Friday, May 13, 2016

10 vjet Poeteka …dhe poezia vazhdon




…ashtu si ëndrra e atyre që besuan tek ushqimi i shpirtit, te vargjet si mënyrë të jetuari, që i hapën velat e lundruan në qytetërime, epoka, kultura e gjuhë për t’i dhënë zërin poezisë…Në dhjetë vite prej themelimit “Poeteka” është bërë vula shqiptare që rrëzon kufijtë e letërsisë, jo vetëm si Festival Ndërkombëtar , por edhe si revistë letrare që u jep mundësi poetëve, shkrimtarëve e përkthyesve të rinj, si shtëpi botuese që sjell në shqip letërsinë bashkëkohore ballkanike dhe Rezidencën e Shkrimtarit , duke e bërë kryeqytetin destinacionine e kërkuar prej autorëve nga Ballkani dhe Europa Juglindore. Një lundrim përmes kujtimesh dhe përvojash.
Nga Suadela Balliu

…Mole të thyer. Direkë të shtrembër
ngulur thellë në çaçkë të anijes
para se kryqet shfaqen në ëndërr.
Rrugët bien me erën ngulur pas shpine.
Mendja kthen për një natë në Epidamn.
Kujtesa regjet nga kripa, mbledh lule mërsine…
Të lashtin Epidamn evokoi poeti, i ndihur nga miqtë dhe vela letre i veshi anijes, që pas lundrimit në dete të hapur ankoroi në Dyrrahun  ku kishin shkelur ilirët, bizantinët, venedikasit…
Muret Bizantine dhe Torra Veneciane në Durrës, simbole fortifikimesh në kohë luftërash dhjetë vjet të shkuar u bënë shtëpi e parë për një grup poetësh, artistësh e dashamirësish të letërsisë për të mbajtur të parin edicion të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë dhe Letërsisë, pagëzuar me emrin “Poeteka” .
Ishte poeti dhe shkrimtari Arian Leka, (vargjet e të cilit thërrasin Epidamnin në krye, shkëputur nga “Libër Deti” ) themeluesi i kësaj nisme që ka shkelur në të njëmbëdhjetin vit , duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion të poezisë nga e gjithë bota. Fqinjë nga Mali i Zi e Kroacia, Greqia, Serbia Kosova, Bosnja Maqedonia, të ardhur nga vise të lindjes si Turqia, Rumania, Bullgaria apo Rusia, emra të njohur të letërsisë nga Italia, Portugalia, Spanja e Holanda, Sllovenia, Gjermania, Franca, Izraeli e deri nga Amerika ishin pjesëmarrësit në këtë festë të madhe të poezisë, që e desh këtë të fundit ta shihte më shumë sesa art i lexuar zëshëm në publik – për të gjithë ata që nuk ishin mësuar të shihnin tubime të kësillojta në sheshe e vende me qiell të hapur – të bëhej mënyrë jetese. Për ta nxjerrë poezinë prej fletëve të librave dhe për t’i dhënë jetë mes njerëzish.
Ata që e kanë përjetuar prej vitit të parë- ideja u ngjiz më 2004 –ën në një mbrëmje që u quajt si parafestival, e cila e bëri gati tokën për të mbjellë farën e poezisë – e kujtojnë si të ishte dje, kur në ato ditë të ngrohta vere Durrësi bëhej epiqendër e kulturës, ku jetohej dhe festohej.
E mbështetur në muret e traditës dhe shijes klasike, ku statujat e antikitetit në sfond do merrnin tjetër ngjyrë nga drita e poezisë, me kalimin e viteve “Poeteka” do i hidhte sytë edhe përtej, për ta prekur me pëllëmbë të gjithë Shqipërinë. Stacione mikpritëse do të bëheshin Tirana, Berati, Elbasani, Shkodra, Kruja , Vlora e Pogradeci , ku komuniteti që rritej çdo herë e më shumë me shkrimtarë, përkthyes, kritikë, eseistë, botues jo vetëm flisnin me poezinë dhe për poezinë, por e zgjeruan fushën e diskutimit me tema si “Liter (N) atura” – konferencë shkencore në Përmetin e atij që e deshi shumë dhe aq shumë i shkroi natyrës, Naim Frashërit apo në Dhërmiun e Petro Markos , apo “Meta(l)f(l)ora”- ku metafora në poezi bëhet aq krijuese edhe me gjetjet vizuale që e qasnin poezinë kah bashkëkohësia dhe shijet moderne. Për të kapur ritmin dhe ecur përkrah rrymave dhe tendencave botërore të letërsisë – një letërsi e penguar dhe e ndaluar prej diktaturës komuniste. Edhe kësaj letërsie të penguar e të ndaluar Poeteka i kushtoi vëmendje në edicionet e festivaleve të saj. “Ballkon-Ballkan” ishte një tjetër temë e rëndësishme që hodhi farën e parë të njohjes së letërsisë dhe kulturës së tjetrit, kaq të afërt e kaq çuditërisht të panjohur. Shumë autorë ballkanas u përkthyen në gjuhën shqipe -në poezi e prozë- përkthime që tashmë janë pjesë e kolanës së botimeve “Poeteka” , e cila sjell më të mirën e letërsisë ballkanike. Të gjithë autorët e botuar e kanë shkelur Shqipërinë përmes nismave të Poetekës. Tashmë organizatorët janë të lumtur që duke e sjellë letërsinë ballkanase në Shqipëri,  ajo u bë e njohur dhe të tjerë ente e kanë parë të volitshme për të përkthyes më shumë autorë të rajonit.
“TRANSPport: Në gjuhën e “TJETRIT”- Përkthimi si arti i hollë që ndan besnikërinë me tradhtinë e një teksti apo autori, një kulture apo një kumti , ka qenë gjithashtu në fokusin e vazhdueshëm jo vetëm të Festivalit, por edhe revistës kulturore e letrare “Poeteka” , e përtremuajshmja që lindi fill me këtë festival , duke i numëruar 38 kopertina tashmë e prej një viti është e vetmja revistë shqiptare pjesë e rrjetit më të madh të revistave kulturore europiane EUROZINE që lidh 80 revista partnere dhe shumë e shumë revista dhe institucione partnere që bashkëpunojnë mes tyre pothuajse në të gjitha vendet europiane.
Në faqet e revistës Poeteka një hapësirë i kushtohet këndit dygjuhësh, ku letërsia në prozë apo poezi vjen e ballafaquar në origjinal dhe përkthim e një hapësirë të konsiderueshme kanë edhe përkthyesit e rinj, për të mos lënë këtë art vetëm me shkollën e vjetër , por duke e pasuruar me prurje të reja.
