foto:Armand Sallabanda
Ndryshe nga Mbretëresha e borës së Andersenit, Elia
Zaharia është princesha e ëmbël e bardhësisë e që me rrëfimet e saj sjell
magjinë e ngrohtë të festave. Nga
nostalgjia e fëmijërisë me pakot me lodra, pambuku si flokë bore mbi
pemën e dekoruar me poçet ngjyra-ngjyra, te spektakli i fishekzjarrëve në
Kullën Eiffel e deri te festimet në mbrëmjen e ndërrimit të viteve që
organizohen në Oborrin Mbretëror...
Na ishte
njëherë, një djalë i vogël me emrin Kai dhe një vajzë e vogël me emrin Gerda.
Ata i kishin shtëpitë ngjitur dhe e donin shumë njëri-tjetrin . në verë ata
luanin në kopshtin me trëndafila, ndërsa kur vinte dimri uleshin pranë oxhakut
dhe dëgjonin gjyshen e Kait që u tregonte përrallën e Mbretëreshës së borës që fluturonte me slitën e saj dhe i mbulonte
fushat me borë dhe lumenjtë me akuj...
Në mëngjes kur ajri i ftohtë i skuqi hundën dhe bëri t’i
kalonin mornica në trup, buzëqeshi kur
kuptoi se i ishte kujtuar nga
kohët e ëmbla të fëmijërisë një prej përrallave të gjyshes, në ato netët e
acartë të fund dhjetorit, përpara festave ku ajo me të vëllain ia nisnin
fantazisë me drerët që fluturojnë dhe babagjyshit të ngarkuar plot dhurata. Aroma
e bredhit në oborr ia kishte ndezur edhe më kujtimet e atyre ditëve të bukura
ndërsa ajo pasi e kishte dekoruar cep më cep shtëpinë për festime do të nisej
drejt vendeve të ftohta, të mbuluar me akuj e borë, tamam si në ëndrrën
përrallë.
Por ndryshe nga
mbretëresha zemërakull e Andersenit, Elia Zaharia është princesha e ëmbël e bardhësisë
e që me rrëfimet e saj sjell magjinë e ngrohtë të festave. Nga nostalgjia e fëmijërisë me pakot me lodra,
pambuku si flokë bore mbi pemën e dekoruar me poçet ngjyra-ngjyra, te spektakli
i fishekzjarrëve në Kullën Eiffel e deri te festimet në mbrëmjen e ndërrimit të
viteve që organizohen në Oborrin Mbretëror.
Na çon në një
udhëtim tamam si nëpër përralla nëpër kështjellat e vjetra europiane ku princër
e princesha e trashëgimtare të fisnikërisë nëpër të gjithë botën mblidhen në ceremoni gala,
pastaj na sjell në realitetin e pasioneve të saj, teatrit e muzikës dhe punës
filantropike me fondacionin “Mbretëresha Geraldinë”.
Pastaj, kthehet edhe njëherë fëmijë e gëzon me çdo llambë, me
çdo bredh, dre, plak bore e
babagjysh që sheh nëpër vitrina. Mbyll
sytë dhe gjithçka rreth saj shndërrohet në magji, e mbuluar me bardhë sinë
e borës
që mbështjell tokën me paqe,
ndërsa njerëzit bëhen më të dashur për festa...
Meqë jemi në
atmosferën e festave, a mund të na
zbulosh sesi festohet në oborrin mbretëror?
Që nga dekori, shtrimi i tryezës, dhuratat që këmbehen...
Festa
fillon me zbukurimin e pemës se
Krishtlindjeve. Ndoshta ky është momenti me i bukur për mua. Dua t’i zgjedh vetë
të gjithë poçat, dritat, zbukurimet...
Bashkë me Princin dhe familjen time,
vëmë në sfond muzike dhe fillojmë “luftën”.
Çdo vendosje zbukurimi duhet të argumentohet. Yllin e fundit në majë, padyshim e vendos Princi, kjo nënkuptohet për
arsye të gjatësisë. Çdo vit marrim nga një peme natyrale që më pas
e mbjellim në kopsht.
