“Moving Albania” është libri i realizuar nga një fotograf i ri belg, i cili sipas tij pasqyron evolucionin shqiptar drejt modernitetit, një evolucion që në shkrepjet e përjetësimet e tij të lustruara duket se lëviz ngadalë, për të mos thënë që diku edhe ka ndalur. Një lloj ambasadori i vendit – siç preferon ta quajë ai veten apo një njeri që nga ata shqiptarë mundohen ta fshehin atë anën e paveshur me bukuri shihet me dyshim?!Ndoshta asnjëra. Fredercik Buyckx rrëfen kronikat e udhëtimeve dhe fotografive në vendin që e ka vizituar bash çdo pëllëmbë.
Shtëpi gjysmë të
rrënuara, oda e konakë veriu ku tipike është vetëm oxhaku që nuk kryen më
funksionin e kahershëm, ngjyra të shpëlara muresh që duken edhe më të zhveshur
nga feksja e pazakontë e banderave gjithfarëshe të varura në po ato mure ku
suvaja mezi mbahet që i jepnin arredimit të brendshëm një hije prej faltoresh a
teqesh, pasuruar deri në marrafrymë me lule artificiale e faqe kalendarësh të
shkëputur me portrete vajzash, që i
bëjnë konkurrencë portretit të ish diktatorit, i cili i ka shpëtuar inkuizicionit
popullor...
E gjithë tabloja, si
një mozaik i formuar keqas të çon drejt e në ato vitet e hutueshëm të
kapërcyellit bashkë me dhjetëvjeçarin e ri, drejt të ëndërrueshmes demokraci.
Shqiptarët e jetuan si mundën atë fillimvitesh ’90. Për ata që nuk mundën të
kapërcenin kufijtë, u rrekën të fusnin brenda shtëpive atë vrull moderniteti që
sillte importi, duke e përzier me çka kishte mbetur prej veshjeve të ftohta e pa
joshje të regjimit komunist. Varfëria që i mbante lidhur pas kyçesh, atyre që
rrekeshin për t’iu arratisur dhe uri, uri për t’u bërë si bashkëqytetarët e
kontinentit ku bënin pjesë...
“Kudo gjen mbeturina të regjimit komunist, regjim
ky i cili ngufati Shqipërinë deri në
vitin 1991, shpeshherë në kontrast me modernizimin në të cilin po kalon vendi”
– kështu shkruan Frederick Buyck në parathënien e librit me fotografi për belgët
si ai, të cilët nëse nuk kishin dëgjuar e ditur ku binte gjeografikisht ky
vend, dinin se duhet t’i druheshin mafies së këtij vendi që i kishte shtrirë
tentakulat edhe në vendin e tyre. Por nuk ishin vitet ’90. Jo! Buyckx erdhi për
herë të parë në Shqipëri më 2007-ën, ndërsa të 120 fotografitë për albumin do i
realizonte më vonë, andej nga 2009-2010.
“Moving Albania” jep
një pasqyrë të shoqërisë së sotme shqiptare dhe të evolucionit,
të cilit i nënshtrohet ajo. Një evolucion, i cili në disa vise ende duhet të fillojë,
ndërsa në vise të tjera nuk e arrin dot hapin me vetveten”. Nuk është analist i
shoqërive në tranzicion e as specialist i zhvillimeve ekonomiko-sociale, por
për diçka është i bindur Buyckx – mbiemri i të cilit tingëllon me një markë të
njohur automobilash e që shqiptarët (ai vetë do e ketë vënë re ndërsa i ka
shëtitur rrugët tona) ato luksozet i kanë vërtet pasion- me apo pa
tranzicion– që Shqipërinë e ka shëtitur
cep më cep, nga jugu në veri, nga qytetet e mëdha që e ndryshojnë pamjen nga
dita në ditë prej zhvillimeve e deri te fshatrat e vegjël lart në male, ku koha
duket se ka ndalur në epoka të pacaktuara... “Rritja ekonomike dhe numri i turistëve që shtohet në formën
eksponenciale e bëjnë të qartë se
Shqipëria ka shumë për të të ofruar.
