Monday, May 16, 2016

Arben Dedja, poezia si kirurgji




Sapo ka botuar librin e tij më të fundit, një përmbledhje me poezi në italisht, titulluar “The vanishing twin”. Arben Dedja, si mjek dhe poet shpaloset në të dyja dimensionet. Për të, poezia është vetë kirurgji, e kursyer në mjete dhe pa sentimentalizëm.


Intervistoi: Suadela Balliu
Ti vdes dhe unë me gingivat pa dhëmbë të ha…të përthith ngadalë… tejshkon lëkurën time…më hyn në të brendshmet…Është kjo poezia e binjakut që zhduket, gjatë jetës intrauterine. duke u përthithur krejt (pothuajse krejt) nga binjaku tjetër, që lind normalisht. Një sindromë i zbuluar me zhvillimin e ekografisë, rrëfen poeti, i cili e ka titulluar librin sipas kësaj poezie “The vanishing twin”, në gjuhën angleze, të cilën e quan lingua franca e modernitetit.
Prej vitesh, qysh prej botimit të tij të parë me poezi në italisht: “La manutenzione delle maschere”.Arben Dedja shkruan në gjuhën italiane, gjuhë që ka përdorur edhe për këtë përmbledhje poetike. Për të botuar disa syresh në shtypin shqiptar, i është dashur t’i përkthejmë, një proces që i tingëllon ende i çuditshëm e ndaj nuk ka në plan ta sjellë këtë libër në shqip. Por po përgatitet të botojë një libër me tregime me shtëpinë botuese “Pika pa sipërfaqe”, me të cilën botoi edhe “Histori (e)skatologjike”, libër që vitin e shkuar i dha edhe çmimin  “Autori i vitit” në Panairin e Librit.
Këtë vit ishte në listën e autorëve për çmimin letrar “At Zef Pllumi”, që akordohet nga Ministria e Kulturës. Po nga kjo ministri ka fituar një fond për botimin e librit më të ri, që vjen për lexuesin vitin që vjen.
Pirroja e Epirit është një prej personazheve që autori e ka marrë në një prej intervistave të pazakonta, ndërsa tregimet i shtyn deri në vitin 2076. Janë 20 proza të shkurtra që sjellin në një libër tre mijë vjet histori. Por koha mbetet gjithnjë e tashmja…Në këtë intervistë, kirurgu dhe shkrimtari që prej vitesh jeton në Padova të Italisë, rrëfen procesin e të shkruarit, që në rastin e tij nuk është shumë larg mjekësisë… I ndodh të ndërrojë tryezat, nga poezia në prozë, por gjithnjë ato të formave të vogla. Gjithnjë sipas asaj çka do të rrëfejë… 
Keni ardhur për lexuesin me një libër të ri, përmbledhja me poezi “The vanishing twin”, i cili para pak javësh është botuar në Itali. Së pari, përse ky titull dhe përse keni zgjedhur gjuhën angleze?
Është titulli i njërës prej poezive të vëllimit, që mendoj se e përmbledh mirë kuptimin e librit. Binjaku që zhduket gjatë jetës intrauterine, në fakt duke u përthithur krejt (pothuajse krejt) nga binjaku tjetër, që lind normalisht. Një sindromë i zbuluar tash së voni (me zhvillimin e ekografisë) dhe, si i tillë, i dhënë e i përdorur në gjuhën angleze, lingua franca e modernitetit, si latinishtja dikur.
Cilës periudhë i përkasin këto poezi?
Pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit, por shumica (ato që janë shkruar drejtpërsëdrejti në italisht) janë të viteve 2011-2015, pas botimit të librit tim të parë me poezi në italisht: “La manutenzione delle maschere”.
Ajo çka vihet re edhe në këtë përmbledhje është martesa e përsosur që ju i bëni mjekësisë me letërsinë. A mund të quhet ky libër një ‘kirurgji e letërsisë’?
Mendoj se poezia është vetë kirurgji, nuk ka nevojë, le të themi, për një kirurgji në katror. Sepse është e kursyer në mjete dhe pa sentimentalizëm. Jam unë pastaj në këtë rast që, saje formimit tim, shfrytëzoj disa metafora duke i marrë të gatshme, duke i ngritur peshë nga mjekësia.
Poezitë që ju ofroni në këtë libër duken si një udhëtim i brendshëm shpirtëror ose mendor, ku lexuesi përfshihet në shqyrtimet e imta, thuajse laboratorike që ju bëni… E shihni poezinë si shëruese të shpirtit njerëzor?
Nuk besoj në vlerat taumatologjike të poezisë. Vetëm sa na step pak, na e ngrin nganjëherë gjakun në deje, përpara se të përplasemi përsëri në rrëmetin e jetës.
Ju shkruani prozë dhe poezi, për të mos bërë atë pyetjen klishe se cilën preferoni më shumë, cila është më intimja në marrëdhënien me shkrimtarin por edhe me lexuesin?
Një shkrimtar modern punon në shumë tryeza. Aq më keq unë, që mërzitem kollaj: kam nevojë të ndërroj tryezë vazhdimisht, duke preferuar gjithnjë format e vogla. Por në përgjithësi varet nga ajo që do të rrëfesh.
