Monday, May 16, 2016

Dragana Tripković: Më quani thjesht poete





Dragana Tripković – poete dhe autore veprash për teatër nga Mali i Zi – është mike e Rezidencës së shkrimtarit dhe përkthyesit letrar “Tirana in Between” për muajin dhjetor 2015. Kjo veprimtari organizohet nga POETEKA, me mbështetjen e rrjetit letrar TRADUKI, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Shqipërisë.
Nga Suadela Balliu 
“Kur kam nevojë për frymëzim, strehohem te leximi”, – e nis rrëfimin Dragana Tripković, poetja dhe dramaturgia nga Mali i Zi, vizitorja e fundit e Rezidencës së shkrimtarit dhe përkthyesit letrar “Tirana in Between” për vitin 2015.
Dhjetori i festave për autoren e re nga vendi fqinj është muaji që jo vetëm i ka dhuruar lirinë, aq të dashur për shkrimtarët, porse e ka bërë vëzhguese të mprehtë të një qyteti, të cilin e viziton për herë të parë, jo pa qortim për veten ndërsa ka zbuluar se e ka thuajse tri orë larg rrugëtim automobilistik nga qyteti i saj, Podgorica.
Natyra e ngjashme ballkanase, mikpritja e ngrohtë, historia që herë takohet e herë ndahet, njohja me një gjuhë jo edhe aq të padëgjuar në vendin e saj –ku edhe shumë malazezë, përfshirë dajat e saj, dinë ta flasin –kulinaria e deri te jeta e natës, që për një vajzë të re si ajo, e rrethuar gjithnjë nga miq që i janë bashkuar në këtë përvojë tiranase, janë pak nga shija që ajo po merr çdo ditë me doza bujare në Tiranë. Pa harruar të interesohet për jetën kulturore –teatrin, operan e kinemanë për pak më shumë informacion të kolegëve fqinj, duke qenë se puna e saj e përditshme lidhet me këta të fundit, ndërsa rëndësia më e madhe bie padyshim te letërsia. Tek e mbramja është pikërisht letërsia që e solli këtu, përmes aplikimit në këtë rezidencë, që këtë vit ka hapur dyert për tetë shkrimtarë e poetë nga rajoni dhe Europa. Rezidenca  e  shkrimtarit dhe përkthyesit letrar “Tirana in Between” organizohet nga POETEKA, me mbështetjen e rrjetit letrar TRADUKI, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Shqipërisë.
“Jam duke shkruar diçka që lidhet me Tiranën. Është shumë e thjeshtë të shkruash për një vend që nuk është i yti. Mjaftohesh me vëzhgimin së jashtmi për të krijuar përshtypjet. Por nuk është kjo çka dua të bëj. Përtej vëzhgimit të jetës së përditshme, njerëzve, kulturës, komunikimit, dua të sigurohem që përshtypjet e mia janë të sakta. Për këtë flas shumë me njerëz dhe rri shumë me vendas”, – vijon ajo, ndërsa zbulon se përpos përshtypjeve të saj që mund të marrin formën e një eseje apo edhe tregimeve të shkurtra, së bashku me POETEKA dhe Shkëlzen Maliqin janë në kërkim të disa autorëve bashkëkohorë shqiptarë për t’u përkthyer në gjuhën malazeze e për t’u botuar në revistën kulturore letrare “ARS”, pjesë e së cilës është edhe ajo.
Rrëfen se prej dhjetë vitesh ka punuar si gazetare në vendin e saj, në seksionin kulturor të gazetës së përditshme “Vijesti”, si dhe ka shkruar editoriale mbi letërsinë dhe teatrin për revistat kulturore malazeze dhe ato të rajonit, ndërsa tani bashkëpunon me disa organe shtypi si kritike arti.
“Kam punuar për vite në gazetari, por kur erdhi puna te formimi universitar, nuk doja të studioja për diçka që e njihja aq mirë në praktikë. Doja të studioja Dramë, por atëkohë në Mal të Zi, ende nuk kishte një fakultet për këtë. Prita katër vite derisa të çelej kjo degë për të plotësuar atë çka kisha projektuar për veten”, – tregon Dragana, e cila është diplomuar për dramaturgji pranë Fakultetit të Arteve të Performuara në Universitetin e Cetinjes, në Mal të Zi.
Ka nisur të shkruajë pjesë për teatër qysh kur ishte studente, dy prej tyre janë botuar dhe përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Personazhet e saj janë ata në dukje të vegjël, të jetës së zakontë, por nëse i gërvisht pak zbulon anën e tyre të errët, çmendurinë që secili prej nesh mundohet ta maskojë mirë. Duket e kursyer në fjalë, por goditëse drejt e në zemër të atij fenomeni të cilin ajo dëshiron ta trajtojë në letërsinë e saj.
