Kështu titullohet një film që ka në qendër jetën e një ushtaraku me aktorin Denzel Washington e kështu kemi vendosur ta titullojmë edhe ne rrëfimin e jetës së një ushtaraku shqiptar. Lexoni ç’tregon Sokol Mitrushi për forcat e armatosura shqiptare, ku shërben si komandant grupi, misionin në Afganistan ku ai ishte pjesë e komandove Eagle IV” e u zunë në pusi nga policia afgane e humbi jetën kapiteni Feti Vogli, e shumë e shumë të tjera. Ndonjëherë jeta ia tejkalon edhe filmave- thotë ai...
Gjithë çka të shfaqet para syve është një masë e përhime që s’ka fund, shkretëtira, stuhi rëre, një diell që të përvëlon gjatë ditës dhe temperatura që të bëjnë të dridhesh nga të ftohtit edhe pse është verë. Fshatra të bombarduar, shtëpi e shkolla të djegura, ndërsa tek kalon pranë tyre të gjithë shqisat duhet të jenë të mprehura për ta dalluar rrezikun, të cilit ia nuhat aromën më afër se kurrë... Por si të ishte një rrëfim që të ka ngërthyer të tërin dhe po e përpin çdo fjalë për të mësuar se ç’ndodh në fund, rrëfimtari me një hile të vjetër për ta mbajtur edhe më gjatë vëmendjen e dëgjuesit, ndalet.
Për ta kapur fillin e tregimit
ashtu si në luftë kapet armiku në
befasi; “Rreziku të kanoset nga të gjitha anët, është shumë dimensional,
konflikti është asimetrik. Nuk ka llogore, nuk ka luftime ballë për ballë, as
tanke e as artileri që bombardojnë njëri-tjetrin...Aty ka njerëz-bombë, makina
që shpërthejnë, mina me telekomandë. Rreziku nis sa del nga baza e derisa
kthehesh sërish. rreziku është
shoqëruesi më i afërt. Në çdo rrahje
sekonde të akrepave mund të ndodhë gjithçka”. E pikërisht aty ku historia bëhet
më interesante sidomos kur ngjarjet nuk janë shkëputur nga ndonjë realizim
kinematografik me luftë, porse një
përshkrim i shkurtër i asaj të vërtete që përjetojnë çdo ditë ushtarët në fushëbetejat ku lufta i ka gjakrat e nxehura,
rrëfyesit i duhet ta ndërpresë aty. Një ushtarak e di mirë se ç’duhet dhe nuk
duhet të zbulojë nga ato ç’ka ka parë e dëgjuar. Kështu e duan rregullat, ndaj
të cilave ai është betuar. Kështu e duan
sekretet ushtarake jo vetëm të shtetit, por edhe aleancës ushtarake në emër të
të cilit lufton.
Deri këtu i ngjan vërtet ndonjë skene filmi si “Shpëtoni ushtarin
Rajan” “Tre mbretërit” apo “Stop-loss” me subjekte nga lufta në Irak, por, kjo
është vetëm një copëz e asaj që vërtet përjetojnë ushtarët në luftë.
“ Realiteti ia kalon fantazisë”- thotë Sokol Mitrushi komandant grupi në Forcat Speciale të Ushtrisë shqiptare, i
cili ka shërbyer në misionin “Eagle IV” në Afganistan, misioni i vetëm luftarak i
forcave të armatosura shqiptare atje.
“Misioni në Kandahar është mision i cili bashkë me rrezikun dhe
kërcënimet, të bën të ndihesh krenar dhe
i barabartë mes të barabartëve,
partnerëve tanë të ShBa-ve dhe NATO-s.
Pavarësisht humbjes se kolegut
tonë, Dëshmorit të Atdheut, Kapitenit Feti Vogli, ne nuk u ndalëm, nuk u
tërhoqëm, por vazhduam t’i shërbenim lirisë, paqes dhe sigurisë, asaj së cilës
ka nevojë më shume se kurrë bota dhe Afganistani”-vijon ai.