…Recital poezish, poezi-film, dance-poezi, sound-poezi, poezi-performancë, muzikë e art pamor… Në këta dhjetë vjet Poeteka është bashkuar dhe ka rrugëtuar edhe me artet e tjera për të sjellë larmi në ditët e saj të festimeve, por edhe ndarjes së mendimeve mbi çka e shqetëson letërsinë. Temat tabu në letërsinë shqiptare, Çështjet e lirisë në shoqërinë shqiptare të para viteve ’90 dhe në shoqërinë e sotme, Mitet e reja – mythopoeia e atdheut në gjuhën shqipe dhe në poezinë shqiptare, Njeriu i Ri si një temë totemike në realizmin socialist shqiptar, Propaganda e fshehur në aktivitetin filatelik, Rreziku i kthimit të formave të diktaturës përmes autoritarizmit, populizmi dhe kulturës masive, etj. Europianizim / Ballkanizim, Pavarësimi i mendjeve në 100-vjetorin e Pavarësisë, Pushteti i humbur i poetëve në shoqëritë e sotme.- Kalimi nga shoqëria e spektaklit drejt shoqërisë me kulturë karaoke, Nënshtrimi i depolitizuar estetik në shoqëritë posttotalitare, Kundërshtarë dhe kundërshtues, Multikulti & Feminizmi. ..Këto e shumë të tjera kanë merituar diskutimin dhe vëmendjen e komuniteti të shkrimtarëve , përkthyesve e kritikëve.
Muze arkeologjikë, amfiteatro, qoshka intime, salla teatri, kisha mesjetare, rrënoja antikiteti, bare dhe klube tendencë kanë qenë disa nga vendet që kanë mirëpritur miqtë e poezisë nga Shqipëria e përtej.
Poezi në gurë, poezi në verë, poezi në shkrime të shenjta …format për ta prurë kanë qenë nga më të çuditshmet dhe kreativet.
Çanta, bluza, qeleshe, shishe vere , unaza…kanë qenë suveniret që pjesëmarrësit kanë marrë vulosur me markën “Poeteka” dhe me shijen shqiptare.
Një festival nuk kuptohet pa çmimet dhe Poeteka i ka shpërndarë disa gjatë këtyre viteve të cilët kanë udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Çmimi “Liburna”, Çmimi “Criterion”, Çmimi “Nositi” dhe “Unaza Poeteka” – një çmim që simbolizon martesën me poezinë e gdhendur me Dyrrahun emblematikë në argjend janë dhënë për emra të njohur të letërsisë europiane si poetesha italiane Maria Luisa Spaziani , njëherazi edhe presidente e Qendrës Ndërkombëtare “Eugenio Montale” apo poetit portugez Casimiro de Brito.
Jo vetëm poetë të huaj, por edhe ata shumë të dashurit shqiptarë…Ata që kanë ndjekur rrugëtimin e Poetekës kanë pasur fatin të dëgjojnë përsëgjalli zërin e Ali Podrimjes tek reciton…një rast i rrallë që për fat të keq nuk vjen më, pasi poeti është ndarë nga jeta.
Nga mikpritës për disa ditë, Poeteka prej tre vitesh i ka hapur dyert e saj gjatë gjithë vitit duke pritur shkrimtarë e përkthyes nga Ballkani e Europa Juglindore, në Rezidencën e Shkrimtarit, shtëpia që strehon çdo muaj një shkrimtar a përkthyes, i cili e zgjedh Tiranën si një destinacion për projekt letrar .
“Tirana in Betëeen”  është pagëzuar kjo veprimtari e organizuar nga Poeteka, me mbështetjen e rrjetit letrar TRADUKI, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Janë 17 shkrimtarë që e kanë njohur Shqipërinë duke jetuar një muaj në Rezidencën e  Shkrimtarit dhe Përkthyesit Letrar.
Poezi, tregime, përjetime personale janë gjurmët që këta shkrimtarë kanë lënë për Shqipërinë . Janë më shumë se 600 faqe material i shkruar në këta vite nga të gjithë ata që e kanë njohur Shqipërinë përmes Poetekës.
Për ta bërë monedhë të qarkullueshme në më shumë duar lexuesish, Poeteka mendoi që përvojën një mujore të secilit prej shkrimtarëve të kësaj rezidence, ta sillte në format kartoline. Një copëz trashëgimie kulturore, një kafene e ngrohtë, një librari apo një kostum tradicional, ëmbëlsuar me poezi apo pjesë nga proza e këtyre shkrimtarëve të ardhur nga Ballkani dhe Europa. Një monedhë të qarkullueshme me formën e një kartoline që nismëtarët kanë preferuar ta shpërndajnë falas në libraritë e kryeqytetit. Shpesh gjërat e bukura, nuk janë ato më të kushtueshmet. Kjo veprimtari e Poetekës, ka hyrë në vitin e saj të katërt, ndërsa në ditët e para të marsit shtëpia e shkrimtarëve do të mirëpresë autoren kroate , Petra Rosandic e kështu muaj pas muaji do të vijnë  fituesit e bursës për vitin 2016.
Dhjetë vjet mund të jenë një kapsitje sysh e Zotit, mund të duket sikur ka qenë vetëm dje e gjithë kjo përvojë…Koha shpesh e humbet nocionin për atë që lundron në dete…edhe kur ky ka ngjyrën e letrës dhe shijen e poezisë, por ajo çka mbetet pas është një histori…e cila nuk ka në plan të mbetet në nostalgjinë e së shkuarës. Organizatorët kanë nisur punën dhe përgatitjet si velat e anijes që u shtrinë atëmot, më 2005 –ën.
Epidamn! Mbret Epidamn!
Në jerm flet gjuhën që flisje, me thikë shkruan mbi
argjilë gjuhë tjetër. Nuk e dije. Nuk kishe si ta dije
se thika që përdore për të prerë fyte, përdorej për të
prerë dhe letër.
Mbret Epidamn! Pëlqeve Adriatikun.
