Monday, February 9, 2015

I gjithë Ballkani në një pikë gjaku










Shkrimtari i njohur malazez rrëfen historinë e familjes, prejardhjen, tre kombësitë që mban në gjak , Malin e Zi, Shqipërinë, Ballkanin, ngjashmëritë dhe diferencat mes vedi, letërsinë...

“Ulqini asht’ qyteti ku jam lè, kam pasë shumë dashni e shumë kam shkrujt’ për Ulqinin. Ulqini asht’ bukuria e Mediteranit, qytet njëqind përqind i hapun, edhe për mysafirët edhe për turistat...” – kështu e nis bisedën shkrimtari malazez, me një shqipe të moçme, poetike në tingëllimin e fortë gegë, që ngjan si e transportuar nga një kohë e largët në mes të zhurmës urbane.
Udhëtari nga e kaluara, ka zënë vend, ndërsa vendos në qoshe çadrën e zezë bishtgjatë që e mbante mbi parakrah, e cila më shumë sesa për ta mbrojtur nga shiu i imët që ka ngrysur Tiranën në fundjavë, duket si mjet misterioz që e transporton në çfarëdolloj vendi dhe epoke që do të donte ai...
Është e kaluara ajo që ka thirrur këtu, në rezidencën e shkrimtarit, shtëpia që shoqata “Poeteka” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kanë krijuar diku në zonën e Pazarit të Ri, për shqiptarë dhe përkthyes letrarë që duan të vijnë për të punuar.
Qëndrimit një mujor, të cilin ia ofron kjo bursë e fituar, në programin “Tirana in between” i ka ardhur fundi, por ai ka marrë esencën e arsyes pse erdhi. Kërkimi i rrënjëve të familjes së tij, në fshatin Ziçisht të Korçës, nga ku ka mbetur vetëm jehona e largët e historisë. Një histori që e ka gjurmuar dhe do e sjellë në romanin, që po e shkruan intensivisht. Ditët e fundit të qëndrimit, thonë se është mbyllur brenda apartamentit, dhe takimet e gjata e të shpeshta me miqtë e Tiranës janë rralluar e zëvendësuar me kafetë e bëra vetë, duke mos i privuar vetes kënaqësinë e të dalit në ballkon, me sytë nga mali i Dajtit...Në një ditë si kjo, ku moti i keq ia largon muzën dhe kockat nuk e durojnë dhimbjen, preferon të shëtisë një copë here dhe të flasë për veten, për historinë e familjes, prejardhjen, Malin e Zi, Shqipërinë, Ballkanin, ngjashmëritë dhe diferencat mes vedi, letërsinë...
Kur kishte vetëm dy apo tri ditë këtu, kënaqej pa e menduar qytetin e tij të lindjes, Ulqinin, ndërsa tani, malli sikur rëndohet me ditët. Nuk është hera e parë që e ka lënë qytetin e tij. Mote të shkuar i është larguar për një kohë të gjatë. Katërmbëdhjetë vite të jetës thotë se i ka shkuar në Bosnje dhe Hercegovinë, “Jam formu’ dhe rritë si personalitet në Sarajevë. Kam punu’ 14 vjet në gazetë të përditshme dhe në Sarajevë, në at’ koh’ i kam gjet’ gjitha knaqsit’. Tash nuk asht’ si në at’ kohë... Qevi lufta, shamatë në identitete dhe fe...Tash asht’ qyteti, i cili vetëm Zoti munet me i ndihmue me ardh’ në at’ nivel, në të cilin ka qen’ para 20 viteve” –thotë, ndërsa grimasa gazmore në portretin shprehës –që pasurohet nga një palë mustaqe –sikur merr ngjyra më të përhime, ashtu si edhe panorama që përshkroi me fjalët e zgjedhura me kujdes në gjuhën shqipe, si të ishte duke situr miell, nga ai i miri që i ati e përdorte për të bërë bukë në furrën e tij, për banorët e sokakut.
