Monday, May 16, 2016

Letërsia (aspak) në nxit e atyre që e nisën si gazetarë




Hemingway, Dickens, Zola, Orwell, Twain, Buzzati, Camus… Por edhe shqiptarët si Kadare, Agolli, Marko etj. Disave, emërtimi gazetar nuk iu nda as kur fama e krijimtarisë së tyre artistike i kaloi kufijtë e vendit dhe kohës ku jetuan, për të tjerë, kjo përvojë që shërbeu shpesh si punishte e parë për të përsosur zejen e shkrimtarisë, ka mbetur në hije…
Gazetaria është letërsia e bërë në nxit, mendonte poeti dhe kritiku anglez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Matthew Arnold. E megjithatë, nga kjo lloj letërsie që e ka gjithnjë me ngut dhe kohën gjithnjë të pamjaftueshme, aq sa ta quajë luks, kanë dalë shkrimtarë të mëdhenj të letrave botërore. Tetorin e shkuar, Akademia Suedeze vlerësoi gazetaren bjelloruse, Svetlana Alexievich me “Nobel” në Letërsi, duke e bërë atë të parën gazetare që vlerësohet me këtë çmim në historinë e Nobelit. Ishin shkrimet e saj polifonike, një monument i vuajtjes dhe kurajës në kohët tona, sipas motivacionit që e bënë bjellorusen të parën autore të letërsisë jo artistike që fiton këtë çmim. Vetë Alexievich-i është shprehur se, nëse do të kishte jetuar në shekullin XIX, do të ish bërë romanciere, por në kohët tona ajo ka ndjerë se letërsia artistike është e papërshtatshme. Gazetarja dhe shkrimtarja bjelloruse argumenton se në kohën tonë, “kur njeriu dhe bota janë bërë me kaq shumë fytyra dhe të shumëllojshëm, dokumentimi raportues është mjeti më i mirë për të përfaqësuar realitetin, ndërsa arti shpesh ka dëshmuar se është i pafuqishëm dhe fakti se kam shkruar pesë libra nga materiale dokumentarësh në vazhdën e 20 viteve, e deklaroj se arti ka dështuar në kuptimin e shumë gjërave rreth njerëzve”. Sara Danius, sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze është e mendimit se Alexievich –i ka kapërcyer nga formati i gazetarisë dhe ka zhvilluar një zhanër të ri letrar…Por përtej debatit të madh që hapi ky çmim në komunitetin botëror të letërsisë në duhej apo jo të ndryshonin kanunet e Nobelit -që deri vitin e kaluar kish qëndruar besnik i letërsisë ‘fiction’ – lista e emrave të mëdhenj të letërsisë artistike është e gjatë.
Disave emërtimi gazetar nuk iu nda as kur fama e krijimtarisë së tyre artistike ia kalojë kufijtë e vendit dhe kohës ku jetuan, për të tjerë kjo përvojë që shërbeu shpesh si punishte e parë për të përsosur zejen e shkrimtarisë ka mbetur në hije…Përpara se Ernest Hemingway të bëhej gjiganti i letërsisë me kryeveprat “Plaku dhe deti” “Për kë bien kambanat”, “Lamtumirë armë” “ Dhe dielli lind”, qe reporter. Të paktë janë shkrimtarët që kanë arritur famë botërore si gazetari Hemingway, apo të paktë gazetarë janë ata që bënë karrierë të shkëlqyer në letërsi si shkrimtari Hemingway. Ai qe një shpirt i vendosur i etur për lirinë e mendjes dhe trupit. Vjeshta e 1917 –ës ishte vendimtare për Hemingway –n. U diplomua nga Oak Park High School në Illinois dhe u largua nga shtëpia për të nisur karrierën e tij gazetareske në qytetin e Kansasit, Misuri.
Ungji i tij, Tyler Hemingway, i gjeti punë në Kansas City Star. “Dhe kjo gazetë qëlloi të ishte në ato vite ideali i bukur për çdo gazetar në Amerikë”. Megjithëse ambicia e tij nuk ishte puna si reporter, eksperienca në Star e kënaqte. Ai nisi të dëshironte për veprimtari në Europë. U bë korrespodent lufte në Spanjë duke kënaqur urinë e njerëzve për informacion mbi luftën civile në Spanjë. Po aq sa veprimtaria e tij letrare me veprat Rugon Makarët, Zherminal, Shkëlqesia e tij, Rrëfimi i Klodit, Misteret e Marsejës, Paraja, Thérèse Raquin, Një fletë dashurie etj, e famshme mbetet edhe “J’accuse”, letra e hapur e Emil Zolasë në mbrojtje të oficerit të ushtrisë, Alfred Dreyfus, i dënuar për tradhti, botuar më 13 janar të 1898 –ës në gazetën “L’Aurore”, ku ai akuzonte qeverinë franceze për antisemitizëm dhe burgosje të jashtëligjshme për ushtarakun. Letra u botua në faqen e parë të gazetën dhe shkaktoi trazira në Francë e jashtë saj. Zola krahas recensioneve letrare dhe kritikave të artit të botuara në shtypin francez Punoi edhe si gazetar politik, pa e fshehur antipatinë për Napoleonin III. Charles Dickens, një prej shkrimtarëve më të mëdhenj britanikë ishte një reporter i realizuar përpara se të arrinte suksesin si shkrimtar i letërsisë artistike. Gjatë leximit të biografisë së tij mund të dalësh në përfundim edhe se ai ishte së pari gazetarë shkruante letërsi artistike mënjanë. Akademikët kanë vlerësuar se gjatë karrierës së tij aktive prej 35 vitesh ka prodhuar më shumë se një milionë fjalë nonfiction. Gjatë të njëzetave të hershme Dickens ishte i njohur tashme si reporteri më i mirë i Parlamentit në Angli.
