Çfarë ka zbuluar kritiku i artit pas detajeve të veprës që ai quan të parën dhe të fundit të realizmit historik? Si e veshi regjimi diktatorial me elementë patriotikë atë çka duket se është një subjekt i lidhur me përditësinë e njerëzve të thjeshtë? Heronj apo keqbërës? Të thënat përmes gjuhës pamore dhe të fshehurat pas ligjërimit ideologjik, autori i ka qëmtuar me hollësi, në librin që i jep jetë një serie mbi analiza të veprave të artit pamor
Intervistoi: Suadela Balliu
Ndryshe nga ç ‘është shkruar rreth përmbajtjes patriotike të subjektit të kësaj tabloje- shkruan Gëzim Qëndro ndërsa i referohet veprës realizuar më 1930 –ën nga piktori shqiptar Spiro Xega, titulluar “Çeta e Shahin Matrakut – mendoj se Xega ka pasur në mendje diçka më të zakonshme, thjesht ngrënien e një darke. Një copëz nga jeta e përditshme e një çete kaçakësh që sistemi i kaluar diktatorial e desh ta vishte me lavdinë e heronjve që luftuan për pavarësinë e vendit nga Perandoria Osmane. Tabloja që e kish kundruar qysh në fëmijëri në godinën e vjetër të Galerisë Kombëtare në rrugën e Fortuzit, iu zbulua në një dimension të ri për të ardhur si objekti studimi. “ Atë tablo e njihja prej shumë kohësh dhe në ato çaste thjesht po e shihja, ashtu siç kisha bërë edhe shumë herë të tjera, pa qëllimin të zbuloja diçka që fshihej. Pra, në njëfarë mënyre, ishte “zbulimi” që erdhi te unë”- rrëfen kritiku i artit, njëherazi kurator, përkthyes dhe Prof.Asoc.PhD në Estetikë, Gëzim Qëndro.
Nga zbulimi e deri në botimin e të parit të një serie librash xhepi – autori rrëfen se ka në plan të botojë rreth njëzet syresh – iu deshën plot dhjetë vite.
Mendova të filloj me këtë subjekt mbase për shkak të nostalgjisë që kam nga koha kur ndaloja i ndrojtur dhe plot adhurim para atyre tablove të cilat sot kam privilegjin t’i studioj dhe të shkruaj për to”- pranon Qëndro.
Po përse në këta 25 vite pluralizëm politik e artistik nuk ka pasur një deshifrim të pikturave të keqinterpretuara nga regjimi i kaluar? Sipas Qëndros ka qenë shpërfillja për të edukuar kritikë dhe studiues arti.
…Fajin pse nuk arritëm dot ta lexonim atë çka piktori na e tregoi haptas pa fshehur asgjë e kanë syzet ideologjike të sistemit parti-shtet dhe brerores romantike të folklorit, të cilat i veshën tablosë rrobat ngashënjyese të konformizmit politik dhe emfazës romantike duke mos na lejuar të shohim për atë çka kish qenë gjithmonë, një hapësirë topologjike ku artisti kishte përshkruar me saktësi zakonet e epokës së tij, duke dëshmuar vullnetin për të pasqyruar me anë të gjuhës artistike vetë realitetin nisur vetëm nga vëzhgimi skrupuloz i fakteve…duke marrë përsipër… të bëjë portretin historik të mikut të tij më të ngushtë njeriut të shekullit XIX, qoftë ku edhe një kaçak i jashtëligjshëm…shkruan Qëndro, i cili jo vetëm ka qëmtuar me hollësi tablonë, por edhe duke sjellë paralelisht jetët e këtyre ‘heronjve’ kaçakë, të njëjtët që rrëmbyen atdhetarin Gjerasim Qiriazi, të cilët ky i fundit i pat përshkruar në librin “Rrëmbyer nga cubat”. Detaj pas detaji, Qëndro rrëzon mitet për të zbuluar të vërtetën e piktorit, Spiro Xega…
