Monday, February 9, 2015

Për “heronjtë” e politikanë të tjerë














Njerëzimi ka pasur gjithnjë nevojë për heronj; për luftrat, për padrejtësitë, për  lirinë, për të drejtat, për fjalën.... për një prijës që i udhëhiqte e fitonte në luftën ndaj së  keqes. Kur historisë i mungonin, popujt i krijonin,  për ta  mbajtur shpresën se ishte dikush, që qëndronte në hije dhe dilte sa herë  lypej për të shpëtuar ditën.


 Një lloj heroi  e pagëzuan edhe politikanin Neritan Ceka, kur hipur mbi “Aro”-n e tij i kthente shpinën tankeve dhe gjoksin mijëra vetëve , me një foshnjë në shenjë bese për të ndaluar një katastrofë në zemër të Tiranës, në Bllokun e 21 shkurtit të vitit 1991- të banuar ende nga klika komuniste e duke zbrapsur dhjetë mijë shqiptarë të revoltuar që ziente nën një hakmarrje gjysmë shekullore.  Një deux ex machina që zgjidh situatën në dukje pa krye?!
A ishte ai vërtet heroi që e kërkonte  vendi, për të shpëtuar nga një luftë civile në zgrip?!
Në intervistën  pas plot 21 vitesh, Neritan Ceka në zyrën e tij si Këshilltar i kryeministrit  rrëfen me detaje çfarë ndodhi atë ditë dhe si u shndërrua në hero... Çfarë do të kishte ngjarë në Tiranë nëse ai nuk do ndodhej atje për ta ndalur?

Gjithçka dukej se po niste  e qetë pas një të djeshmeje të vetëdijshme se  po hynte në histori.  Tirana  po gdhihej  pa bustin hijerëndë të diktatorit gjysmëshekullor që zvetënoi një popull të tërë.  Teoritë e konsipracionit e duan se kapitullimi ishte formosur më parë, me dëshirën e të mëdhenjve të politikës botërore. Shqiptarëve u mbetej simbolika; Rrëzimi i një busti- që po ato teori komploti e duan- të zhvidhosur gjatë natës për t’u shembur gjatë ditës nga ajo masë 100 mijë emocionesh që vërshonin nga të katër anët e kryeqytetit për t’u mbledhur në zemër të saj, duke çliruar  nga vargonjtë gjitha energjitë e liga , e linçuan simbolikën e murrme si në një gjueti shtrigash.  Tempulli pagan i një idhulli komunist po pastrohej me kamxhikët e neverisë, urrejtjes, frikës e kurajës së shtypur e në formë histerie  oshëtinte  ;“Te sheshi, te sheshi, e hodhëm qelbësirën!”, “Te sheshi, te sheshi, e hodhëm qelbësirën” . Shtypësi tani po  shtypej  me të njëjtën pamëshirshëmri, ai që kishte hequr zvarrë shqiptarët tani zvarritej dhe përdhosej në format më të paimagjinueshme...Tempulli tani i takonte sërish sovranit!
Nuk pritej më të ndodhte asgjë me rëndësi atë ditë, të gjithë u ishin kthyer veprimtave rutinë. Madje  edhe politikanët e rinj të pluralizmit,  mëngjesi i gjente në postet e punës të regjimit të vjetër. 
Anëtari i hershëm i Partisë Demokratike, qyshse u formua më dhjetor të ’90-ës , Neritan Ceka gjendej në Sheshin  “Nënë Tereza”,  ku  e ndante ditën si Drejtor i Institutit të Arkeologjisë, kur pa me sytë e tij se pa u shuar krisma e thatë e një arme atypari, Bulevardi nisi të mësymej me  tanke e blinda.
Ç’kishte ngjarë tjetër në shkurtin e asaj Tirane të mbushur plot ngjarje?!
“Diku aty rreth orës nëntë të mëngjesit shkuam të pinim një kafe me miqtë e mi, Namik Bodinakun dhe Myzafer Kërkurtin. Kur po ktheheshim për të hyrë në derën e  Institutit- nga rruga që të çon te Garda-  dolën disa tanke dhe një numër i madh ushtarësh që u drejtuan nga Bulevardi. Një dalje kaq e papritur  më vuri në dilemë”, tregon ai duke u rrekur të kujtojë me saktësinë e ngjarjeve, pas 21 vitesh.