Në
oborrin e Pallatit mbretëror veç
mbizotërimit të atmosferës së florinjtë që kanë krijuar gjethet e rëna të pemëve
vjeshtuke, nxjerrin kokë edhe bredhat me gjelbërim të ftohtë që kanë hedhur
shtat qysh se janë mbjellë atje, pasi
dekorit festiv i ka ardhur fundi . Zbukurimet festive në sallonin e pritjes, kështu i gjithë ambienti
gjallërohet. Aty brenda krijohet një përzierje stilesh mes
jehonës afrikane që të evokojnë mobilet antike prej druri cilësor të importuara
nga Afrika e Jugut ku familja mbretërore e Shqipërisë ka kaluar vite të gjata
dhe lëkura e një zebre të majme të vrarë në ndonjë nga seancat e gjuetisë së Mbretit
Leka në savanat pjellore dhe zbukurimeve
dimërore të festave.
Natën
e Krishtlindjeve përgatitet gjeli i detit dhe darka mbledh gjithë familjen
rreth tryezës. Ne të gjithë jemi amatorë të verës së kuqe, kështu edhe atë natë
nuk mund të mungojë . Ëmbëlsirat variojnë nga viti në vit, por përgjithësisht mbetemi
tradicionalë me kekun e Krishtlindjeve.
Pas
darkës fillon argëtimi me shkëmbimet e dhuratave. Unë vetë mendoj se jam ajo që
e vras mendjen më gjatë për
të gjetur dhuratat e përshtatshme. E nis
një muaj para. Nata e Vitit të Ri
kalohet ose në restorant me familjen dhe
një rreth të ngushte, po ashtu edhe ne shtëpi.
Pas fishekzjarrëve të orës 00:00 secili është zot i agjendës së tij.
Nëse kur akrepat
e orës ndërrojnë vite, të gjithë këmbejnë mesazhe urimi me celularë dhe çdo mjet tjetër teknologjik ,
Oborri Mbretëror duket i pacenuar nga epoka kibernetike i mbetur në epokat e
lavdishme të aristokracisë. Aty urimet
shkruhen me dorë në kartolina të zgjedhura ditë më parë. “Është traditë ende që
familjet mbretërore shkëmbejnë kartolina mes tyre”. E kësaj tradite ata nuk i
janë shmangur si një mënyrë e bukur për
t’i mbajtur miqësitë.
Miqësitë janë
shumë të rëndësishme edhe në ditë si këto, ku në Oborr Elia është mikpritësja e
festimeve. Një kod veshjeje i lajmëron të ftuarit më parë të vishen me smoking
alla agjent James Bond dhe zonjat e zonjushat me fustane të gjata e elegante,
të denja për një mbrëmje gala. Të ftuarit sjellin dhurata, i vendosin poshtë
pemës, dhe në kulmin e festimeve dhurata ndahen sipas një shorti. Më pas
vallëzimet e lojërat vijojnë deri në mëngjes...
I sati vit është
që e kalon Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në oborr?
Që prej vitit 2008. Edhe pse jetoja në Paris, për festat e fund vitit jam kthyer. Një
kujtim i vyer për mua mbetet festimi i
2010-ës. Mbreti Leka ndau me ne kujtimet e bukura të jetës së tij së bashku me Mbretëreshën Suzanë. Ai na tregonte
për festat e kaluara në familje që nga
fëmijëria, sesa e rëndësishme është të jesh pranë njerëzve që do. Atë vit
më dhuroi një palë vathë të cilat kishin
qenë të mamit të Lekës. Ishte
emocionuese pasi çdo gjë e saj mban peshën e kujtimit. Kishte shumë dashuri në atë dhurate. Një tjetër fakt
interesant është prezantimi i Princit me babin tim. Ndodhi pikërisht natën e
Vitit të Ri 2008.
Qëndrojmë te
festat. Si pjesë e aristokracisë shqiptare ju ftoheni shpesh
nëpër evente dhe festa të familjeve mbretërore e fisnike nga e gjithë bota. Çfarë të ka lënë mbresa nga këto
pritje?
