Monday, May 16, 2016

Çerekshekulli tranzicion; A ka ende për t’u shkruar?



BustiPas pak ditësh bëhen plot njëzet e pesë vite nga Lëvizja e 8 Dhjetorit 1990, që do të shërbente si ndezës i  ndryshimeve të mëdha në vend, ose për t’i shtuar edhe më dramacitet periudhës së gjatë të tranzicionit, u bë çerekshekulli që shoqëria përjeton periudhën e ndryshimit pa arritur në pikën fundore, tokën e premtuar…
Nga Suadela Balliu 
Nëse do të kishim një vegim biblik, shqiptarët e vitit 1990 mund t’i përngjisnin popullit të Izraelit në brigjet e Detit të Kuq, në pritje për të kaluar drejt tokës së premtuar…Asaj toke të premtuar me emrin demokraci, pluralizëm, liri dhe të drejta, prosperitet, sisteme që do të lulëzonin ekonominë i ishin drejtuar edhe shqiptarët, ndërsa luftonin me armët demokratike
(edhe pse  për gjysmë shekulli ishte harruar edhe fjala bashkë me kuptimin) të protestave, demonstratave dhe grevave të urisë për t’i dhënë fund regjimit autoritar.
Periudha e kalimit drejt atij sistemi të shumë-ëndërruar, që do ta bënte Shqipërinë si e gjithë Europa, quajtur ndryshe tranzicion do t’i përngjiste më shumë endjes së gjatë 40-vjeçare  të hebrenjve nëpër shkretëtirë, gjithnjë nëse paralelizmi biblik qëndron.
Pas pak ditësh bëhen plot njëzet e pesë vite nga Lëvizja e 8 Dhjetorit 1990, që do të shërbente si ndezës i  ndryshimeve të mëdha në vend, ose për t’i shtuar edhe më dramacitet periudhës së gjatë të tranzicionit u bë çerekshekulli që shoqëria përjeton periudhën e ndryshimit pa arritur në pikën fundore, tokën e premtuar…
Një kalim që ka dëshmitarët e saj dhe shkruesit e historisë së re. Aktorë të lëvizjes studentore, themelues të partive opozitare, pjesëmarrës në zgjedhjet e para pluraliste, protagonistë të politikës së re, studiues e kritikë…Shumë janë ata që kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë për tranzicionin shqiptar, i cili si shndërrim pambarim duket temë që askush- sado hollësi, sado fakte të reja, sado të fshehta të hedhura në dritë të lexuesit të sjellin – nuk mundet ta shterojë. UET Press është një nga shtëpitë botuese që temës së tranzicionit i ka kushtuar rëndësi të veçantë  në botimet e saj.
Qëllimi ka qenë për të mbushur një vakum, si edhe për të kontribuar në qartësimin e asaj çka është bërë deri më tani, por edhe duke hedhur teza se ç’mund të ishte bërë më mirë apo ç’mund të ishte shmangur.
Janë katërmbëdhjetë titujt e botuar nga  UET Press për tranzicionin e shpalosur në tri dimensione; atë politik, shoqëror dhe ekonomik.
Kryeministri i  27-të i Shqipërisë, ose i pari kryeministër pas regjimit komunist, Aleksandër Meksi ka sjellë versionin e tij të fakteve dhe të kujtimeve për dhjetorin e vitit ’90.
“Kam qenë ndër të parët që kam këmbëngulur që historia e popullit shqiptar duhet të rishkruhet në kushtet e çlirimit nga ideologjitë prapanike dhe të presioneve të shtetit autoritar. Ajo duhet të rishkruhet mbi baza të rrepta shkencore dhe jo e politizuar. Që të mund ta arrijë këtë ajo duhet të mbështetet në fakte të pakundërshtueshme e të dokumentuara me akte e dëshmi të besueshme dhe me një analizë të mirëfilltë shkencore e me ndershmëri”- shkruan Meksi në librin e tij “Dhjetor 90”, botuar nga “UET Press” në kolanën “Scripta manent”.
E duke i mbetur këtij pohimi latin, me të cilin është pagëzuar kjo kolanë, se  e shkruara mbetet, ndërsa fjalët i merr era, për Meksin  publikimi i dokumentacionit historik do të pamundësojë hamendësimet apo sajimet për nga naiviteti dhe dashakeqësia.
“Ky ka qenë edhe synimi ynë në përgatitjen e këtij botimi, t’i japë lexuesit, mbështetur në dokumente autentike, një tablo të asaj që ndodhi, por jo opinionet apo kujtimet e protagonistëve, të dhëna në kohë të ndryshme shpesh dhe jo të njëjta”, – përfundon Meksi.
Shkrimtari Preç Zogaj,  njëherazi aktor i zhvillimeve politike qysh prej’90  vjen me tre tituj, të lidhur pikërisht me zhvillimet  në  vend gjatë këtyre 25 viteve.
“Ngjarje ka shumë, por nuk pretendoj se janë të gjitha këtu. Nuk më shkon mendja. Unë nuk jam historian, as i kam vënë vetes për qëllim të ulem e të shkruaj një libër historik. Jam një shkrimtar dhe publicist që ka qëlluar të jetë edhe pjesëmarrës në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme politike të viteve nëntëdhjetë dhe më vonë”- do të shprehej Zogaj në një intervistë rreth librit të tij më të fundit.
“Fillimet’ është thjesht libri im, nuk është historia e fillimeve. Janë shkruar disa libra për vitet nëntëdhjetë. Sekush ka shkruar librin e tij, por edhe sikur t’i shkrinim në një libër të vetëm gjithë librat e botuar nuk mund të themi se kjo është historia. Deviza e shkrimtarit është e vërteta për ngjarjet që fut në libër, jo tërësia e tyre”- është i mendimit Zogaj.
Servet Pëllumbi, ish- Kryetar i Kuvendit dhe një prej drejtuesve të Partisë Socialiste, ka sjellë fakte dhe këndvështrimet e tij mbi tranzicionin në librin “Përmbysja e komunizmit”.
Libri tërhoqi menjëherë vëmendjen e mediave  për shkak të ngjarjeve që Pëllumbi ka përfshirë  në libër si  eksodi i ambasadave të 2 korrikut,  mbledhje e Plenumit të PPSH-së më 26 korrik apo mbledhja e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit më 12 gusht në Pallatin e Kongreseve për të diskutuar çështjen e pluralizmit… Në këtë libër duket se Pëllumbi ka sjellë një atmosferë të gjallë të atyre ditëve si edhe ka sjellë fakte të paskuintave, edhe pse autori e ka  cilësuar si këndvështrim filozofik mbi ngjarjet e vitit ’90-91.
