Asaj bërthamore. Gjatë misioneve të inspektimit të minierave me uranium dhe centraleve atomike për llogari të agjencisë ndërkombëtare të energjisë atomike, mes mrekullive të kontinentit të zi. Fizikani bërthamor, Përparim Fuga shkon më tutje, duke e zbuluar Afrikën përtej detyrës; në aventurën përmes një vendi të pazbutur, natyrës kryeneçe dhe të epërme larg qytetërimit. Atë, që ai do ta quajë një përvojë që ndodh një herë në jetë.
Di një këngë për Afrikën, për gjirafat dhe hënën e re që shtrihet mbi shpinën e saj, për plugjet në fusha dhe fytyrat me djersë të mbledhësve të kafesë. A di Afrika një këngë për mua?! A mundet ajri mbi rrafshina të dridhet me ngjyrën që kam veshur apo fëmijët të shpikin një lojë në të cilën shfaqet emri im apo hëna e plotë do të hedhë hije mbi zallin e rruginës, që ishte si unë apo do të munden shqiponjat e kodrave Ngong të më kërkojnë?... këto vargje poetike të shkëputura nga memoari “Që nga brenda Afrikës” nga baronesha daneze Karen von Blixen të shkruara më 1937-ën, të cilat rrëfejnë të shtatëmbëdhjetë vitet kur autorja e bëri Kenian shtëpinë e saj e të portretizuara me mjeshtëri në filmin homonim nga aktorja hollivudiane Meryl Streep, duket se e bëjnë rregull të pashkruar trallisjen me këtë kontinent.
Thonë, nëse ke shkelur njëherë këmbë në Afrikë,
përfundon i dashuruar përgjithmonë me të. Ndoshta për mrekullinë e natyrës së ruajtur
të pacenuar prej krijimit, –për ata që besojnë në një dorë krijuesi- egërsisë joshëse
të tokave të shkelura vetëm nga putrat e mbretërve të xhunglës, ndoshta për kohën
që, nëse nuk ndalet, të paktën ka luksin të jetë më dembele se kudo, për fushat
me gjelbërim të përhershëm, malet si viganë legjendash, ujëvarat e pashtershme apo
pyjet e dendur me bimësi, fiset vendase me tradita, zakone e gjuhë të larmishme.
Një shpërfaqje ngjyrash dhe kulturash....
Thuajse me të njëjtën nostalgji dhe emocion e përshkruan
edhe Përparim Fuga aventurën e tij afrikane disa vite më pas. Një vend që duket
se ka një thirrje të brendshme për t’iu kthyer e rikthyer gjithmonë. Megjithëse
qëllimet e vizitave të tij nuk ishin ato klasiket e aventurave eksploruese të natyrës,
ekspedita gjuetie apo turizëm kulturor, ai e mori shijen e vërtetë të Afrikës nga
bukuria e pacenuar e natyrës, deri te qytetet e zhvilluara e moderne të Afrikës
së Jugut. “E kam vizituar shtatë herë Kongon dhe nëse i mbledh bashkë të gjitha
ditët e qëndrimit tim në Afrikën e Jugut, më bëhen më shumë se një vit” –tregon
Përparim Fuga, fizikani bërthamor, i cili e shkeli tokën afrikane për të parën herë
në vitin 2003.
Pas aplikimit që i rezultoi i suksesshëm, nisi
punë si ekspert i IAEA-s; Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, me seli
në Vjenë. E caktuan të punonte në Departamentin e Garancive Bërthamore, në Seksionin
e Dytë të Divizionit Operativ B, i cili e ushtronte aktivitetin në disa shtete që
në zhargon kolegët i quanin mes tyre si “patate e nxehtë”. Ky Divizion monitoron
zbatimin e traktateve ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore në një
zonë shumë të gjerë, në tërë kontinentin Amerikan, atë Afrikan, në Lindjen e Mesme
si edhe në disa shtete në Azi si India e Pakistani, kurse vetë Seksioni i Dytë fokusohej
kryesisht në vendet e Afrikës dhe të Lindjes së Mesme.
“Përpara se të niseshim me mision përgatiteshim
me seriozitet, kujdeseshim për çdo detaj.
