Sunday, February 15, 2015

Në pushtim të lirisë












Një  rrugëtim në kohë, që të çon në një shekull tjetër, aty ku zë fill edhe krijimtaria e piktorit. Tejet guximtare dhe sfiduese të regjimit,   pikturat e tij plot ngjyra  kërkojnë të zgjerojnë territoret e vogla ku kanë jetuar për mëse gjysmë shekulli dhe të shohin dritën e syve mungues të admiruesve.
 

 Ndriçimi i ftohtë neon i sallonit të Galerisë së Arteve nuk arrin t’ia mpakë intensitetin tablove të varura në mure. “I like the colors!...Ngjyrat janë vërtet mbresëlënëse” –dëgjohen  zërat në pëshpërima të vizitorëve që kanë zgjedhur t’i kundrojnë punimet në ditën e fundit të ekspozitës njëmujore. Bluja e thellë, jeshilja e gjallë, e kuqja e ndezur, e verdha shpërthyese të  pamungueshme thuajse në çdo punim të magjepsin me lojën e tyre mbi telajo. Peizazhe, natyra të qeta, portrete e autoportrete, nudo, koncepte surrealiste, të cilat 45 vitet mbi shpinë, të strukur në hijen e studios së autorit nuk i kanë zbehur ngjyrat.
Ekspozita është një rrugëtim në kohë, që të çon në një shekull tjetër, aty ku zë fill edhe krijimtaria e piktorit dhe kërkojnë të zgjerojnë territoret e vogla ku kanë jetuar për mëse gjysmë shekulli dhe të shohin dritën e syve mungues të admiruesve.  Është hera e parë që piktori Alush Shima i shpluhuron për t’i sjellë përpara publikut.
Nisin me rend kohor ashtu si edhe vetë artisti e nisi rrugën drejt artit, me peizazhe që datojnë nga vitet 1964-1965 për të shpërthyer në periudhën ’68-’73.
“Në këtë ekspozitë paraqitet ajo pjesë e krijimtarisë sime, ku unë përpiqem të gjej veten në pikturë dhe rrugën që duhet t’i përcaktoj vetes për të ecur më tej. Prandaj ka edhe shumë larmi në mënyrën se të pikturuarit” – thotë piktori Alush Shima sapo ka mbërritur në Galeri me rastin e përmbylljes së ekspozitës që i hapi dyert më 26 prill të këtij viti.
Ka pritur 45 vite për të sjellë gjenezën e tij, ashtu të zbuluar si kurrë më parë. Periudhë kërkimesh i quan piktori larminë e stileve që ka përdorur, për të gjetur më në fund drejtimin  që do të marrë piktura e tij , deri në ditët e sotme.
Edhe një sy jo shumë i  mprehtë arrin ta dallojë frymën moderniste  në koleksionin e ekspozuar. Pak  Van Gogh në natyrat e qeta dhe autoportretet, pak Picasso në format  kubiste... “ e  një marrëdhënie e  ngushtë me pikturën e Braque-ut dhe të Mattisse-it” –janë  të mendimit kuratorët e ekspozitës Vanja Strukelj dhe Arturo Calzona, marrëdhënie që vihet re te ngjyrat e forta e të plota në tablo, qofshin vaj në kanavacë, akuarel apo teknikë e përzier.
Ishte vrulli i të riut për të përqafuar  modernen, rrymat e kohës. Atë kohë që dukej se i përkiste një tjetër planeti, që nuk përkonte me grinë e mërzitshme të realizmit socialist “Të  them të drejtën ishe edhe një lloj egoje për të treguar se çfarë dija të bëja. Por kisha një të metë të madhe, nëse mund ta quaj kështu, sepse nuk shkoja në rrjedhën e të tjerëve” –vijon  Shima.
Një lloj paradoksi mes dëshirës së madhe për të krijuar dhe hapësirës së ngushtë  për të shpërfaqur talentin.
Ishte koha e  prurjes aziatike të revolucionit kinez, punës vullnetare, zborit, gjimnastikës dhe parakalimeve të të dielave...
“Kisha një mllef të brendshëm dhe ishte vazhdueshme çdo moment, e hasja çdo ditë. Nuk ndërpritej. Nuk ndahej. E nxiste atë lloj kundërshtimi që e pata me pikturën time. E  kuptonim se ai regjim nuk ishte për njerëz.... Dukej sikur nuk kishte njerëz , ishin shndërruar në kafshë”.