Libri i tij i parë “Skica nga Bozi, Ilustrime të jetës së përditshme dhe njerëzve të përditshme” (1836); një përmbledhje serish të raportimeve në gazetë në Londrës së mesit të 1830 –ës. Asgjë nuk i shpëton syrit dhe veshit të mprehtë për detajet e rrugës të Dickens-it, ndërsa viziton kopshtet e argëtimit të Vauxhall, dyqanet me rroba të përdorura të rrugës Monmouth Street, dyqanet e pengjeve, teatrot dhe mejhanet. Dickens ka punuar si gazetar freelance, përpara se të bëhej reporter i Parlamentit në gazetën “The Mirror of Parliament, më pas në “True Sun” dhe The Morning Chronicle e në fund si redaktor për “ Bentley’s Miscellany”.
A është gazetaria ndonjëherë vetëm thjesht një mjet i favorshëm për të paguar faturat në fund të muajit dhe jo një hap i parë drejt letërsisë së pastër? George Orwell raportonte për gazetën “Observer”,ndërsa shkruante “Ferma e Kafshëve” dhe mblidhte materiale për “1984”. Për të mbajtur veten atij iu desh të bënte të gjitha llojet e veprave të shkruare, nga ese te recensa, duke zhvilluar kështu një reputacion për prodhimin e kritikës së mirë letrare. Më 1941 –shin ai nisi punë në BBC si producent. Më pas u mor me komente lajmesh dhe spektakle me audiencë në pjesën lindore të Perandorisë Britanike. Ai arriti të tërhiqte emra të mëdhenj të letërsisë si T.S. Eliot apo E.M.Forster për t’u shfaqur në programet e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e gjeti veten duke vepruar si propagandist në anën e vendit të tij, gjatë kësaj kohe u bë redaktor letrar e një gazete socialiste.
Megjithëse mund të dukej punë që i siguronte të ardhura financiare, Orwell –i kishte parimet e tij gazetareske. “Gazetaria është të shtypësh atë që dikush nuk do të donte të shtypej. gjithçka tjetër është Marrëdhënie publike”, do të shprehej gazetari që u bë një prej 50 shkrimtarëve më të mëdhenj britanikë. Një prej emrave të rëndësishëm të letërsisë së Francës jo metropolitane dhe filozofi i mprehtë i shekullit XX, Albert Camus ka punuar si gazetar. Ai ishte fëmija i dy prindërve gjysmë proletarë, të lidhur me qarqe që kishin prirje të forta revolucionare dhe gjithashtu pati një interes të thellë në filozofi. Ai erdhi në Francë nga vendlindja e tij Algjeri, kur ishte 25 vjeç. Ai pati pritje të forta politike, që e çuan në përfshirjen e lëvizjes së rezistencës. Pas periudhës së çlirimit u bë kolumnist për gazetën “Combat”. Megjithatë pjesa më e madhe e aktivitetit të tij gazetareske dhe propagandues ishin thjesht përgjigje të pyetjeve pambarim të kohës. Gjatë vitit ’47 hoqi dorë nga puna si gazetar portik dhe u veçua nga shkrimi i eseve dhe letërsisë artistike dhe u bë shumë aktiv në teatër si dramaturg dhe producent. Ai vdiq në një aksident me makinë më 4 janar të 1960 –ës. Librat “ Një vdekje e lumtur dhe “Njeriu i parë” u botuan dekada më vonë pas vdekjes. Vdekja e papritur shënjoi humbjen e një prej filozofëve