Thursday, March 19, 2015

Petro Zheji, humbja që nuk mund të përkthehet




















Në moshën 85- vjeçare nuk mundi më ta mposhtte sëmundjen në një dyluftim të gjatë. Iu bashkua ditën e djeshme bashkëshortes, aktores shumë të dashur Besa Imami, e cila u nda nga jeta vitin e kaluar.




Petro Zheji u largua nga jeta. Të shkruash mbi humbjen e një kolosi të letrave shqipe, atij që e zotëronte gjuhën me mjeshtëri të pashoqe, atij që i fali lexuesit dhe vendit shqipërimet e kryeveprave botërore, duart dridhen jo vetëm nga ndarja me një njeri të madh –që madhështinë e ngriti me punë, pa u përpjekur të duket, pa bërtitur për prezencë, por edhe nga përgjegjësia për ta dashur dhe respektuar gjuhën shqipe, ashtu siç e donte ai...
Për miqtë, kolegët, gjuhëtaret e përkthyesit që ishin mbledhur ditën e djeshme për t’i kushtuar homazhe burrit që u nda fizikisht nga jeta, por që do të qëndrojë i patundur gjatë me veprën, ai ishte një Odise -nga përmasat gati-gati mitike të eruditit, mjeshtrit të gjuhës shqipe e shqipërimit nga disa gjuhë të botës, por edhe nga vepra e tij, thuajse si rrugëtimet e trimit në detin e trazuar të gjuhës...
Artistë, politikanë, shkrimtarë, përkthyes e familjarë hynin e dilnin me kryet ulur, disa dhe të përlotur në mort.
Salla “Unesco” në Muzeun Historik Kombëtar hapi dyert dje për të pritur njerëzit që erdhën ta nderonin. Ishin shumë. Të shumtë ata që ia ndjenë humbjen. Ata që u pikëlluan se nuk do të kishin më një vepër që dilte nga duart e Zhejit. Një vepër nga ato me peshë kombëtare, muzeale, ashtu si edhe vetë hija e institucionit që e priti.
Në moshën 85- vjeçare nuk mundi më ta mposhtte sëmundjen në dyluftimin e gjatë. Iu bashkua ditën e djeshme bashkëshortes, aktores shumë të dashur Besa Imami, e cila u nda nga jeta vitin e kaluar.
Por, a mund të ndahet njeriu që e përjetëson veten në këtë tokë me veprën e tij?
Ai është dhe do të mbetet një ndër figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare.
Poligloti që e njihte me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njihte e zotëronte deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.
Kushdo që do të marrë në dorë veprat që mbajnë firmën e përkthimit dhe shqipërimin elegant zhejian, do e ndjejë se ai u flet së gjalli me punën e tij. Do të flasë me vëllimin e dytë “Don Kishoti” të Servantesit, që e shqipëroi nga spanjishtja, duke e vendosur veten në piedestalin e përkthyesve shqiptarë, e duke qëndruar krah për krah me Fan Nolin...
Do të kujtohet me “Obllomovi ”të Goncarovit, nga rusishtja, “Ringjalla Tolstoi”, “Vitet e zemërimit” të Shtajnbekut, që e solli për lexuesin nga anglishtja, “Zoti President” dhe “Papa jeshil” të Asturiasit..Këto janë vetëm disa prej punëve të tij.
Kryevepra m ajo që i kushtoi një punë të thellë e të pandërprerë ishte studimi me dy vëllime
 “Shqipja dhe Sanskritishtja”. Vepra është një monument mendimi shkencor dhe akademik, mes dialogimeve të historisë dhe filologjisë, filozofisë dhe matematikës, simbolikës dhe kozmogonisë, religjionit dhe interpretimeve transhedentale. Studiues të ndryshëm, në vlerësim të kësaj vepre, gjykojnë se ajo, tejkalon të gjitha studimet e mëparshme që e trajtojnë gjuhën thjesht si një materie gramatikore të disiplinuar apo si etimologji historike e krahasuar. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara.
Në mënyrë paradoksale nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit...
Në një shkrim të tijin botuar kohë më parë në gazetën MAPO, Astrit Cani shprehej se për Petro Zhejin, Shkenca është arti i tij.
“Njiherit, si njeri thellësisht shpirtnor, Zheji nuk shef kontradiktë mes shkencës dhe shpirtit. As mes arsyes dhe besimit. Puna e tij nuk ia hipotekon shqipes veprat e ardhuna”- do të shprehej Cani dikur, ndërsa shton se “Shqipja e sanskritishtja” duket sikur ia hipotekon shqipes pjesën ma të kryehershme të etimologjisë indo-evropiane.
“Sidokjoftë vepra “Shqipja e sanskritishtja” nuk u pranue për botim, si na e tregon edhe Zheji te parathania. Zheji nuk i numron arsyet pse u ndalue, por s’ka dyshim se kjo ishte nji vepër me përmbajtje thelbsisht metafizike, e cila pavarësisht se censorët nuk arrijshin me e rrokë, i jep atmosferën krejt librit. Arsyeja tjetër, ma e pritshme, asht se libri ishte krejtsisht antidogmatik dhe propozonte nji përmbysje radikale ndaj mendësisë së mykun të gjuhësisë militante të kohës, simbas të cilës shqipja ishte gjuhë minore, pra gjeografia dhe historia e saj ishin njisoj të vogla”.
Petro Zheji, njeriu i veprave të mëdha, i sëmurë dhe i harruar nga akademikët
Aktorja dhe pedagogia e Akademisë së Arteve, Ermira Gjata, në një analizë për botimin e fundit të studiuesit Petro Zheji, “Libri i aforizmave”, e takoi studiuesin i cili i mposhte dhimbjen që i jepte sëmundja, ndërsa shkenca e tij ishte më e fortë dhe më sfiduese.
Thoshte se me studimet kishin nisur të merrej qysh në bark të nënës... “As unë nuk mund ta them dot me saktësi, mbase që në bark të nënës, pasi duhet një strukturë e mendjes qysh në gjenezë që të më bëjë mua t’ia kushtoj gjithë jetën time këtij zbulimi...Dhe duhet ta kesh të qartë, që jo vetëm s’e kam pasur të lehtë, por kam kaluar nëpër sprova e sfida jashtëzakonisht të vështira, të llojeve nga më të ndryshmet, që s’është vendi t’i përmendim, e megjithatë ja ku ia arrita qëllimit. Dhe ajo që më ushqeu pasionin e kësaj pune voluminoze e shumëvjeçare, që më bëri të kapërcej pengesa pambarim, ishte Besimi, ai më mbajti fort dhe më qartësoi.”, i përgjigjej ai intervistueses. Besimi që e bëri të punojë fort, deri në ditët e fundit të jetës së tij, kur vdekja vendosi ta marrë, duke e bërë të paharrueshëm. Të gjithëve që ndahen nga kjo botë, në lamtumirën e fundit u thuhet “I paharruar i qoftë kujtimi!”. Petro Zhejit, emri dhe vepra do i jenë të paharruara njëmendi. 

No comments:

Post a Comment