Alla fine della respirazione dovreste sentire un crepitio, come di passi sulla neve»….Ogni mattina la distesa bianca era come un grande torace. Pestavo bimbi pieni di polmonite….Natyra mbahet të jetë frymëzuesja më e madhe e lirizmit, por a është natyra frymëzuese apo pikëlidhje edhe me mjekësinë?
Në fakt unë, si i lindur dhe rritur në qytet dhe si udhëtar përtac e i përmbajtur që jam, nuk kam pasur kurrë një raport të plotë me natyrën. Periudha e vetme e jetës sime kur kjo ka ndodhur ishte kur punoja si mjek i përgjithshëm në Dibër, në fund të viteve ‘80. Poezitë e asaj periudhe, ose poezitë e lindura si pasojë e të kujtuarit të asaj periudhe, janë të vetmet ku natyra hyn me prepotencë në lojë. Që këtej edhe lidhja e natyrës me mjekësinë: diçka tejet personale.
Në këtë libër, ju keni bërë një gërshetim të poezisë me prozën e shkurtër, duke sjellë një temë të shkruar në dy forma. Cila vjen e para në kokën tuaj – proza apo poezia? Një lloj shfaqjeje sinqeriteti apo tejpashmërie që poeti i bën lexuesit?
Kjo ndodh vetëm një herë, në tekstin e titulluar “Polmonite”, që ju e cituat më sipër. Është i njëjti imazh që jepet me dy forma të shkruari. Poezia: fjalëkursyer, eliptike, që punon në ekstraksion, spartane në formë, evokative dhe e figurshme, e ngjashme me skulpturën. Proza: më e pasur në detaje, ngjyrime e mbishtresa, më prolikse, e ngjashme me pikturën në vaj. Ishte një eksperiment.
«Tu muori e io con le mie/ gengive sdentate/ ti cannibalizzo/ ti assorbo lentamente»…Vargje që të bëjnë të kujtosh natyrën kanibaleske të njeriut, ose të paktën këtë ndjesi më la personalisht. Bisturia juaj poetike trondit. A është ky qëllimi i poezisë suaj, që të mos lërë thjesht një ndjesi lirizmi kur lexohet, por të të zhysë në mendime?
Qëllim, apo mjet? Tingull, apo kuptim? Dikotomi që e bëjnë poezinë të parrokshme. Ajo që absolutisht nuk duhet ta ketë poezia është retorika, sentimentalizmi, ampoloziteti, afërmendshmëria.
Poezitë janë shkruar në gjuhën italiane apo i keni përkthyer? Do të ketë edhe një botim në shqip të tyre?
Sikurse e përmenda më lart, pesëvjeçarin e fundit poezitë janë shkruar drejtpërsëdrejti në italisht (dhe këto përbëjnë 2/3 e gjithë poezive të bleut). Për të paraqitur disa prej tyre në shtypin shqiptar (Revista SARAS) m’u desh, pra, t’i përkthej në shqip, gjë kjo për mua fort e çuditshme. Për sa i përket botimit në shqip të krejt librit, druaj se botuesit dhe publiku nuk kanë interes, pas tejngopjes me poezi të tregut shqiptar. Le që edhe unë vetë preferoj të botoj më parë një libër me poezi të qëmtuara prej atyre qindra poezive në shqip shkruar qysh nga adoleshenca, që aktualisht dergjen në memorie kompjuterësh.
Në faqen e shtëpisë suaj botuese “Pika pa sipërfaqe” para do kohësh lajmërohej se së shpejti do të vini me një libër të ri, a mund të na zbuloni diçka më shumë?
Bëhet fjalë për një libër me tregime (dhe me intervista, por janë prozopope: krejt fiksionale) që do të dalë vitin e ardhshëm. Ka përfituar nga Fondi mbi Mbështetjen e Krijimtarisë hapur këtë vit nga Ministria e Kulturës. Intervistat fillojnë me Pirron e Epirit dhe vijnë deri në ditët tona, kurse tregimet fillojnë nga ditët tona dhe shtyhen deri në vitin 2076. Tremijë vjet dhënë në 20 proza të shkurtra. Por, në fakt, flitet gjithnjë për të sotmen.

The vanishing twin
Tu muori e io con le mie
gengive sdentate
ti cannibalizzo
ti assorbo
lentamente
trapassi la mia pelle
mi entri nelle viscere
mi piaci
poi ti piscio
poi succhio il liquido
ancora ti deglutisco
ti mando giù.
Nell’amnio di madre natura
una volta eravamo felici
due gemelli natanti
ci abbracciavamo
cambiavamo posizione
a seconda dei sogni
dei nostri carnali
bisogni
ma un giorno
cominciasti
a impallidire
a non crescere più.

 Agorà
Quando il rombo dell’attacco
aereo fece tremare la terra
uscimmo nel cortile dell’ospedale
tutti: medici & pazienti
un vecchio
piangeva di gioia come un bimbo
il catetere gli si era staccato
dal sacchetto di plastica piscio
gli scorreva nel pigiama. 
 Agorà. Kur uturima e sulmit | të avionëve tundi dheun | dolëm n’oborrin e spitalit | të gjithë: pacientë & mjekë | një plak pranë meje | qante si fëmi nga gëzimi | kateteri i qe shkëputur | nga qesja plastike shurra | i rridhte pizhamesh.

No comments:

Post a Comment