjë takim
të rastit dhe të mundohem të marr ndonjë përgjigje. Me t’u hapur drita jeshile,
unë jam gati ta përfundoj”, zbulon ai.
Pas
këtyre dy veprave, Ilirian Shima po planifikon një ekspozitë personale në Paris.
Është
një plan bashkë me mikun tim, Rezart Jasa, ndërlidhës i kulturës, dashamirës dhe
adhurues i artit. Kjo është një dëshirë, besoj do ta arrijmë”.
Në
këtë ekspozitë e cila do të ketë përmasa të mëdha ai do të çojë punët që ka
paraqitur vitin e kaluar në ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Arteve
në Tiranë, të pasuruar me disa punime të reja, me veçanti skulpturën zanore, të
cilën e prezantoi edhe në Tiranë, me bri-harkun. “ Do të çoj një grup më të gjerë
skulpturash që dot ë komunikojnë me njëra-tjetrën dhe mund të dëgjojnë zëra dhe
tinguj që vijnë nga muzikantë shumë të dëgjuar; grupe polifonike burrash të cilët
do të dëgjohen nëpërmjet formave të mia. Edhe kësaj radhe ndjenjën kombëtare do
ta përçoj edhe në Europë”, përfundon Shima, ndërsa përgatitet për ceremoninë e përurimit
të Monumentit në homazh të “Kongresit të Lushnjës” në 95-vjetorin e përkujtimit
të tij.
No comments:
Post a Comment