E nisni librin me një shprehje “djalli fshihet pas hollësive”. Sa kohë ju ka marrë zbulimi i “djallit” dhe e hollësive të tablosë “Çeta e Shahin Matrakut” të Spiro Xegës? Siç e sqaroj edhe në fillim të librit, “djalli” fshihej pas detajit të uljes së bashku të dy kryekaçakëve -Shahin Matrakut dhe Leftenar Nuriut-por zbulimi më habiti të parin mua vetë. Atë tablo e njihja prej shumë kohësh dhe në ato çaste thjesht po e shihja, ashtu siç kisha bërë edhe shumë herë të tjera, pa qëllimin të zbuloja diçka që fshihej. Pra, në njëfarë mënyre, ishte “zbulimi” që erdhi te unë. Ngjan sikur në rrafshin fenomenologjik një pjesë e jona shfaq ndaj një objekti (atë që Husserl e quan qëllimshmëri), duke hulumtuar një objekt në mënyrë të pavarur dhe pasi gjen diçka ia ofron nëse mund të themi, pjesës tjetër së cilës doemos nuk i mbetet veçse të habitet që po “e sheh” vetëm tani. Por që të ndodhte ky proces i pavetëdijshëm për shumë studiues m’u desh shumë kohë. Por kjo u shpërblye me kënaqësinë e veçantë që ndjejmë kur na jepet mundësia ta fillojmë një studim me entuziazmin që shkakton një “Eureka”, siç ishte edhe ky rast.
Ju shkruani se fillimisht, në moshë të re, kjo pikturë ju tërhiqte, gjë që më pas u venit. Si ju rikthyet kësaj tabloje? Çfarë ju shtyu tani?
Po, asokohe, rreth moshës 10-11 vjeç kohë kur vizitoja shumë shpesh Galerinë Kombëtare ishte e kuptueshme që për njohuritë fare të pakta që kisha për artin pamor të tërhiqesha nga realizimi skrupuloz i detajeve si shkëlqimi i dritës mbi bar dhe pemë, apo “qëndisja” e zbukurimeve të veshjeve dhe të armëve që mbajnë personazhet e tablosë. Kuptohet që përpikëria e paraqitjes mimetike me siguri është përcaktuar nga temperamenti i Xegës, por edhe nga qëndrimi i gjatë i Xegës në punishten e një ikonabërësi në Stamboll. Më vonë duke studiuar rreth artit kuptova se këto elemente nuk janë thelbësore për vlerat e një tabloje dhe kjo do të sillte doemos si pasojë rishikimin e vlerave të saj artistike. Siç e thashë, nuk iu riktheva tablosë me ndonjë qëllim, por thjesht po u bëja një kalim rutinë tablove të periudhës së Pavarësisë pa ndonjë ide konkrete në mendje.
Sa kohë jeni marrë me analizën e kësaj vepre? Si lindi më pas ideja për ta zgjeruar në formatin e një libri?
E përmenda më lart se detajin e vura re rreth dhjetë vite më parë. Pas gjashtë muajsh botova një shkrim në shtojcën artistike të njërës prej gazetave të përditshme të kryeqytetit. Pas një viti iu ktheva për ta përpunuar sërish sepse u përfshi pjesërisht në tekstin e doktoraturës me titullSurrealizmi socialist, ku tema e përditësisë, e cila mungonte krejtësisht në artin e realizmit socialist, shfaqej për herë të parë në realizmin historik të kësaj tabloje me një ndershmëri të panjohur për artin zyrtar. Unë punoj ngadalë, i mbaj gjatë tekstet në dorë duke kërkuar korniza të ndryshme teorike dhe duke provuar strukturën më të mirë. Kjo kërkon të lexosh shumë dhe gjetja e kodit për të zbërthyer një tablo nuk është asnjëherë e lehtë. Qoftë edhe shkrimi i një teksti të shkurtër kërkon leximin e qindra faqeve literaturë. Më pas, kur struktura duket solide dhe informacioni teorik i mbledhur duken të mjaftueshëm fillon procesi intensiv i shkrimit, i cili zakonisht nuk zgjat shumë. Pra, nga zbulimi deri te ky libër m’u deshën dhjetë vjet. Më pas më lindi ideja për të botuar një seri librash xhepi (rreth njëzet subjekte) të cilët ekzistojnë si shkrime të botuara dhe që tani vetëm duhen zgjeruar dhe thelluar duke arritur (nëse munden) formatin e një libri xhepi me rreth 65-70 faqe Ëord. Mendova të filloj me këtë subjekt mbase për shkak të nostalgjisë që kam nga koha kur ndaloja i ndrojtur dhe plot adhurim para atyre tablove të cilat sot kam privilegjin t’i studioj dhe të shkruaj për to. Por nostalgji kam edhe për ndërtesën e dikurshme të Galerisë Kombëtare në rrugën e Fortuzit, e cila, në vend t’u jepej selive të partive, mund të ishte ruajtur si pinakotekë e periudhës së Rilindjes për shkak të intimitetit të hapësirave dhe harmonisë që krijon stili i ndërtesës me frymën e tablove të asaj periudhe.