Shqipen, zbulon se e ka mësuar nga e ëma, malazeze. “Nana m’ka msue, dhe ky asht paradoksi im i madh. Më msoi nana: Bir në sokak jena! Mundsh me fol gjuhë shqype se mà kallaj kalon. Po baba ka ditë, gjuhë greke, gjuhë shqype dhe gjuhë sllave, por asnjëherë nuk e kam ndie me më than kshtu. Miqtë ma t’mdhej, kanë qen’shqyptarë” –vijon , duke zbuluar një anë të identitetit të tij.
Te Jovan Nikolaidis flenë dhe zgjohen tre identitete. “Gjyshi im ishte vllaho-grek, njana gjyshe vllaho-shqiptare, tjetra gjyshe shqiptaro-greke, arvanitase. Nana ime ishte nga Mali i Zi. Jam ballkanas 100 përqind, por lypeni me dit’, se si njeri që jam n’ Ballkan, nuk e duroj t’folmen për etnicitetin. Unë jam para jush k’tu personaliteti. Vetëm individualiteti asht’ për mue. ” –thotë me ton këmbëngulës. I ka të trashëguara tiparet për të cilat aq shumë dallohet njëri apo tjetri komb.“Kur më pvesni kush jam, un’ e di mir’ kush jam deri kur m’pvesni. Kur ju m’pvesni, nuk e di mà kush jam”.
Romani që ka në dorëshkrim, është historia 200 vjeçare e familjes së tij, i strukturuar mbi tre rrugë; ajo shqiptaro-greke e cila bashkohet me Pavarësinë e Greqisë dhe ndahet fill pas saj, kur grekët nuk ia kthyen ndihmën shqiptarëve në kërkim të pavarësisë së tyre, e dyta lidhet me pavarësinë e Malit të Zi dhe e treta me vuajtjet e familjes në kohën e totalitarizmit. “Periudha totalitare na ka bà shum’ me vuejt. Baba im ka qen’ kulak dhe ka pas’ shumë telashe nga komunizmi. Kjo asht’ tema me pak fjalë” –tregon ai.
Thotë se po shkruan edhe një ese të gjatë, e cila deri më tani i ka arritur afro 50 mijë karaktere të shtypura në kompjuter, siç i mat shkrimtari. “Tirana forever” është eseja që sjell një tablo të kontrasteve shqiptare, dy fragmente të së cilës e ka paraqitur në një portal online në Beograd.
“Flet për bukurinë e Shqypnisë, për tolerancë, komoditet, dinamikën por edhe diferencën e popullit shqyptar. Në një vend shef nji automobil shum’ t’shtrenjt, nji shofer i frymë, hera-her’ pa flokë, me zinxhir me kryq apo i mbuluem që nuk merret vesht ça besimi ka, por e kam pa me sytë e mij... Me nji rrugë t’prishun, 15 metra nën ta, një karrocë nga koha e Enver Hoxhës, katër goma atomobili, nji dërrasë e lidhur me do amortizera dhe nji vogëlush i parrujtun qy  knon. Ky asht’ kontrasti n’Shqypni dhe n’Tiranë. Kur largohet njeriu asht’ mà keq . Kam qen’ edhe n’periferi, dhe kam pa shumë varfëri e kur afrohet ideja lunatike për integrim Ballkani at’her munet njeriu edhe me u çue , me e gadit jetën sociale”.
Por shkrimtari i do kontrastet, janë pikërisht ato që e bëjnë edhe të shkruajë . I gjen edhe në Ulqinin e tij të dashur. “ Shkrimtari i don konrastat, paradoksat. Si shkrimtar lypesh mos me qen’ n’komoditet, se at’here vdes si shkrimtar”.
Kontrastet i kërkon dhe i gjen në Ballkanin që e mban në deje, për të cilin ka shkruar shumë, herë me nota të ashpra duke e kritikuar në formën e eseve, e herë me nota të buta, romantike të shkrira në vargje poezish. Te shkrimtari luftojnë dhe puthen prozatori dhe poeti, duke gjetur paqe mbi fletë që mbushen saherë muza e viziton...