dhe shkrimtarëve më të mëdhenj ekzistencialistë. Dino Buzzati, është ndoshta shkrimtari që thuajse nuk e braktisi kurrë gazetarinë. Janë plot 40 vite – nga 1928 e deri më 1972 – që ai i kaloi si gazetar dhe kolumnist për “Corriere della sera”, duke praktikuar çdo lloj nën zhanri të përfytyrueshëm të gazetarisë dhe u kthye në një lloj “drejtori të fshehtë” të gazetës. Duke u fokusuar në “Cronache terrestri”, përzgjedhja e artikujve të Buzzati-t të botuar pasvdekjes eksplorojnë kufirin mes letërsisë dhe gazetarisë në punën e Buzzati-t për “Corriere..”, duke u dalluar për vëmendje të veçantë gërshetimit mes teknikave specifike të gazetarisë –veçanërisht te lajmet kryesore dhe te titujt- dhe tek adresimi në trajtimin e temave aktuale dhe ngjarjeve bashkëkohëse (përfshi reportazhet e luftës). Kufijtë e Buzzati-t mund të vendosen në një zonë të ndërmjetme mes letërsisë edhe gazetarisë, realitetit dhe fantazisë ku firma e Buzzatiot si korrespodent i një të përditshmeje me reputacion, bën të vlefshme ekzistencën e botëve të pamundura në dukje dhe ku grumbullimi i detajeve raportuese dhe enumeracioni krijoni trillin e një hiper-realiteti. Mëse një shekull pas vdekjes Mark Twain mbahet mend më së shumti si romancier, si njeriu që e çoi Huckleberry Finn-in deri poshtë në Misisipi dhe prezantoi një Janki nga Konektikati në oborrin e Mbretit Artur. Por Twain-i shkrimtar nuk do të kish ekzistuar pa Twain-in gazetar, e veçanërisht pa një scoop kolosal. Pasi shkroi për disa gazeta në Bregun Perëndimor. Twain e gjeti veten në Oahu më 1866 –ën duke shkruar kolumna javore për Sacramento Union, për të cilat tha “Nuk është se shërbejnë për diçka por mund ta përballoj të shpenzoj 20 dollarë në javë për hiçgjë”. Pas vitesh në biznesin e gazetave, Twain ndjeu se donte diçka më shumë…të bëhej Twain shkrimtari. Shkrimtarë që e kanë lidhur fort karrierën e tyre me gazetarinë janë të shumtë dhe të të gjithë brezave si Walt Whitman, Richard Wright, D.H. Lawrence, Primo Levi, Horacio Quiroga, Maxim Gorky, Ezra Pound, Alexandre Dumas, Thomas Moore, Stefan Zweig, Jean-Paul Sartre, José Saramago, Vladimir Nabokov, Alberto Moravia, John Milton, François Mauriac, Jack London, Oliver Goldsmith, Khalil Gibran, Daniel Defoe, Guillermo Cabrera Infante, Jorge Luis Borges, V.S. Naipaul, Juan Carlos Onetti, David Hare, Martin Amis, AN Wilson, John Lanchester etj… etj. Gazetarë njëherë…mjeshtër të universit të letërsisë artistike gjithherë.
Letrat shqipe, nga të përditshmet te librat
Kur vjen puna te ish-gazetarë të shndërruar në shkrimtarë kalibri edhe lista e shqiptarëve nuk është e vogël. Shkrimtari më i njohur ndërkombëtarisht, fitues i dhjetëra çmimeve prestigjioze letrave në botë, kandidat prej vitesh i Nobelit të Letërsisë – këtë vit në kompanitë e bastvënësve për fituesin e Nobelit, ai renditej i trembëdhjeti, i paraprirë nga izraeliti Amos Oz.
