Monday, February 16, 2015

Viti 2014 në 10 libra














Edhe pse botimet këtë vit kanë rënë ndjeshëm, krahasuar me një vit më parë, për shkak të problematikave që hasin shtëpitë botuese në tregun e librave, periudha e festave duket se i ka afruar njerëzit drejt librarive. Ja cilët kanë qenë titujt dhe autorët e preferuar nga lexuesi shqiptar


 Në kasën e librarisë, blerësja e re rreth të njëzetave mbështet mbi banak një libër të hollë të çmimit “Nobel” për Letërsinë e këtij viti, francezit Patrick Modiano, i cili për lexuesin shqiptar ka ardhur me titullin “Në kafenenë e rinisë së humbur”. Në Librarinë “Adrion”, ky autor është i vendosur me një fashë në kënd, që bie në sy për të gjithë ata të interesuar që hapin derën prej xhami që tringëllin në mënyrë karakteristike sa herë një vizitor i ri fut kokën në mbretërinë e librave.
Këtë fundvit, blerësit potencialë ose të paktën kureshtarët që mbushin ambientet e librarive, duken të shumtë në numër.
Edhe pse botimet këtë vit kanë rënë ndjeshëm, krahasuar me një vit më parë, për shkak të problematikave që hasin shtëpitë botuese në tregun e librave ku shqetësimi i parë mbetet rënia e fuqisë blerëse, periudha e festave duket se i ka afruar njerëzit drejt librarive. Bindesh edhe më kur dëgjon një bisedë mes dy punonjësesh që këmbejnë turnet në librarinë “Albania”, që nga habia e shprehur të lënë të kuptosh se arkëtimet e ditës kanë qenë ndoshta më të mirat e muajit.
Me gjithë xhepin e kursyer të lexuesit shqiptar, ka pasur botime dhe autorë që kanë shënuar edhe shitje rekord- sidomos në nëntorin e Panairit të 17 të Librit, siç janë Blendi Fevziu me “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret” me 10 mijë kopje të shitura. Libraritë kryesore të kryeqytetit e rendisin si më të kërkuarin dhe të blerin këtë vit.
Një tjetër autor që është shndërruar në “bestseller” menjëherë pasi libri doli në treg është edhe Albatros Rexhaj me librin “Zonja Z”. “Ka shitur masivisht. Është shumë i kërkuar”, - thonë punonjësit e librarisë “Adrion”, duke shtuar se botimet e reja të autorëve shqiptarë kanë qenë më të kërkuarat. Në stendën  shumë të frekuentuar të botimeve shqip gjenden edhe Mira Meksi me “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”, Ismail Kadare me “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Pax Albania” e Mustafa Nanos, “Vajzat e Ballkonit” nga Edmond  Tupja... “Sigurisht që të interesuarit për këta tituj janë më elitarë”, - shprehen nga libraria “Adrion” duke konturuar  karakteristikat e blerësve, që ndryshojnë sipas shijeve. Po në këtë librari, letërsia e huaj ka shënuar shitjet më të mëdha me “Hajdutja e librave” të “Markus Zusak”, “Syri i keq” të Jason Goodwin. “Të kërkuar kanë qenë të gjithë librat në shqip të këtij autori”,- saktëson stafi, të pasuar me “Ali Pasha” i  Alexandre Duma-së apo “Xhejn Eir” i Charlote Brontë e “Qyteti Bri lumit” i nobelistit indian V.S Naipal.
Po ashtu shumë të shitur kanë qenë “Femrat” i Bukowski-t, të gjithë librat e Paolo Coelho-s dhe “Triologjia e Mjegullës” i Zafonit, bashkë edhe me “Hija e erës” dhe “Historitë” nga Herodoti, të cilët kanë ardhur për herë të parë të botuar në shqip në nëntor të këtij viti.

Nëse në qendër të Tiranës lexuesit janë tërhequr nga romani i filozofit urban, te Rruga e Elbasanit, në kafenenë-librari “E për7shme”, “Zonja Z” mund të ketë shitur gjithsej katër apo pesë kopje. Këtu te ne nuk shiten shumë ata libra që reklamohen, megjithëse ka nga ata blerës me ide të qarta në kokë dhe e dinë çfarë duan të blejnë, ku hyjnë edhe botimet e marketuara. Për blerësit që hyjnë dhe shohin, interesohen për vepra dhe autorë të mirë apo botime të reja, mundohemi të bëjmë sugjerimet tona”, - të thonë nga kjo librari, ku ndër më të shiturit spikatin  botimet e shtëpisë “Pika pa sipërfaqe”, të kryesuara me “ Ferdy Durke” të autorit polak Witold Gombrowicz.  I kërkuar ndër autorët shqiptarë ka qenë edhe fituesi i çmimit “Autori i vitit” në Panair, Arben Dedja me “Histori e(s)katologjike”, megjithatë mjaft modeste nëse krahasohen me letërsinë e huaj e cila mbetet dominuese në shitje.
“Të kërkuar kanë qenë Milan Kundera me ‘Mosdija’ por edhe me ‘Shakaja’, edhe pse ribotim. ‘Historitë’ e Herodotit dhe pas vdekjes së Markezit ka pasur një rritje të kërkesave për librat e tij”, - saktësojnë panoramën nga “E për7shme”.
Sigurisht që nuk i ka shpëtuar trendit as kjo librari, ku shitjet më të mëdha shënohen me esetë e Kadaresë dhe librin e fundit të gazetarit Fevziu. Megjithëse ky vit ka qenë i varfër në botime, siç konstatohet edhe nga kjo librari, shitjet qenë relativisht më të mira sesa situata dhe prurjet e reja në letërsi.