“Shumëkush që ka shkruar apo ka folur për atë kohë i tregon historitë sikur regjimi komunist u përmbys nga individët dhe nuk kuptohet që realisht komunizmi nuk është çështje individësh, nuk është përmbysja e tij çështje e një sekretari të parë të partisë, ajo është një çështje e sistemit politik. Pra në këtë kuptim e konceptova librin tim, shkrova filozofinë e përmbysjes së komunizmit, jo me shembuj dhe fakte apo përvoja dhe kujtime personale, të cilat nuk mungojnë por janë anësore, por ajo që unë jam përpjekur të bëj është të shkruaj filozofinë e përmbysjes”, tha ai duke folur gjatë promovimit të librit të tij”- do të deklaronte Pëllumbi gjatë promovimit të librit në Universitetin Europian të Tiranës.
Më e reja që i është bashkuar rrjedhës së shkrimeve mbi tranzicionin është ish-ministrja e Integrimit, deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu, e cila gjatë Panairit të Librit vitin e kaluar promovoi librin “Europë Ik E ja”; rrugëtimi i Shqipërisë  dhe i vetë ministres si përfaqësuese   drejt integrimit europian.
“Nxitur dhe nga fakti që ky proces (i integrimit) është i gjatë por i padokumentuar dhe duke qenë se eksperienca ime ishte më e gjata në këtë ministri, 7 vjet, nisi nga marrëveshja e Asociim-Stabilizimit dhe përfundoi me marrjen e statusit kandidat, i cili vetëm datën e lançimit arriti me qeverinë aktuale, sepse çdo gjë tjetër u përfundua gjatë qeverisjes tjetër. Ndaj mendova se mund të ishte interesante për t’i shkruar, megjithëse aty mungojnë qindra detaje. Sigurisht kisha shumë kohë, sepse kur je në qeveri nuk ke kohë, sidomos në këtë proces që ka gjithmonë afate”- është shprehur Bregu pak ditë pas botimit të librit, duke e quajtur rrugëtimin europian si një  përçapje ku shpesh  na është dashur ta nisim rrugën nga e para, si të ishte një lloj destini i keq ai që bëhet pengesë për integrimin europian.
Më gjithëpërfshirës në trajtimin e historisë ka qenë avokat Spartak Ngjela, i cili i ka dhuruar lexuesit  një fushëpamje të gjerë kohore, prej vitit 1957 e deri më  2010 –ën, periudhë të cilën ai e ka quajtur tirani.  “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” ka ardhur më tre vëllime nën siglën “UET Press” dhe kolanës “Scripta  Manent” . E kthyer thuajse në një sagë me kujtimet, përjetimet e refleksionet e Spartak Ngjelës për një kohë tiranie, vëllimi i tretë i ka sjellë ngjarjet  më të afërta në kohë, aty ku edhe memoria kolektive është më e gjallë edhe i ka të freskëta ngjarjet e përmbysjet.
Autori rrëfen për Tiranën e marsit ‘92, kur kishte ardhur në pushtet Partia Demokratike.
Shoqëria kishte hyrë më në fund në një rrjedhë historike që nuk i vinte dot emër, që e ndiente se gjithçka po shtyhej nga kotësia, por që asnjëherë nuk e mendonte si të ardhme. Prandaj kishte ardhur një kohë që gjithkush ishte hedhur në jetën e tij dhe askush nuk e dinte se cila duhej të ishte në fakt ajo që do të shpresonte. Rrëfimet dhe refleksionet e Ngjelës për kohën e tiranisë vijojnë deri në vitin 2010 dhe autori ka në plan të sjellë ndoshta edhe dy vëllime të rinj për lexuesin.
“Historia e përjetuar shkruhet, ndërsa historia e shkruar përjetohet. Ky është thelbi i historicizmit dhe këtë kam dashur të jap dhe unë në librin tim. Kam përjetuar një histori, e kam analizuar një periudhë prej 30 vjetësh dhe e kam shkruar. Pse e kam shkruar ? E kam shkruar se kam përshtypjen se ne kemi një segment bosh në histori. Historia është kontinuitet, prandaj ndihet. Fakti që duhet mbushur ky boshllëk, unë hodha i pari idetë e mia”, – e argumentonte Ngjela librin e tij.
Studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni, në vazhdën e pasqyrimit të historisë së re të Shqipërisë pluraliste ka sjellë librin e saj “Trashëgimtarët”, i cili zë fill më 12 qershor të vitit 1991. Një libër studimor mbi fasadën dhe kulisat e themelimi të Partisë Socialiste të Shqipërisë, informacione, të dhëna arkivore dhe nga burime të ndryshime e intervista ekskluzive të disa protagonistëve si: Xhelil Gjoni, Spiro Dede, Ismail Lleshi, Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Guro Zeneli, Dritëro Agolli  e Ramiz Alia. Aktin e themelimit të gjithë janë rrekur ta përcjellin ashtu siç e kanë mbajtur mend. Por autorja nuk e ka ndërprerë rrëfimin. E ka vijuar më tej, kur historia nis të vishet edhe me të pavërteta, gjysmë të vërteta apo manipulime të së vërtetës. Pas disa vitesh, fjalët dhe veprat e munguara kujtesa i merr si të vërteta. Luljeta Progni shtron pyetjen nëse ishte e aftë Partia e Punës e Shqipërisë ta kryente vetë ndryshimin për të cilin edhe kishte pretenduar, apo rrekeshin ta mbanin ende në këmbë sistemin komunist.
Janë mbushur 25 vite dhe shteti pluralist shqiptar, tashmë një burrë i ri, gati për t’i marrë frerët e fateve të veta në dorë,  është duke u endur në një proces të dhimbshëm shndërrimi për ta parë veten nga larvë, në flutur. Por treni i tranzicionit, siç e quan ekonomistja Luljeta Minxhozi këtë periudhë, duket një rrugëtim pambarim.
Kishim menduar të gjithë se regjimi nuk e lëshonte pa shkuar gjaku në gju të kalit. Ashtu ishte kapur, me thonj e me dhëmbë, në udhëkryqin e kohës tirania shqiptare. Kishim menduar se do të bëheshim me gjak. Por ishim bërë vetëm me baltë. Nuk e dinim at’botë se, balta, do t’i ngjitej si mallkim tranzicionit të gjatë të Shqipërisë, shkruan Preç Zogaj në librin e tij.
Duket se ashtu si populli hebre, jemi ende në brigjet e Detit të Kuq, në pritje të tokës së premtuar, pa e kuptuar se kemi kaluar në pritje njëzet e pesë vjet. Ndoshta  ka ende shumë për të shkruar, që të mos kalojnë edhe njëzet e pesë të tjerë në tranzicion…

