Vëllai më i madh,
Davidi vuri në skenë të parën simfoni të shkruar dhe dirigjuar nga ai
vetë. “Shfaqu Zot” është një himn i fuqishëm ndaj jetës dhe shpresën te
hyjnorja që e përkund njerëzimin në breza. i vogli, Genci ka ardhur t’i japë
forcë dhe të luajë në piano një koncert të shkruar nga ai. Ashtu siç vjen
gjithmonë për t’i qëndruar në krah në sipërmarrje të tilla. Marrëdhënia e vëllezërve Tukiçi të ngjan me një simfoni,
të shkruar me kohët e një jete së bashku
Muzika
e fuqishme e Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar, që po luhet në një prej
sallave të provave, kumbon në të gjithë Teatrin e Operës dhe Baletit. Tingujt
që dalin prej veglave frymore, harqeve e perkusioneve ngjajnë me një himn. Një
himn që të ndez gjakun, ndërsa ndenja euforie dhe çlirimi të pushtojnë vetiu
deri sa vijnë duke u qetuar me zërin e baritonit në sfond dhe lëvizjet e lehta
të dirigjentit, i cili i përkëdhel notat me baketën që i vallëzon mes
gishtërinjve. Pastaj një goditje finale dhe gjithçka mbyllet në duart e mjeshtrit
që i falënderon të gjithë...
Është
dita e provave përpara premierës së madhe të Simfonisë “Shfaqu Zot”, e cila për
herë të parë vjen për publikun shqiptar, e kompozuar dhe e dirigjuar nga David
Tukiçi, i cili pas një kalendari të ngjeshur artistik me Orkestrën Simfonike të
RTSH-së, ku ai mban detyrën e Drejtorit Artistik, vjen me veprën e tij.
Simfonia
nr.1 vjen si premierë botërore në kuadër të festave të nëntorit, një kohë e
volitshme për të shfaqur një punë të gjatë disavjeçare të kompozitorit Tukiçi.
Është
një simfoni për bariton, kor e orkestër simfonike e shkruar në katër kohë, e
cila evokon historinë e Shqipërisë përmes tingujve. Koha e parë i kushtohet
Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. E dyta është
shkruar për eksodet e shqiptarëve, një histori emigracioni e mbushur me dhimbje
dhe shpresë. Në kuadrin e 70-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, David Tukiçi
nuk ka harruar ta përfshijë në kohën e tretë të simfonisë edhe fitoren e Luftës
Antifashiste Nacionalçlirimtare të nëntorit të vitit 1944. Për ta përmbyllur
fuqishëm me kohën e katërt, një pjesë e ndjerë që vjen si lutje dhe thirrje e
martirëve ndaj Zotit.
“Shkrova më 2012-ën me rastin e 100-vjetorit
të Pavarësisë, një copëz të vogël prej 7 minutash, ku mora pjesë në një konkurs
nga Ministria e Kulturës. Aty kuptova se ky motiv që kisha nuk mund të përmblidhej
shkurt. Duhej një vepër e madhe! Nuk më zinte gjumi derisa ta kisha krijuar” –tregon
Davidi, duke shtuar se iu deshën dy vite intensive punë për ta përmbyllur të gjithë
veprën, të ideuar, kompozuar dhe dirigjuar prej tij. Motivi mbi të cilin e ka
ngritur Simfoninë nr.1 janë vargjet e Mihal Gramenos, “ Për Mëmëdhenë”.
“Vepra
nis dhe zhvillohet mbi këtë motiv, duke u përzier diku edhe me motivin e himnit
të flamurit. Ashtu si e kam imagjinuar unë atmosferën përpara shpalljes së
Pavarësisë. Kam jetuar me ngjarjet, me furtunat, beteja...në mënyrë alegorike”.
Gjithçka nis me nota intime, me një violinë e violonçel, duke u intensifikuar
deri në shpërthimin e trombave që jehojnë shpalljen e pavarësisë. “Kam
imagjinuar se ajo ishte edhe koha kur shqiptarët besonin në Zot”.
Zoti
është edhe gurthemeli i veprës, i cili merr hov dhe zhvillohet në tri kohët e
tjera të simfonisë 40-minutëshe. Ai gjendet në goditjet e lopatave dhe lutjeve me
mërmërima të mbytura të atyre që rrëmonin me barka të vjetra për t’i ikur
Shqipërisë. “I kam kushtuar kohën e dytë eksodeve. Janë gati me nota biblike
ato që ka kaluar populli shqiptar që nga koha e Skënderbeut e deri te ngjarjet
e dhimbshme në kanalin e Otrantos së historisë sonë të vonë. Në kokë kam pasur
një lajtmotiv; këngën arbëreshëshe “Moj e bukura More”. Nuk ka asnjë notë të
ngjashme , por është emocioni që më ka përçuar. Mendoj se njerëzit i kanë ikur
vendit jo se nuk e duan, por për shkak të keqtrajtimit nga ana e politikës”. Një
kohë e mbushur me trishtim, dhimbje dhe shpresë. Njerëz që nisen nga një breg
për të mbërritur në një tjetër me të njëjtat frikëra dhe pasiguri drejt së
panjohurës.