Shima merr pamjen e një Oruelli shqiptar ndërsa flet, duke e sjellë  tablonë e librave “Ferma e kafshëve” dhe “1984” me pikturat e tij.  Por kjo revoltë e artistit që ndizej e merrte kishte edhe haraçet e veta. “Më privoi nga ekspozitat dhe nga shumë kënaqësi që të fal piktura. Kështu u detyrova të punoj në heshtje, në studion time”.
Aty piktori shfrente mllefin me ngjyra, burgosjes i falte flatra imagjinate, realitetin e bënte surreal. Studioja e tij kthehej në shenjtërore duke i dhënë jetë mëse 5 mijë punimeve. Të cilat pasi merrnin formë e jetë, flinin të stivosura, nguceshin për t’i lënë vend të tjerave që i bashkoheshin. Aty ishte territori i lirisë së piktorit, ku ai ishte vetë zot. Pikturat mbuloheshin fshiheshin, perdet uleshin, dera mbyllet duke ruajtur misteret në hije.
“Janë punë 45 vjeçare, të cilat kanë ndenjur të mbyllura, pa i parë thuajse askush, veç gruas sime, e cila ka qenë ndihmesë shumë e madhe për mua”- zbulon Shima duke përcjellë edhe frikën e paranojën e kohës që nëse dilte një zë diku, nëse dikush merrte vesh, nëse binin në duar të pasigurta, ai nuk do të qe tani, i ulur në Galerinë kombëtare të Arteve për të rrëfyer.
“Sigurisht që rreziku ishte, vetëm një i pamend mund të mos e merrte parasysh. Mjaft të kujtosh ata dy poetët e Librazhdit që i vranë për një poezi. Imagjino ç’mund të ndodhte po të shihnin punimet e mia”. Kjo vetëdije e bënte të kujdesshëm, aq sa edhe miqve të rrallë që kishte t’ua shfaqte me rezerva punimet e fundit. Por egoja e njeriut që merret me art, për t’u dalluar nga të tjerët, nuk  ia ndalte hapat drejt asaj rruge që po ndiqte në pikturën e tij.
“ Në një farë mënyre ka qenë një lloj mbrojtjeje, pasi gjërat mund të shkonin edhe shumë më keq. Në kurrizin tim kam provuar shumë padrejtësi. Njerëzit nuk më konsideronin. Thoshin “Është piktor i mbarur, nuk i hyn në punë kurrkujt!”. Dëgjoja shpesh nga këto, por isha i qetë, sepse në fund të fundit e kisha një qëllim timin si artist”.
Një dallim nga të tjerët në format më shtypëse për një artist, por Alush Shima tregon se mësoi të mbijetonte, të punonte dhe të zhvillohej si artist. Nuk kishte nevojë për terrene më të gjera! Ia dilte edhe aty. Punonte fshehurazi, por me sigurinë e atij që pret ditën e tij të vijë. Pa ndonjë revoltë që e bënte të thyente paktin e heshtjes me veten dhe penelat. 
Mjaft të përziente bojërat mbi tavaloz  e gjithçka ziente brenda merrte ngjyra  në pëlhurë. I tiji nuk ishte i zi, kishte jetë dhe liri, sado e vogël të ish, e linte të merrte frymë si artist.
“Titulli  është vënë pasi në atë periudhë sistemi për të peshkuar individë që ishin më larg kohës apo ishte çast hutimi, la një lloj shtegu, nëse mund të quhej kështu. Për mua ishte një lloj provokimi për të parë deri ku do të shkonin njerëzit e artit po t’i lije të lirë. Piketuan disa. Pleniumi i 4-t i vuri kapakun dhe u pa hapur se ç’ishte kjo liri. Ishte një periudhë aq shkurtër ku u duk se diçka po ndodhte, por nuk ndodhi asgjë”.
Po vetë piktori a fitoi nga kjo liri e vogël që u duk se çeli edhe jashtë studios së tij?  “Provova. Çova dy portrete në ekspozitë. Margarita Tutulani u refuzua. Naim Frashëri u mbajt, por kur u mbyll ekspozita filloi revanshi i shtetit , drejtuesit e Lidhjes i shpërndanë nëpër rrethe. U caktua ta merrte Lidhja për ta varur te salla e mbledhjeve, por u harrua dhe e çova në shtëpi. Këto punë kanë qëndruar të mbyllura në studion time që nga ajo kohë” .