Instikti, kureshtja, vetëdija politike  apo qytetare e shtynë të hetonte më tej...
“Mora makinën dhe u nisa drejt rrugës së Kavajës,ku ndodhej selia e Partisë Demokratike.  Bulevardi ishte i bllokuar nga ushtarët e gardës që  kishin marrë pozicione luftimi. Mora rrugën paralele, që të çon te Drejtoria e policisë Tiranë dhe aty vura re përqendrim njerëzish dhe policësh. Në atë çast ktheva makinën në drejtim të urës së bulevardit dhe kur u afrova  pashë që,  nga një krah ishin  vendosur tanket dhe garda  dhe  në vijë para tyre një repart i ndërhyrjes së shpejtë  “326”, kurse nga ana tjetër  e Lanës ishin të  grumbulluar disa mijëra vetë.
Në vijën e parë të turmës gjendeshin edhe anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike e itnelektualë,  të cilët e kishin marrë lajmin që kishte marrë dhenë menjëherë dhe mundoheshin të përmbanin turmën e ekzaltuar.
“Pyeta dhe më thanë se ishte bërë grusht shteti.  Ishte   vrarë presidenti Ramzi Alia dhe forcën e ka marrë Sigurimi i Shtetit me në krye Sulo Gradecin- një  nga rojet e Enver Hoxhës”.
Sesi ishte përhapur me aq shpejtësi lajmi, askush nuk dinte të thoshte, por ky kishte qenë motivi i cili i kishte shtyrë edhe një ditë tjetër njerëzit-ndoshta edhe më të frikësuar e inatosur se një ditë më parë kur shembej përmendorja e diktatorit- për të mos e lënë diktaturën të ngjallej në hirin e saj.
Ashtu si në gjuetinë e shtrigave të mesjetës populli nuk shihte rrugëzgjidhje vetëm se shfarosjen e një lloji...
“U  vura edhe unë bashkë me ata që donin të frenonin turmën, në një përplasje që do të kishte qenë katastrofë”, është i bindur edhe sot e kësaj dite z.Ceka.
Nga njëra anë  qëndronin të dogmatizuarit,  të tensionuar në kufij pas rënies së bustit dhe nga ana tjetër një  popull  që nuk mund të pranonte vendosjen e një diktature pasi kishte rrëzuar njërën, të paktën në mënyrë simbolike.
“Kur  po rrija me kolegët e Partisë Demokratike nga ana tjetër e Lanës, m’u afrua  një person që vinte nga ‘fronti’ tjetër - komandati i Forcave Speciale, Sejdo Ibrahimi dhe  më thotë:  “Jemi në pozitë shumë të vështirë, sepse pas kemi Gardën dhe po të kthehemi do të na vrasin ushtarët,  ndërsa përpara kemi popullin dhe nuk duam përplasje”. Ishin të paarmatosur, vetëm me skafandra. E pyeta ç’kishte ngjarë dhe më siguroi: “Asgjë!  Ka pasur vetëm një përplasje të vogël, ku një djalë i ri  ka hyrë me motorr në Bllok, si për ta sfiduar gardën.  U shtie  në ajër nga një ushtar  dhe kjo maftoi të alarmonte gardën duke menduar se ka pasur një futje masive  të njerëzve në Bllok”.
A ishte i besueshëm mjaft ky version për ta bindur popullin të kthehej e të hiqte dorë nga misioni i ndërmarrë?!
“Nuk munda ta besoja,  por i kërkova megafonin dhe i thashë se do ta konfirmoja  atë çka më referoi. Hipa mbi makinën e punës me të cilën kisha lëvizur  dhe i bëra një thirrje popullit të qetësohej”.  Pa e ditur edhe vetë se ccfarë kish ngjarë brenda rrethimeve të Bllokut, nëse vërtet kanosej një rrezik kaq i madh për vendin, Neritan Ceka  mori përsipër pa u mëdyshur  të shndërrohej në liderin karizmatik, me fuqi bindëse për ta kthyer atë masë njerëzish në kornizat e protestuesve paqësorë diku në shesh. Agron Çika dhe Bashkim Sala kishin misionin e vëzhguesit për të parë nga afër situatën e vërtetë. 
