Pas premierës së
shumëpritur në kinematë e të gjithë botës të dy ditëve më parë, që i ndërpret
ngjarjet aty ku bëhen më interesante, fansat i kanë kthyer sytë nga libri, duke
shënuar rekorde të reja të librit më të shitur të të gjithë kohërave. Me gjithë
joshjen e paprecedentë por edhe kritikën e pamëshirshme, askush nuk di ta thotë
me saktësi se çfarë i nxiti lexuesit të marroseshin pas trilogjisë “50 hijet e
Greit”. Stili i të rrëfyerit?Historia e dashurisë apo erotizmi eksplicit? Të
gjitha bashkë apo asnjëra nga këto?
Mjaftoi
zhurmnaja e premierës së shumëpritur të filmit, e cila këtë javë po bën xhiron
me shpejtësi marramendëse nëpër kinematë e botës, duke nisur nga ajo e
Berlinit, ku u mbajt edicioni i 65-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, për
të vijuar me Londrën e për të mbërritur edhe në Shqipëri, që t’i bënte të
pasionuarit pas historisë së dashurisë dhe aventurave seksuale, (ndoshta
kureshtarët më të mëdhenj kanë qenë ata pas aventurave seksuale) së Anastasia
Still dhe Kristian Grei, t’i kthenin sytë nga libraritë, duke i shtuar edhe më
rekordet e bestsellerit që deri më tani i numëron 100 milionë kopje të shitura
në të gjithë botën. Filmi mbyllet pikërisht aty ku përfundon edhe libri i parë
i trilogjisë së autores britanike, E.L.James, e cila është edhe producente e
versionit kinematografik, një truk marketingu ky për të rritur edhe më shumë arkëtimet
e shkrimtares më të pasur në botë- me afro 100 milionë dollarë sipas revistës Forbes- për të tërhequr edhe njëherë
vëmendjen te libri. Me gjithë joshjen e paprecedentë por edhe kritikën e
pamëshirshme, askush nuk di ta thotë me saktësi se çfarë i nxiti lexuesit të
marroseshin pas trilogjisë “50 hijet e Greit”. Historia e dashurisë, e përshkruar
në vija të trasha, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ajo një studente e thjeshtë
21-vjeçare, e cila bie në dashuri me bukuroshin miliarder 27-vjeçar. Një fabul
e njohur alla-hirushe, me ndryshimin e vetëm ku seksi vjen i përshkruar
detajisht. Të ketë qenë ky i fundit që i bëri për vete atë masë qindra milionë
lexuesish? Fakt: Letërsia erotike ka ekzistuar përpara “50 hijeve...” madje
shumë më e fuqishme, më e detajuar, edhe kapërcyese e kufijve moralë, edhe në shoqëri
dhe epoka më të ndrydhura se ajo perëndimore e këtij shekulli. Ishte narracioni
i autores së panjohur që i mbajti të gjithë të ngërthyer faqe pas faqeje, duke
i gllabëruar të tre librat me uri të papërshkrueshme? Kritika e ka gjykuar me
nota jo shumë pozitive, duke e quajtur përsëritës, të shkruar keq, madje as
edhe seksi, duke e goditur edhe në pikën e fortë të tij. Trilogjia “50 hijet e
Greit” është një trill i lindur në moshën e internetit. Ajo që më 2009-ën, do të
niste si një fiction për fansat e website-it kushtuar serisë “Twilight” të autores Stephanie
Meyer, shumë shpejt do të shndërrohej bestsellerin që kishte shitur më shumë
kopje, në kohën më të shkurtër. Në thuajse tre vjet, qëkur shtëpia botuese
“Random House” nisi të botonte librat- gjë që i dha prestigj trilogjisë, e cila
ishte botuar nga një shtëpi e vogël australiane vetëm në version online, ata
shitën mbi 100 milionë kopje në të gjithë botën dhe rreth 45 milionë në ShBA. “45
milionë amerikanë nuk mund ta kenë krejt gabim”, - shprehej drejtori i Random
House, ndaj kritikave të librit. Libri ia kaluar në shitje edhe të gjithë
librave të “Harry Potter” të marrë së bashku. Në çdo një sekondë shiteshin dy
kopje të librin. Audienca, sigurisht ishin gra kryesisht në të tridhjetat,
dyzetat dhe pesëdhjetat, megjithatë një në tre njerëz që e blinin librin- të
paktën në ShBA ku ka edhe të dhëna statistikore të sakta për këtë libri blihej
edhe nga grupmosha 18-29. Që prej botimit të librit të parë, “50 hijet e Greit”
ka qenë frymëzim për industrinë, nga ajo e seksit, te e modës, ushqimeve dhe
pijeve... Fenomeni që e pati pikun në vitin 2012 ngjitet sërish në kurbë falë
filmit, i cili i ka tërhequr të gjitha hijet dhe nuancat e pëlqimeve dhe
mospëlqimeve te grija... Për aq kohë sa flitet dhe ç ‘është më e rëndësishmja
fitohet me të, gjithçka është mirë.
No comments:
Post a Comment