Së pari, në planin profesional duhej njohje e mirë e detyrës me të cilën
do përballeshim, gjithashtu dhe për metodat dhe teknikat e instrumentet që do të
përdornim në terren. Rëndësi i kushtonim
edhe njohjes së vendit ku do ushtronim detyrën, madje edhe hollësive mbi zhvillimet
më të fundit politike e ekonomike, gjeografinë, klimën, kulturën, zakonet, traditat,
besimet fetare, e detaje të tjera të kësaj natyre. Njihesha me botimet shkencore
të studiuesve vendas në fushën e energjisë bërthamore, aktivitetin e tyre shkencor,
madje edhe me shkrime të gazetarëve që vizitonin terrenin, emisionet televizive
mbi atë vend si dhe çdo informacion tjetër të hollësishëm për zhvillimet më të fundit
atje” – zbulon Përparim Fuga.
Gjatë viteve të punës në IAEA, veç Afrikës së Jugut
dhe Iranit ku kalonte shumë ditë të vitit, duke inspektuar instalimet bërthamore,
Fuga shton se ka pasur rast të udhëtojë shpesh edhe në vende të tjera të Afrikës
së Veriut, asaj Qendrore, në Lindjen e Mesme. Janë të shumta kujtimet, të shumtë
edhe episodet gjatë punës, sikurse edhe miqtë e kolegët nga këto vende, me të cilët
ka ndarë plot aventura afrikane.
“Për nga rëndësia, udhëtimet në Iran ishin të veçanta,
por dy nga shtetet afrikane: Afrika e Jugut dhe Republika Demokratike e Kongos më
kanë lënë mbresa të veçanta”. Në Afrikën e Jugut e zuri fill shërbimin si ekspert
i IAEA-s dhe u kthye e rikthye aq shpesh saqë kolegët vendas i thanë se i kishte
plotësuar kështu kushtet për të kërkuar nënshtetësinë afrikanojugore.
“Udhëtimi i parë, misioni im i parë në Afrikë ishte,
mund të them, më i vështiri për shkak të stresit me të cilin nisi. Ndodhi pak pasi
kisha nisur punën në Vjenë. Drejtuesi i sektorit ku bëja pjesë më thotë që të nesërmen
do të nisesha drejt Cape Town-it. Pyetja
e parë që më shpëtoi në mënyrë të pavullnetshme ishte: Me kë tjetër?! Vetëm, ishte
përgjigja e thatë dhe e prerë”. I vetmi informacion që kishte vjedhur nga bisedat
me kolegët ishte se Afrika e Jugut lakmohej nga shumica e ekspertëve dhe ata shkonin
me shumë dëshirë sa herë i caktohej një mision atje.
Afrika e Jugut është ndoshta shteti më i zhvilluar
në kontinentin afrikan, ku duken qartë gjurmët e qeverisjes britanike, me industri
e mjekësi shumë të zhvilluar, me një infrastrukturë moderne të rrugëve, të sistemeve
të telekomunikimit, të aeroporteve gjigantë dhe bulevardeve të gjerë e plot gjelbërim,
ku gëlonin makinat e çdo lloji, në shumicën e tyre me vetëm një pasagjer. Padyshim,
një vend i begatë dhe i zhvilluar.
Inspektimet e Seksionit të Dytë, për shkak të karakteristikave
të zonës ku operohej, kryheshin nga ekipe me së paku dy vetë në grup, pasi jo vetëm
përgjegjësia profesionale por edhe rreziku gjatë misionit ishte gjithaq serioz.
“Nuk e di se përse në atë mision do të nisesha
vetëm! Ishte hera e parë në Afrikë për mua, hera e parë në një central atomik, hera
e parë që do më duhej madje të ngisja makinën duke lëvizur në një krah tjetër me
atë që lëvizim në Europë. Ishte sfidë në shumë drejtime. Mbase, ishte një provë,
ku “notin” duhet ta mësoja i vetëm, në det dhe jo në një pishinë, i rrethuar me
instruktorë e pajisje shpëtimi”.
Pas një
udhëtimi 16 orësh mbërriti në destinacion. Teksa avioni
përgatitej për ulje mund të shquhej qyteti i Cape Town-it, buzë dy oqeaneve, nën këmbët e Lions Head dhe pllajës së lartë Table
Bay.“Rrugës, nga aeroporti për në qytet, përmes autostradës së gjerë, godinave
shumëkatëshe dhe vilave të bukura me gjelbërim, syri të zinte edhe bidonvilet e
famshme afrikane. Modernia, e bukura, rregulli e hijeshia vinte me një
përzierje surreale me kaotiken, rrezikun,
varfërinë, njerëzit e emigruar nga gjithë Afrika në kërkim të një jete më të mirë”.Cape Town-i ishte një perlë në buzët e oqeanit Atlantik
dhe Indian, me portin përballë ishullit të famshëm Robin, ku Nelson Mandela, kaloi
vite të tëra të burgimit.