Është
e vërtetë që jemi ftuar në pritje të ndryshme. Padyshim janë darka gala shumë të bukura, por aspak të tepruara. Ajo çka kam mësuar të vlerësoj
më shumë është sensi i masës në çdo drejtim. Secila nga Familjet Mbretërore që
organizon pritjet, shpërfaq me finesë elemente të traditës dhe kulturës së vendit të saj. Me bëjnë përshtypje miqësitë e ruajtura
dhe të kultivuara në breza. Kudo ku kemi shkuar, prindërit dhe gjyshërit
e Princit janë kujtuar me mall dhe dashuri. Për Shqipërinë ka shumë kuriozitet
dhe ne gjithmonë përpiqemi ta përfaqësojmë në mënyrën më dinjitoze.
Kohët e
fundit, keni qenë edhe në përvjetorin e
Romanovëve të Rusisë...
400
vjetori i Romanovëve ishte eventi i fundit i vitit që po lëmë pas. E gjithë Jalta ishte në festë dhe megjithëse Republikë , himni mbretëror u këndua
kudo zyrtarisht. Patjetër emocioni ishte
i madh pasi të gjithë e njohim fatin
tragjik të asaj familjeje. Por njerëzit
me kohë reflektojnë dhe çdo gjë shkon në
vend të vet. Ato ditë patëm shëtitje turistike të organizuara në
muze të ndryshëm. Ndërsa darka
gala ishte madhështore. Rreth tapetit të
kuq ku parakalonin të ftuarit, ishte rreshtuar garda e veshur me të bardha. Fillimisht u ulem në oborrin e Pallatit Mbretëror ku u mbajt një
koncert nga banda e qytetit dhe një shfaqje baleti. Më pas hymë në sallonin ku ishte shtruar darka. Çdo gjë ishte
në vendin e duhur.
E mban mend herën
e parë kur ke shkuar si e ftuar me Princ Lekën në një prej festave të
organizuara nga familjet mbretërore ?
Herën
e pare u ftuam si çift në Budapest.
Ishte një mbrëmje gala e organizuar nga familja Karoly e aristokracisë
hungareze. Sapo ishim fejuar ndaj kjo familje e lidhur nga lidhje gjaku me
familjen Appony nga ku rrjedh Mbretëresha Gardalinë, organizoi këtë event në nder të fejesës sonë. Shpirtërisht nuk isha e përgatitur
për një pritje aq të ngrohte. Disa prej tyre kujtonin ende me nostalgji dasmën
e Mbretit Zog ku kishin marrë pjesë si fëmijë.
Jam e lumtur pasi Princ Leka ka një familje të madhe dhe të mrekullueshme. Me përkëdhelën pak ç’ është
e vërteta...
Me shpejtësinë
më të madhe u ngrit platforma e
parketit, çadra e madhe që nxinte rreth
500 të ftuar, tavolinat e kuruara në çdo
detaj... një parukier dhe një grimier që u kujdesën për Elian, fotografi
profesional i dhuroi një set fotografish për ta përjetësuar atë mbrëmje ku Elia
po i ndjente prej vërteti llastimet prej princeshe.
E veshur dhe e
krehur tamam si një princeshë, bashkë me Princin Leka shijonte muzikën që vinte
nga violina shëtitëse nëpër platformë, spektakli i valleve tradicionale dhe
fishekzjarrëve që ngjyrosnin qiellin...
Tani
përpiquni të imagjinoni, një vajzë si unë
që behej pjesë e një realiteti të tillë pas pothuaj 10 vite studimesh dhe sakrificash.
Është pak të them që m’u duk një botë tjetër, e largët dhe përrallore...
Meqë dole te
përrallat me princër e princesha... A
është aq e vështirë sa duket nëpër filma të mësohesh me manierat e tyre: si
qëndron, si përshëndet, si ulesh në
tryezë...për të mos folur pastaj për qindra pirunët, lugët dhe gotat që kryejnë
funksione të ndryshme?
Në
fillim mund të ngatërrohesh pak, por kur
e humb fillin mjafton të ruash qetësinë, buzëqeshjen dhe...të shohësh të tjerët.