Ishte pjesë e komandove shqiptare, të cilët u sulmuan 20 shkurtin e këtij viti në
Kandahar, teksa po patrullononin nën drejtimin e kapiten Voglit në fshatin
Robat 2, për të siguruar jetën e personelit të shkëmbimit të inteligjencës dhe
USAID-it, të cilët po përpiqeshin të hapnin dy shkolla dhe një qendër
shëndetësore në fshat. Aty rreth orës 15:00 siç e pasqyruan mediat, grupi i parë special u sulmua nga 11 policë afganë të cilët hapën
zjarr drejt tyre dhe ku gjeti vdekjen kapiteni shqiptar e u plagosën dy të
tjerë, tetari Aleksandër Peçi dhe një ushtar i forcave aleate.
E megjithatë njerëzit e thjeshtë, banorët e varfër e të rrënuar të atyre fshatrave rreth Kandaharit ku operonte baza shqiptare e
forcave speciale ushqenin respekt të
thellë e të veccantë për këta komando, i cili shtohej edhe më kur mësonin se
ushtarët shqiptarë, i përkisnin fesë
myslimane, të paktën një pjesë e mirë e
tyre. “Edhe kur vdiq shoku ynë, shumë afganë
erdhën për t’i bërë nderimet e fundit në ceremoninë e zhvilluar
atje”.
Nuk ka dëshirë të flasë më gjatë rreth kësaj ngjarjeje, duke e përhumbur shikimin, ngase nuk do t’i ngacmojë më shumë kujtimet
apo ndjesinë e humbjes së një shoku. “Por, një ushtarak jep jetën për të
zbatuar urdhrin që i është dhënë”- vijon me një ton solemn si të ishte duke cituar
betimin ndaj atdheut, një ndjesi që
vetëm ushtarakët, ata që atdheut kanë
zgjedhur t’i shërbejnë duke luftuar .
Por ç’mund ta shtyjë vallë një të ri, të bëhet bashkudhëtar me rrezikun
e ta vërë në provë çdo ditë jetën?! A mos vallë adrenalina që merr si këmbim i
shpërblen të gjitha, edhe ca zgjedhje që për shumë syresh duken irracionale?!
Kush do të nisej drejt një destinacioni duke e ditur se mund të ishte udhë pa
kthim?!
“Nuk mendoj se është adrenalina ajo që synojnë apo preferojnë ushtarakët.
Këtë e them me bindje të plotë, pasi
lufta nuk ka asgjë për ta pasur zili, apo për ta synuar si burim adrenaline e
emocioni. Ushtarakët e dinë mirë këtë.
Nuk bëhet fjalë për adrenalinë kur të vdes
një shok, mik a koleg në mision. Është krejt e kundërta. Ushtarakët janë shumë të
arsyeshëm në zgjedhjet e tyre. Ata kanë bërë një zgjedhje dhe kjo zgjedhje
është zbatimi me përpikëri i misionit të tyre si ushtarak. Kjo është përgjigja
që e jep çdo ushtarak, i çdo misioni e i çdo vendi të Aleancës: besnikëri ndaj
profesionit, vendit dhe vlerave më të mira”.
Për t’i hedhur poshtë gjykimet e lehta e të atypëratyshme të njerëzve që
luftërat i kanë përjetuar vetëm nga ekrani i vogël i televizorit e mbi to kanë krijuar përshtypjet e tyre po në
të njëjtën mënyrë, në distancën e
transmetimeve televizive, Sokoli sjell përvojën e tij.
Ishte ende fëmijë kur vendosi të bëhej ushtarak. Ndoshta një dëshirë e
shprehur me sa zë të mundet nga çdo djalë i vogël, që luan me pushkë e
pistoleta, që fantazon sheshe luftërash te oborri i shtëpisë teksa luan me shokët,
por që për të jo vetëm që nuk u zbeh me rritjen, por u bë edhe më e fortë.