Në trup fshehe det tjetër…

Bij dhe Dashnorë, Kompleksi i Edipit dhe romani që ndryshoi letërsinë angleze




Nëse Lawrence-i do të vritej  pasi shkroi këtë libër” – ka thënë Larkin-i – ai ende do të ishte romancieri më i madh i Anglisë. Nëse dikush i përjashton të gjithë librat e tij përveç “Bij dhe Dashnorë “ dhe “Dashnori i Lady Çaterleit” ai ende mbetet shkrimtari më i madh i Anglisë. Një temë e madhe, të cilën pak romancierë atëherë apo tani kanë guxuar ta prekin. E megjithatë ai ia doli triumfalisht. Nuk ka asgjë të ngjashme me Bij dhe Dashnorë në të gjithë letërsinë. Një libër i madh, i renditur nga Biblioteka Moderne në vendin e nëntë mes 100 librave më të mëdhenj të  shekullit 20, ky libër vjen në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”
“Po të them se kam shkruar një libër të madh” , kështu i çoi lajm D.H Lawrence –i  botuesit të tij Edward Garnett-it , pasi i shpuri dorëshkrimin e “Bij dhe Dashnorë” në nëntor të vitit 1912. “Lexoje romanin tim – është roman i madh” . Mungesa e modestisë së Lawrence-it është e falshme: libri kaloi katër drafte dhe pas dy vitesh betejë ai u lehtësua pa masë kur e përfundoi. Ndjesia e ngazëllimit nuk zgjati shumë. Ai merakosej rreth titullit ( e kish titulluar fillimisht librin “Paul Morel”. Ai merakosej nëse do të përfitonte nga parathënia ( dhe me vonesë i postoi një Granett-it). Shqetësohej rreth xhaketës së pluhurit dhe e rregulloi me një mik, Ernest Collings, të skiconte një ( siç edhe parathënia, nuk u përdor). Nën këto shqetësime shtrihej një shqetësim më i thellë, rreth vetë tekstit: “Jam një admirues i madh i punës sime, ndërsa është e re, por pas njëfarë kohe nuk më pëlqen aq shumë” – pranonte ai.
Lawrence pati të drejtë. “Bij dhe Dashnorë” është një roman madhështor. Një shekull lexuesish kanë zgjedhur të njëjtin cilësim.  FR Leavis e bëri kur e përfshiu Lawrence-in në “traditën e madhe” të romanit anglez, duke përfshirë Jane Austen-in , George Eliot-in, Henry James-in dhe Joseph Conrad-in. Po ashtu bëri edhe Philip Larkin-i, duke e përshkruar Lawrence-in, si “romancieri më i madh i Anglisë’ dhe “Bij dhe Dashnorë” arritjen e tij më të madhe: “ Thuajse çdo faqe e tij është absolutisht e përsosur”. Përsosmëria nuk ishte e dukshme për ata pranë Lawrence-it në atë kohë, duke përfshirë edhe të dashurën e tij të fëmijërisë Jessie Chambers, botuesin e tij Garnett-in dhe bashkëshorten e tij të ardhshme Frieda, të gjithë këta sugjeronin përmirësime dhe lanë shenjat e tyre në tekstin e përfunduar. Por recensat ishin të mira dhe 100 vjet më pas, reputacioni i romanit u rrit, pavarësisht zhytjes së fundit në qëndrimin kritik të Lawrence-it.
Për ata që sapo janë njohur me Lawrence-in si autor, “Bij dhe Dashnorë: është një vend për të nisu. Megjithëse ka ardhur pas “ Palloi i Bardhë” dhe “ Shkelësi” , lexohet si romani i parë. Nuk është as sepse historia sillet rreth fëmijërisë dhe adoleshencës dhe gjithçka ndodh rreth tyre, përfshirë frikën, turpin, vetëdijen, mbindjeshmërinë emocionale, zgjimin seksual dhe sigurinë arrogante që ( siç e vendos Paul Morel-i) është “ të ndryshosh fytyrën e tokës në një mënyrë a tjetër”.
Është gjithashtu freskia dhe intensiteti me të cilin Lawrence-i paraqet familjen Morel- sikur kjo të ishte e vetmja familje në botë ku prindërit nuk shkojnë mirë, i ati pi, e ëma qorton të dashurat e të birit, paratë nuk mjaftojnë, arti dhe letërsia bëhet strehë e kështu me radhë.
Në moshën 27 –vjeçare, Lawrence – ishte i mirarsimuar dhe shumë i lexuar, por stili i “Bij dhe Dashnorë” është mrekullisht i pavetëdijshëm se ironia angleze thyen magjinë. Ironia nuk ishte në natyrën e Lawrence-it dhe në atë kohë ai shkroi librin të cilit nuk ia kishte ngenë.
Nisi ta skiconte romanin në tetor të vitit 1910 dhe e përfundoi pas dy vitesh; në mes, ai i dha fund marrëdhënies së gjatë me Jessie Chambers -in, u fejua për t’u ndarë më pas me një tjetër të dashur, Louie Burroës, humbi mamanë gjatë betejës me kancerin, u sëmur rëndë me pneumoni, u tërhoq nga mësimdhënia në Croydon, u kthye në Nottingham, ra në dashuri dhe udhëtoi nëpër Europë me Frieda Weekley -in, gruan e një prej profesorëve të tij.
Të gjitha këto kriza ushqyen romanin. Pak tekste kanë qenë më shumë “të mbuluara”. Ashtu siç Frank Kermode ka nënvizuar, që romani i tij të ishte organik dhe i hapur ndaj përvojave “ i çliruar nga barra e finalitetit dhe plotësisë vendosur në të nga armiqtë e tij, romancierët, të cilët, sipas opinionit të tij, “Bij dhe Dashnorë” ishte në rrezik për t’u dukur i dobët dhe diskursiv , prandaj ia dërgoi kopjen e shtypur Garnett-it, duke ngulmuar “Ka marrë formë” dhe përse Freida u ndje e detyruar të shtonte postskriptin e letrës së Lawrence-it duke bërë të njëjtin nënvizim ( çdo gjë e re duhet të gjejë formë të re, dhe paskëtaj dikush mund ta quajë atë “Art”)
Lexuesit të shekullit 21 , ankthi mbi të, patrajtësinë e mundshme duket e çuditshme. Me kohë “Bij dhe Dashnorë” është shumë i matur, shumë simbolik, shumë i kontrolluar. Episodet në të cilat tri gratë më të rëndësishme në roman, Znj. Morel, Miriam Leivers dhe Clara, u përgjigjën luleve, për shembull, dhe në këtë mënyrë zbulojnë karakteret e tyre të ndryshëm janë të modeluar aq me kujdes sa rrezikojnë të humbasin “jetën e ndjerë” që Leavis-i e mendoi si dhuntinë më të madhe të Lawrence-it. Zonja Morel është praktike rreth luleve –; Clara, sensualja mendon se ato duken më mirë teksa rriten në natyrë sesa të këputura; posesivja Miriam zaliset dhe përdridhet. Por të tilla modele strukturale janë rrallë aq të thjeshta sa shfaqen.
Romani, i shpjegoi Garnett-it, Lawrence-i “ ndjek këtë ide: një grua me karakter dhe elegancë shkon në një shtresë më të ulët dhe nuk kënaqet me jetën e saj. Ka pasur pasion për burrin, kështu që fëmijët kanë lindur nga ky pasion, dhe ka pasur grumbuj pasioni. Por ndërsa bijtë e saj rriten ajo i përzgjedh ata si dashnorë – fillimisht më të madhin, më pas të dytin. Këta bij shtyhen drejt jetës nga dashuria reciproke e së ëmës – yshtur vazhdimisht. Por kur arrijnë burrërinë, ata nuk mund të dashurojnë, sepse mamaja e tyre është pushteti më i fortë në jetët e tyre dhe i mban ata.