Të bashkuar në Europë
Jo vetëm në gjakun e tij, por e ka parë me sy se ballkanasit, sidomos shqiptarët, serbët e malazezët ngjajnë shumë, një ngjasim që sjell ndoshta edhe burimin e grindjeve...
“Na jemi si kojshijt’. Edhe gjakun ta jep kojshija po ia lype, por po ia prishe nji cop’ murit don me t’vra. Edhe ky asht’ origjinalitet i Ballkanit. Nganjëherë qajmë kur nuk asht vakti, qeshim kur nuk lypet me u qeshë. Kur e pyet për konfliktet në Ballkan, ai të thotë: “Cilët janë konfliktue ? Un’ nuk di. Normalisht dihet kush ka gabue  në at’ konfuzion. Ma parë serbët, sepse ata kanë qenë “populli i ngritun prej zotit” “Vetëm na jemi! ”. Na lypet me u pa faqje-faqje!”.
Rrugëdalja e qorrsokakut dhe e konflikteve në Ballkanin gjaknxehtë e kokëfortë, është e thjeshtë thotë Nikolaidis. “ Asht’ kollaj me u gjet’. Ajo rrugë të çon n’Evropë. Por nuk lypet me shkue  n’Evropë si bagëti. E keqja asht’ se kemi çobanët që mendojnë se jemi bagëti dhe se din’ gjith’ çka na lypet për të shkue  n’Evropë, Na lypet me shkue  me krytin nalt”.
Integrimi i popujve të vegjël në një territor që ka pësuar mbi supe histori disa qindravjeçare kolonizimi, më parë Perandoria Osmane e më pas ajo Austro-Hungareze, thotë Nikolaidis, është jetik. “Asht’ punë e zorshme, por me perspektivë. Kur ta gjejm’ nji rrugë të tanë; shqiptarë, serbë, malazez, kroatë, bullgarë e maqedonas, atëherë na jena faktori që Evropa nuk munet me e luejt. Na kena argumentat, kena sistemet socio-politike, kulturore dhe të tjera. Atëherë ish ma kollaj”. Flet me përbuzje për misionarë të huaj që flasin për çështje që Ballkani i di dhe i ka jetuar vetë. “Pse ka ardhë? Me na thanë: “Ju lypeni me jetue  bashkë. Ne jetojmë bashkë ka njimijë vjet. Ndonjëherë bajm’ shamatë por na dimë mirë çka asht’ bashkëjetesa, toleranca...Nuk na lypet deklarata . Por ndonjiher’ mendoj se as Zoti nuk don me na afrue. Ndonjiher’... Por mendimi im ashtë se kur integrohemi në Ballkan na jena fakt, argument, në një kohë edhe aksiomë, i cili thirret Ballkan”. Për këtë është i mendimit se duhen standardet, të cilat Ballkani thotë ai nuk i ka, por i nevojiten. “Na lypen standarda, po nuk i kemi n’Ballkan, por Evropa ka standarda ma shumë se i lypet dhe ata duen që ata standarda që nuk i lypen t’na i japin ne, dhe t’marrin at’ bukurinë e jetës që ka vdekë n’ato standarda t’Evropës. Na kena gjakun e fortë, jemi emotivë dhe impulsivë. Po ku mundesh me gjet’ në nji kilometër, kontraste që afrojnë nji mijë vjet? Ku i gjen n’Evropë? Ata kanë pas një luftë t’parë, luftën e dytë... E ç’ka doli prej ksaj? Nji Aushwitz dhe u kan’ msu’ serbve me bà Aushwitz në Srebenicë. Nuk e kemi dit’ çka ka qen’, jemi vra për gjys’ dekike me patllake. Ish dasht’ me u nal.
Rruga e paqtimit duhet të kalojë së pari nga Serbia “Lypet që ma s’pari Serbia mos t’shkojë në at’ rrugë ku ka vetëm terr. Ka 20 vjet që ecën në at’ rrugë. Ata i kanë elementat dhe kulturën shum’ t’mirë, por cili dreq ka hy n’atë popull që nuk mundet me u nalun? Naluni, se keni bà, Zoti na ruejt ç’ka keni ba!”. Vë në dukje miqësinë që ka Mali i Zi me Shqipërinë dhe dobia që vjen kur kombet shkojnë mirë me njeri-tjetrin. “Sot kur asht’ situata e hapun, edhe n’politik’, sociologji, ekonomi e kulturë, afrohena. Mendoj se asht’ mà kollaj dhe mà e mirë për na. Asht’ ideja romantike, fantazmagorike, por du’ me i besu’ se vjen ajo kohë. Kadalë-kadalë”.