“Ende sot mbaj si kujtime të bukura vizitën në
Pikën e Kepit, skajin më jugor të kontinentit afrikan dhe Gjirin i Shpresës, disa
kilometra më tej, aq të famshëm nga kujtimet e marinarëve në ekspeditat e hershme
eksploruese”- vijon të rrëfejë profesor Fuga duke mos harruar të përshkruajë plantacionet
me vreshta, kantinat e verës, tregjet me prodhime artizanale e plot bukuri që “rrallë
e tek të bie t’i kundrosh tjetërkund” –thotë ai. Një pjesë të asaj bukurie e ka
marrë me vete në Tiranë, si maskat, statujëzat e punuara me dorë apo fotografi të panumërta që i kanë përjetësuar
kujtimet.
Natyra vëzhguese dhe udhëtimet e shpeshta ia mprehën
shqisat aq shumë saqë ai është në gjendje të dallojë qartë ndryshimet mes shteteve
e nga kush janë qeverisur në kohën e kolonializmit. “Vendet nën qeverisjen britanike
dalloheshin për rregullin në shumë aspekte, infrastrukturën shembullore; ndryshe
ishte për vendet dikur koloni të Belgjikës, Italisë, Portugalisë, Francës, apo ndonjë
vendi tjetër”.
Megjithë mahnitjen dhe dëshirën për të rrëfyer
gjithçka nga zbulimet turistike në Afrikë, misioni i fizikanit bërthamor, ekspertit
të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ishte i qartë dhe i mirëpërkufizuar:
të siguronte se materiali bërthamor i gjendur në Afrikën e Jugut të ishte po aq
sa ishte deklaruar për të fundit herë dhe gjithaq të përdorej për arsye jo ushtarake.
Shumë pyesin se pse i duheshin Afrikës së Jugut
të tilla armë, kur ishte ndër vendet më të fuqishme në atë rajon. Analistë të ndryshëm
mendojnë se arma bërthamore i duhej në përgjigje të zgjerimit të influencës së Bashkimit
të atëhershëm Sovjetik në Afrikë, si një mjet presioni, që demonstron forcë dhe
fuqi ushtarake.
“Misioni im i parë ishte i qartë, më duhej të verifikoja
se i gjithë materiali bërthamor në njërin nga dy centralet bërthamore pranë Cape Town-it ishte i plotë dhe përdorej vetëm
për qëllim të prodhimit të energjisë elektrike. Po ashtu, se në atë instalim nuk
kryhej ndonjë aktivitet i padeklaruar dhe me karakter jopaqësor”.
Afrika e Jugut njihet si firmëtare e Konventës
së Armëve Biologjike që prej vitit 1975, ka pranuar Traktatin e Mospërhapjes së
Armëve Bërthamore që nga viti 1991 dhe Konventën e Armëve Kimike që prej vitit 1995.
Nga vitet 1960 e deri në 1980–ën, zhvilloi një program bërthamor duke arritur atë
që quhet “cikli i plotë i lëndës djegëse”, duke mundësuar kështu prodhimin e armës
atomike. Por më 1990–ën, në prag të rënies së qeverisë së aparteidit, Afrika e Jugut
ndërmori një hap të veçantë, çmontimin e të gjithë armëve bërthamore dhe të impianteve
për prodhimin e tyre, duke u bërë kështu shteti i parë në botë, i cili vullnetarisht
hoqi dorë nga armët atomike që i kishte prodhuar vetë.
Por, kjo nuk donte të thoshte se ekspertët dhe
eksperienca e tyre humbi pa lënë gjurmë, brenda një nate. U shndërrua në potencial zhvillimi drejt përdorimeve
paqësore të energjisë bërthamore. Sot, ky shtet dallohet për dy centralet atomike
të ndërtuar disa kilometra pranë Cape
Town-it dhe për prodhimin e radiofarmaceutikateve për nevojat e vendit e më
gjerë deri në Europë dhe Amerikë.