Në skenën e Teatrit Kombëtar malazez ka ngjitur edhe pjesë të mirënjohura si “Don Zhuan” i Molierit, “Besim, Dashuri, Shpresë”, të EV Horvath etj.
Por nëse do të kishte një emër që do e përkufizonte do të ishte alternativja. Me grupin teatror ATAK (Alternativne Teatarske Aktivne Kompanije) në Podgoricë është gjithnjë në kërkim të skenave dhe audiencave që i shtyjnë kufijtë e klasikes.
Sapo ka përfunduar një projekt teatror me të burgosurit e Institucionit Penitenciar në Podgoricë. Një shfaqje ku aktorët ishin ata që vuanin dënimin në këtë burg- për krime nga më të ndryshmet- dhe madje edhe pjesët ishin shkruar prej tyre.
“Ishte diçka aq e madhe, sa do më duhet të pres një kohë të gjatë për t’u marrë me diçka të atij niveli”, – rrëfen ajo.
Për ta realizuar këtë projekt, thotë se ka shkuar deri në San Francisko të Shteteve të Bashkuara për të parë nga afër sesi vihej në jetë atje një projekt i ngjashëm për rehabilitimin e të burgosurve. “Sigurisht që ata ishin shumë, shumë të përparuar në këtë. Ishte diçka që funksiononte brenda sistemin shtetëror dhe nuk ishte nismë e disa organizatave joqeveritare si në vendin tim. Megjithatë jam e kënaqur, sepse ishte sukses” – vijon të thotë, ndërsa zbulon që për ta realizuar iu deshën plot katër muaj vajtje-ardhje, kontroll të imtë nga rojat e institucionit dhe shumë prova me aktorët – të cilët më së shumti ishin të burgosur dhe vetëm dy prej tyre ishin aktorë të trupës teatrore profesioniste.
“Për mua nuk ka aktorë joprofesionistë. Nëse do që dikush të luajë të burgosurin, atëherë merr një të burgosur, nëse dikush do të luajë të verbrin, gjej atëherë një të verbër”, – thotë ajo, duke iu referuar një tjetër projekti teatror, të cilin e ka realizuar në aeroportin ushtarak të Malit të Zi, një pjesë ku interpretuan aktorë të verbër.
Skenografia i ngjante një kampi lufte, me makina ushtarake, armë, tanke, avionë… “Por të vjen keq që këto lloj skenash nuk mund t’i kesh përherë. Mund të luash një apo dy herë aty”, – vijon ajo.
Një fabrikë e braktisur, e epokës së komunizmit ishte një tjetër skenë ku Dragana dhe disa kolegë të saj dhanë një shfaqje mbi betejat e njeriut modern. “Mendoj se pjesa më e vështirë për dramaturgët, artistët është të përshkruajnë njeriun modern”.
Është në mes të procesit të të shkruarit një pjesë për teatër që do të vihet në një ndërtesë të vjetër në kodrën e qytetit të saj. “Do të rrëfehen tri kohë të ndryshme të kësaj strukture. Jam bashkautore me dy kolegë, ndërsa unë do të shkruaj periudhën e komunizmit të asaj ndërtese”.
Kinemaja është një tjetër fushë interesi për të. Ka shkruar skenarin e një filmi me metrazh të shkurtër, të cilin e ka përshtatur edhe për teatër.
“Lamtumirë bimë”, është në fazën e post-produksionit, si një bashkë realizim mes Televizionit kombëtar malazez RTCG dhe Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinje.
Me gjithë shtysën që ka për të gjetur skena dhe pjesë alternative për teatrin që bën dhe që shkruan, nuk mendon se po bën diçka për t’i shtyrë kufijtë e asaj çka konsiderohet klasike në dramaturgji.
“Nëse lexon Shekspirin mendon që ai i ka thënë të gjitha, nuk ka mbetur asgjë për të thënë e shkruar. Mendoj se teatri nuk ka lëvizur më qysh prej kohës së Bertold Breht”, – thotë, ndërsa nënvizon problematikat që kanë teatri apo kinemaja në vende të vogla si Mali i Zi, ku duhet të luftosh shumë për të çuar përpara një projekt, që nuk gjen shumë mbështetje nga shteti.
Thotë se kur i duhet një shtysë frymëzimi për të shkruar një pjesë teatrore e kërkon atë mes prozës së shkurtër. “Mendoj se tregimet e shkurtër të vijnë më shumë në ndihmë në kësi rastesh sesa novelat apo romanet”.
Ajo vetë është autore e disa tregimesh të shkurtra, me të çilat ka fituar edhe disa çmime të rëndësishme.
Në vitin 2012 dhe 2013 u vlerësua nga Fondacioni Anna Lind me çmimin “Një det fjalësh”, çmim ky i dhënë për krijimtarinë në prozë të shkurtër. Ka fituar edhe një çmim të tretë në konkursin e Ministrisë së Kulturës së Mali të Zi si bashkë-autore në projektin filmik “Punët e djallit”, vepër kjo ende në proces.