Patjetër që nuk mund te qëndrosh e
përkulur mbi bërryla, peceta duhet shtruar e palosur dhe vertikalisht përgjatë
këmbës, cepat e buzëve duhen fshirë njëkohësisht, thika duhet përdorur sa më pak të jetë
e mundur, madje në sallatë mundësisht të
evitohet etj, etj,. Unë kam gjetur një mbështetje të madhe te motra e Mbretëreshës
Gardalinë, znj.Sylviane Muselier, e cila në fillim më ka pajisur edhe me një manual rregullash të tavolinës. Kleçka është se çdo vend ka
protokollin e tij. Për shembull, në Suedi kur bëhet “Gëzuar!” nuk përplasen gotat,
por mbahet pranë vetes dhe duhet që secili të përshëndesë me buzëqeshje çdo pjesëtar të tavolinës.
Veshjet janë një
tjetër element, dhe shumë i rëndësishëm kur bie fjala te festat. Ti ia beson
ato një stilisteje, e cila përdor elementë të kostumeve tradicionale shqiptare.
Si re në kontakt me të dhe si i
realizon ajo veshjet për ty?
Kur
marr pjesë në ceremoni apo mbrëmje kam dëshirë të madhe të promovoj elementin kombëtar. Sidomos në ato jashtë vendit. Kam bashkëpunime me
stiliste të ndryshme. Për shembull, fustanin
e mbrëmjes në Suedi e krijoi Enada At’ Nikolla.
Ishte tërësisht i frymëzuar nga kostumet tona. Mund të them me modestinë më të madhe që u vlerësua nga e gjithë media e shkruar si
veshja me e bukur e mbrëmjes. Në Ukrainë
vesha një fustan të punuar nga Mirela Nurçe dhe xhaketën e
qëndisur nga Edlira Sula. Për mua, Edlira është
heroinë e trashëgimisë kulturore. Edlira punon kostume tradicionale me besnikëri
dhe fanatizëm ndaj origjinales. Në atelienë
e saj gjen kostume nga të gjitha
krahinat e Shqipërisë, të vjetra e të reja.
Të vjetrat i riparon me përkushtim
dhe dashuri. Përpiqet me mish e me
shpirt që tradita të mos humbasë dhe që rinia ta vlerësojë këtë thesar të çmuar. Kjo është
lufta e saj, por edhe e imja. Jam e bindur se pasuria e këtyre veshjeve është e
pakohë madje do të thosha është edhe shumë moderne. Jelekët apo xhaketat e qëndisura me fije ari
do zbukuronin çdo fustan mbrëmjeje apo kokteji. Për të mos thënë që unë i
aplikoj edhe me pantallona, pasi janë tepër shik.
Edhe në dasmën e Princit të Egjiptit me Princeshën e Afganistanit Elia
mbante veshur një xhaketë kadife bordo të
qëndisur mbi fustanin e mbrëmjes me
elementë tradicionalë të Korçës, që
bashkë me atelienë e Edlirës u bënë emrat më të lakuar të mbrëmjes,
ndërsa Princesha shqiptare nuk mund ta fshihte krenarinë se kishte goditur në
shenjë. Nuk kishte gëzim më të madh kur dëgjonte nga familje mbretërore se qëndismat mbi kadife ishin shenja më e
lartë e shprehjes së aristokracisë.
Ia ke
imponuar stilin tënd titullit të princeshës apo ka qenë titulli që ka
ndikuar në stilin tënd personal?
Nëse
ju tregoj fotot e mëparshme do shihni që
ruaj të njëjtin stil. Gjithmonë më ka pëlqyer thjeshtësia dhe eleganca në veshje dhe aksesorë . Kurrë nuk kam qenë e prirur drejt ekstravagancës, pasi nuk mendoj
se më shkon. Ndërsa në jetën e
përditshme kam qenë dhe jam tepër sportive. Nuk ka arsye në botë të
më bindë të sakrifikoj komoditetin e atleteve përpara
elegancës së takave. Ka vetëm një
element të shtuar ne gardërobën time
vitet e fundit: ndonjë kostum pranveror tek-tuk. Por ndodh rrallë t’i përdor. Ndaj, kur i zgjedh mendohem mirë.
Ti vazhdon jetën
aktive profesionale si aktore. A të krijon pengesa me jetën në Oborr? E mendon veten si një Grace Kelly...?