Letërsia artistike, e veçanërisht ajo e huaj, duket se ka dominuar edhe në librarinë “Tirana Times”. Më i shituri aty rezulton Selman Rushdie me librin shumë të debatuar “Vargjet Satanike”, i ndjekur nga Triologjia “Princesha” e Jean Sasson dhe “T’i besojmë mosbesimit” nga Ivan Krastev dhe “Gruaja e thyer”, i autores franceze Simone de Beauvoir.
 Autorët vendas që vijojnë të mbeten në fronin e më të preferuarve janë Kadare, që krahas librit më të fundit është shitur edhe me “Mjegullat e Tiranës”. “Ahmet Zogu. Presidenti që u bë mbret” po ashtu qëndron lart në klasifikimin e më të shiturve të vitit dhe pseudo-romani, ashtu siç edhe ka preferuar ta quajë vetë autori “Vajzat e Ballkonit”, i Edmond Tupes.
“Dominues mbeten librat bestseller. Kjo edhe nga reklama që shtëpitë botuese apo autorët i  kanë bërë”, - thotë menaxheri i “Tirana Times”, ndërsa për raportin letërsi e huaj kundrejt asaj vendase, llogarit se kërkesat kanë qenë thuajse të baraspeshuara.

Krahas letërsisë artistike, ajo që ka shënuar edhe arkëtimet më të mëdha në librarinë “Albania”   kanë qenë edhe librat psikologjikë si edhe enciklopeditë për fëmijë. Letërsia artistike mbetet me lexuesit besnikë të autorëve bestseller.
“Kalorësi i bronztë”, “Kaini dhe Abeli”, “E fshehta e një vere”, “Hija e Erës” “Të ishim bashkë, vetëm kaq” “Kur qau Niçja”, “Kura e Shopenhauerit” dhe “Femrat” janë librat që qarkullojnë më shumë nga raftet e kësaj librarie. “Një nga librat shumë të kërkuar është edhe ‘Gjuha e trupit’, një libër psikologjik ky”, - të informojnë nga stafi i librarisë.
Nobelisti Modiano është i parapëlqyeri edhe në këtë zonë të Tiranës, në rrugën “Sami Frashëri”, i ndjekur nga një tjetër kandidat për “Nobel”, si Ismail Kadare me “Mëngjeset në Kafe Rostand”.  Nga ata më voluminozët në vend të parë renditen Herodoti me “Historitë” dhe At’ Zef Pllumi me  “Rrno për me tregue”. Blendi Fevziu dhe Ben Blushi janë autorë të kërkuar edhe këtu, ky i fundit me librin me ese “Hëna e Shqipërisë”.

Marrja e Çmimit Europian të Letërsisë e ka rikthyer jo vetëm autorin Blushi, por edhe veprën “Otello, Arapi i Vlorës” për të cilën ai u vlerësua në Bruksel këtë  vit.
Në kafenenë-librari “Friends Book House” ka qenë një ndër më të kërkuarit këtë vit.
Frekuentuesit e rregullt, por edhe ata rastësorë të Shtëpisë së miqve të librit, ndër më të kërkuarit kanë pasur “Triologjia e mjegullës” nga Zafon, “Ali Pasha” i Duma-s, “Kënga e Qyqes” nga Galbraith, “Vargjet Satanike” nga Rushdie, “Mosdija” i Kunderës dhe “Hajdutja e librave” nga Zusak. Një nga titujt që spikat vetëm nga lexuesit në këtë librari është edhe libri “Si çokollatë e hidhur” nga Lesli Lokko dhe revista letrare “Poeteka”.
 “Librat më të tërhequr për 2014-n u përkasin dy gjinive të mëdha, dokumentarë dhe artistikë, të cilët  kanë lexuesit e tyre besnikë, megjithatë e kanë bërë nga pak “tradhti” për tituj dominantë ose që iu ka zënë veshi, duke dalë pakëz nga fusha e parapëlqyer”, - shprehet menaxheri i “Friend’s Book House”, Ferhat Muhedini, ndërsa rendit ndër autorët më të kërkuar shqiptarë  Fevziun, Kadarenë dhe Tupen, të ndjekur nga Zija Çela me “Arkipelagu Spiritus”. 

Në betejën letrare apo mëdyshjen e lexuesit mes një libri të mirë apo atij më të shiturit, guri i peshores duket se ka anuar tek ata që janë reklamuar më shumë, duke vërtetuar edhe njëherë shprehjen e famshme “Reklama shet mallin”, edhe kur malli në këtë rast është disi i kategorisë së luksit për xhepat e shtrënguar të blerësve. 

No comments:

Post a Comment