Misionet e inspektimit në këtë vend kërkonin kualifikim
të lartë, aftësi në përdorimin e teknikave të sofistikuara, duke filluar nga monitorimi
me kamera e deri në verifikimin e materialit bërthamor përmes matjes me instrumente
të posaçme.
“Në punën tonë kishim bashkëpunim të shkëlqyer
me personelin vendas, me të cilët kam mbetur në marrëdhënie shumë miqësore, ndonëse
jo rrallëherë kemi debatuar për probleme të ndryshme. Inspektimet janë gjithsesi
bezdi për vendasit dhe shpesh mes tyre kishte që na thoshin: “Përse kaq rigorozë?
përse nuk na besoni ?” Në formë shakaje, përgjigja ishte standarde: Ne besojmë vetëm
te Zoti. Çdo gjë tjetër e verifikojmë”.
Jo se inspektimet shtyheshin nga ndonjë formë bazuar
mbi skepticizmin njerëzor. Jo! Ishte një rregull i vendosur mirë nga bashkësia ndërkombëtare,
të cilin shtetet e kishin pranuar vullnetarisht. “Në këtë kontekst, bënim shumë
kujdes të ishim jo vetëm korrektë e bashkëpunues, por edhe të saktë e të shpejtë,
për të mos penguar pa arsye vendasit në punën e tyre”.
Çdo minutë e humbur, është mungesë në prodhimin
e energjisë elektrike, humbje kolosale për kompaninë që administron centralin.
“Në shumë raste na qëllonte të punonim pa ndërprerje,
ditë e natë, nën stres, nën efektin e rrezatimit, nën peshën e përgjegjësisë teknike”.
A kishin frikë, Përparim Fuga dhe kolegët e tjerë
ekspertë, se ndonjëri prej atyre inspektimeve mund të përfundonte në një aksident
fatal, me çmim deri edhe jetën?! “Natyrisht që na shkonte mendja,se aksidentet nuk
paralajmërojnë gjithmonë; ndodhin në ndonjë nga ato ditët që duken të zakonshme”-
zbulon ai me sinqeritet.
Megjithëse Afrika e Jugut ishte i pari vend që
vullnetarisht e kishte këmbyer rrezikun bërthamor me zhvillimin për rajonin e tij,
inspektimet në dy centralet bërthamore ishin me frekuenca të shpeshta.
“Një shtet që ka ndërtuar armën atomike, e di shumë
mirë rrugën drejt bombës atomike. Për pasojë, inspektimet kryheshin me shpeshtësi
të tillë që, intervali kohor mes dy inspektimeve të mos lejonte transferimin pa
gjurmë të teknologjisë nga përdorimet paqësore në ato luftarake. Ky interval, për
disa instalime në Afrikën e Jugut ishte përcaktuar një muaj. Veprimtaria teknike
ishte përqendruar në zonën rreth Johanesburgut dhe Pretorias, ku kryesisht gjendeshin
edhe instalimet bërthamore të Afrikës së Jugut. “Unë isha përgjegjës për të gjitha
instalimet në këtë rajon dhe prandaj më duhet të isha aty shumë shpesh”.
Johanesburgu dhe Pretoria! Dy qytete gjigantë,
të lidhur mes tyre me autostrada gjigante. “Më ka mbetur në mendje vizita në Muzeun
e Aparteidit në Johanesburg, të cilën nuk e vizitova më për herë të dytë, sikurse
nuk e vizitova për të dytën herë as Mathauzenin në Austri”.
Të vizitosh Afrikën e Jugut do të thotë të mos
largohesh pa vizituar shtëpinë e lindjes së Nelson Mandelës, në Soweto (South Eastern
Township).
“Nuk kisha asnjë ide për këtë qytezë dhe kolegu
im argjentinas, një mbrëmje, më propozoi ta vizitonim. Njëherazi më vuri në dijeni
se kishte rrezik; një zonë e Johanesburgut ku krimi ishte prezent në çdo hap dhe
asnjë punonjës i Kombeve të Bashkuara nuk kishte tentuar të shkelte atje. Dilema
ishte e madhe, por edhe sedra e shqiptarit bënte punën e saj dhe në fund e pranova
ftesën. Gjatë fundjavës, e vizituam qytezën dhe shtëpinë muze të Mandelës si dhe
drekuam në një restorant tipik afrikan. Ishte një “shkelje” e rregullave që duhet
të ndiqnim në punën tonë, por nuk patëm asnjë pasojë dhe fituam një kujtim të bukur”.