Përkundër faktit se Shqipëria duhet të luftojë kundër një morie
paragjykimesh që lidhen me të. Nuk do të vonojë dhe ajo do të
bëhet njëra nga destinacionet e preferuara turistike të Evropës” – e
përfundon ai prezantimin e Shqipërisë.
Por destinacione turistike apo ndërtesa moderne duket se nuk sheh gjëkundi në
fotografitë e tij.
Për sedërlinjtë
vendas fytyra me të cilën e ka
fotografuar ai Shqipërinë, duket
dashakeqe. Por a nuk është edhe ky profil i Shqipërisë – për të cilën jemi fort
krenarë- të cilën mundohemi ta mbajmë të mbuluar nga sytë e botës, por edhe nga
tanët që dhembin prej çiltërsisë së varfërisë?!
Në fund të fundit,
fokusi i aparatit fotografik ka gjithë të drejtën të jetë subjektiv – për aq
kohë sa ky subjekt bërtet ekzistencë....
Kur e ke vizituar për herë të parë Shqipërinë?
E kam vizituar
Shqipërinë për herë të parë në shkurt të vitit 2007. Që atëherë kam ardhur çdo gjashtë muaj dhe e
kam parë në të gjitha stinët.
A kishe dëgjuar
më parë rreth këtij vendi?
Nuk dija shumë rreth
Shqipërisë. Në Belgjikë, shumicën e njerëzve që pyet, të thonë se dinë vetëm që
ka pasur shumë trazira në këtë rajon në Ballkanit dhe se kanë frikë nga mafia
shqiptare. Për shembull , në
Antëerp, qyteti ku unë jam rritur, pjesa më e madhe as që e dinë se ku
ndodhet gjeografikisht Shqipëria. As unë vetë nuk e dija.
Cilat qytete dhe zona ke vizituar?
Në të gjitha
udhëtimet, i kam vizituar të gjitha
cepat e vendit, në kuptimin e vërtetë të
fjalës. Duke nisur nga qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça,
Elbasani, Gjirokastra e deri te ata më të vegjlit në male si; Gramsh, Kukës,
Bajram Curri, Leskovik. Kam vizituar
edhe fshatrat e vegjël, lart në male.
A je tërhequr edhe ti nga bunkerët e diktaturës ashtu
si shumë kolegë të tu? Çfarë ndjesi japin
kur i fotografon?
Gjashtë vjet më parë erdha në Shqipëri për të
fotografuar vërtet bunkerët. Kisha
lexuar një artikull rreth tyre dhe të them të drejtën më intrigoi shumë. Nuk mund të imagjinoja aq
shumë bunkerë në një vend kaq të vogël dhe ajo që më goditi më shumë ishte
fakti se nuk ishin përdorur kurrë. Është histori e çuditshme nëse e mendon. Për
mua, si belg, më interesonte të shihja një vend që kishte jetuar, deri kohëve të fundit, nën një regjim komunist. Nëse e sheh
Shqipërinë në hartën e botës, është shumë pranë Belgjikës, por aq shumë e
ndryshme.
Përpara se të vijë këtu për herë të parë, a e kishe
një ide të qartë se çfarë do të fotografoje apo gjithçka doli rrugës?
Po! Herën e parë që
erdha në Shqipëri fotografova bunkerët. Vetëm pasi e vizitova dy herë
Shqipërinë, nisa të punoja për projektin “Moving Albania”. Për këtë projekt
thjesht udhëtova përqark vendit dhe fotografova çfarë më doli rrugës.
Rruga e artistëve ndodh shpesh të bjerë nga i njëjti
shteg; një destinacion që të ndjell me ekzotizmin, një vend ku kërpudhat janë gjigante, madje si askund përbërja është prej
betoni e çeliku zor të thyeshëm e një i ri që aventurohet për më shumë
adrenalinë në punën e ti, pak rëndësi ka nëse nuk di asgjë rreth vendit. Ata 750 mijë bunkerë të ndërtuar për kohëra
lufte e që nuk janë përdorur kurrë për qëllimin e parë thithin si me magjepsje
fotografë nga e gjithë bota.