Koha
e tretë zgjerohet me një atmosferë festive për fitoren e luftës nacionalçlirimtare.
“Ndihet gëzimi i popullit por edhe mëdyshjet dhe pyetet se ç’do të vijë më
pas”. Ajo çka erdhi më pas ishte një diktaturë e egër, e pamëshirshme, që
martirizoi një popull të tërë dhe e bëri një popull të kërkonte dhe të thërriste
Zotin. “Kam pasur në mendje të gjithë ata martirë që i pamë në bulevard ditën e
vizitës së Papës në Tiranë. Por, veçanërisht më ka frymëzuar jeta e At’ Zef Pllumit
në librin e tij ‘Rrno për me tregue’. Zëri i baritonit, ai që i drejtohet
Zotit: Pse po fle? Dhe sa do të flesh o Zot? Kori është masa e intelektualëve të
persekutuar që këndojnë ‘Hosana’ dhe kërkojnë shfaqjen e Zotit”. Kompozitori
thotë se Zoti do të vijë kur ne të jemi të denjë....Është një pjesë sa
shqiptare aq edhe universale. Thirrja e Zotit në kohë shtrëngesash.
Filozofia
e Davidit është të qëndrojë tek e thjeshta, te qartësia. “Dua që muzika të
kalojë nga zemra ime, te zemra e publikut, dhe të perceptohen ato emocione me
të cilat e kam shkruar”.
David
Tukiçi ka shkruar edhe pjesët letrare që këndohen nga baritoni dhe kori. “Nuk
jam poet, por i kisha të qarta idetë. E kam bërë edhe herë tjetër me operën kur
shkrova libretin”.
Për
ta shoqëruar edhe kësaj here –ashtu si edhe më 2010-ën, kur David Tukiçi vuri
në skenë operën e parë “Jeta është ëndërr”, ka ardhur i vëllai, pianisti me
famë botërore, Genc Tukiçi, i cili do të interpretojë në pjesën e parë koncert
për piano në tri kohë, të shkruar nga i vëllai Davidi.
“Është
koncerti nr.2 i shkruar nga Davidi, të cilin e kemi luajtur më parë në Firence,
por kësaj here vjen i përpunuar në një frymë të re, vjen më e butë, më intime e
me të cilën jam shumë i kënaqur”. Koncerti është dhurata që Davidi i ka bërë të
vëllait për ditëlindje. Pastaj në mbrëmjen premierë, kur Genc Tukiçi sapo ka
përfunduar lojën melodioze me pianon, Davidi i afrohet me një buqetë lulesh,
duke i uruar të vëllait vite të lumtura. “Genci nuk do ta thotë sa vjeç është e
as unë nuk po e zbuloj” –thotë Davidi duke qeshur, ndërsa shprehet se është
shumë i lumtur që i vëllai edhe kësaj here ishte me të. “E doja Gencin sepse
nuk dua të bëj asgjë pa të. Pastaj jo se është vëllai im, por është emër i madh
në fushën pianistike botërore”.
E
ka pasur gjithmonë pranë qysh kur Genci ishte i vogël dhe e ndiqte Davidin në
koncerte.
“Mbaj
mend kur isha në kisha një provim me Eno Koçon, një Rapsodi e Ferdinand Dedës
dhe mbaj mend që Genci ishte ulur në sallë, kishte ardhur të më ndiqte dhe një
djalë fare i vogël, rreth 8 vjeç më jepte kurajë. “Jepi David mos e çaj kryt,
mos ki emocione” dhe këtë nuk e harroj. Se unë jam tip shumë emotiv, kam shumë
emocione përpara çdo shfaqjeje e sidomos atëherë kur isha më i ri”. Genci ia
njeh anën emotive po aq sa edhe ia di potencialet të vëllait, dhe krenohet me
arritjet e tij. “Për një kompozitor të muzikës klasike, opera është një arritje
e madhe, e kur bëhet fjalë për muzikë simfonike, të shkruash një simfoni është
kurorëzimi dhe Davidi ia ka arritur. Jo vetëm se jam krenar që është vëllai im
dhe ndoshta tregohem subjektiv, por duke folur si profesionist, mendoj se me
këtë vepër i ka sjellë publikut diçka të mirë. Me aq sa e njoh e di se mund të
shkruajë edhe të dytën, edhe të tretën, por edhe me një është arritja më e
madhe. Davidi është tani në pjekurinë e tij si muzikant dhe në kohën e duhur
për të prodhuar gjëra me cilësi. Të krijosh muzikë është si të lindësh një
fëmijë. ”, -vijon Genci, duke shtuar se Davidi ka gjetur atë fillin e munguar
për të afruar publikun e gjerë te një zhanër gati ezoterik. “Kur thua simfoni
sikur i tremb njerëzit, por kjo simfoni ka brenda historinë, emocionin,
ndjenjën”.