Rreziku ishte emri i dytë për aventurat afrikane. Madje edhe në zona në dukje
të sigurta. Diku mes Johanesburgut dhe Pretorias, në një qytezë të vogël të quajtur
Centurion na sulmuan dy grabitës me thika, pak metra larg hotelit dhe ditës për
diell. Ishte ngjarje që gjithashtu nuk harrohet. Falë sportit të futbollit që kam
luajtur dikur, munda të shpëtoj duke përdorur reflekset dhe këmbët e shpejta. Edhe
sot i mbaj në kujtesë sytë e grabitësit, kur me thikë në dorë më kërkonte portofolin.
Kjo është Afrika, me të papriturat e saj gjithandej”.
Aventura
afrikane nuk do të mbyllej aty. Më 2005 –ën dërgohet me mision në Republikën Demokratike të
Kongos. Një proces inspektimi në minierën e Shinkolobwe, e cila ka qenë origjina
e furnizimit gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore me uraniumin e nevojshëm për
zbatimin e projektit “Manhattan” e për prodhimin e bombës së parë atomike nga amerikanët.
“Misioni kërkonte një udhëtim në zemër të Katangës,
provincë e pasur me minerale, ku miniera e Shinkolobwes gjendet disa orë larg qytetit
të vogël Likasi, në mes të xhunglës afrikane. Është një udhëtim që bëhet një herë
në jetë; ishte një mision me shumë risk dhe nëse më kërkohet ta përsëris sot, do
të hezitoja ” – rrëfen profesor Fuga.
Republika Demokratike e Kongos ka vite që kalon
në konflikte e luftëra të brendshme mes fisesh dhe për pasojë vendi, sot ka një
infrastrukturë të dëmtuar rëndë. Rrugët lidhëse mes provincave thuajse nuk funksionojnë
dhe nga një qytet në tjetrin mund të lëvizësh përmes lundrimit nëpër lumenjtë e
shumtë, ose me avion.
Harroni rehatinë e makinës moderne ndërsa ndërmerrni
një udhëtim nga një qytet drejt një tjetri në Kongo. Vetë Kinshasa, në të cilën
janë mbledhur mbi 7 milion banorë, ka humbur shumë nga infrastruktura e saj, gjurmët
e së cilës gjenden aty-këtu nëpër qytet.
Ajo çka Përparim Fuga përshkruan janë çatitë e
vagonëve të trenave që rënkojnë nga mbipesha e mallrave dhe njerëzve mbi to, njerëz
të përkulur pas dyerve dhe dritareve apo edhe deri dy pasagjerë të ulur mbi njëri-tjetrin,
madje edhe në vendin e shoferit në autobusë e mikrobusë të tejmbushur që zvarriten
në kaos të plotë për të nxjerrë jashtë qytetit të Kinshasës me miliona njerëz që
hyjnë aty nga rrethinat çdo mëngjes për të gjetur punë.
“Isha bashkë me një koleg amerikan me shumë përvojë,
Robert Kelley. Kishim nisur punë njëkohësisht, por ndërsa unë vija nga një eksperiencë
akademike në Shqipëri, ai kishte qenë drejtues në një nga qendrat e mëdha bërthamore
amerikane, në Los Alamos, ku amerikanët ndërtuan bombën e tyre të parë atomike.
Bobi kishte luajtur një rol me rëndësi si zv/përgjegjës i ekipeve të inspektimit
të Kombeve të Bashkuara në Irak. Ekspert i klasit të parë, me përvojë të jashtëzakonshme.
Për të mbërritur në minierë na u desh të kalojmë nëpër një aventurë të gjatë. Udhëtimi
nisi disi “ters”, u nisëm nga Vjena dhe në aeroportin e Parisit avioni pati një
vonesë tejet të gjatë. Kur u interesuam se pse nuk po niseshim, na thanë se dy pasagjerë
ishin zënë mes tyre dhe policia po i nxirrte jashtë nga avioni. Me të dëgjuar, kolegu
im menjëherë, i shqetësuar, pyeti nëse ata i kishin lënë në avion bagazhet e tyre.
Ishte një mësim për mua, që të shihja dhe analizoja me kujdes çdo detaj që mund
të sillte pasoja”.