Dramaturge? Prozatore? Jo. Preferon të njihet më shumë si poete. Përmbledhjet e saj poetike, përfshijnë  “Shpirt i tradhtuar”, i botuar në vitin 2000, “Dashuri është kur ti shkon”, botuar në 2005-ën, “Këngë” botuar më 2008 –ën dhe “Lirikat e rërës” të cilën e ka sjellë për lexuesin vitin e kaluar.
Poezitë e para i ka shkruar kur ishte fëmijë, ndërsa dhjetë vjet të shkuar mban mend përvojën e parë të leximit të poezive të saj asokohe të sapobotuara përpara një audience të përbërë nga shkrimtarë e kritikë letrarë. “Mbaj mend që isha e emocionuar. Por vetëm hera e parë qe kështu. Pastaj u mësova. Tani marr pjesë në lexime në qytete të ndryshme. Mendoj se askush nuk mund ta lexojë më mirë poezinë sesa kush e ka shkruar”.
Sonte në mbrëmje një pjesë të krijimtarisë së saj poetike do e sjellë për publikun shqiptar, në një mbrëmje të organizuar në “Bar Hemingway” – poezi të cilat janë përkthyer në shqip nga Silvana Leka.
“Poezia është ajo çka unë nuk e konsideroj punë. Është pasioni. Sigurisht që janë gjëra të ndryshme, tregimet, drama apo poezia. Mendoj se një shkrimtar duhet të shkruajë atëherë kur vërtet ka diçka për të thënë, ndaj ndoshta edhe shkruaj pak. Madje preferoj të marr pauza të gjata nga botimi i një libri te tjetri”, – rrëfen Dragana.
Me shaka thotë se në Mal të Zi, çdo shtëpi ka shkrimtarin a poetin e vet. “Jemi popull që na pëlqen të shprehemi përmes letërsisë”, – shton duke qeshur, ndërsa përmend disa prej shkrimtarëve vendas të shekullit të fundit e ata bashkëkohorë. “Edhe në pikturë jemi një popull i talentuar. Kemi shumë piktorë të mirënjohur”, – thotë, duke shtuar se shpesh frymëzimin në poezi e gjen edhe te piktura, pa harruar edhe tingujt e muzikës. Por frymëzimi më i madh është ai që vjen së brendshmi, është e mendimit ajo.
Poezia e saj është përfshirë në disa antologji të poezisë bashkëkohore, botuar në rajonin tonë dhe në Europë. Kjo krijimtari është përkthyer dhe botuar gjithashtu në anglisht, rusisht, italisht, polonisht, letonisht dhe tashmë edhe në gjuhën shqipe. Është anëtare e Shoqatës së Malit të Zi për shkrimtarët e pavarur, ka qenë pjesëmarrëse në Këshillin e Shkrimtarëve europiane (EËC) si dhe ka dhënë kontribute si e ftuar në seminare, festivale dhe panaire librash në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Shtetet Bashkuara etj.
Rezidencat e shkrimtarëve, eksperienca të rëndësishme për një poete dhe dramaturge të re si ajo, janë ato shtëpi me dritare të mëdha për botën, si vëzhguese së jashtmi dhe përjetuese së brendshmi për të gjetur atë çka kërkon një njeri që letërsinë nuk e sheh vetëm si një mjet të thjeshtë për të shprehur veten, por për të folur me anë të artit për atë çka e shqetëson njeriun e kohës sonë. “Kriza më e madhe që bota po kalon është kriza e kulturës. Njeriu mund të jetojë në varfëri ekonomike, por kurrsesi në varfëri shpirtërore”, – përfundon ajo.
E pas të gjithave vëzhgimeve prej një njeriu që viziton për herë të parë një qytet (thotë se me siguri do të kthehet shpesh në Tiranë, pasi e sheh si qendrën më të afërt kulturore e artistike me vendin e saj), orët më të mira në një rezidencë shkrimtari janë ato përpara krijesës letrare, që formësohet në vetmi….

IMAZH UNIVERSAL GRUAJE 
Im atë nuk e ka dashur kurrë muzikën time
Dhe ai kurrë s’e ka dëgjuar
Çajkovskin.

Në këngët e tyre
Kanë prirë së bashku, frika
dhe korrektesën politike
E më pas hipitë i menderosën të gjitha.

Zogj të lirë në qiell
Nuk është një imazh i zakonshëm

Turma e vrasësve të zinj
Është një klishe e dashur.

Im atë nuk do t’ia dijë
Për Hitchcock, derisa shiriti kasetës t’i sjellë ndërmend
John Wayne.

E ai udhëton mes pyllit, gjithë burrëri
Me kapelë e revolver
E të sjell ndërmend burrat e ’45.

Shokët anëtarë të Partisë Komuniste
Dhe kominoshet, akrobatët e cirkut
Mbi trapez, shfaqje ideale
Për fëmijët e braktisur.

Ajo çka merrnin në vend të biletës
Ishte imazhi universal i një gruaje:
Nëna e të braktisurit.

Edhe im atë i ka braktisur fëmijët.

(Përktheu nga anglishtja, në bashkëpunim me autoren, Silvana Leka)

No comments:

Post a Comment