Monday, February 9, 2015

Për revolucionin që nuk erdhi kurrë




















I keni parasysh katër protagonistet e serialit të famshëm televiziv amerikan që rrëfejnë lirshëm për jetët e tyre seksuale?! Imagjinoni katër protagoniste shqiptare të cilat rrëfejnë jetët e tyre seksuale hapur, pa drojë, jo në Nju Jork, por në  një prej qyteteve shqiptare…E vështirë edhe  për t’i dhënë shfre imagjinatës secili prej nesh e di mirë raportin e shoqërisë sonë me seksualen.
Si është seksi I parë nga sytë e qytetit? – kur ky I fundit merr kuptimin e mendësisë kolektive. Mbi këtë marrëdhënie  të shqiptarëve me seksualen,  e bashkëkëndruar me traditat dhe  moralin e disa të ashtuquajtura vlera, sociologia dhe feministja Ermira Danaj sjell një analizë. Si studiuese, si grua dhe si pjesë e shoqërisë.


“Të gjithë kemi lindur  krijesa seksuale, falë Zotit, por është për të ardhur keq që sa shumë njerëz  e përçmojnë këtë dhuratë”, kështu do të shprehej ikona e bukurisë femërore dhe mishërimi i sensualitetit Marylin Monroe në të gjallë të saj. Ishte pikërisht koha e revolucionit seksual, e lëvizjes “çliruese”  nga vargonjtë e traditës të lidhura me seksualitetin dhe marrëdhëniet ndërpersonale,  që pushtoi maramendshëm botën perëndimore në vitet ’60. Seksi paramartesor dhe ai jashtë marrëdhënies heteroseksuale, nuditeti në publik, format alternative të seksualitetit apo ligjërimi i abortit…
E megjithatë kishte sërish njerëz sipas divës bionde që e përçmonin  atë që sipas saj duhej konsideruar dhuratë hyjnore.

Shumë  larg në kohë dhe hapësirë, në Shqipërinë e 2012-ës ky pohim mbetet ende në këmbë.
Revolucioni seksual as që i ka kaluar pranë. Trajtesa për ta çliruar disi mendimin e përgjithshëm  të shoqërisë shqiptare-  të mbrujtur me miell kanuni e traditash të vjetëruara  e majå  morali fetar- kanë qenë spore të humbura në ajrin e rëndë  të konservatorizmit.  
Edmond Tupja do të sillte fjalorin erotik, botimi i parë i të cilit nuk kaloi pa bërë bujë. Megjithëse tabutë e seksit ishin krisur disi, nuk mund të kalonin pa komentuar “fjalët e ndyra”. Dhe së fundmi Tupja provokoi sërish me librin 69 variacione për një temë erotike , një roman kryekëput erotik.
Në skenë, Altin Basha do të vinte “Monologjet e vaginës”, një vepër teatrale që prek çëhtje si seksi, dashuria, përdhunimi, masturbimi, orgazma e të tjera  shkaktoi mjaft debat.
Arian Çani në  “zonën e tij të lirë” – akuzohet shpesh për nuditetin, fjalorin eksplicit dhe temat e nxehta që trajton. E ftuar e fundit, një DJ topless do të shkaktonte debat televiziv, ku veç etikës mediatike dhe orareve të papërshtatshme në skenë dilte morali.
Fjalët që së shpejti do të realizohet një film pornografik me aktorë shqiptarë nuk mund të kalonte sërish si një lajm i zakonshëm.
Tirana e lëvrimit të artit erotik dhe shpërfaqjes padrojë  të sensualitetit edhe në rrugë, nuk mjafton  për ta shpenguar Shqipërinë e 20 viteve pluralizëm dhe kulturë demokratike nga stigmatizimi i seksuales, nga miti i virgjërisë dhe  i seksit në martesë, nga hedhja e gurëve kujtdo që e bën publike lirinë seksuale.
Fotografitë  erotike të një vajze ë re, pjesë e një reality shoW, skandalizuan  shoqërinë me gjasa puritane. Për aq kohë sa qëndron e fshehtë, gjithçka është në rregull. Kjo ka qenë kod jetese për shoqërinë shqiptare në shumë sfera të jetës. Gjithçka duhet  të qëndrojë brenda dyerve të shtëpisë…
U dënuan edhe komuniteti i homoseksualëve, lesbikeve dhe transgender, pse tentuan të bënin një akt publik për të shprehur seksualitetin e tyre.

