Në Panairin e 17 të Librit u vlerësua si
autori më i mirë i vitit 2014, me librin e tij me tregime“Histori
(e)skatologjike. Arben Dedja, mjeku kirurg që letërsinë e shkruan për pasion,
rrëfen jetën larg Shqipërisë dhe marrëdhënien që ka krijuar me gjuhën shqipe
duke bërë art me fjalët e larta...
Ndonëse në Shqipëri emri i tij është pak i njohur, kjo
për shkak se prej 1999-ës jeton dhe punon në Itali, Arben Dedja nuk është aq i
padëgjuar në botën e letrave sa ç’u krijua përshtypja kur çmimi “Autori i vitit
2014” nga juria e Panairit i shkoi pikërisht këtij shkrimtari. Nga Padova ku e
ka vendosur aktivitetin e tij, nuk boton vetëm artikuj mbi transplantet dhe
qelizat staminale. Sepse, pasi përfundon një ditë si mjek kirurg dhe kërkues
shkencor në Universitetin e Padovas, aty rreth mesnatës kur gjithçka qetohet Dedja
shfaq një dimension tjetër; shkrimtarin. Është autor i tre librave me poezi, të
shkruara në gjuhën italiane, ka sjellë disa shqipërime të Cavalcanti, Blake,
Saba, Holub apo Plath dhe ka botuar dy libra në prozë. I pari ishte vëllimi me
tregime “Amputime të zgjatura”, botuar në të dyja vendet, Shqipëri dhe Itali,
dhe i dyti, ai për të cilin edhe u vlerësua është “Histori (e)skatologjike”. Anëtarët
e jurisë e vlerësuan për prozën e ngjeshur, pikante, një stil tërheqës gati
magnetizues, gjuhë të rrjedhshme, si edhe një rrëfim i jetës së diktaturës
përmes një sensi të hollë humori. E quajtën arritje jo vetëm për autorin, por
edhe për prozën e shkurtër shqipe.
Pikërisht me këta dy elementë, me shqipen dhe të kaluarën,
ai ka ndërtuar dimensionin e prozatorit me të cilin i ofrohet lexuesit.
Gjuha shqipe, e cila thuajse nuk i shërben më për
qëllimin utilitar pasi për komunikim ka italishten, i vjen për të bërë art. “M’i
lejoni fjalët e larta për të bërë art”, - thotë Dedja.
E kaluara, sidomos ajo epokë e diktaturës komuniste i
vjen si aleate për të ndërtuar me të tregime që godasin. Janë rreth 13 tregime
me pak mjekësi brenda, me rrëfime fantastike, të shpikura, detaje personale.
Ajo që i bashkon është eskatologjia, fundi i një sistemi.
“Nga të gjitha format e artit, letërsia është ajo që ka
lidhjet më të forta me kujtesën. Shkrimtari duhet të ketë, siç i thonë, një
kujtesë prej elefanti”. Por në libërth, thotë autori, ka edhe tregime që
trajtojnë tranzicionin. Por në përgjithësi, gjithçka duhet të kalojë nëpër
filtrin magjik e ripërtëritës të kujtesës, ngulmon Dedja, si edhe në filtrin e
hollë e distilues të shqipes letrare që shkrimtari zgjedh të përdorë, edhe për
të bërë të pamundurat të mundura, si “Intervistat e pamundura” që po shkruan
aktualisht...
Si ndiheni pas marrjes së çmimit “Autori i vitit 2014”? A e prisnit një vlerësim
të tillë nga juria e Panairit të Librit ?
Ndihem mirë, sigurisht. Vetëm kur mbërrita në Tiranë
ditët e Panairit e mora vesh. Një e papritur e bukur.
A është kthyer shkrimtaria në profesion për ju? Apo është ende një pasion
që vjen pas punës si mjek kirurg?
Nuk është dot profesion, për sa kohë që nuk prodhon as të
ardhura minimale për të mbajtur veten dhe familjen.
Ju i keni sjellë publikut shqiptar dy vepra në prozë. Nga poezia në prozë, ishte
një kalim që tregon një stad tjetër në të shkruarin tuaj? Shprehni aty atë çka
nuk shprehni dot në vargje?
Patjetër. Tek njeriu përsëritet në miniaturë ajo çka
ndodh në histori. Poezia ka ekzistuar përpara prozës dhe për shekuj të tërë
njerëzimi shkroi vetëm vargje.
Ku dallon Dedja poet, nga Dedja prozator e mandej nga Dedja mjek?
Duke e semplifikuar: nga të gjitha artet, poezia është më
sintetikja. Proza e shkurtër që unë lëvroj, tregimi pra, është, thonë, forma
letrare që i rri më afër poezisë. Kurse mjekësia, aq më fort kirurgjia, janë e
kundërta: janë tejet analitike.
A jeni duke shkruar diçka të re aktualisht? Mes prozës dhe poezisë, ku jeni
më shumë vetja?