Nuk
ka ndodhur dhe nuk ka pse të ndodhë ndonjë pengesë. Jam njohur me të fejuarin tim ndërkohë që studioja dhe punoja si aktore. Ai ka ardhur në
premierat e mia në Paris. Ky status ndoshta kërkon kujdes më të madh
në seleksionimin e pjesëve, në seriozitetin e projekteve, por në asnjë
moment nuk bie ndesh me aktrimin si profesion. Padyshim nuk jam rasti unikal.
Jo vetëm Grace Kelly, por edhe princesha Clotilde e Savojës ushtron profesionin
e aktores. Por nuk jam natyrë që bëj
krahasime, ndaj nuk identifikohem me asnjë personazh.
Nëse Princesha e
hirshme e Monakos, ikona e bukurisë dhe ekranit , Grace Kelly hoqi dorë nga
profesioni për të jetuar si sovrania e shtetit krah bashkëshortit të saj, Elia
thotë se nuk do të heqë dorë kurrë nga pasionet, edhe sikur të ishte rast i
paprecedentë në historinë e familjeve
mbretërore.
Aktualisht ke
një rol në “Ëndrra e një nate mesvere” , pjesë e cila rikthehet sërish në janar
të 2014-ës. Si erdhi ky rol?
Mund
të them se jam me fat që u bëra pjesë e projektit.
Regjisori solli një botëkuptim tjetër, një eksperience të tijen dhe një njohje të thellë të veprave të Shekspirit. Ka punuar pareshtur me veprat e këtij autori. U synua krijimi i atmosferës dhe jo ilustrimi i
skenografisë. Kjo i dha shumë hapësire
trupës për të shpërfaqur edhe dimensionin fizik të karaktereve. Është pjesë magjike, festë teatrale, për atmosferën që krijon, për larminë e karaktereve, për
përrallen mbi të cilën është ndërtuar.
Publiku ndihet pjesë, përfshihet dhe kur mbaron duket sikur dalin nga një
festim dhe jo nga salla e teatrit. Për ne si aktorë, barometri është publiku dhe energjia e dhënë
na është rikthyer nëpërmjet duartrokitjeve. Publiku e ka pritur me entuziazëm
dhe jam e bindur që do ta mirëpresë deri
në shfaqjen e fundit.
Projekte të
afërta që lidhen me teatrin?
Kam
disa projekte, ose më mirë disa dëshira që mund të bëhen realitet i afërt. Por çdo gjë varet nga
mundësia që do u i jepet, pasi
fatkeqësisht teatri nuk varet vetëm nga dashuria e artistëve. Jam kurioze të shoh cilat do të jenë politikat e reja teatrale që do të ndiqen, pasi këto dite janë të mbushura me
debate dhe ide që burojnë nga të gjitha anët. Uroj shumë që kultura të shihet me prioritet, pasi kam bindjen se është frymëmarrja e një shoqërie.
Me gjithë
vështirësitë e mëdha që haset veçanërisht në Teatër, pse vazhdon ta bësh këtë
punë?
Ç
‘është e vërteta, kur i kam hyrë rrugës
së artit nuk kam ëndërruar pasurinë apo
famën. Këto janë finalitete. Ajo çka më
intereson është procesi. E nisa
rrugën aktoriale në moshën 19 vjeçare, kur interpretova në filmin
“Lule të kuqe, lule të zeza”. Ishte kënaqësi e papërshkrueshme dhe sot e kujtoj
me shumë nostalgji. Pak kohë
më pas u nisa për studime dhe iu
dedikova për 9 vite të gjatë e plot
sakrifica këtij pasioni. Teatri u bë
shoku im më i mirë, u bë familja
ime e vetme atje.
Nëse do e
kërkoje Elian kur jetonte në Paris, pasi kishte mbaruar orët e gjatë në
auditorë e gjeje me siguri në bibliotekë, te biblioteka e pasur teatrale. Duhej
t’i vinte ndonjë nga stafi për ta kujtuar se kishte ardhur koha për ta mbyllur.
Me siguri po ta lije brenda nuk kishte për ta kuptuar. Duke kaluar orë e orë
veç leximit shpesh i vinte e natyrshme edhe t’i përkthente në gjuhën shqipe.