Nuk ishte rrugë e keqe për t’ia nisur rrugës së famës
dhe fotografia konkurrencën nuk e ka fort të lehtë. Paskëtaj do të kthehej sërish e sërish, e sërish si në ndonjë formë
pelegrinazhi, deri në realizimin e projektit të madh që përfshinte Shqipërinë.
Sa kohë dhe vështirësi t’u deshën për realizimin e
librit me fotografi?
Librin tim “Moving
Albania” e kam realizuar më 2010-ën. Për
të realizuar projektin kam ardhur tri herë dhe kam qëndruar nga tri javë në çdo
vizitë. Për shkak se e kisha vizituar dy herë më parë Shqipërinë, ishte më e
lehtë realizimi i librit. E njihja vendin, njihja disa njerëz dhe kisha mësuar
pakëz edhe gjuhën shqipe.
Pjesa më e madhe e njerëzve apo familjeve që ke
fotografuar duket se i përkasin shtresave
të varfra. Çfarë simbolike ka puna jote? Pse zgjodhe të pasqyroje vetëm
këtë pjesë të Shqipërisë? Ishte një lloj sensibilizimi?
I dëgjoj këto komente
shpesh. Nuk i kam zgjedhur unë, njerëzit
që më merrnin në shtëpitë e tyre dhe
më ofronin ushqim dhe strehim. Njerëzit nisnin të flisnin me mua dhe unë
fotografoja ata që më ftonin në shtëpitë e tyre. Ndoshta kjo flet më shumë
rreth Shqipërisë sesa rreth meje. Kur
dola një shëtitje në kryeqytet, askush nuk më foli apo më ftoi në shtëpinë e
tyre. Kur shkon në fshatrat e vegjël në male, njerëzit janë shumë mikpritës dhe
miqësorë. Kështu që në këtë kontekst, ishin vetë shqiptarët që vendosën se kë
të fotografoja, jo unë. Është e trishtueshme, por e vërtetë, njerëzit e varfër
janë më të ngrohtë dhe mendje hapur kundrejt të huajve.
Sa e vështirë është për një të huaj e veçanërisht për
një fotograf ta mirëpresin e ta lënë të
fotografojë brenda shtëpive?
Pjesa më e madhe e
njerëzve në Shqipëri ishin shumë miqësorë kur u shprehja dëshirën për t’i
fotografuar. Ata nuk e kishin bezdi. Kur
kthehesha në Shqipëri, i merrja gjithnjë fotografitë me vete dhe ua
jepja njerëzve që kishin dalë në ato fotografi. Kjo ishte mënyra ime për t’u
thënë “Faleminderit!”.
Për shumë shqiptarë që jetojnë kryesisht në qytete të
mëdha apo në kryeqytet është pak e vështirë të besohet se janë foto të vërteta-
të paktën nga komentet në blogje të ndryshëm në internet thuhet se ju me kast
keni paraqitur këtë anë të shëmtuar të vendit. Cila është përgjigja juaj për ta
?
Po, jam në dijeni.
Çdo fotografi apo seri fotografish është një kënd vështrimi subjektiv për çdo
fotograf, e kështu nuk është kurrë e mundur të japësh një pamje të plotë
objektive të diçkaje. E di se shumë shqiptarë nuk e vlerësojnë punën time.
Por, jam i bindur se ata nuk e kuptojnë
sesa pranë “botës së tyre” janë
fotografitë e mia. Ata mund të banojnë në shtëpi të këndshme në Tiranë, por
në ndonjë qoshe dikush jeton në varfëri. Për shembull, romët që jetonin pranë stacionit të trenit në Tiranë. E meqë ra fjala, fotot për librin, të cilat
janë mëse 120 të tilla, janë realizuar në të gjithë vendin. Nuk kam bërë
fotografi vetëm në fshatrat e veriut, kam
fotografi nga Tirana, Durrësi, Elbasani, gjithashtu. Kam frikë se
shqiptarët që nuk e pëlqejnë mënyrën sesi e kam treguar vendin e tyre, nuk e
kanë vizituar kurrë të gjithë vendin. Pyesni njëherë në Tiranë sesa njerëz kanë
mjelë një lopë! Nuk besoj se kanë mbetur të tillë në Tiranë, por njëherë me të
dalë nga qytetet e mëdha, thuajse çdo familje ka një lopë, e cila u jep qumësht
çdo ditë.