Pas një qëndrimi tre ditor në Kinshasa, me një
linjë ajrore kongoleze dy ekspertët fluturuan drejt Lubumbashit, kryeqendra e provincës
së Katangës. U duhej të vizitonin të paktën dy qytete; Likasin dhe Kolwezin.
Postblloqet mes qyteteve e bënin të pamundur udhëtimin
pas orës gjashtë të mbrëmjes. “I vetmi strehim për të kaluar natën ishin ca hotele
të varfër, të pistë, pa ujë e dritë, pa kushte”, tregon Fuga, por duke mos harruar
ta përmbyllë çdo etapë të rrëfimit duke thënë se “por kishte bukurinë e vet çdo
gjë”.
Për të arritur në minierë rruga kalonte përmes
xhunglës, mes pyjesh e gëmushash, në toka thuajse të pabanuara, përmes ca fshatrave
me kasolle me kashtë, tipike afrikane. Dhjetë ditë të cilat Fuga do i quajë thjesht
të paharruara. nga vështirësitë, por edhe bukuritë që zbuloi rrugës. Një bukuri
e një lloji krejt tjetër nga Johanesburgu apo Pretoria.
Miniera e Shinkolobwe është e vendosur fare pranë
qytetit të Likasit, rreth 120 milje në veriperëndim të Lubumbashit. Ajo ndodhet
në qendër të një rripi prej 400 kilometrash të mineraleve të uranifikuara, duke
u shtrirë nga jugu i Lubumbashit drejt Kalongwe-s, në perëndimin e qytetit të Kolwezi-it,
që njihet si “Brezi i Bakrit” (Cupper Belt).
Është e njohur se në këtë zonë, minerali i bakrit
dhe ai i kromit kanë përmbajtje të lartë uraniumi, madje vende-vende në nivele që
i kalon edhe ato të minierave konvencionale të uraniumit.
Po aq aventurë ishte fluturimi drejt Kolwezit,
brenda një avioni të vogël nga epoka e Luftës së Dytë Botërore, i pajisur me një
helikë druri, motori i të cilit ndizej duke rrotulluar me forcë helikën. “Ishte
edhe kjo një thyerje e rregullave, pasi nuk na lejohej të udhëtonim me të tilla
mjete. Por puna duhej bërë dhe rrugë tjetër nuk kishte. Avioni fluturonte ulët,
rreth 50 m mbi tokë, mbi xhunglën afrikane, por aq shumë isha habitur me bukurinë
që shihja nga dritarja, sa nuk më vajti mendja se mund të binim dhe humbisnim mes
kësaj bukurie të virgjër”.
Informacione nga burime të ndryshme raportonin
se miniera e Shinkolobwes ishte futur përsëri në shfrytëzim, e nëse ishte e vërtetë,
kjo do të thoshte që përbënte një shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare. Ku shkonte
minerali i nxjerrë nga kjo minierë, e bashkë me të edhe uraniumi i pranishëm në
të ?!
Sipas deklarimeve zyrtare, miniera shfrytëzohej
në mënyrë artizanale për të nxjerrë bakër, nga individë të cilët punonin vetëm ose
në grupe të vogla dhe mineralin e shisnin te disa ndërmjetës, të cilët më tej e
shisnin te kompani më të mëdha. Minatorët, si gjithë popullsia në atë zonë dhe në
shumë pjesë të Afrikës, janë shumë të varfër; burrat që në moshë fare të re, madje
edhe fëmijë, kryesisht punojnë në miniera duke nxjerrë mineralet në mënyrë artizanale.
Ata ngarkonin thasë 50 kilogramësh në krahë për t’i çuar në pikat e grumbullimit,
si mjeti i vetëm për sigurimin e jetesës. “Pa dashur të hyj në hollësi, mund të
them se ajo që vrojtuam gjatë këtij misioni na tregoi se legjislacioni ndërkombëtar
që disiplinon shfrytëzimin e minierave të uraniumit, kishte boshllëqe dhe krijonte
kushte për të mos deklaruar këtë aktivitet dhe mundësi për keqpërdorimin e mineralit”,
tregon Fuga i rezervuar në detaje profesionale, duke iu përmbajtur rregullave të
punës, megjithëse është larguar prej dy vitesh tashmë nga IAEA. “Konkluzionet e vëzhgimit tonë u konsideruan me shumë rëndësi
dhe mbi këtë bazë për vite me radhë u punua e punohet edhe sot për monitorimin e
aktiviteteve të kësaj natyre dhe përmirësimin e kuadrit ligjor” –shton ai – “Unë
punova gjatë në këtë fushë, madje shumë intensivisht, duke drejtuar grupin e ngritur
posaçërisht për këtë punë. Nuk po ndalem gjatë në çfarë konstatuam në Katanga, për
shumë arsye. Por, për një program bërthamor që synon të finalizohet me prodhimin
e lëndës djegëse për reaktorët bërthamorë, apo ndonjë qëllim tjetër, rëndësi të
dorës së parë ka furnizimi me mineralin e uraniumit. Asnjë program nuk shkon dot
larg në ambiciet e tij bërthamore pa siguruar mineralin e nevojshëm të uraniumit.