Nëse ata që ëndërrojnë të jetojnë në Paris do kërkonin ku ishin vendet më të spikatur për argëtim,
Elian e gjeje ose në bibliotekë ose me miqtë në teatrot e Parisit ku biletat
për studentët e Teatrit ose ishin falas ose me çmime shumë të mira. Nëse do të përshkruanit me imagjinatë një
grup artistësh bohemë që kënaqen me pak para, aty do të shihje dhe Elian.
Sot
kur marr në dorë një pjesë
teatri dhe e lexoj, nuk përfytyroj duartrokitjet e publikut, por ato
ndjesi zgjon brenda meje. Ky profesion është absolutisht më i bukuri në
botë! Të shërben si pasqyrë për të parë
thellë brenda shpirtit dhe
fantazisë. Një mënyrë pasionante për të hulumtuar dhe njohur veten, për t’i dhënë
këndvështrime të reja jetës, për të pasuruar edhe gjerat në dukje banale. Këto janë motivi im, e vërteta
ime!
A do ta lije
teatrin për diçka tjetër ?
Teatrin
nuk do mund ta ndërroja me asnjë profesion tjetër në botë. Por mos harro që teatri është
fushë e gjere që përfshin shume disiplina. Jam gjithnjë
në tundim. Më pëlqen të luaj më shumë
se çdo gjë, por njeriu evoluon ne mënyra të ndryshme dhe asgjë nuk më siguron se nesër nuk do më lindë
dëshira për të venë pjesë në
skenë, apo për të dhënë në fushën
e kritikës teatrale. Një kënaqësi të veçantë pata edhe në dhënien e lëndës së mjeshtërisë së aktorit në shkollën
Marubi. Jam rritur me këtë dashuri ndaj nuk mund ta kuptoj jetën larg teatrit.
Veç teatrit muzika
është një tjetër element i yti si artiste, megjithëse je shkëputur prej disa
vite. A ke në plan të rikthehesh me diçka të re?
Muzikën
e dua pafundësisht! Është pjesë e jetës
sime, çdo moment ka muzikën e tij. Prej kohesh jam shkëputur nga skena muzikore,
por kjo nuk më ndalon të jetoj me muzikën. Kam disa ide për një material të ri, thjesht
për kënaqësinë time dhe të atyre që e gjejnë veten në stilin tim. Për fat, nuk kam asnjë ambicie për të hyrë
në këtë treg, ndaj nuk jam peng i
asgjëje, nuk mbetem e kushtëzuar nga trendet e kohës. Për mua muzika është pa
kohë, një këngë e bukur do jetë gjithmonë e bukur. Vështirësia qëndron
pikërisht në gjetjen e bashkë krijuesve që i shohin gjërat kështu. Në Francë ishte e thjeshtë të kërkojë
brenda vetes dhe të
përfaqësoheshe me diçka që
të ngjan, që flet gjuhen tënde...
I fundmit
realizim i Elias mban kohën e 31 Tetorit. Jo të këtij viti, as të 2007-ës kur
doli kënga bashkë me videoklipin në kanalet shqiptare, por është titulli i
këngës “October 31”, një këngë dhe video e stilit gotik me të cilën Elia pati
shumë sukses. Edhe pse vetë nuk e shijoi siç duhet, pasi e gjithë jehona që
pati këtu ishte pak e vështirë për t’i mbërritur deri në Paris. “Unë jam kthyer
në 2008-ën dhe nuk e di se çfarë u bë me këngën. Por bashkë me djemtë që
realizuam videoklipin , kemi investuar dashuri dhe përkujdesje për të gjithë përbërësit”.
Nuk e fsheh që
ka shumë dëshirë të rikthehet me një material të ri muzikor, një këngë në
festival a një videoklip i ri, këtë nuk e ka të qartë ende, por duket se po
zien në kokë diçka që do e risjellë edhe njëherë ashtu siç e kemi njohur në
fillim, Elian këngëtare.
Veç jetës profesionale, ti je angazhuar fort me fondacionin “
Mbreteresha Geraldinë”. Si e krijove
këtë fondacion?