I ka varur pranë dy portretet atë të poetit dhe të heroinës,  në ekspozitën e tanishme , për t’i dhënë më në fund hakun.
Tregon sesi ia refuzuan një pikturë me temë vjeshte në sallonin e piktorëve në Tiranë. E akuzuan si prishës të artit shqiptar. E  gjitha kjo vetëm sepse piktura sepse kishte ngjyra.
“Ata që drejtonin në atë kohë erdhën nga Rusia dhe të mësuar me grinë e Rusisë ngjyra u dukej e tepërt dhe harronin që jetonin në Mesdhe, në vendin e diellit”.
Pse të merrnin shembujt e Bashkimit Sovjetik  kur mund të merrnin ajkën e pikturës botërore?! Po ku? Ku t’i siguronit dijet, informacionet, katalogët, ftesat për  të parë ekspozitat jashtë vendit, në Shqipërinë e izoluar ?!  Në Institutin e Lartë të Arteve as që bëhej fjalë të mësoheshin koncepte apo rryma. Askush nuk dilte nga korniza e ngurtë e të mësuarit teknikat  e të vizatuarit.
Si ia bënte piktori të paraqiste frymën moderniste të kohës, kur ajo nuk frynte as së largu në territorin shqiptar? “Kam pasur fatin të njihja një njeri shumë të mirë si Mihal Anxhari” – thotë  ai për   drejtorin  e  Bibliotekës së Universitetit të Tiranës  në atë kohë, të cilit i ka dedikuar një portret në këtë ekspozitë. “Ishte një burrë i mençur, i kultivuar, një kritik i pa dalë në dritë. Dinte shumë për artin dhe u bë një mësues për mua dhe Ali Osekun. Prej tij kemi mësuar shumë. Vërtet e mbarova Institutin e Arteve por dolëm nga ajo shkollë dhe mësuam profesionin. Sesi vizatohej dhe pikturohej, por konceptet e pikturës nuk na i mësuan. Nuk dinim se çfarë duhet të bënim. Si duhet të ecnim. Ç ‘drejtim do të merrte piktura jonë?!  Na hapi shumë horizonte. Kishte një fond sekret dhe aty kishte shumë libra arti, i shihnim dhe i komentonim. Ai më shumë,  se ne nuk dinim asgjë”. Një botë që iu hap përpara syve , plot me të vërteta për artin  ndryshe nga ajo iluzive dhe që i dha shtysat për  më tej.  Gati-gati një shkollë e re e quan Alush Shima, kontaktin me librat dhe bisedat me Mihal Anxharin. “Arti nuk është jetë, është krijim, por kur bazohet dhe merr shtysat nga jeta bëhet akoma më i fuqishëm dhe kur del jashtë saj nuk i hyn në punë kurrkujt. Ishte i tillë me heronjtë optimistë. Shumë budallallëqe që e thanin artin, bëhej shterpë. Veprat e bëra në atë kohë vërtet të tilla janë në radhë të parë ishte ideologjia që ta sundonte veprën. Ishte parimi që nuk ka rëndësi forma, por ideja. Nuk ka asgjë më absurde se kjo!”.
I njohu, i debatoi dhe më pas u frymëzuar  për të eksploruar.  
“Kam pasur shumë piktorë të preferuar dhe kam provuar në shumë drejtime dhe rryma artistike për të parë se ç’mund të merrja nga ata artistë dhe kjo është mënyra më e mirë sesi një piktor mund të krijojë personalitetin e tij. Dhe nuk e quaj gabim. Është e mirë kur artisti konfrontohet me veprat e paraardhësve dhe prej tyre ka mundësi të marri anët që i përshtaten. Kjo është normale për cilindo artist”. Të gjitha këto shtypje bënë që pas fazës së eksplorimit me stilet të niste fazën e sulmit ndaj sistemit. “Fillova të kuptoj se ai rend shoqëror, ai shtet, ai lloj sistemi ishte i padrejtë dhe i gënjeshtërt. Gjithçka që thuhej ishte e kundërta e asaj që ndodhte në të vërtetë. E shihja kudo... në rrugë, lajme, gazeta. Duke qenë piktor në Kinostudio e shihja këtë në rrethe të ndryshme ku ishte edhe më e theksuar, kudo ishte po ky mjerim, po kjo situatë... Kudo rrinin, si ata engjëjt e së keqes, sekretarët e partive, njerëzit e pushtetit mbi ato turma që ishin gjysmë-njerëz, në kuptimin e personalitetit të tyre. Vërtet gjysma njerëzish! Kështu i kam paraqitur unë”. Këto punë ka në plan t’i sjellë në një ekspozitë të re.  “ do ta shihni si e kam menduar atë rend, atë shoqëri fasadë, butaforike. Ashtu si rrodhën ngjarjet dhe prishja e tij në atë mënyrë qesharake tregonte se unë kisha pasur të drejtë”- vijon më tej.