Lidhja seksuale mes mamasë dhe të birit vendoset herët. “ Paul dëshironte të flinte me të ëmën” na është thënë. Kur ajo e shoqëron Paul-in në intervistën e punës së parë, në fabrikën Jordan, ajo sillet “si e dashura” dhe të dy ndjejnë “eksitimin e dashnorëve që kanë një aventurë bashkë”. Pse nuk mundet një burrë të ketë një mama të re” – bërtet ai “ Unë kurrë nuk do të martohem për sa kohë të kam ty”. Rryma e nënujshme incestuoze del në sipërfaqe në kapitullin tetë me një “puthje të gjatë e të ethshme”. Nëse nuk jemi të sigurt ç’të bëjmë me puthjen, i dehuri  Walter Morel, duke u kthyer në shtëpi na lë pa dyshime “ Me ligësinë tënde sërish?”- hungërin ai. Në fund babai dhe djali vijnë thuaje në shpërthim. Por Zonja Morel i ndan duke i rënë të fikët dhe ndërsa Paul-i e ngushëllon dhe e rijetëson Walter-i pengohet në krevat “Mos fli me të, Mama”- përgjërohet i biri dhe duke bërë këtë kupton se “ai i do më të mirën mamasë”. E gjithë kjo është paturpësisht autobiografike. Siç Lawrence i rrëfente një miku kur e ëma po vdiste “ E kemi dashur njëri-tjetrin, thuajse si një burrë dhe një grua duhen”. Ndërsa ish e dashura e tij Jessie Chambers, raporton se Lawrence-i i ka thënë “ E kam dashur, si një dashnor. Ndaj nuk mund të të dua ty, kurrë”.
Duket e sigurt se në kohën kur e përfundoi romanin, Lawrence-i  ishte në dijeni të Frojdit, kishte rrokur bazat e teorisë psikanalitike dhe kishte dëgjuar përmes Freida-s për termin “Kompleksi i Edipit”, edhe pse nuk e kishte lexuar esenë e rëndësishme. Sigurisht që ai dinte se kompleksi i së ëmës së Paul-it nuk ishte unik ai e përshkruante si “ tragjedia e mijërave djemve të rinj në Angli” dhe duke i thënë Zonjës Morel emrin Gertrude ai hamend Hamletin, heroi i së cilës vuante nga kompleksi i Edipit. Kur, brenda disa viteve që romani ishte botuar, disa kritikë e trajtuan si një rast studimor, ai u xhindos “ i gjori libri im! Ishte, një e vërtetë e plotë , ndërsa ata gdhendin një gjysmë gënjeshtër nga ai dhe thonë: Voila! Derr!”.
Nëse “Bij dhe Dashnorë” është si art “ një e vërtetë e sinqertë dhe e plotë” Garnett-i duhet t’i kishte dhënë pak besim. Akademikët e zemëruar e kanë karikaturuar  atë si një vjedhës i mesëm që i hoqi dhunshëm romanit një të dhjetën e censuroi nga pasazhet e tij erotike dhe e detyroi Lawrence-in ta çonte gjetiu romanin tjetër. Por letrat që Lawrence-i  i shkroi tregojnë se i besonte gjykimit t tij dhe u ndje mirënjohës për mbështetjen e tij sa i dedikoi romanin atij.
Që “Bij dhe Dashnorë” është më shumë se një histori e Paul Morel-it nga fillimi deri te skenat e hershme, ndoshta më eleganti në roman, në efekte e paraprin atë. Kur shtatzëna Zonja Morel lihet jashtë shtëpisë natën dhe më pas kur i shoqi e plagos në kuzhinë duke i hapur ballin që i shkakton gjakderdhje , Paul-i  nuk është atje, si një dëshmitar për të na treguar çfarë ndodh. Ndonjëherë zëri i romanit është ai i një narratori të errët. Por kryesisht i rrëfyer nga brenda dhe mund të kalojë nga ndërgjegjja e njërit personazh te tjetra.
Përpara se Paul-i të arratiset drejt dritës, së pari duhet të vrasë të ëmën. Vrasja mund të duket fjalë shumë e ashpër, duke qenë se ajo ka kancer dhe kjo është një vrasje për mëshirë, por Lawrence është i kujdesshëm në theksimin e padurimit të Paul-it për ta vendosur atë në mjerim. “Mama, nëse më duhet të vdes, do të vdes”, i thotë pasi qartësohet se gjendja e saj është terminale. Lawrence nuk debaton dilemën e eutanazisë, duke e përshkruar aktin si “normal”.
Por sjellja e tij duket vetë përthithëse. Ndërsa e ëma nuk është më e aftë ta ushqejë, ajo duhet sakrifikuar; për ta bërë sa më pak brutale, çfarë do që ajo mund të ndjejë rreth zgjatjes, ai nuk do ta lejojë dhimbjen dhe humbjen e dinjitetit.
Gjysma e parë e “Bij dhe Dashnorë’ mund t’i përkasë romanit viktorian, ndërsa pjesa e dytë tregon se Lawrence-i  lëviz drejt modernizmit.
Është një roman i vështirë për t’u klasifikuar, nuk është një roman i rritjes, duke qenë se Paul-i nuk është ekskluzivisht fokusi i vëmendjes, as një roman rreth shkrimtarit apo artistit, duke qenë se Lawrence, ndryshe nga Joyce në “Portreti i Artistit në Rini” trajton aspiratën estetike si sekondare ndaj edukimit emocional dhe seksual. As gotik apo baritor nuk mund të quhet edhe pse ka elementë të të dyjave. Ndoshta soc-realist, mund të ishte më i afërt, edhe pse nuk ngjan me Dickens apo Trollope. “Një libër i cili nuk është kopje e librave të tjerë,  ka ndërtimin e vet” ka shkuar Lawrence. Ai ishte duke ribërë romanin anglez, ndaj edhe “Bij dhe Dashnorë” nuk i përket asnjërës prej kategorive.