“Vë bast që foto të tilla mund të bësh në çdo vend të
botës duke përfshirë dhe Belgjikën...Fotot janë interesante, por mendoj që janë
shume subjektive... të bukura dhe të goditura, po gjatë qenkan marre me
arixhinjtë,thua se gjysmat jemi ashtu, nejse mo...
ku qëndron e bukura këtu? Nga mungesa e dritares dhe
prezenca e druve stok duket që është ambient i pabanuar. Janë vendosur fët e
fët dy divane e një tavoline bashkë me dy pleq të ngrate dhe shkrak... “Foto
nga Albania”...këtu abuzohet them unë... kjo ishte e vetmja foto që tregon
varfëri. por varfëri mendore ama. Ky djali
me berete 800 euro mund të kishte lyer shtëpinë me aq lekë... Fotot fantastike.
Nëse ka dashur vërtetë të tregoje kontrastin, mirë do kish qenë të vinte dhe ca
foto të elitës pasanike të bllokut apo te plazheve jugore ku kërcasin shishet e
shampanjës çdo minute, se kto t'hujt
ktej marrin turr shpejt e mendojnë se s’kemi dhe ne luks e budalliqe
“prejashtetit”.
Varfëri ka dhe Belgjika,e kam parë vetë. Ke ne Flandra
fshatra plot me analfabete qe i kane apo nuk i kanë 5 dhëmbë në gojë... dhe unë
kam dëshire të vë bast se askujt nga këta personat, të cilëve u ka prekur intimitetin nuk u ka
marre leje për t’i postuar fotot e tyre.
Po ta vesh re fotot janë bërë
nëpër shtëpitë e atyre që kanë dhënë
bukë dhe e kanë prite si mysafir në shtëpitë e tyre. Thjesht dhe fare mire, ne
duhet ta hedhim në gjyq këtë zotërinë, dhe te shesë te gjithë aparatet e tij
për te lare borxhet për thyerjen e asaj gjësë qe është me e shenjte te
shqiptarët; besën, mikpritjen.... ”
Këto janë disa nga komentet e anëtarëve të blogut peshkupaujë.com ku në temën “Varfëria jonë” janë postuar
fotografitë e Frederick Buyckx. Ndodh gjithmonë njësoj! Shqiptarët preken
lehtë kur dikush rreket t’ua “fyejë”
atdheun dhe marrin zjarr, duke ia shtuar flakët me komentet prush të nxehta, në
pozicion mbrojtës dhe në gjendje mohimi të së vërtetës. Ka edhe nga ata që nuk
ia hanë hakun meritës profesionale dhe syrit artistik të fotografit, duke
menduar se misioni i tij është fisnik, ndërgjegjësues e denoncues i varfërisë.
Frederick-u përgjigjen për ta e ka të stampuar në çdo foto, në çdo udhëtim në
fshatrat më të thellë, në vende ku ende duhet t’i hipësh kalit apo mushkës për
t’u transportuar. Në fund të fundit ai nuk ka marrë asnjë tagër prej të
deleguari të posaçëm për të ccuar përtejdeti imazhin e bukur të Shqipërisë. Ai
është një fotograf, i cili shkrep ç’ka i duket interesante kureshtjes së
tij prej artisti. Dhe puna ia ka dhënë shpërblimin dhe frytet e
veta...
Po si janë pritur këto fotografi nga opinioni jashtë Shqipërisë
aty ku ju edhe i keni ekspozuar?