Ishin fillimisht vetëm detajet pamore që ju shtynë drejt një qëmtimi më të thellë apo ju kishte rënë ndërkohë në duar edhe libri i Gjerasim Qiriazit “Rrëmbyer nga cubat”?
Pa detajin e uljes së dy cubave së bashku nuk kisha arsye ta studioja atë vepër. Ajo bënte pjesë në atë numër veprash që ndonëse të pastudiuara në thellësi, për to ekziston një vlerësim që askush nuk e mban mend se si është krijuar që me kohë fosilizohet dhe vetvetiu fiton statusin e opinionit të pranuar nga të gjithë. Edhe unë i zënë me shkrime të tjera e kisha pranuar pa e vrarë mendjen. Deri ditën që më tërhoqi vëmendjen detaji i sipërpërmendur. Sigurisht i kapur nga ethet e zbuluesit nuk mund ta lija punën në mes. Pas disa kërkimesh u ndesha me librin e Gjerasim Qiriazit dhe me ta gjetur (ky siç e them në libër ishte zbulimi i dytë) libri mori frymëmarrje tjetër dhe u pasurua me tema që i dhanë përmasën e një eseje të gjatë ose libri xhepi.
Ç’ rol zë libri i Qiriazit në analizën tuaj? A do të kishte qenë i njëjtë përfundimi , nisur vetëm nga teoritë e asaj çka përkufizohet një pikturë realiste?
Matrica realiste e tablosë do të ishte e plotë edhe sikur të mos e kisha gjetur atë libër. Do të mjaftonte një analizë e subjektit të tablosë, modaliteteve të paraqitjes, strukturës së kompozimit e brendashkruar në kornizën teorike dhe historike të Manifestit të Realizmit të Courbet-së dhe teorisë së Champfleury-së. Por libri i Gjerasimit duhet theksuar formon me tablonë e Xegës një çift kulturor të papërsëritshëm në historinë e kulturës sonë. Të dy janë dëshmi të sinqerta dhe të drejtpërdrejta të një epoke dhe dëshmitë e librit mbështetin, siç e dëshmon analiza e tablosë, mjaft detaje të kompozimit të Xegës si ulja e dy kapedanëve në të njëjtën gunë, e cila, siç dyshoja, kishte mirëfilli kuptim të qëllimshëm simbolik, detajin e qengjit në hell, praktikë e cila vërtetohet nga një episod i librit të Gjerasimit i cili në cilësinë e dëshmitarit sypamës rrëfen se si cubat u rrëmbenin bagëtitë fshatarëve. Po ashtu, matrica realiste e librit pasurohet besoj edhe nga kodi i cubnisë i bandave të Ballkanit i mbledhur dhe i paraqitur nga një studiues grek, Moskonisios, dhe atmosfera që përcjellin copëza tekstesh të shkëputura nga libra studimorë rreth dukurisë së cubnisë të autorëve si Vazravellis, Koliopulos, Stavrianos, Jelavic,Koçollari, Bagally, Plomer, Quanrud, Hobsbaëm, etj.
Ju thoni se ka qenë ideologjia e regjimit diktatorial që e ka veshur këtë tablo të Xegës me tipare që në të vërtetë nuk i ka. Po në këta 25 vjet përse nuk është bërë një rishqyrtim i veprave të artit pamor?