“Nëse Lawrence-i do të vritej pasi shkroi këtë libër” – ka thënë Larkin-i –“ ai ende do të ishte romancieri më i madh i Anglisë. Nëse dikush i përjashton të gjithë librat e tij përveç “Bij dhe Dashnorë” dhe “Dashnori i Lady Çaterleit” ai ende mbetet shkrimtari më i madh i Anglisë.” Më i madh se Shekspiri? Ndoshta jo. Por e vërteta është se këta dy romane, të botuara në fund të karrierës së tij, janë intimiteti i tij më natyral dhe fizik. “Dashnori i Lady Çaterleit” është një roman mesianik, një diskutim i gjatë kundër atyre që “luajnë pistë në seks” dhe një lutje për burrat dhe gratë për të qenë më shumë “në kontakt”. Romani më i hershëm nuk predikon të njëjtën gradë, dhe është më i mirë për këtë, por adreson të njëjtën pyetje: si mund të jetojmë jetë më të pasura dhe të përmbushura? Një temë e madhe, të cilën pak romancierë atëherë apo tani kanë guxuar ta prekin. E megjithatë ai ia doli triumfalisht. Nuk ka asgjë të ngjashme me “Bij dhe Dashnorë” në të gjithë letërsinë. Është një libër i madh.
Përgatiti: Suadela Balliu

Janinë, Epiri bashkohet nga turizmi kulturor



 



Ndasitë i përkasin së shkuarës. Tashmë duket e rëndësishme për një Shqipëri që vitet e fundit po shndërrohet në një destinacion të preferuar për turistët europiane nga të dyja kahet- lindore e perëndimore- dhe Greqia, e cila i ka mbështetur fort shtyllat e ekonomisë mbi turizmin, por prej vitesh është zhytur në krizën e thellë financiare, të bëhen bashkë në një sektor ku të dyja palët mund të dalin të fituar.
Nga Suadela Balliu
Dodona e Epirit. Prej lavdisë së dikurshme rrëfyer nga rapsodët dhe e veshur me mitin e zotave kanë mbetur rrënojat …dhe historia në gojën e ciceronit grek që bën udhë sikur të hapte rrugën nëpër kohë për t’u ndalur në fillimet e këtij tempulli të lashtë, mijëvjeçarin e tretë, atëherë kur njerëz e orakuj i bindeshin zërit të Perëndeshës Mëmë , e cila i përcillte kumtet e fateve dhe kobeve përmes fëshfërimës së gjetheve të një lisi…Kanë kaluar tremijë vjet dhe pushteti nga femërorja e shenjtë i kaloi meshkujve dhe zot u bë Zeusi, i zëshmi dhe një lis i zhveshur nga gjethet…Nuk është i njëjti, padyshim, ciceroni sqaron se gjendet aty, thuajse në të njëjtin vend prej 50 vitesh i pashoqëruar nga orakuj që flenë nën pemë për të marrë fuqi nga toka për interpretimin e asaj që është mistike. Janë vetëm një grup njerëzish të kulturës, turizmit, biznesit e medies ardhur nga Shqipëria për ditët e Bashkëpunimit kulturor e turistik shqiptaro-grek, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, Tiranë, Bashkia e Janinës, Qendra Kulturore e Janinës, Prefektura e Epirit, Konsullata e Përgjithshme shqiptare, Janinë, Shoqata e hotelierëve të Qarkut të Janinës dhe shoqata turistike shqiptare.
Pasi Dodona e humbi rëndësinë religjioze, fitoi reputacionin e një vendi strategjik ku vendoseshin politikat e rajonit e ku prijësit e Epirit  mblidheshin shpesh edhe për ujdi e marrëveshje mes tyre. Ndaj edhe simbolika e zgjedhur si pikë e parë e një itinerari katër ditor turistik e kulturor , ku institucionet nga Tirana zyrtare dhe ata nga Janina e shohin si tejet të rëndësishëm bashkimin e forcave për të ofruar paketa të përbashkëta turistike mes dy vendeve.
Ndasitë i përkasin së shkuarës. Tashmë duket e rëndësishme për një Shqipëri që vitet e fundit po shndërrohet në një destinacion të preferuar për turistët europiane nga të dy kahet- lindore e perëndimore- dhe Greqia e cila i ka mbështetur fort shtyllat e ekonomisë mbi turizmin, por prej vitesh e zhytur në krizën e thellë financiare të bëhen bashkë në një sektor ku të dyja palët mund të dalin të fituar. Flitet shpesh për Korridorin e Kaltër, autostrada adriatiko-joniane që do i shkurtojë distancat për t’u dhënë mundësi shteteve të rajonit të përfitojnë më shumë të ardhura nga turizmi që do të bëhet më i arritshëm.
Por fokusi i ngushtë mbetet mes dy vendeve; Shqipëri –Greqi, specifikisht në rajonin e Epirit dhe qytetin e Janinës e cila shpalos tërheqjet e saj kulturore e turistike.
Organizatorët e këtij aktiviteti e zhvendosin grupin nga Shqipëria dymbëdhjetë kilometra jashtë Janinës në rajonin e Mpizanit, për të vizituar muzeun e dyllit “Vreli” , një ndërmarrje private e Pavlos Vrelis, artizani që kishte gdhendur në dyllë momentet e mëdha të historisë së Greqisë.
Metsovo, një fshat turistik i ngritur në malet e Pindit, i spikatur për klimën, dëborën, djathin karakteristik, ofronte edhe Muzeun e Artit Modern, ku spikatnin piktorë nga fillimshekullit 19 të rajonit.
Ishulli i Janinës dhe Ali Pashë Tepelena
Janina apo Ioannina për fqinjët, vendi i lavdisë dhe rënies tragjike të Ali Pashë Tepelenës. Megjithëse pak ishin ata që dëgjoheshin të flisnin shqip në rrugë, gjurmët shqiptare janë të forta. Tërheqja më e madhe për vizitorët në Janinë është ishulli i vogël në liqenin Pamvotis . Për të mbërritur në destinacion udhëtimi me varkë zgjaste rreth pesëmëdhjetë minuta. Me të mbërritur , përtej tërheqjes së çikërrimave dhe suvenireve nga shitësit vendas, ajo çka ishulli ofron është manastiri i Agios Panteleimon–it dhe muzeu i Ali Pashë Tepelenës, shtëpia me gurë dhe dru ku Pashai i Janinës apo siç thërritej asokohe Luani i Janinës kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa priste faljen prej Sulltanit. Pikërisht në shkallët e drunjta të asaj shtëpia dykatëshe buzë liqenit , në ishullin e vogël, turqit ia prenë kokën sundimtarit të Janinës, themeluesit të pashallëkut autonom dhe kryengritësi kundër Portës së Lartë, kryengritje që e pagoi me kokë… Veshje tradicionale të epokës, ku spikat një fustan origjinal i Vasiliqisë, gruas së dashur në kohët e pleqërisë së pashait, dhuruar nga të afërm të familjes Kondakçi nga fshati i Plisivitsa-s në Thesproti. Bizhuteri prej bronzi e argjendi, fustanella burrash, piktura të Pashait dhe armë që miq e aleatë ia kishin dhuruar pashait. Ishin mburrja e tij, thuhej dhe miqve në shtëpinë e tij kishte zakon t’ua tregonte. Mes kamave e shpatave dallon një dyfek i artë rreth 200 –vjeçar i pozicionuar në qendër të Muzeut.Objekti, i cili daton i stampuar në qytën e armës në vitin 1804 është në gjendje shumë të mirë dhe konsiderohet një ngjarje historike duke ditur veprimtarinë intensive dhe rëndësinë që ka figura e Ali Pashë Tepelenës për kohën kur jetoi.