Ky
fondacion erdhi si rezultat i një reflektimi të gjatë . Mendoj se një status i veçantë përveç
pjesës glamour që njerëzit i veshin,
mbart një tjetër dimension, që për mua
është më kuptimploti. Familja Mbretërore
ia ka dedikuar jetën popullit shqiptar, në kohën e mbretërimit si edhe atë të ekzilit. Mbretëresha Geraldinë është
simboli i dashurisë dhe sakrificës për këtë vend që e mori me vete në zemër dhe aty e mbajti deri sa dha frymë. Nuk
është rastësi qe ky fondacion mban emrin e saj.
Cili është misioni dhe çfarë projektesh keni
realizuar dhe prisni të realizoni?
Misioni
i tij është bamirës me një fushe mjaft të gjerë veprimi. Ne fokus janë fëmijët, shkollat,
spitalet, etj. Si fillim kemi prioritet rrethin e Matit, pasi kam bindjen se është
zona më e harruar e këtij
gjysmëshekulli. Pati fatin të lindte një
Mbret që ndërtoi shtetin modern
shqiptar, dhe për këtë pagoi dhe vazhdon të paguajë shtrenjtë. Deri sot kemi realizuar
restaurimin e plotë të shkollës Gjalish të Matit me ndihmën e z. Admir Mulaj, të cilin
nuk do ta falënderoj kurrë sa duhet, gjithashtu edhe pajisjen me sallë
informatike te shkollës së ciklit të ulë
dhe të mesëm në Lis. Momentalisht ka filluar zbatimi i projektit të rrethimit
ne shkollën 9 vjeçare të fshatit Zenisht. Për shkak të mungesës së këtij
rrethimi, dy fëmijë janë aksidentuar, pasi shkolla gjendet në buzë të rrugës
automobilistike. Ky projekt bëhet i mundur falë mbështetjes së ambasadës së
Kuvajtit dhe veçanërisht dashamirësisë së ambasadorit, z. Najeeb A. Al-Bader, i
cili i është gjendur pranë këtij komuniteti edhe më parë me ndihma dhe dhurata. Jam e lumtur që vendet mike të Shqipërisë solidarizohen gjithmonë e më shumë
me jetën dhe problematikat e
komuniteteve në nevojë.
Çfarë kënaqësie
merr nga kjo punë ?
Nëpërmjet
fondacionit Mbretëresha Geraldinë, unë investoj të gjithë energjinë time në shërbim të
komuniteteve në nevojë. Dhe ju
premtoj që merrem personalisht me çdo
projekt, e shoh në çdo detaj dhe nuk e
jetoj aspak ne mënyrë pasive mundësinë që
më është dhënë. Në Gjalish, sakrifica që bënin ata fëmijë të
vegjël për të shkuar në shkollë,
kushtet në të cilat zhvillonin mësimin të
bëjnë të relativizosh jetën tënde,
t’i shohësh problemet e përditshme me sy krejt tjetër. Këto realitete kthehen në motiv për të
luftuar, për të qenë sa më pranë nevojave të tyre, dhe mendoj që në fund fare të bëjnë njeri prej vërteti.
Kur flet e kupton sesa e ka rrëmbyer të gjithën ky projekt i ri. I ka vizituar
vetë dhe i ka parë më sy të gjithë ata fshatra, sesi fëmijët mbyllen në klasa
të një ndërtese të rrënuar, me mure pa suva, me banka edhe pa karrige dhe në rastin më të mirë çatia pikon, në rastin
më të keq shihet qielli. Duken si peizazhe migjeniane, por Elia thotë se kështu
ka qenë gjendja e vërtetë. Ndërsa tani gëzon edhe më shumë se ata fëmijë kur e
ka parë shkollën e rindërtuar. Tregon edhe për fshatin e prejardhjes së Mbretit
Zog sesi banorët torturohen ende për ujë dhe u duhet ta mbushin larg, si një
zonë që duket e persekutuar. “Është viti
2013 dhe po të kalosh rrethinat e Tiranës e sheh vërtet gjendjen e mjerueshme
të shumë njerëzve. Jam e lumtur që kam mundur të ndihmoj sado pak”- thotë ajo
ndërsa sytë i shkëlqejnë dashamirësi.
A është vështirë
të gjesh personat e duhur për të ndihmuar?