“Frymëzimi për t’i shërbyer vendit tim ka lindur që në moshën 12-13
vjeçare, që në momentet kur në TVSH-në e viteve 1998-1999 transmetoheshin emisione që
përshkruanin Luftën dhe
sakrificat për liri që zhvilloheshin në
Kosovë nga shqiptaret e Kosovës. Pavarësisht se ne atë kohë, më dukej si diçka e largët”. E ka thuajse etalon matës ruajtjen e paqes që
mund të sjellë një ushtri, suksesin që lufta e forcave aleate të Atlantikut të
Veriut arriti në Kosovë, si një antidot kundër ccdo zëri që qarkullon për
ushtritë, për skandale që shpesh kanë zënë faqet e para të lajmeve. Si një pjesë brenda realitetit ushtarak ai e
di mirë se ushtritë shpesh përdoren për qëllime të psastra politike, si
instrumente për konflikte. Por kurrë nuk mund ta pranojë se ushtritë sjellin
kaosin. Jo! Ai e thotë me bindjen e atij
që ka luftuar, se ushtritë sjellin rregullin dhe paqen në një vend të trazuar
kur kjo e fundit mungon prej kohësh. Ashtu si në rastin e Afganistanit, ku ai
kreu misionin e tij të parë.
Kaq e fortë ishte ndjesia që i kishte lënë lufta në Kosovë, saqë Sokol
Mitrushi bëri të pamundurën ta bënte sa më të afërt që mundej, atë që i dukej
ëndërr e largët. Pa i mbushur të
pesëmbëdhjetat udhëton drejt Stambollit për të ndjekur studimet në Shkollën e
Mesme ushtarake në Stamboll.
Madje dhe mamaja e tij e mbështeti dhe e përkrahu e megjithëse ndoshta
si të gjitha nënat nuk do të ishte dakord do e respektonte vendimin e të birit
dhe do të ndjehej krenare për çdo arritje të tij.
Kohët më të bukura ishin ato ta kaluara
Liceun Ushtarak Kuleli në Stamboll.
Fillimi ishte i vështirë, por më
pas u ambientova me disiplinën, rregullin, kërkesat dhe shoqërinë me turq. “Në shkollë të mesme mora shumë nga ana intelektuale, akademike dhe ajo ushtarake, ,
këto falë programeve mësimore perëndimore”.
Ishte pikërisht në seancat e qitjes në këtë shkollë, koha kur do të
mbante në duar një armë të vërtetë dhe do të shtinte mbi tabelën përpara tij.
“Kishim ca pushkë të gjata të Luftës së Dytë Botërore. Kur kam bërë qitje për
herë të parë i kam mbyllur sytë”- zbulon ai.
Një armë që merr qëllimet e duarve të cilave u përkt, për të mbrojtur
jetë apo për t’i shuar ato. Një
armë që e bën dikë hero luftë e një tjetër shkaktar viktimash në radhët
armike...
“Njerëzit që më së tepërmi nuk dëshirojnë të ketë luftë, janë pikërisht
ushtarakët. Pasi jemi ne që vëmë jetën në rrezik për të mbrojtur jetët e
qytetarëve të një shteti”- tregon ai., duke saktësuar se pala kundërshtare në
një luftë respektohet gjithnjë konform rregullave të konventave ndërkombëtare.
“Nëse i referohemi anës njerëzore, duhet pranuar se lufta sjell me vete
tragjedi. Viktimat shpesh herë nuk janë
vetëm ata që humbasin jetën por edhe ata ushtarakë që kryejnë luftën. Kjo shpesh sjell probleme me personalitetin,
anën psikologjike e emocionale. Në këtë kuptim, ushtaraket janë më
të vetëdijshëm se kushdo tjetër që edhe pala kundërshtare, ka të njëjtat
vështirësi si dhe ata vetë”., tregon Sokoli.
Për të arritur atë forcë jo vetëm fizike por edhe shpirtërore e mendore
i është dashur të kalojë plot seanca stërvitore, trajnime, simulime e
improvizime të gjata e të përsëritura situatash lufte, njohja dhe mësimi me
kushtet e një vendi që përpara se të ndodhesh atje. Ashtu sikurse edhe me
kulturën, traditat e banorëve, fenë e tyre apo edhe me torturat që mund të
kalojnë nëse zihen rob...
Një rol të rëndësishëm në përgatitjen e tij ka luajtur Akademia
Ushtarake turke e cila e bëri të kapërcente sfidat me të cilët duhet të
përballet një lider i ardhshëm i ushtrisë.