….Para disa kohësh, kryetari i opozitës, Edi Rama përdori si kartolinë urimi për bashkëpunëtorët e tij një fotografi të Man Ray, që shpërfaqte  bukurinë trupore të një gruaje duke evokuar ngjashmërinë me harkimet e  violinës.
Ajo që ra  në sy ishte përdorimi politik që iu bë kësaj kartoline. Reagimi që I menjëhershëm. Dikush apo disa që flisnin në emër të shqiptarëve mbi një degjenerim, mbi refuzimin e pranimit të këtyre turpeve, pasi
nderi dhe morali janë vlerat e shqiptarëve…
Një reagim të ngjashëm ngjalli edhe fotografia e shumëfishuar dhe e shpërndarë si pamflet ku sërish Edi Rama shfaqej i zhveshur.
U fol për luftë politike, duke provokuar sërish mendësinë e shqiptarëve në traditat dhe vlerat morale. Pati nga ata që e dënuan, nga ata që e përkrahën dhe nga ata që lajmi I la të ftohtë.
Por pse shqiptarët reagojnë më fort se të tjerët kur bie fjala te seksualja, kur vihet në diskutim morali dhe nderi?

“Në një studim të para disa viteve mbi njohuritë e gjimnazistëve mbi sëmundjen e Sida-s, më bëri shumë përshtypje fakti se shumica, këto njohuri i merrte nga TV dhe a bisedat me shokët. Familja renditej nga fundi i burimeve të informacionit. Të flasësh për Sidën detyrimisht do të duhet të flasësh dhe për marrëdhëniet seksuale, dhe me sa duket kjo vazhdon të mbetet ende një temë e padashur për t’u diskutuar brenda familjeve”, tregon sociologia Ermira Danaj.
A duhet vazhduar ende me historitë e lejlekut për të evituar temën e sikletshme  të marrëdhënieve seksuale?!
Nga studime të tjera mbi shëndetin riprodhues është vënë re se për shumicën e të rinjve në Shqipëri- le ta hedhim vështrimin pak më tej se qendra e Tiranës- marrëdhënia e parë seksuale ndodh brenda martesës dhe gjithashtu se informacioni mbi seksin apo mjetet kontraceptive , janë shumë të pakta dhe ndryshojnë nga vendndodhja, arsimi dhe gjinia.

“Si shumë diskutime të tjera të munguara mbi vlerat dhe normat të shoqërisë sonë, është edhe ky mbi seksualitetin. Të mos i flasësh fëmijëve dhe adoleshentëve për marrëdhëniet seksuale nuk do të thotë se do e shmangësh takimin e tyre me to, përkundrazi do të thotë t’i lësh të papërgatitur dhe injorantë në lidhje me një nga aspektet më të rëndësishme të jetës së çdo individi”, vijon ajo.
Të mos harrojmë kontekstin kulturor dhe social të vendit tonë. A mund të themi se  nuk jetojmë në një shoqëri patriarkale? Jo! Në një vend ku gruaja vritet për tradhti apo vajza ekzekutohet se ka dalë mbrëmjeve me të dashurin, vetëm vend për liri seksuale nuk ka.
 Në zona të ndryshme të Shqipërisë, vajzat detyrohen të braktisin shkollën që 14-vjeç, kjo për të ruajtur nderin e paprekur deri ditën e martesës.  Vajza të tjera i nënshtrohen një ndërhyrjeje  kirurgjike “rivirgjërimi” për t’ia shitur burrit të ardhshëm.
“Në një shoqëri ku ka njerëz që mendojnë se vetëm burrat dhe djemtë kanë instinkte seksuale dhe ndaj u lejohet tradhtia, në të kundërt  vajzat dhe gratë na qenkan vetëm shpirtërore dhe aspekti seksual tek to është më pak i rëndësishëm, dhe ndaj tradhtia (nëpërmjet marrëdhënieve seksuale në këtë rast) e një gruaje qenka shumë më e dënueshme se sa e një burri”, si aktiviste e lëvizjes feministe në Shqipëri Ermira Danaj e vëren shpesh këtë fenomen tejet shqetësues.
I  gjithë ky kontekst kulturor i vendos dy gjinitë në pozicione të ndryshme, e cila pasqyrohet  nëpërmjet raportit me trupin dhe seksualitetin.
Marrëdhënia seksuale ende shihet   si një akt i pastër riprodhimi, dhe jo si një ndër elementët e komunikimit të një çifti.
Në Shtetet e Bashkuara, hippie-t e hodhën poshtë duke predikuar një kulturë të re; bukurinë e seksit si pjesë e jetës së zakonshme, të pagëzuar si “free love”. Seksi paramartesor i stigmatizuar, u bë I  gjtihëpranueshëm në Perëndimin e ’60-ës së artë.
Sipas të dhënave nga revolucioni seksual i atyre viteve në mes të viteve ’70 pjesa më e madhe e të sapomartuarve amerikanë kishin provuar seksin para martese.  Adoleshentët kërkonin të drejtën për të bërë seks me këdo kishin dëshirë ndërsa frekuentues plazhesh kërkuan të bënin banjë dielli të zhveshur, ndërsa gratë fituan të drejtën e ligjërimit të abortit dhe pilulat për kontrollin e shtatzënisë  e bënë seksin edhe më të lirë…