Ashtu siç thashë,
shumë shqiptarë nuk e pëlqejnë punën time, sepse mendojnë se nuk shfaq
Shqipërinë e vërtetë. Është e drejta e tyre të thonë apo të mendojnë në këtë
mënyrë. Unë besoj se jap një imazh të mirë të asaj çka është Shqipëria, sërish
sipas këndvështrimit tim si fotograf. Kurrë nuk kam pasur qëllim të përçoj
imazh të keq të vendit apo njerëzve. Unë vërtet e dua Shqipërinë. Kështu
që, pse duhet ta bëja këtë?! Por, jashtë Shqipërisë kam marrë plot komente
të mira rreth punës sime. Kam fituar
disa çmime dhe kam realizuar disa ekspozita. Kështu që në nivel fotografik,
puna ime është pritur mjaft mirë.
Ngjyra dhe kontraste të forta, arredime të çuditshme shtëpish, portrete të trishtueshëm e të çiltër... të
gjitha këto kanë impakt të fuqishëm në sytë e atij që i sheh. Është pjesë e stilit të punës? Të
pëlqen theks te kontrastet e forta?
Po, më pëlqejnë
ngjyrat dhe kontrastet. Dhe më pëlqen arredimi i brendshëm, i cili tregon shumë
rreth personave që jetojnë aty. Ndonjëherë flet më shumë sesa vetë personi.
Kam lexuar se “Moving Albania” ka qenë pjesë e projektit
tënd të diplomimit. Pse zgjodhe pikërisht Shqipërinë për këtë?
Në fakt, “Moving
Albania” ishte projekti im i diplomimit bachelor. Zgjodha Shqipërinë, sepse
kisha qenë dy herë dhe e dua këtë vend. Kam njohur njerëz të mrekullueshëm dhe
natyra është thjesht e bukur. Por ndjeja
që askush nga që njihja në
Belgjikë, nuk e kuptonte se çfarë pëlqeja
nga ky vend. Ja pse desha të realizoj një projekt rreth saj, për t’u
treguar të tjerëve se çfarë vendi i bukur është.
Ke fituar një çmim për fotografinë e vitit më 2010-ën,
e cila çoi më pas në botimin e këtij libri. Ishte çmimi yt i parë? Si u ndjeve me këtë arritje? A ishte shpërblyese
për punën tënde? A i kënaqi ambiciet e
tua profesionale?
Ishte çmimi im i parë
dhe sigurisht fitimi i tij ishte më ë mira që mund të më ndodhte si fotograf i
ri që isha. Botimi i librit është vërtet
një ëndërr që realizohet. Kjo më dha
zemër të vazhdoja të bëja dokumentarë dhe ishte reklamë e mirë për mua si
fotograf.
Përtej syrit artistik, çfarë të ka bërë më shumë
përshtypje te njerëzit që ke fotografuar?
“Moving Albania: janë
fotografitë që kam bërë gjatë udhëtimeve të mia përqark vendit, që tregojnë njerëz dhe vende të cilat mendojnë
se janë të shquara, interesante apo tipike shqiptare.
Të gjithë njerëzit që
kam fotografuar në Shqipëri, kanë gjëra
të përbashkëta. E para është mikpritja, diçka që vërtet më preku. Kaq njerëz të
ngrohtë dhe miqësorë, të cilët nuk i kam njohur në asnjë vend tjetër.
Megjithëse nuk mund të komunikonim shumë mirë, të gjitha dyert hapeshin për
mua, ata më dhanë ushqim dhe shtrat për të fjetur. Më bënin të ndjehesha në çdo kohë si në shtëpi. Të gjithë përpiqeshin të më ndihmonin mesa
mundnin, njëherë një shofer furgoni, një herë një pronar restoranti apo një
fermer që punonte tokën.
“Moving Albania” është më shumë rreth kronikave të udhëtimeve
të tua apo evolucionit të Shqipërisë?
Është kombinim i të
dyjave. Tregon vendet ku kam qenë dhe njerëzit që kam takuar. Duke treguar këta vende dhe njerëz, në një farë
udhe rrëfej historinë rreth vendit këto kohë. Tregon referime ndaj së kaluarës
si statuja të heronjve shqiptarë, posterë në mure, ndërtesa të vjetra, por
rrëfen gjithashtu zhvillimet turistike, ndërtesa të reja mes atyre të vjetrave,
evolucionin përmes të cilit po kalon.