Popuj-skllevër të mitit
Kur mitologjia është romantike, siç bie fjala te heroi ynë kombëtar Skënderbeu, një figurë “par excellance” mitologjike, e quan Nikolaidis, lind nevoja për mitet. “ Por munesh me fol’ edhe me shkrime liberale. Jo vetëm: “Skënderbeu ka bà kte, ka ba ate”. Edhe na, n’Mal t’Zi kena Njiegoshën edhe përdoret shumë ç’ka tha, ç’ka foli... Punë e madhe fort! Kur e sheh çfarë ka shkruejt, të vjen me qeshë...Problemi i popujve n’Ballkan ashtë krijimi i historisë me elementë të mitit. “Ju keni historinë për nji element, dhe na për at’ element kena nji histori krejt t‘ndryshme. Serbt’ thonë se Kosovopoli ka qen’ beteja ma e madhe ku serbt’ banë kërdinë mbi turqit. Po turqit erdhën n’Beograd dhe u akomodun. Kosova ka qenë, por jo mitologjia.
Thotë se dikur Serbia kishte një shprehje për madhështinë e saj “Serbia deri n’Tokio”, por tani po bëhet dita ditës më e vogël. Një fenomen që e vë re edhe te thirrjet e shqiptarëve për Shqipëri etnike.
Ka vdekë ajo Serbia deri në Tokio. Tani keni fillu’ ju “Shqypni etnike, Shqypnia e madhe shqyptart’ të tanë ku janë! ” Po naluni more! mos bani deklarata politike dhe për strategji! Të drejtë keni, copa toke n’Mal të zi deri edhe n’Serbi, Maqedoni, jan’ toka ku kanë jetue  shqytpart, asht’ fakt. Por çfarë bahet me at’ copë toket kur nis integrimi, hymja n’Evropë, rajonalizimi?
Nuk munemi mos me shku’ e me lirue ata tokat të cilat kanë qen’ dhe ku jetojnë shqyptarë dhe nuk janë në Shqypni, por mendoj se e rregullon rajonalizmi, jo lufta, jo shamata. T’vejmë kufi të tjera? Kufini nuk asht vendi ku nalohet njeriu nga njeriu, por pika ku afrohen njerëzit”. Ai thotë se kapiteni i etnicitetit në Shqipëri janë femrat. “ Kush lypet me marrë flamurin e Shqypnisë n’dorë? Femrat, shqyptareshat. Edhe malazezët dhe shqyptarët, në një dorë kemi pushkën e n’tjetrën kena rakinë dhe kemi lanë shpinë, fmijt e bagëtinë në dorë të femrave. Ky asht’ problem i madh i Ballkanit, por në çështje tjetër, shqyptart’ i duen dhe i respektojnë fermat, deri në një pikë. Po kur idhnohet femra...tretet menjëherë trimnia e shqyptarëve dhe e malazezve.”
Diferencat Tiranë –Prishtinë
Esenë “Tirana forever” mbi të cilën ka hedhur 50 mijë karaktere e ka dërguar në Beograd, duke e ditur edhe reagimin që do të kishte atje, saherë lexohet emri i tij, apo i të birit. “Kemi pas’ telasha. Nuk ka vdek’ klero-fashizmi dhe nacional-socializmi n’Serbi. Ashtë ende i fortë.
“Kam sjell’ nji panoramë, të tokës, njerëzve, të situatës politike, të kontrasteve ekonomike që jan’ shum’ t’fortë. Unë mendoj se ju në Shqipëri jeni martira. Çka keni kalue ju, shyqyr zotit jeni të gjithë gjallë dhe mirë mendërisht. Kosovarët në ish-Jugosllavi kanë qenë mà të lirë se ju, kanë pasur mundsi të shkollohen, të njekin universitete , të dalin jashtë. Mendoj se asht’ e randsishme diferenca e kulturës mes Kosovës dhe Shqypnisë, sepse ka.

Kur shqyptart kanë ikë në at’ kohë nga Shqypnia, kanë qenë elita mà e mençur. Kosovarët kanë ik në Evropë pa shkollë, pa asgjë, kanë shkue për t’punue.  Ajo elitë që ka ikë nga Shqypnia i ka rujt’ të tanë elementet e kulturës që i ka pas para ikjes, por kosovart nuk kanë pas as kulturë dhe as nji gjà. Ajo asht’ diferenca që shihet sot. Kur ju jeni persona kulture dhe intelektualë seriozë, jeni njësoj si intelektualët n’Romë, Berlin, n’London, etj. Këtu nuk lypet shumë ta shofish sa randë janë ata. Jugosllavia nuk u ka dhanë shumë, por nga ana tjetër u ka dhanë boll, deri kur ka ardhur Millosheviçi dhe doli dreqi nga shishja dhe sot asht’ si asht’.

No comments:

Post a Comment