“Ndërsa dy anëtarët e PD-së po niseshin për të depërtuar në bllok, i pyeta edhe njëherë njerëzit nëse kishin  ndonjë kërkesë tjetër” , përgjigja e atij populli të etur për demokraci që tani dukeshin të paepur për ta mbrojtur me çdo kusht, ishte grotekse saaq dhe e trishtë. Kërkuan njëzëri që Piramida të kthehej në Diskotekë,  duke dashur të shijonin atë që vetëm populli mund të prekte nga liria dhe demokracia. Ca të ndaluara si këto kënaqësi të vogla. Ndoshta kryeqyteti i tyre do të ngjante më perëndimor dhe demokrat  me “shfaqjet e huaja”. 
Të tjerat?! Të tjerat i kishin në dorë politikanët e demokraicë së re.
“U kthyen pasi kaluan jo më shumë se dhjetë minuta. E kishin takuar Ramiz Alinë.  Historia  e grushtit të shtetit nuk qe e vërtetë. Alia, madje  u kishte premtuar edhe kthimin e Piramidës në diskotekë. Pas asaj që kishte ngjarë me rrëzimin e statujës, natyrisht që kishte frikë të madhe te  drejtuesit e Partisë së Punës”.
Kishte vërtet frikë? ! A nuk ishin dorëzuar komunistët e fundit se  Shqipëria po ndërronte regjim? Komplotistët sërish e duan që ky ndërrim erdhi nga vetë klika komuniste, i cili i lëvizi gurët në mënyrë të padukshme për të pasur të tijtë edhe në këtë regjim..
Por pse Blloku ishte i zbrazur atë ditë? Përse familjet e bllokmenëve ishin strehuar në vilat e Dajtit?
“Edhe ata e kishin parashikuar një acarim të popullit”, thotë Ceka.  
Ai vijoi të ngulmonte për ta bindur turmën të kthehej, të vendosej te Sheshi për demonstrim paqësor, megjithëse në  axhendën e tyre nuk  ishte parashikuar një miting, nga ata të përditshmit. Por shpesh ata improvizoheshin. Shqiptarët nga të gjithë cepat e vendit, si në pelegrinazh mblidheshin te Sheshi për të festuar Lirinë, Demokracinë.
“Ne e kishim të fituar-  jo me armë por me vota-  dhe e ardhmja i takonte demorkacisë”.
Afro dhjetë mijë vetw  u  bindën për t’u kthyer pas.
“Më kujtohet që pati një provokim-jam i sigurt që kanë qenë njerëz të sigurimit të shtetit që hodhën disa gurë. Ishin  veshur tamam siç visheshin ata, me pardesy blu prej feshfesheje. Dikush mori dy-tre gurë nga bulevardi dhe ia hodhi policisë.  Natyrisht  populli e kuptoi dhe e ndoqi. Kjo për të kuptuar që populli nuk donte të sulmonte për çdo rast. Do të sulmonte nëse vërtet do të kishte një motiv, nëse vërtet kishte një grusht shteti, ndryshe nuk ishin të acaruar për t’u ndeshur me policinë dhe gardën”.
Nëse populli i paarmatosur nuk kishte ndërmend të sulmonte, pse Neritan Ceka ngulmoi kaq shumë?! Duke u kthyer për tri herë me rradhë në vendin ku ndahej blloku nga populli?  Pse u  jepte besën shqiptarëve me një foshnjë në krahë përpara tankeve?
“U kthyem në shesh, aty ku një ditë më parë ndodhej monumenti i Enver Hoxhës, organizuam një miting të rastit duke i folur nga megafoni që ua kisha marrë policisë dhe ndërkohë më thanë se një pjesë e njerëzve kishin shkuar sërish atje dhe garda ishte në rrezik përplasjeje me ta.I hipa makinës dhe shkova, lashë anëtarët e tjerë të vazhdonin fjalimet por pa megafon se e mora vetë dhe shkova përsëri dhe i tërhoqa duke i bindur. Kishte njerëz që nuk e besonin. Në atë kohë kishte ardhur edhe gruaja ime, bashkë me djalin e vogël Redonin dy vjec, të ciline kishte marrë nga çerdhja për ta çuar  në shtëpi. I  thashë të më jepte djalin, e mora në krahë-ishte një akt pak teatral- por pati efektin e vet.U  thashë nëse doni dëshmorë, po iki unë i pari, ky është fëmija im, por ne nuk kemi nevojë për dëshmorë, ne kemi nevojë për logjikë se e ardhmja i takonte demokracisë”.