Liria e tij nisi të zgjeronte terrenin edhe përpara ndërrimit të sistemeve.
“Ndodhi një fenomen i çuditshëm. Në fund të vitit ’89 më propozuan të hapja një ekspozitë. Për atë ekspozitë erdhën 5 a 6 titullarë në shtëpi që i shihnin pikturat. Ikte njëri e vinte tjetri, kryetari i Lidhjes, kryetari për degën e arteve  nga komiteti qendror, drejtori i galerisë dhe më në fund vendosën ta hapin. Ishte ngjarje për atë kohë, tjetër mënyrë të pikturuari, nxora vetëm ato punë që nuk atakonin asgjë, edhe aq sa nxora pati reagime të çuditshme.  Në librin e përshtypjeve mund të gjesh sharje nga më të habitshme prej vizitorëve”. Ishte ky hap i mbarë kjo kthesë e erërave që nisën të frynin për mbarë që e bëri më pas të njohur në të  gjithë botën me punimet e tij. Paskëtaj erdhi ekspozita në Londër,  Një tjetër tablo, me dritë, me ngjyra e plot me territore të lira. “Më bëri të besoja se kisha vepruar drejt. Një pjesë e mirë e atyre punëve shkuan në Londër dhe u pritën në mënyrë të pazakontë. Pati një jehonë që të them të vërtetën nuk e prisja fare. Shkova me dyshime të mëdha. Ndjeva që piktura shihej ndryshe dhe kjo më dha shumë kurajë dhe besim, më bëri të mendoja se dija të bëja diçka. Kjo ishte më e bukura që më ndodhi”. Pastaj filluan ekspozitat njëra pas tjetrës në Amerikë, Angli, Zvicër, Singapor, Francë. E shumë vende të botës. Nga studioja e vogël, pikturat e tij po bënin udhë të gjatë e po ekspozoheshin në galeri prestigjioze ose bëheshin pjesë e koleksioneve private të admiruesve të artit.
Ama,  nga këto punime të koleksionit të tij të parë nuk ka dëshirë të shesë asnjë, megjithëse qysh në ditët e para të ekspozimit ka  pasur mjaft kërkesa. Nuk kam qejf t’i shes. Nuk dua ta prish këtë koleksion. Është vërtet fillesa ime dhe e di që është e vështirë t’i mbledh. Kam plot punë të tjera në shtëpi për të shitur”- thotë ai. Ende pa u mbyllur kjo ekspozitë ka në plan të hapë të paktën edhe tri të tjera. “ Kam dëshirë të hap disa ekspozita pasi kam shumë punime në shtëpi dhe kam dëshirë që një pjesë të konsiderueshme e punëve të mia të shihen edhe nga publiku. Është një periudhë nga viti ‘75-‘90, që them se mund të hapet një ekspozitë shumë e mirë. Paralelisht me këtë përudhë mund të hap ekspozitën me pikturat ku atakoj sistemin. Edhe ajo mund të ketë interes pasi kam punë pafund . Pastaj janë ato të periudhës ’90 deri në këto kohë ku kam sasi kolosale punësh. Besoj se duhet të hap dy a tri ekspozita të tjera për të arritur deri te punët që bëj sot se mund të më mbeten si këto, 40 vjet mbyllur”, përfundon ai ndërsa përshëndetet me miq e dashamirës që kanë ardhur t’i shohin pikturat e zanafillës së tij në  ditë e fundit të ekspozitës.


No comments:

Post a Comment