Mësuesit
e shkollës Gjalish më thanë se nuk e mendonin kurrë se do e mbanim fjalën pasi
kur e kishim vizituar shkollën për herë të parë
ishte kohë fushate. Më shtrëngon zemra, pasi kjo metodë ka filluar të
bëhet normale, dhe kur ndodh ndryshe njerëzit
habiten, dyshojnë. Duhet të ishte e kundërta, pa shantazh me të drejtat elementare të njeriut. Nuk mund t’i përgjithësoj bizneset dhe
solidaritetin që manifestojnë lidhur me komunitetet në nevojë. Pata fatin që
Zoti më drejtoi në dyert e Admirit, i cili pasi u njoh me situatën dhe pasi pa
fotot e klasave që vetëm klasa nuk mund të quheshin, nuk hezitoi. Do doja që të
gjithë ata që kanë fëmijët në shkolla të
mira të mendonin pak edhe për fëmijët që
mësojnë në skamje. Biznesi padyshim mund të bëjë shumë më tepër në këtë
drejtim. Ajo që kemi nevojë është më shumë dashuri dhe solidaritet me njëri-tjetrin.
Rikthehemi te festat. E sjell ndonjëherë ndërmend atmosferën
kur ishe fëmijë? Cili është
kujtimi yt më i bukur nga festat e fundvitit?
Përgjithësisht
fëmijët i shijojnë festat më bukur. Edhe
unë nuk bë j përjashtim. Në kujtimet e mia janë ende të gjalla ndjesitë e
fëmijërisë. Aroma e bredhit, copat e pambukut mbi të, lodrat dhe poçet që i ruanim si sytë e ballit. Vargun e dritave
vit për vit ma fabrikonte xhaxhai im Lani, duke i lyer poçet ngjyra- ngjyra.
Gjyshet e mia përgatisnin bakllavanë duke hapur petat ne çdo kënd të kuzhinës.
Darka mblidhte rreth vetes të gjithë familjen, me xhaxhallarë, teze e daja. Këndoheshin këngë, i bihej kitarës…Unë me vëllain tim e
mbanim mendjen gjithë natën te Plaku i Vitit të Ri. Të them të drejtën e kam besuar deri vonë dhe ndonjëherë dua ta besoj sërish. Ai na i
vinte pakot poshtë krevatit dhe ne mëngjes zgjoheshim të parët për të zbuluar dhuratat. Kam shumë kujtime edhe nga festat e organizuara në Teatrin Kombëtar. Të gjithë fëmijët e aktorëve mblidheshim në një
super festë dhe na shpërndaheshin dhurata. Mbaj mend një here që qava me lot se
doja të më binte në pako një violinë, por më ra një daulle.
Po në Paris
gjatë viteve të studimit si e festoje ? Çfarë magjie marrin festat në qytetin e
dashurisë?
Në
Paris kam festuar më pak, pasi isha larg
familjes dhe të gjithë miqtë e mi
ktheheshin në shtëpitë e tyre. Në të shumtën
e rasteve edhe unë jam kthyer për festa, por ndonjëherë më duhej të punoja. Magjia e festave në Paris janë fishekzjarrët
në Kullën Eiffel. Është një
spektakël që duhet parë të paktën
një herë në jetë. Edhe atmosfera festive
në bulevardin Champs Elysées dhe çdo
shesh e qendër e qytetit të bëjnë
pjesë të tij. Parisi është vend që të fal
shumë. Ka një atmosferë të ngrohtë dhe çdokush në atë vend ndihet në shtëpi. Siç thotë edhe kënga
: « J’ai deux amours, mon pays et Paris, par eux toujours, mon cœur est ravi …»
Kam dy dashuri, vendin tim dhe Parisin,
mes tyre përherë, zemra ime është e lumtur.
E ka lënë pas
nostalgjinë dhe magjinë e Parisit dhe po shijon dashurinë e Tiranës, sidomos në këto ditë festash ku i
duket se është kthyer edhe njëherë fëmijë e gëzon me çdo llambë, me çdo bredh,
dre, plak bore e babagjysh që sheh nëpër vitrina. Mbyll sytë dhe
gjithçka rreth saj shndërrohet në magji...
No comments:
Post a Comment