Poezinë, të paktën këtë timen të tanishme, nuk e shkruaj
unë, por shkruhet vetë, në kuptimin që buron vetiu qoftë në gjuhën shqipe,
qoftë tash së fundi në italisht. Kroi, në fakt, po shterron, se gjithnjë e më
rrallë kjo po ndodh. Kurse proza është një “përleshje” (e heshtur dhe e
sublimuar, sigurisht) me faqen e bardhë, që ndodh teksa jeta, hallet dhe të
tjera distracione të tërheqin për mënge. Po shkruaj disa “Intervista të
pamundura”. Në to një intervistues i edukuar, këmbëngulës, kurioz kërkon të
njohë sa më thellë e intimisht personazhe të historisë (dhe letërsisë) të
këtyre trojeve, rigorozisht të vdekur.
Jeni marrë gjatë edhe me përkthim. Si erdhi kalimi apo nevoja për të
shpalosur krijimtarinë tuaj? Kur e ndjetë se duhet të shkruanit diçka që
rridhte prej jush?
Dëshira dhe nevoja për t’u marrë me përkthim lindi gati
njëkohësisht me dëshirën dhe nevojën për të shkruar. Them “gati”, sepse i duhet
lënë kohë vetes për të mësuar gjuhë të huaja. Por zanafilla e gjithçkaje, siç
ndodh përherë, është në adoleshencë.
Jeni larguar prej vitit 1999 nga Shqipëria. A ka qenë të shkruarit një
formë për të mbajtur kontaktet me vendin?
Në fakt shkruaja që më parë. Le të themi që nuk kam
rreshtur kurrë. Për t’u mbajtur “në formë” lexoj shumë dhe, sidomos, përkthej
poezi nga italishtja, anglishtja, frengjishtja, latinishtja. Kështu jam i
detyruar të hap fjalorët, t’i qëmtoj fjalët dhe po i hape fjalorët pastaj,
kollaj të hutohesh e të bësh kapërcime, të logjikshme apo jo, nga një fjalë tek
tjetra, nga një terminologji tek tjetra.
Përveçse me krijimtari, a e keni vizituar shpesh Shqipërinë fizikisht?
Jo aq shpesh sa do të dëshiroja dhe sa distanca me
Italinë, ku banoj, të sugjeron.
A është të shkruarit edhe një mënyrë e mirë për të qenë në kontakt të
vazhdueshëm me gjuhën shqipe, për ta mbajtur të gjallë atë?
Mënyra më e mirë. Sepse gjuha e letërsisë, ç’është në
fund të fundit, nga ndryshon nga gjuha e përditshme? Ndryshon në atë që është
krejtësisht e zhveshur nga çdo tipar utilitar. Mua shqipja në mërgim nuk më
shërben aspak për të komunikuar, më the- të thashë, për këtë kam italishten. Por
vetëm m’i lejoni fjalët “e larta” për të bërë art.
Si e shihni Panairin e Librit, a është një mundësi e mirë për t’u
prezantuar nga afër me lexuesin? A i keni kushtuar ju vëmendje krijimit të një
emri në letrat shqipe? A e mendoni si të rëndësishme këtë?
Për mua, që vij nga jashtë dhe dal me tituj të rinj
relativisht rrallë, Panairi është një mundësi e shkëlqyer për ta prekur (flas
nga ana taktile) lexuesin. Sa i përket vëmendjes në krijimin e një emri, kjo
është diçka me të cilën nuk di (dhe nuk mund) të merrem. Kjo u takon (po e jap
në radhë dekreshente) kritikëve, gazetarëve, botuesve. Sigurisht, kësaj here
erdhi çmimi dhe pati njëfarë vizibiliteti. Por çudia më e madhe, a nuk zgjat
tri ditë? Patjetër që krijimi i një emri ka rëndësi sepse përligj atë komunion
me lexuesin, pa të cilin asnjë vepër arti nuk ka kuptim.
Libri juaj “Histori (e)skatologjike”, që ju dha dhe çmimin “Autori i Vitit”,
u vlerësua për rrëfimin e jetës së diktaturës përmes një sensi të hollë humori,
që i shoqëron personazhet në situatat groteske. Ju ndihmon distanca për ta parë
më qartë të shkuarën?
Më tepër sesa distanca në vetvete, më ndihmon vetmia që
ushqen kjo distancë. Jetoj pa kontakte me botën letrare dhe pa presione
gjithfarësh.
Pse zgjodhët epokën e diktaturës? Apo është ajo epokë ku ju e njihni më
mirë Shqipërinë? Si i ndiqni zhvillimet e fundit që prej ikjes suaj? A gjeni
material për të ngjizur një tjetër vepër?
Nga të gjitha format e artit, letërsia është ajo që ka
lidhjet më të forta me kujtesën. Shkrimtari duhet të ketë, siç i thonë, një
kujtesë prej elefanti. E cilat më fort se ngjarjet nga fëminia të mbresen në
tru? Në këtë libërth, ama, ka edhe tregime që trajtojnë tranzicionin. Por, në
përgjithësi, gjithçka duhet të kalojë nëpër filtrin magjik e ripërtëritës të
kujtesës. J
No comments:
Post a Comment