“Rëndësia që i jepej përgatitjes së
oficerëve të shekullit XXI ishte e bazuar në tre komponentë kryesore që duhet të
ketë një oficer; përgatitja akademike, ushtarake dhe ajo
fizike”.
Ishte nisur drejt Turqisë për t’ i shërbyer atdheut të tij e me po të
njëjtin synim u kthye. Më të përfunduar edhe disa specializime të lidhura me
fushën e tij, në Tiranë do ta caktonin
pedagog dhe komandat kompanie pranë Akademisë Ushtarake Skënderbej. Tani ishte
ai që po përgatiste brezat e rinj të forcave të Armatosura. “Jam munduar t’u
kaloj gjithçka kisha mësuar gjatë studimeve në Turqi; rregull, disiplinë, etikë
ushtarake dhe gjithçka tjetër duhet të ketë një student ushtarak”.
Por, me të marrë vesh se kishin nisur përzgjedhjet për Forcat speciale
shqiptare, të njohura ndryshe si beretat vishnje përfundoi kursin bazë të
forcave speciale.
“Më
pas u bëra pjesë e Forcave Speciale Shqiptare të cilat janë reparti më elitar
dhe më i përgatitur i Forcave të Armatosura shqiptare”.
Ishte pikërisht si pjesë e këtij reparti që u caktuar për të shërbyer
në Afganistan.
“Ky mision i Forcave Speciale shqiptare, është i vetmi mision luftarak
qe zhvillojnë Forcat e Armatosura shqiptare në Afganistan. Çdo shqiptar duhet
të ndihet krenar për djemtë e kësaj
njësie”, shprehet ai.
Me të përfunduar në korrik misionin “Eagle IV” ku shërbeu si komandant
grupi, e me rikthimin në atdhe ndërsa rrezikun për jetën e kish lënë diku andej
në lartësitë mbi njëmijë metra mbi nivelin e detit të shkretëtirave afgane iu
rikthye sërish përgatitjes sa më të denjë të forcave që do të përfaqësojnë
Shqipërinë në misione të ardhshme. Tanimë
me një nivel praktik të një dimensioni më të plotë, ku i kishte prekur gjithçka vetë.
Për të pasur një formim më të plotë si ushtarak, tashmë ka nisur
procedurat për pranimin në ciklin e tretë të studimeve, doktoraturës, ku fusha
e interesit është Siguria kombëtare e gjeopolitika. “ Kam kryer një master në
inxhinieri sistemi dhe një në studime mbi sigurinë dhe kam interes të
vazhdueshëm n këtë fushë. Këto studime kanë shumë përparësi në mjedisin
ndërkombëtar”, rrëfen ai në pritje edhe të një specializimi në ShBA.
Kur nuk është duke luftuar apo nuk po u mëson brezave të rinj teknikat
e reja të mbrojtjes apo sulmit, bën një jetë krejt si të gjithë, por pa iu
larguar dot zakoneve të një ushtaraku që disiplinën dhe rregullin i ka si
këmishë nën kostum. “Kjo vjen për shkak të profesionit pasi ushtarakët
përgatiten gjithë kohës për lugth dhe kur them luftë nënkuptoj luftë për
mbrojtje vlerash të një shoqërie apo kombi. E gjitha kjo ndikon edhe kur nuk e
kemi veshur uniformën”, thotë duke zbuluar se kështu është gjithnjë gati për
misionin e radhës, për luftën dhe misionin e radhës , aty ku atdheu dhe detyra
e kërkon.
Për të hequr dorë?! “Fakti që kam pjesëtar i forcave speciale dhe jo një
ish ushtarak do të thotë se ia ka vlejtur kjo rrugë. Është më se normale të
kesh momente demoralizimi, pro e rëndësishme është të gjesh forcën për ta
mposhtur”, përfundon ai. Sa për rrezikun që ia kalon edhe mendjeve më pjellore
të fantazisë hollivudiane, e ka pranuar qëkur vendosi të bëhej ushtarak.
No comments:
Post a Comment