Dyfeku ishte në pronësi të një familjeje nga Janina që zbriti në Athinë në vitet 30 të shekullit të kaluar. Ishin pasardhësit e kësaj familjeje, që ia dorëzuan Fotis Rapakusis, drejtor i Muzeut të Ali Pashë Tepelenës, në ishullin e Janinës. Rapakusis thotë se ishte dyfeku që e gjeti atë.
Historia e Ali Pashait ishte objekt magjepsjeje për Rapakusis-in, vllahun grek i lindur në Përmet, -magjepsje që e çoi në studime të thella lidhur me historinë e re të Greqisë.
Rapakusis një dashamirës i Shqipërisë ka ruajtur nga fëmijëria disa fjalë shqip me të cilat përshëndet vizitorët dhe herë pas here i përdor gjatë rrëfimit të historisë, thotë se ky bashkëpunim mes dy vendeve do të rritë edhe numrin e vizitorëve në të këtë muze.
“Besoj se është e rëndësishme dhe se do të ketë rezultate. Kemi elemente e detaje kulturore të përbashkëta. Më shumë na bashkojnë se sa na ndajnë kultura e historia”, thotë Rapakusis.
Në Muze, objekte të tjera më rëndësi janë edhe shpatëza prej argjendi e
Apostol Varsaqit, i cili është nga Hotova e Përmetit.
Origjinalitetin e dyfekut, presidenti i Muzeut Mihail Pantulas , thotë se e siguron një pllakëz prej argjendi dhe e veshur me ar , ku është i dukshëm emri i Ali Pashait. Mbi origjinën e dhuruesve, ka vetëm hamendje.
“Janë të gjitha supozime ato çka mendohen deri tani. Ka mundësi t’ia kenë dhuruar miq të tij,. kur ai mori titullin Vezir nga Sulltani dhe ndoshta miqtë ia dhuruan këtë armë për të tërhequr vëmendjen e tij. Por me siguri që ishin në gjendje shumë të mirë ekonomike sepse kjo armë është shumë e shtrenjtë për kohën. Një mundësi tjetër është që t ‘ia kenë dhuruar nga konsullata britanike që u hap atë kohë në Janinë me lejen e Ali Pashait” -zbulon Pantulas-i.
Armë që Ali Pashai thuhet nuk e përdori kurrë, sepse nuk ishte prej tij t’i besonte në beteja armët e dhuruara.
“Ali Pashai dihet se nuk i përdorte armët që i bënin dhuratë. Dimë nga historia që këto armë që ia dhuronin miqtë i mbante të varura në dhomën e ndenjjes. Nëse do të shihni një nga pikturat e ekspozuara në muze tregon Ali Pashain dhe armët e varua në mur. Veç kësaj nga historia dimë që Ali Pashai e kishte zakon që miqve ne shtëpi u tregonte armët” -vijon Pantulas-i.
Vasiliqia pas vdekjes së Pashait
Vasiliqia, vashëza me prehrin e butë që mban kryet e trazuara të pashait që e ndjen veten si një luan në kurth, siç edhe shihet në pikturat e muzeut, pas vdekjes së Aliut shoqëroi kokën në Stamboll. Pas hetimit që i bëri, Sulltani vendosi t’ia falte jetën dhe ajo jetoi e lirë. “Jetoi e lirë, duke qenë se ishte e lidhur me Thanas Vajën dorën e djathtë të Ali Pashës, me origjinë nga Lekli. Besoj se sulltani e la të lirë dhe i rrëfeu pasurin e Ali Pashës ku i kishte thesaret” -tregon Rapakusis, duke shtuar se pas  Thanas Vajës, pati një tjetër mik  me emrin Congas, me të cilin jetoi në Mesolongi, vendi ku edhe vdiq në moshën 44-vjeçare pa pasur fëmijë.
Varri i saj sot është në Mesolongi.
Varri pa kokë dhe liqeni ku Ali Pashai mbyti 18 vajza
Mbi kodër, në pjesën perëndimore të qytetit, brenda kështjellës mesjetare gjendet varri pa kokë i Ali Pashait, i fortifikuar me një kupolë të hekurt. Pranë tij thuhet se prehet Emineja, gruaja e parë dhe një foshnjë, eshtrat e së cilës janë zbuluar aty pranë, që thuhet të ketë qenë vajza, të cilët Pashai e mbyti pasi nuk donte fëmijë femra. Pranë varrit është Xhamia e Fitores, e ndërtuar në rrënojat e një kishe bizantine më 1430 –ën. Formën e fundme ia dha Ali Pashai. Fotis Rapakusis, rrëfen për grupin e turistëve dashurinë e madhe që Ali Pashai kishte për gruan e parë Eminenë, me të cilën edhe pse pa kokë prehet pranë. Thuhet se pas vdekjes së saj, Pashai dilte netëve dhe mbi varrin e saj lotonte.
Pamja piktoreske që ofron liqeni që rrethon kështjellën bëhet e zymtë nga legjenda se Pashai mbyti 18 vajza , duke i futur në thashë me grykë të mbyllur dhe lidhur me gurë…
Gjithçka nisi nga Zonja Frosina, gruaja pas së cilës u dashurua marrëzisht i biri i Ali Pashait, Muhtari .
“Frosina ishte e martuar me një tregtar. Kur iknin jashtë Pashai iu mbante familjet peng që të kishte sigurinë se ata do të ktheheshin. Frosina u lidh me djalin e Ali Pashës dhe kur u morr vesh kjo lidhje qe skandal për kohën”- rrëfen Rapakusis. Gruaja e Muhtarit dhe nusja e djalit tjetër, motra dhe bijat e Pashait të Beratit thuhet se i vunë veton Pashait për të vendosur nderin në vend.