Prandaj, interesimi në këtë drejtim ka qenë e mbetet maksimal. Mendoj se puna ime
dhe e grupit në të cilin bëja pjesë i ka shërbyer mjaft qëllimit dhe misionit të
Agjencisë për të cilin punonim”.
Puna dhe zbulimet e tyre në Kongo u vlerësua jo
vetëm nga ana teknike, por edhe humanitare, ku AIEA-së dhe drejtorit të asokohe
Mohamed ElBaradei iu akordua çmimi Nobel për Paqen, më 7 tetor 2005. Në mënyrë të
veçantë inspektorët e Garancive Bërthamore kishin detyrën e vështirë t’i jepnin
garancinë njerëzimit se energjia bërthamore përdorej vetëm në të mirë të tij. Një
përkushtim i ruajtjes së paqes në botë. “Në këtë këndvështrim, dhënia e Cmimit Nobel
për Paqe ishte e merituar plotësisht, si për drejtorin tonë të asaj periudhe, zotin
ElBaradei, por edhe për organizatën në të cilën ishim pjesë”.
Kongos nuk mund t’i largohesh pa ia zbuluar anën njerëzore, pa e kundruar me atë syrin
e dhembshur ndaj rraskapitjes, varfërisë së skajshme dhe sëmundjeve (Aids-it në
veçanti), që bënin kërdinë në popull.... një parakods në Kongon e pasur me burime
natyrore e me klimën që favorizon prodhimin
bujqësor e blegtoral. “Nuk dua të flas më tepër, por ajo që mund të them është se
korrupsioni ishte i lartë e me të hasesh në çdo hap, po ashtu edhe rreziku për jetën.
Një nga fatkeqësitë që ka goditur Kongon është shfrytëzimi i pamëshirshëm i pasurive
minerale. Për të krijuar një ide mbi përmasat, mjafton të shohësh “një kodër” të
lartë me sterilet nga mineralet e nxjerra, e mbledhur në vite. Është aq e madhe,
sa mund ta shohësh qartë edhe duke kërkuar në Google Earth”.
Kontaktet
me autoritetet vendase ishin vetëm gjatë pritjes së parë dhe dorëzimit të
inventarëve për kontroll. Kjo ishte një mënyrë që të kishin pavarësinë e duhur
për kryerjen e misionit. Por kishte edhe nga ato raste kur autoritet lokale i ftonin
për vizita zyrtare. “Shpesh hasnim me kërkesa që ishte vështirë t’i kuptoje dhe
evitoje. Mbaj mend se gjatë vizitës në qytetin e Kolwezit, na u kërkua të bënim
një vizitë në Bashkinë e qytetit. Me shumë hezitim e pranuam, pasi nuk kishte asnjë
lidhje me qëllimin pse ishim atje. Ndërkohë, në mbrëmje, në hotel, bashkë me Bobin
e pamë veten në të gjithë televizionet lokale, të shoqëruar me një koment të gjatë
mbi bashkëpunimin ndërkombëtar të atij rajoni me Kombet e Bashkuara. Nuk e evituam
dot një vizitë të tillë as në Likasi, ku skenari ishte po njëlloj”.
Megjithë varfërinë, rrezikun e nxjerrjes së materialeve
bërthamore që, rënë në duar të gabuara shkaktonin gjëma të hatashme, luftës civile
prej vitesh, kaosit të jetës dhe rrugëtimet e vështira për të kryer punën, Përparim
Fuga është një prej atyre të dashuruarve me bukuritë afrikane. Megjithëse udhëtimi
që ndërmerrej mund të ishte edhe i fundit.