Bulevardi  u zbraz, por tanket dhe rojet mbetën. Pas takimit me kryeministrin Fatos Nano, gjendja e luftës u zbraps.  Të  nesërmen njerëzit shëtisnin normalisht.
Neritan Ceka kishte qenë  me meritë heroi i asaj dite.  Kishte shpëtuar popullin nga një katastrofë, e cila do të kishte qenë zanafilla e një urrejtjeje që  nuk do të  shuhej kurrë.
Duke kapërcyer cakun e politikanit, zyrtarit, Neritan Ceka ishte shndërruar në një lider karizmatik që kishte në dorë të ndryshonte humorin e popullit për t’i bindur më pas. Pse ishte vetëm ai? Pse e mori këtë rol në mënyrë kaq instiktive?  Me një insistim human? 
“Natyrisht ka një moment disi teatral, kur dikush vjen kryen  një akt shpëtimtar.  Por përpara meje ishin anëtarët të tjerë të Partisë Demokratike-së ddhe intelektualë që kishin bërë të njëjtën gjë. Nuk është se shkova unë dhe i vetëm i binda të kthehen. Por autoriteti im ishte më i madh, të themi. Isha  person publik, arkeolog i njohur nga TV dhe  shkrimet e mia , kisha mbajtur një fjalim në mitingun e parë PD-së në sheshin Demorkacia, të tjerët nuk e kishin këtë autoritet”, rrëfen ai duke e zhveshur veten nga çdo tipar heroi që i ka veshur historia këta njëzet e dy vjet të fundit.  Ajo që si në filmat hollivudianë kur njeriu i zakonshëm kthehet rastëisht në shpëtimtar ishte edhe ndodhja në kohën e duhur në vendin e duhur ku njohjet e duhura bënin garanci.
“ Kur i thashë çfarë garancie më jep që nuk ka ndodhur gjë, m’u përgjigj se ne kishim vetëm një mik të përbashkët;  Faik  Dino nga Mallakstra,  mësues që kishte ardhur në ekspeditat e mia dhe ai ishte mik i ngushtë i tij. Kjo ishte e vetmja besë shqiptari që nuk po më gënjente”.
Populli ishte i përmbajtur  dhe me vetëdijen se komunizmin e kishin përmbysur më 8 dhjetor dhe kështjella kishte rënë, këto që kishin mbetur ishin vetëm bastione,
“Në bulevard nuk ishte vetëm Tirana.  Ishin  mijëra njerëz nga e gjithë  Shqipëria,  për të gëzuar,  jo për të sulmuar. Ka shpesh diskutime nëse bëri mirë apo jo Neritan Ceka që i tërhoqi. Por  këto ishin çështje që ishin zgjidhur përpara, nuk kishin mbetur të zgjidheshin atje”.
A do të kishte hyrë populli në Bllok nëse Neritan Ceka nuk do i ndalte?  Çfarë mund të ndodhte atje brenda? Kush do të humbte e kush do të fitonte? Nga cili kah do të peshonin të rënët?
“Nuk mendoj se populli do të hynte në Bllok dhe  ata që mendojnë kështu fantazojnë. Aty  ishte garda, ishin tanket, ishin të armatosur me të gjitha llojet e armëve”. Por rreziku që i druheshin ata që bashkë me Cekën  mbajtën popullin ishte se  masakra do të kishte bilanc të rëndë në popullin e paarmatosur.
Poaq sa ishin të etur për demokraci shqiptarët, aq të doktrinuar deri në akte terrorizmi ishin një pjesë.
Edhe 22 shkurti nuk do të kalonte qetë, duke shënuar ngjarje edhe më të rënda.
Disa oficerë të dogmatizuar të Akademisë Ushtarake dhe Skënderbegas bashkë me përfaqësues të reparteve ushtarake rreth Tiranës, disa mijëra vetë  në numër ishin grumbulluar në oborrin e akademisë ushtarake për të rrëmbyer statujën e  Enver Hoxhës për ta zëvendësuar me atë që ishte rrëzuar në qendër të Tiranës.