1 comment:

  1. Faleminderit zotëri për magjitë tuaja të vërteta. Emri im është Zara Matteo. Kjo është vërtet e pabesueshme dhe nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë në jetën time. Para se të takohesha me ju, zotëri, unë provova të gjitha mjetet e mundshme që mund të kisha për të sjellë burrin tim mbrapa, por kuptova se asgjë nuk funksionon për mua dhe se burri im ka zhvilluar shumë urrejtje për mua. Mendova se nuk kishte asnjë shpresë për t'u ribashkuar me ish-burrin tim. Por kur lexova komente të mira se si DR WHITE i ndihmon të tjerët, vendosa t'i dërgoj një mesazh përmes WhatsApp: +17168691327. të provoja dhe bëra gjithçka që ai më udhëzoi dhe unë i besova atij dhe unë ndoqa udhëzimet e tij pasi ai më garantoi në 48 orë, dhe pikërisht atëherë më telefonoi ish -im. Zotëri, ne jemi më të lumtur tani se kurrë. Gjithçka duket e përsosur dhe kaq e natyrshme! Faleminderit shumë zotëri për magjitë tuaja autentike dhe të padiskutueshme. këtu përsëri emailin e tij:

    wightmagicmaster@gmail.com

    .com Ju gjithashtu mund të Whatsapp atij:
    +17168691327

    ReplyDelete