“Eksperienca është armë e fortë dhe sigurisht ajo fitohet me kohë, por fitohet
me punë dhe kur ka një bazë të formimit profesional. Puna dhe profesionalizmi ishin
të domosdoshëm e po aq ishte edhe kuraja që duhet të na shoqëronte kudo. Gjatë udhëtimit
në Kongo, në Lubumbashi, pas vizitës në një fabrikë të përpunimit të mineraleve,
në fund të bisedës drejtori i saj, një francez babaxhan duke na uruar rrugë të mbarë
na u drejtua mua dhe kolegut tim amerikan duke na thënë: ishit të përpiktë në dallim
nga shumë diplomatë të tjerë që i kemi pritur me orë, shumë profesionistë në pyetjet
dhe vëzhgimet tuaja, por ruajuni se po vazhduat kështu, edhe mund t’ju vrasin. Sigurisht
familjet tona, familja ime, gruaja ime Linda dhe djali Endri e kishin shqetësimin
e rreziqeve që mund të më kanoseshin. Njëherazi, ata ishin mbështetës të fortë,
kurajozë dhe përpiqeshin me tërë mundësitë që të më lehtësonin në ngarkesën time
të punës”.
Në këto eksperienca Profesor Fuga pranon se mund
të merrje frymë i lehtësuar vetëm kur avioni mbërrinte në Vjenë. “Por, çdo punë
ka rreziqet e saj dhe njeriu duhet të jetë optimist, me besim se i kapërcen vështirësitë
dhe në fund të fundit dikush duhet ta bëjë atë detyrë, apo jo?! Kolegu im nga Koreja
e Jugut, i ndjeri Seo, humbi jetën para pak muajsh në një aksident tragjik në Iran,
gjatë vizitës në një nga instalimet bërthamore në të cilin më ka rënë rasti për
ta vizituar disa herë”. Megjithëse nuk e ushtron më funksionin e ekspertit të garancive
bërthamore, ai nuk i ka humbur lidhjet me kolegët dhe zhvillimet në fushën e tij.
Para një jave udhëtoi drejt Vjenës në një takim ekspertësh në fushën e sigurisë
bërthamore, një rast për t’u ritakuar me miqtë e vjetër. “Shkëputja nga një punë
që e bën me pasion, me rëndësi që kalon kufijtë e një vendi të vetëm, në shërbim
të njerëzimit, është e vështirë, por njeriu duhet të mësohet me kufizimet e moshës,
veçanërisht në profesione që kërkojnë përveç aftësive profesionale edhe përballimin
e ngarkesave fizike. Në këtë kuptim Kombet e Bashkuara kanë rregulla të qarta, unike
për këdo, që kufizojnë vitet e punës atje”. I rikthyer në Shqipëri e ka gjetur kënaqësinë
profesionale në Universitetin Europian të Tiranës, ku veç postit të prorektorit
është pedagog në lëndën e Sigurisë Ndërkombëtare. “Kam mundësi të transmetoj eksperiencën
time tek studentët shqiptarë, me besimin se edhe ata një ditë do të arrijnë të japin
kontributin e tyre të vlefshëm brenda e jashtë vendit, për një botë të zhvilluar
dhe në paqe”.
Përparim Fuga është nga ata njerëz që ka udhëtuar
shumë, itineraret e tij numërojmë mijëra milje fluturime nëpër të gjithë botën.
Sigurisht, kthimi pranë familjes ishte dëshira më e madhe, por e njëjta dëshirë
e ka shoqëruar për t’u rikthyer. Veçanërisht në Afrikë.
“Shpesh kur e mendoj se nga vjen kjo dashuri për
atë tokë, nuk e dalloj dot arsyen aq sa nganjëherë e mendoj edhe si dashuri, por
edhe si një sëmundje nga ato që të zënë e nuk të lëshojnë më. Do doja të kthehesha
në Afrikën e Jugut, në Johanesburgun e bardhë që shtrihet në hapësirat pa fund,
Pretorian e zbukuruar në lejla gjatë tetorit nga lulet e xhakarandës, për të ndjerë
fort në mushkëri aromën e oqeanit atje në Cape
Town-in e largët”. Përparim Fuga që veç koleksioneve me suvenire, fotografive
dhe kujtimeve të asaj aventure të pashoqe në kontinentin e zi, mbart me vete joshjen
dhe lidhjen e padukshme që krijon ajo tokë me këdo që shkel këmbë njëherë mbi të....
Suadela Balliu
No comments:
Post a Comment