“Natyrisht populli doli menjëherë nëpër rrugë. U prenë pemët te rruga Dibrës. U bënë barrikada. Ndërkohë unë u nisa në një mbledhje të Partisë Demokratike, mora udhëzimet e kryetarit, Sali Berisha  për ta bllokuar këtë akt. Kur mbërrita,  ngjarjet kishin avancuar. Kishin  krijuar një lloj qeverie, e cila donte të merrte në dorë televizionin, stacionin e trenit, presidencën, ministrinë e mbrojtjes. Kishte  të gjithë karakteristikat e një puçi ushtarak”.
Sërish Neritan Ceka u gjend në ballë të ngjarjeve. Bashkë me dy kolegë-Agron Çipa dhe Abdi Baleta- mbajtën qëndrim të prerë dhe akuzuan se do i çonin të gjithë në gjyq ushtarak.
“Kërkova të çarmatosnin studentët  dhe t’i largonin nga shkolla e bashkuar ata që nuk ishin studentë dhe t’u nënshtroheshin disipilinës ushtarake”.
Atë natë pati të shtëna e  shkëmbime zjarri. 
“U fol për armë në duart e popullit por nuk kishin asgjë veç vendosmërisë për të mos lejuar rikthimin në diktaturë”
Pati një të vrarë dhe një fëmijë mbeti i paralizuar.
Të nesërmen, pas tratativave nga anëtarët e PD-së  u vendos qetësia. “Këta kanë qenë dy momente që shënonin pragun e luftës civile”.
Ky ishte një përshkallëzim  i atmosferës  shumë të rënduar që karakterizioi gjithë muajin shkurt. “Muaji ishte i mbushur nga antimitingje. PD-ja  për të thyer frikën kishte organziuar qindra mitingje, ku pati  përplasje, ndërhyrje të policisë. Ma  mbyllnin sallat, çonin porovokatorë e na kanë hedhur shashka. ishte një luftë e egër”. Në Vlorë hidheshin shashka  e parrulla  , në Tropojë sulmohej me fotografitë  e Enver Hoxhës , në Ballsh vendoseshin postblloqe duke detyruar çdo kalimtar ta puthte foton e diktatorit.  
“ I gjithë shkurti ka qenë periudhë ku kemi qenë vazhdimisht  në cak të luftës civile. Por në të gjitha rastet Partia  Demokratike  kishte dhënë udhëzime të qarta;  asnjë rënie pre e provokimeve”.
Këta besnikë të Partisë së Punës, të verbër ndaj ndryshimeve që po ndodhnin në vend, ishin gati të vriteshin dhe të vrisnin këdo që përqafonte demokracinë e re.  
“Tek ura e Lanës e kam ndjerë vetën shumë komod se isha brenda 10 mijë vetëve që ishin të mitë, por tek Shkolla e bashkuar  me vetëm tre vetë dhe një makinë” Aro” ishte  si të hyje në fole grenxash. Ishin  mbledhur në oborr dhe këndonin këngë për Enver Hoxhën me histeri të vërtetë. Kur dola  Fadil Cani drejtori i policisë së shtetit  pasi dëgjoi që ajo çka u thashë ushtarakëve ngjalli reaksion,kuptoi rrezikun dhe solli një makinë të blinduar policie te dalja. Kishin vendosur që të më copëtonin. Pasi hymë në makinë një grup ushtarësh nisën të gjuanin me qytat e automatikëve”.  Rrezikun për jetën, thotë se e ka marrë parasysh që kur hyri në Partinë Demokratike, ku njerëzit luftonin për vdekje a liri!
“ Në momentin që liria ishte ngritur  nuk do të pranonim në asnjë mënyrë të na e shkelnin prapë me këmbë”.  Jeta ishte pjesë e çmimit.
“Nuk kam pasur kurrë frikë dhe nuk kam pasur kurrë bodigardë. Në orët e vona kur mbaronin mbledhjet nga rruga e Kavajës kthehesha në këmbë dhe i bija përmes parkut Rinia. Të bëhej c’të  bëhej!  as armë nuk kisha!  vjen një kohë që njeriu mendon se bëhet i paprekshëm për një arsye a tjetër”.   Ndoshta një vetëdije heronjsh, të paprekshëm nga e keqja, por gati për të  shpëtuar të tjerët nga e keqja. 


No comments:

Post a Comment