Ke punuar më parë me autorin Korneel De Rynck në
librin “Kopshtet e Titos- një udhëtim përgjatë hekurudhës Beograd-Sarajevë”. Si ishte kjo përvojë në Ballkan?
Ishte një projekt i lloji krejt tjetër për mua, por interesant. Iu
bashkova për të bërë fotografitë e librit të tij, kështu që të gjitha zgjedhjet
u bënë prej tij. Libri i tij është më shumë rreth historisë dhe politikës, e
cila është temë e vështirë në Ballkanin
me histori kaq të trazuar. Kaluam nga Serbia përmes Kroacisë drejt
Bosnjës dhe vizituam shumë vende, të cilat nuk i kisha parë kurrë më parë.
Ishte projekt shumë i mirë dhe më ndihmoi të kuptoja më shumë rreth historisë
së Ballkanit.
Je shprehur se Shqipëria mund të shndërrohet në një
nga tërheqjet turistike më të preferuara të Evropës, pasi të fitojë betejën me
keqkuptimet dhe paragjykimet. Pse mendon kështu? Do të ndodhë për shkak të
progresit që po bën apo për shkak se njerëzit do të njohin bukuritë e saj
natyrore?
Para së gjithash,
njerëzit jashtë Shqipërisë kanë nevojë të kenë një imazh të saktë të asaj çka
është Shqipëria. Ashtu si thashë më lart, shumë nuk e njohin këtë vend ose nuk
kanë opinion të mirë rreth tij. Por, po
ndryshon. Edhe operatorët turistikë belgë
ofrojnë udhëtime drejt Shqipërisë këto kohë. Nuk ishte kështu para dy vitesh.
Njoh katër miq të mi që erdhën në Shqipëri, për shkak se kishin parë librin
tim. Unë vetë kam marrë një mik dhe të dashurën time në një prej udhëtimeve. Të
gjithë thonë të njëjtën gjë më pas: nuk e prisnin të ishte vend kaq i këndshëm
për të shkuar me pushime. Shqipëria ka
nevojë për më shumë ‘ambasadorë’ jashtë vendit,
të cilët do të rriten në vitet e ardhshëm. Përherë e më shumë ka turistë që eksplorojnë
Shqipërinë dhe reklama gojëtare është ende rruga më e mirë për të promovuar
diçka. Jam i sigurt se në pak vite, Shqipëria do të tërheqë më shumë turistë
sesa Greqia apo Kroacia.
Më trego rreth punëve të tjera! Si i përkufizon ato ?
Puna ime është
gjithmonë një lloj dokumentari rreth vendeve, njerëzve, kulturave të tjera. Jam
shumë kureshtar për mënyrat sesi të tjerët jetojnë, cilat janë zakonet dhe
traditat. Fotografia për mua është një rrugë për t’i zbuluar këto.
A ke projekte të tjera që lidhen me Shqipërinë?
Për momentin nuk kam
më projekte që lidhen me Shqipërinë. Por,
vazhdoj ta vizitoj vendin të paktën një herë në vit, për të takuar miqtë
dhe për të shijuar bukuritë.
A të ka ndryshuar mendimi rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve
me kalimin e kohës? Ç’mendon rreth njerëzve dhe vendit?
Që nga dita e parë që
vizitova Shqipërinë e deri në ditën e
fundit që kam qenë këtu, kam njohur njerëz të mrekullueshëm në një vend gjithaq
të mrekullueshëm. E vetmja gjë që shpresoj është që kjo të mos ndryshojë në të
ardhmen. Është mirë që vendi po kalon përmes një evolucioni të fortë për të
krijuar shanse të reja për shumë njerëz. Shpresoj që kjo nuk do të ndikojë
mikpritjen e njerëzve dhe ndershmërinë e
tyre. Për sa kohë që gjërat e këqija do të ndryshojnë për mirë dhe të mirat të mbesin ashtu, do të kthehem
çdo vit këtu. ( Botuar në Revista MAPO)
No comments:
Post a Comment