Për të mos e bërë publik skandalin e familjes së tij, por edhe për të kënaqur nuset dhe për të ruajtur aleancën me Pashain e Beratit, Ali Pashai nxori një dekret për të pastruar qytetin nga prostitutat. U gjetën 17 vajza publike, ndërsa Frosina u bë e 18 –ta ndër to, të gjitha të mbytura në liqen…
Konica, Burazani dhe Taso shqiptari
Gjatë ditëve të bashkëpunimit kulturor e turistik mes dy vendeve, Jorgo Taso një sipërmarrës vendas, administrator i parkut natyror “Burazani”  në Konicë, theksoi shpesh se shkëmbimi mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm, por pa rrëfyer rrënjët e tij shqiptare, deri ditën e fundit , ku i ati, 95 –vjeçar suljoti i lindur në Leskovik Taso Tasodimitri përshëndeti me një shqipe të pastër e poetik. Me një mirëseardhje që dridhej në buzë nga emocionet që shihte aq shumë shqiptarë në shtëpinë e tij. “Shqipëria ishte një shtet më i vogli në Evropë por më i bukuri. Atëherë ishin shqiptarët për Shqipërinë dhe Shqipëria për shqiptarët. Po gëzohem se kjo qeveri punon për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”- thotë plaku flokëbardhë, i cili e la Leskovikun në moshën 18 –vjeçare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nuk ka harruar shqipen, as këngët, as lutjet. “Leskovik o gur i thatë sa të bukura i ke gratë!”- këndon duke buzëqeshur. “Kur na dogjën gjermanët ika nga Leskoviku në vitin 1943. Dogjën edhe një njeri në Leskovik. Kur vijnë shqiptarët këtu, ç’të them, me dhemb shumë për Shqipërinë. Se Shqipëria ishte një shtet i më i vogël e më i pasur dhe më i bashkuar, muhamedanët e të krishterët ishin si vëllezër”. Në Leskovik shkon shpesh, ndërsa rrëfen se ka kontribuuar për ngritjen e një kishe, që gjatë diktaturës ishte shndërruar në një depo.
“Unë kam punuar disa punë. Kisha bërë fabrikë pijesh , pastaj kisha depo të benzinës e naftës. Pastaj shitja dru nga pylli tonë dhe qymyr, pastaj erdha këtu. Familjet në Leskovik ishin bejlerë, evgjit, edhe të krishterë. “- kujton Tasoja. I biri, Jorgoja, me profesion veteriner e mori në dorë menaxhimin e hotelit dhe parkut që deri atë kohë kishte qenë me karakter gjuetarësh, duke e shndërruar në një park natyror ku rriten të lirë kafshë si arinj, drerë, lepuj por edhe lloje të rralla fluturash apo orkidesh.
“Në Shqipëri e në Greqi kemi në pronësi shumë pyje. 1944 u mbyll kufiri dhe familja ime në Burazani kishim 270 hektarë pyje. I gjithë pylli është yni. Sot kemi 350 hektarë. Xhaxhai ishte ekonomist dhe ishte gjahtar i mirë. dhe mendoi para 50 vitesh të organizonte një zonë gjahu. Me babanë, në 50 hektarë vunë disa kafshë, dhi, drerë, dhe filluan gjuetinë. Më pas menduan të ndërtonin një hotel që të vinin gjahtarë. Në Burazan dhe familjet e mëdha vinin për pushime” – rrëfen Jorgo, duke shtuar se ky është i pari  hotel në Greqi që rri në mes të asgjësë.
“Jam veteriner dhe kam mbaruar studimet në Selanik e në Paris. Në shekullin 21 duhet të jesh në mbrojtje të mjedisit. Më 1999-ën fola me familjen dhe ndaluam gjuetinë dhe të bënim një park natyror. Sot ne kemi me shumë se 85 hektarë 30 km rrugë, 800 kafshë të egra, dhe parku ynë është për turistët shkollat dhe kemi qendër konferencash, me 300 karrige”. Krahas kësaj sipërmarrje qëndron edhe muzeu fotografik i historisë natyrore. “Kemi bio-diversitetin  më të larët në Europë, dhe numrin më të larët 115 lloje fluturash. Kemi mikroklimë nga Adriatiku, Lugina, dhe klima mesdhetare. Nga malet vjen klima e maleve. Çdo gjë është jeshile. Kemi bashkëpunim me kryetrarin e Përmetit, dhe do të kërkojmë të krijojmë parkun e parë në Shqipëri si ky, mes Këlcyrës dhe Luginës së Vjosës”- përfundon Taso me shpresën e ngritjes së Tri urave nga Përmeti e cila do e shkurtojë distancën në 15 minuta mes dy vendeve.

Nëntë muaj e dy javë për të sjellë në shqip Tagorën






Buçpapaj zbulon punën pas përkthimit të një vepre madhështore, duke zbuluar një prej autorëve më me ndikim të fillimshekullit XX, por thuajse të panjohur për lexuesin shqiptar…
Nga Suadela Balliu
Në daç paqe dhe qetësi, lexo Rabindranat Tagorën!… Thuhet se leximi vetëm i një vargu të poezisë së tij, të shpëton pa u mbytur në detin që ngre tallaze të tërbuara brenda dhe jashtë teje, të nxjerr në breg shëndoshë e mirë, të shpie te shtëpia e shpresës dhe e fuqisë.
Flijime kënge janë ato që poeti Bengal shkroi më 1912–ën dhe që për lexuesin shqiptar vijnë me shqipen e Ukë Buçpapajt dhe botimin e shtëpisë botuese “Albas”.
Përkthyesi, i cili e quan procesin e përkthimit si procesin e ngjizjes dhe lindjes së një jete të re, rrëfen se e ka njohur dijetarin Bengal, fituesin e Nobelit të Letërsisë më 1913-ën, duke u bërë kështu i pari jo-europian i nderuar me këtë çmim, jo në rininë e tij, por vonë.
“Asnjë mësues letërsie nuk na e zuri emrin e tij në gojë” – rrëfen Buçpapaj, ndërsa pohon fuqinë shpirtërore që kanë vargjet e tij. “Jam i bindur se kur lexon këtë libër, në qofsh i shtruar në çmendinë, të vijnë mendtë, shërohesh, në qofsh në shtratin e vdekjes, ngrihesh, ngjallesh, në qofsh i lidhur me zinxhirë dëshpërimi, i shkrin, i kthen në lumenj gëzimi”.
Rabindranat Tagora, dijetari bengal e riformoi letërsinë dhe muzikën bengale, si edhe artin indian me Modernizmin Kontekstual në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Autor i Gitanjalitdhe i vargjeve të tija thellësisht të ndjeshme, të freskëta. Në përkthimin e poezive është parë si shpirtëror dhe i gjallë e pavarësisht kësaj “proza e tij elegante dhe poezia magjike” mbetën të panjohura jashtë Indisë… Edhe në Shqipëri, pohon Buçpapaj, ai është pak i njohur dhe thuajse aspak i përkthyer. Nëse dikush do e sillte të plotë veprën e tij do të ishte dhuratë, uron Buçpapaj.