Bashkë
ishin edhe para katër vitesh kur vunë në skenë Operën e parë të shkruar nga
Davidi
“Jeta
është ëndërr”, një vepër e dramaturgut Pedro Calderon de La Barca, e shkruar
1500-ën , por e pa muzikuar më parë, derisa Davidi e mori në duar. Mesazhi që
përcillte ishte se dashuria jeton edhe pas vdekjes. Ky mesazh , por edhe godina
e Operës ku ata të dy ia njohin skutat që fëmijë i bën të rikthehen me dashuri.
“ Unë ia njoh edhe aromën, i di çdo qoshe. Pastaj më duket sikur shpirti i babait
endet këtu” –tregon Genci për të thënë se sakrificat, si ndonjë koncert i shtyrë
në një datë tjetër apo disa orë leksioni me studentët në Konservatorin e
Parisit , të anuluara, nuk janë asgjë të peshuara me kënaqësinë e madhe që merr
kur është në Tiranës. “Pastaj dua të jem herë pas here i pranishëm në Tiranë,
profesionalisht” –vijon Genci, ndërsa zbulon se pas një jave, datë që përkon me
festat e nëntorit do të jetë në koncert në Londër me Inva Mulën , e që të dy e
kanë menduar të kenë një simbol përfaqësimi kuqezi, shenjë krenarie dhe nderimi
për vendin nga vijnë të dy artistët. Për të qenë në Tiranë iu desh të anulonte
një koncert me sopranon Ermonela Jaho në Moskë. Rrëfen se pas kësaj jave
intensive të mbushur me prova dhe premierë, do të vijë sërish në Tiranë pas
janarit për një koncert, ndoshta në një tjetër bashkëpunim me vëllain, e
megjithëse nuk jetojnë bashkë ata e gjejnë një formë apo një tjetër të
qëndrojnë të bashkuar. Telefonatat e përditshme, thirrjet në Skype ku qëndrojnë me orë e orë të tëra
në lidhje Tiranë-Paris duke i zbuluar njëri-tjetrit të gjitha të rejat. Genci
di gjithçka i kalon në mendje Davidit kur Muza e frymëzimit e viziton, e po
ashtu Davidi di gjithçka rreth Gencit, jo vetëm për koncertet e tij, por edhe
pjesët që shkruan. “Përveçse pianist Genci është edhe kompozitor”, thotë
Davidi. Të qenit bashkë është një nevojë gati-gati jetësore për të dy, edhe një
thirrje që i jehonë e fortë prej kujtesës, kur babai i tyre tenori i madh
Ibrahim Tukiçi u linte amanet që të punonin gjithmonë bashkë. Ata e mbajnë
premtimin. Kanë vite që bashkëpunojnë. Qëkur merrnin pjesë në festivalet e
Këngëve të Stinës apo të fund vitit përpara viteve ’90. “Unë kam orkestruar të
gjitha këngët që ka kënduar Davidi në festivale” –thotë Genci. Ndërsa kur të dy
u larguan nga Shqipëria, Genci në Francë e Davidi në Itali kanë marrë pjesë në
koncerte bashkë ose Genci ka luajtur pjesët e shkruara nga Davidi. Si koncerti që
luan tani. Një koncert në tri kohë, i shkruar nga Davidi. E para është një
pjesë lirike, e dyta vjen më sensuale, ndërsa e treta është si një lojë e bukur
dhe e gjallë”, - tregon Genci, duke shtuar se koncertin nr.2 të Davidi e kanë
luajtur edhe më parë , por kësaj here vjen i përpunuar, më i butë, më intim. “Genci
është i kënaqur me këtë version” –thotë
Davidi ku as njëri e as tjetri
nuk e fshehin se shpesh mes vëllezërve për pikëpamje të ndryshme profesionale
ka debate të fortë, por gjithmonë konstruktive e të mbyllura me dashuri, tamam
si epilogu i një simfonie me instrumente të fuqishme të një orkestre që luan me
ndjenja vëllazërore...
No comments:
Post a Comment