Aq shumë e
magjepsi Japonia saqë u bë dhëndër atje. Muzikanti i njohur Genc Tukiçi rrëfen
historinë e dashurisë me Ayumin, përshtatjen me traditat e vendit të saj si
edhe rritjen e dy fëmijëve Nadia dhe Abraham me kulturën shqiptare e japoneze, në
mes të Parisit
Udhëtimin
e parë në Japoni e bëri 13 vite të shkuar,
i ftuar në një koncert për piano.
E shoqëronte nga një prej studenteve të tij të
Parisit, e cila rastisi të ishte vendase. Nga ai udhëtim jo vetëm që kuptoi se kishte
mbetur i dashuruar me Japoninë, magjia e së cilës kishte nisur ta joshte ende
pa e vizituar, por vërtetoi edhe atë thënien e famshme, se vajzat japoneze janë
shumë të bukura. Nga ai udhëtim lindi dashuria për Ayumin, vajzën me sy
bajameje dhe faqet me gropëza që e shoqëroi gjatë kësaj vizite. U kuptuan me
njëri-tjetrin menjëherë edhe pse kishin lindur në skaje të ndryshme të botës. “Ndoshta
kjo ndodh mes muzikantësh. Ime bijë kur e pyesin çfarë kombësie ka babai,
përgjigjet “E kam muzikant”, tregon Genci duke qeshur. Madje nuk ndjeu
vështirësi as në takimin e parë me prindërit e Ayumi-t. “Sigurisht që u tregova
i kujdesshëm, por disa nga veçoritë e traditës së tyre si; mirësjellja,
respekti, mirëdashja ishin pjesë e edukatës familjare me të cilat më kanë
rritur prindërit. Prandaj u ndjeva menjëherë si peshku në ujë”- thotë Genci.
Megjithatë nuk mund t’i shpëtonte pa u çuditur zakonit të tyre të të mos
shtrënguarit të dorës apo përqafimit dhe puthjeve kur takohen me të afërm.
“Edhe sikur të kenë muaj të tërë pa u parë ata nuk puthen e përqafohen me
familjarët. Përshëndeten duke ulur kokën në shenjë nderimi. Por kjo nuk do të
thotë se janë njerëz të ftohtë. Është thjesht shenjë e kulturës së tyre”. Kulturë
që e kanë trashëguar edhe dy fëmijët e vegjël të Gencit, Nadia 11 vjeç dhe
Abrahami 8 vjeçar, të cilët kur shkojnë në Japoni edhe ata ndihen ashtu, si
peshku në det. “Ne e vizitojmë Japoninë çdo vit, gjatë
sezonit të verës dhe fëmijët i çojmë në shkollë atje. Jam shumë i lumtur kur
mësueset na thonë se niveli i tyre është njësoj me të fëmijëve japonezë”. E
megjithëse kur janë në Paris apo Tiranë të gjithë i shohin si dy japonezë shumë
simpatikë, në Japoni vendasit e bëjnë dallimin që në fytyrat e tyre ka plot
tipare europiane. Genci thotë fëmijët flasin shumë mirë shqip dhe japonisht (kanë
mësuar duke ndjekur shkollën japoneze dhe atë shqipe që është hapur në Paris), madje
vetë Genci ka mësuar të komunikojë në gjuhën japoneze po ashtu edhe bashkëshortja
në shqip. Është argëtuese të shohësh sesi komunikojnë ata në shtëpinë e tyre.
“Unë u flas në shqip dhe ata ma kthejnë po në shqip, ndërsa me mamanë e tyre
komunikojnë në japonisht”. Në shkollë mësojnë në gjuhën frënge dhe me dhuntitë
që kanë për të mësuar shpejt gjuhë të huaja, xhaxhai i tyre Davidi tregon se
shpesh habisnin fqinjët e tij në Itali, kur një japoneze e vockël elegante i
përshëndeste në italisht. I kanë aq të qarta gjuhët saqë asnjëherë nuk
ngatërrohen. Megjithatë, në fillim Genci rrëfen se kishte pak merak mos gjithë
ai informacion dhe ndryshim kulturor do i hutonte. “ Pediatrja më qetësoi se
nuk kishte asnjë problem. Mjaft të mos ia ngatërronim gjuhët. Ndoshta për
moshën e tyre është fjalë e madhe, por e di që mund të quhen multikulturalë”. Bashkë
me familjen e ka shëtitur Japoninë nga jugu drejt veriut dhe ka mbledhur plot
mbresa. Ama, e preferuara e tij mbetet Tokio. “Është qytet që jeton ditë-natë. Qytet
plot me djem e vajza të reja, të cilat vishen bukur, madje ekstravagante e
tejet avangarde do të thosha. Kur lëviz në Tokio të duket vetja shumë i vogël
dhe qyteti të ngjan me tjetër planet, sikur të mos ishe në tokë”. Si të gjithë
ata që e kanë vizituar të paktën njëherë Japoninë, nuk mund të mos përmendte parqet
e pafundme me bimësi dhe kafshë. “Ata e duan dhe kujdesen shumë për natyrën”. Edhe
komoditeti i transportit është nga ato lukse që një turisti ia ka ënda ta
shijojë me trenat super të shpejtë që ngjajnë sikur kanë dalë nga e ardhmja. Kurse
ushqimin e shëndetshëm japonez, që Gencit i duket shumë i shijshëm, nuk pret ta
konsumojë vetëm gjatë pushimeve japoneze. “Gruaja ime e gatuan shumë shpesh.
Sigurisht që di të gatuajë mirë edhe pjatat mesdhetare, por na pëlqen shumë specialitetet
japoneze”, zbulon Genci, ndërsa rrëfen që po bëjnë gati valixhet drejt Tokios-
nëse axhenda e tij prej muzikanti nuk i ka rezervuar ndonjë koncert surprizë.
Vetëm se kësaj here nuk do të jetë ai turisti që ka nevojë për një guidë
vendase si 13 vjet të shkuar, porse dhëndri i Japonisë, të cilën tani e njeh më
mirë dhe e do më shumë...
No comments:
Post a Comment