“Marrëdhënia e padashur ose më saktë e “turpshme” që ne kemi me seksin ngrihet mbi shumë faktorë, që kanë të bëjnë kryesisht me traditën, me faktin që martesat në përgjithësi nuk janë bërë mbi bazë ndjenjash- po ndalem tek martesa meqenëse sikurse e përmenda marrëdhëniet seksuale janë në shumicën e rasteve të lidhura ekskluzivisht me martesën-  por interesash të ndryshme, mbi moralin e pastër që publikisht, me ndonjë përjashtim të rrallë, e përjashtonte ose nënkuptonte me shumë zor seksin, mbi përdorimin e seksit si një mjet dominimi ndaj grave, ose si një akt riprodhimi, etj. Kjo marrëdhënie ka ndikuar detyrimisht edhe te marrëdhënia me sensualen, që në fakt mund të gjendet shumë mirë në art, në këngë popullore apo pak poezi”, vijon ajo.

A është i shtypur seksi apo liria për të folur hapur rreth tij?
“Diskutimi mbi seksualitetin, mbi rëndësinë që seksualiteti ka në jetën tonë, jo vetëm si akt riprodhimi por si një marrëdhenie me të tjerë, si një komunikim fizik që nga ana tjetër duhet të jetë dhe reciprok, mbi faktin që nuk mund të vazhdojmë të bëjmë gjasme e të mos flasim për këtë temë, se nuk i shpëtojmë dot, diskutimi mbi nevojën e edukatës seksuale duke filluar që nga familja, e më pas shkolla e media, etj, - të gjitha këto tema vazhdojnë të zënë ende shumë pak vend. Pak vend zë gjithashtu diskutimi mbi vlerat e shoqërisë tonë, ku të flasësh mbi seksin konsiderohet tabu, por ama të vrasësh nuk konsiderohet e tillë”, përfundon Ermira Danaj.

Si mund të ndryshojnë marrëdhëniet që shqiptarët kanë vendosur me seksualitetin? Deri kur do të vazhdojnë të jetojnë mite mbi ndershmërinë dhe moralin? Kur do të konsiderohet seksi si një akt personal ku njeriu mund të bëjë ç’dëshiron me trupin e tij?  Edhe sa do të bëhet seks me mendësinë kolektive dhe jo me privatësinë?

Padyshim që ka pasur ndryshime të mëdha në sjelljet shoqërore apo edhe institucionale që e rrethojnë seksualitetin qëkur Frojdi hapi dyert e dhomës së gjumit.  Por libidoja e famshme frojdiane është ende nën zgjedhat e traditave patriarkale. Seksualiteti përmes shekullit XX ka shkaktuar debat publik. 
Kombinimi mes protestave studentore, lëvizjeve subkulturore dhe përdorimin e kontraceptivëve  I thyen ato që konsideroheshin vlera morale e që në thelb ishin  burgosja  e kënaqësisë seksuale të gruas brenda mureve periferike të martesës heteroseksuale dhe rregullimi i seksualietit të mashkullit në publik. D.H Lawrence mund të kishte  tronditur në  vitin  1959 me librin e tij me përmbajtje të lartë erotike Lady Chaterley’s lover” për pavarësinë e seksuales jashtë martese, por  vetëm në vitet ’70 u pranua gjerësisht seksi jashtë martese për gratë.
Po në Shqipëri kur do të fryjnë erërat e revolucionit seksual?!








No comments:

Post a Comment