Shpesh i thirrur si “Bardi i Bengalit ”, Tagora prezantoi prozën e re dhe formën e vargun dhe përdori gjuhën bisedore në letërsinë bengale, duke e çliruar nga modelet tradicionale të shkruara në sanskritishten klasike. Ai ishte tejet ndikues në prezantimin e kulturës më të mirën indiane në Perëndim dhe anasjelltas.
Tagora nisi të shkruajë poezi qysh kur ishte tetëvjeçar. Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare ai botoi të parat poema thelbësore nën emrin e artit Bhānusimha ( Dielli Luan), që ishte mbërthyer nga autoritetet letrare si një klasik i humbur. Më 1877–ën u diplomua me tregimet e shkurtra dhe dramat, të botuara me emrin e tij të vërtetë. Si një humanist, universalist, ndërkombëtarist dhe anti-nacionalist i flaktë ai denoncoi Raxhin Britanik dhe advokoi pavarësinë nga Britania. Si një eksponent i Rilindjes Bengale, ai përparoi kanun e gjerë që përfshinin piktura, skica dhe karikatura, qindra tekste dhe rreth dymijë këngë; trashëgimia e tij ka rezistuar në institutin që themeloi, Universiteti “Visva-Bharati’.
Gitanjali (Flijime kënge), Gora ( Fytyra e pastër) dhe Ghare-Baire (Shtëpia dhe Bota) janë veprat e tij më të njohura dhe vargjet e tij, tregimet dhe romanet janë vlerësuar për lirizmin, ligjërimin bisedor, natyralizmin dhe soditjen e panatyrshme. Kompozimet e tij janë zgjedhur si himnet e dy shteteve  “Jana Gana Mana” e Indisë dhe “Amar Shonar Bangla” e Bangladeshit. Disa burime thonë se edhe Himni Kombëtar i Sri Lankës është shkruar nga Tagora, ndërsa të tjerë thonë se është frymëzuar nga vepra e tij. Disa poema përfshijnë tema të lidhura me natyrën, por këtu shpirtërorja është tejet e pranishme …. Gitanjali në versionin anglisht u bë shumë i njohur në Perëndim dhe u përkthye në shumë vende. Tagora ka qenë edhe një kompozitor prodhimtar me 2230 këngë të krijuara. Këngët e tij, njihen si rabindrasangit (Këngët e Tagorës), të cilat shkrihen rrjedhshëm në letërsinë e tij, pjesa më e madhe e së cilës – poema apo pjesërisht romane, tregime apo drama – janë bërë lirike.
Në daç paqe dhe qetësi lexo Tagorën… ose dëgjo ninullat e kompozuara prej tij, magjike jo vetëm për të përkundur nëpër ëndrra një foshnjë por edhe për t’ia lehtësuar shpirtin të gjithë të trazuarve që mbajnë… 
Sa kohë ka që vendosët të sillnit në shqip këtë libër të Tagorës, cilësuar edhe si një prej kryeveprave të tij dhe si bashkëpunuat me shtëpinë botuese “Albas” për ta sjellë në shqip?
Nëntë muaj e dy javë, aq sa i duhet NANËS për të sjellë në jetë NJERIUN, për të përsëdytur VETEN dhe NJERËZIMIN njëherazi. Por edhe qindra mijëra mote, sepse, duke kënduar me TAGORËN, kam jetuar nga dhjetë mijë vitet në çdo frymëmarrje. Për mua, ka rëndësi që “foshnja” nuk lindi duke qarë, por duke qeshur. Po, kjo më gëzon fort. Dhe kam arsye: Autori i gjuhës burimore, në secilën fjalë, flijohet një herë, kurse autori i gjuhës përkthimore flijohet dy herë. Bashkëpunimi me shtëpinë botuese “ALBAS” është dhuratë e drejtuesve të saj, këngëtares kryengritëse, mikes sime krenare, Rita Filipi, si dhe e të fismit, të cilin unë e quaj “Uki i Sharrit”. Ndihem i lumtur dhe i nderuar. Ky bashkëpunim do të vazhdojë sa të më punojnë shpirti, mendja dhe shtati.
A ka qenë një libër angazhues? Cilat kanë qenë vështirësitë e të kthyerit në shqip Tagorën, në një libër që vetë autori pasi e shkroi në gjuhën bengale e përktheu në anglisht?
Ky libër, më tepër sesa angazhim, ishte mundësi për t’u lutur dhe për të dashuruar dashurinë, ishe “dyluftim” shpirtëror, kuptimor, gjuhësor, dhe kulturor, nga i cili, të dy palët dolën të fituara, bile duke e pasuruar njëra-tjetrën. Në fushëbetejë nuk u derdh gjak, por dituri.
Gitanjali apo flijime kënge, çfarë merr lexuesi nga poezia e Tagorës?
Lexuesi merr shtëpinë, ku përjetësisht banon shpresa. Lexuesi merr frymën hyjnore të katër “Librave të Shenjtë”. Lexuesi merr ilaçin që i duhet për të mos e lënë t’i avitet sëmundja e zbrazësisë së shpirtit, sëmundje e rrezikshme gjer në vetasgjësim, sidomos për rininë.
Sa e pasqyrojnë kulturën indiane, për të cilën vetë Tagora ishte një avokat i mirë për të përcjellë më të mirën në sferën ndërkombëtare dhe sa universale janë temat e tij?
Duke rimarrë thelbin e TORAHUT, të BIBLËS dhe të KURANIT, nëpërmjet BUDIZMIT, ai i ka shtuar dijes njerëzore përmasën e mjaltimit të JETËS që shijohet vetëm nëse nuk bihet pre e frikës së VDEKJES, kësaj të pashmangshmes.
Sa i njohur është Tagora për lexuesin shqiptar dhe sa e përkthyer është vepra e tij në shqip?
Pothuajse i panjohur. Pothuajse i papërkthyer. Sjellja e veprës së tij të plotë në gjuhën shqipe do të ishte mrekulli e vërtetë. Nëse ky është vullneti i ZOTIT të LUM, do ta bëj këtë punë.
A keni në plan një tjetër libër prej këtij autori? -Ju vetë si jeni njohur me këtë poet – njeriu që riformësoi kulturën dhe muzikën indiane ? A është “Gitanjali” një seancë e gjatë shpirtërore ndërsa lexohet, por edhe ndërsa përkthehet?
Tani për tani, një përmbledhje me poezi. E kam njohur nëpërmjet leximeve. Vonë. Jo në rini. Asnjë mësues letërsie nuk na e zuri emrin e tij në gojë. Jam i bindur se kur lexon këtë libër, në qofsh i shtruar në çmendinë, të vijnë mendtë, shërohesh, në qofsh në shtratin e vdekjes, ngrihesh, ngjallesh, në qofsh i lidhur me zinxhirë dëshpërimi, i shkrin, i kthen në lumenj gëzimi.