Por ndoshta pak e kujtojnë se autori i kryeveprave si “ Kronikë në gur” “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Prill i thyer”, “Dimri i Madh”, “Pallati i Ëndrrave”, “Kështjella” etj., ka punuar edhe si gazetar. Më 1958 u diplomua në degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki’, deri më 1960 –ën, vit ku detyrohet t’i ndërpresë për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BS. Pasi u kthye nisi punë si gazetar në gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les letres albanaises”. Ishte pikërisht koha kur edhe krijoi romanin “Dimri i madh”. Por ndryshe nga kolegët e tij ndërkombëtarë, Kadaresë iu desh ta zhvillonte karrierën e tij si shkrimtar nën regjimin shtypës e totalitar të Enver Hoxhës, ku fjalët siteshin në kuptimin e plotë të fjalës, ndërsa kuptimet tjetërsoheshin edhe sipas nevojës. Ishte ndoshta me fat që simbolika e prozës së tij kaloi 45 vite regjimi terrori pa u vënë re apo ndoshta ishte lartësimi i diktatorit që qëllimshëm autori bëri në romanin “Dimri i Madh” si karta e tij e shpëtimit apo ishte fama e tij që i kishte rrëzuar kufijtë e hekurt të shtetit më të izoluar në Europë dhe e kish bërë Kadarenë të renditej ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohës, që e shpëtoi shkrimtarin, i cili pas pak ditësh feston 80 –vjetorin e lindjes. Por gazetaria për Kadarenë nuk kishte të njëjtën rëndësi siç pati për mikun e tij, poetin dhe shkrimtarin Dritëro Agolli, i cili kaloi 15 vite të jetës së tij si gazetar i Zëri i Popullit”. Më pas ai kaloi si shkrimtar i lirë i inkuadruar edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krahas punës si reporter lajmi, ai u mor me reportazhe, kritikë dhe analizë letrare, të cilat bashkuar me gjinitë e tjera të lëvruara nga Agolli, si: poezia, poema, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, e bëjnë figurën e tij shumë dimensionale në letrat shqip. Në emër të komunitetit të gazetarëve, si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë si dhe Forumi i Mediave të Lira, Agollit i është akorduar çmimi, “Pena e Artë, Mjeshtër i Madh i Gazetarisë”. Ai që përfaqëson më së miri komunitetin e gazetarëve të kthyer në shkrimtarë është Petro Marko. E nisi pikërisht si reporter dhe punoi deri në moshën 23-vjeçare si gazetar në Tiranë dhe atë vit, më ’36 u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë, shkon në Kuintanar de la Republica. Merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda etj. Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale i veshur me petkun dhe karizmin e interbrigadistit u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenoble. Pas Luftës së Spanjës, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44, Petro Marko do të marrë pjesë në radhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë, por do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Markoja kishte luftuar në Evropë dhe Shqipëri për më shumë se 10 vjet. Edhe matematikani i diplomuar në Pekin që e gjeti vokacionin e tij te letërsia, duke u bërë një ndër emrat e letërsisë shqipe të njohur jashtë vendit, kryesisht në Francë, me librat si “Lëkura e qenit” “Jetë në kuti shkrepësesh”, “Ëndrra e Damokleut” “Gjemia e mbytur” etj., Fatos Kongoli ka lidhjet e tij me gazetarinë. Për një kohë të gjatë ai ka punuar si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Edhe shkrimtari Zija Çela ka punuar si redaktor në revistën letrare “Nëntori”, ndërsa nga 1984 – 1990 si kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”. Në vitet ’90, kjo gazetë luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen intelektuale për përmbysjen e sistemit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit, Zija Çela u bë drejtor i shtëpisë botuese “Letrat”, ku e filloi veprimtarinë me romanin “Përbindëshi” të Kadaresë, një vepër që ishte ndaluar nga regjimi i mëparshëm. Në vitin 2000 bëhet kryeredaktor i të përjavshmes “Albania e vogël”, suplement letrar i gazetës së përditshme “Albania”. Njëkohësisht që nga viti 2000, i shquar gjithashtu si eseist dhe publicist, Çela bën jetën e shkrimtarit në profesion të lirë. Megjithëse njihet si politikan dhe publicist, Preç Zogaj është i një prej poetëve dhe prozatorëve bashkëkohës, i cili gjatë viteve ’90 ka qenë i angazhuar me detyrën e kryeredaktori të gazetës së përditshme “Koha Jonë”. Besnik Mustafaj, një tjetër emër i rëndësishëm i politikës shqiptare pas viteve ‘90, i njohur edhe si shkrimtar, ka punuar në fillimet e karrierës së tij si gazetar. Fillimisht në gazetën “Zëri i Popullit” e më vonë si kryeredaktor i revistës “Bota Letrare”. Politika, letërsia dhe gazetaria duket se janë një trinom i rëndësishëm edhe për deputetin Namik Dokle. E nisi karrierën e tij gazetareske në redaksinë e Gazetës “Puna” më 1970-ën, ndërsa më 1991-shin ka qenë kryeredaktor i Gazetës “Zëri i Popullit”. I njohur më së shumti për prozën e shkurtër dhe dramat, vitin e kaluar ai botoi romanin e tij të parë “Vajzat e Mjegullës”.Një nga emrat më të debatuar sot jo vetëm në politikë por edhe në prozën e tij letrare, e cila nuk kalon pa provokuar, edhe deputeti Ben Blushi, i kthyer vitet e fundit në shkrimtar, e ka nisur karrierën e tij si gazetar. Përpara se të sillte për lexuesin vepra si “Të jetosh në ishull”,
“Otello, Arapi i Vlorës”, “Hëna e Shqipërisë” dhe më 2015-ën romanin “Kandidati”, Blushi ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar në të përditshmen “Koha Jonë”, si edhe në “Deutsche Welle”, “Indipendent” dhe Fondacioni Soros. Mes prakticitetit apo flirtit me këtë letërsi në nxit, gazetarët e dikurshëm u bënë shkrimtarë të letërsisë, për të cilët koha rrjedh me masën e tyre…
Përgatiti: Suadela Balliu

No comments:

Post a Comment