Mendoj se po paguajmë haraçin e shpërfilljes së plotë që i kemi bërë edukimit të kritikëve dhe studiuesve të artit të cilët në bashkësinë artistike janë parë gjithmonë në rastin më të mirë si artistë të patalentuar që kalojnë në fushën e kritikës për t’u hakmarrë ndaj kolegëve të tyre që ndryshe nga ata, janë të përkëdhelurit e Muzave. Dikush që mbaronte Institutin e Lartë të Arteve para dhe pas viteve ’90 duhej të bënte edhe burokratin e administratës së kulturës të të gjitha niveleve, drejtorin e Galerisë Kombëtare, kritikun apo studiuesin e artit, më vonë kuratorin duke harruar se për të gjitha këto profesione në vendet e zhvilluara ka programe të veçanta studimi. Prandaj, edhe një çerek shekulli pas rënies së sistemit totalitar jemi pothuajse në të njëjtën gjendje sepse asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin dhe vëmendjen e pakët të institucioneve shtetërore ndaj formimit të studiuesve të artit.
Faqe pas faqeje, në analizën tuaj ju sillni një tablo me personazhe që janë larg të qenit heronj, porse kaçakë e megjithatë titulli i librit është “Heronjtë janë të uritur”. Përse keni vendosur të luani me fjalën “heronj”?
Sepse ajo është fjala kyç e cila përmban thelbin e imperativit etik të realizmit, sinqeritetin, tregimin e subjektit pa fshehur asgjë, duke e çuar veprën e artit pamor (por këtë e shoh si teprim) në kufijtë e daguerrotipisë, pra, një proces kimik i cili regjistron mbi një sipërfaqe të rrafshët një imazh pas ekspozimit për një kohë të caktuar ndaj dritës. Pushtete totalitare si ai që lamë pas vuajnë nga njëfarë daltonizmi ideologjik. Për ta, ose je me ta, ose kundër tyre, rrugë të mesme sipas tyre s’ka. Pra, edhe personazhet e tablosë duhej ose të etiketoheshin armiq dhe tabloja të zhdukej nga sytë e publikut duke u mbyllur në karantinë, në pavijonin infektiv të Fondit të Galerisë bashkë me Mbledhjen e Moskës të Madhit, Mbjelljen e pemëve të Hilës apo Epika e yjeve të mëngjesit të Gjergos etj., ose të shpalleshin heronj të Pavarësisë dhe të ekspozoheshin në hapësirën elitare të Galerisë, siç edhe ndodhi. Kjo e dyta, me sa duket, u pa më e udhës, aq më tepër që nuk ishte shumë e vështirë të kryhej pasi për Shahin Matrakun në krahinën e tij ekzistonin plot këngë popullore, vetë autori i tablosë kishte qenë për disa kohë luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit, dhe për nevojat e propagandës duhej që nga periudha para çlirimit të kishim një tablo që dëshmonte për luftën për çlirim kombëtar duke krijuar kështu një traditë, trashëgimtarë të së cilës do të ishin pa asnjë dyshim, partizanët që po ashtu, iu kundërvunë me armë pushtuesit të huaj.
Por në një shtet totalitar si ai kuptohet miratimi duhej të vinte nga instancat më të larta të PPSH-së. Që një personazh historik të shpallej hero mjaftonte t’u përkiste shtresave të varfra të popullsisë dhe pasi prekej nga shkopi magjik i luftës së klasave ai vetvetiu kthehej në armik i pushtetit osman, i feudalizmit, i klasave shtypëse etj. Varianti zyrtar i historisë asokohe përmbante vetëm ferrin dhe parajsën duke përjashtuar krejt mundësinë e purgatorit. Një rast i ngjashëm ndodhi me një figurë “të vegjëlisë” si Haxhi Qamili, një përzierje alkimike e padijes me mizorinë, i cili e fitoi “breroren e heroit” vetëm pas një vlerësimi të Enverit si “përfaqësues i aspiratave të popullit tonë për liri dhe drejtësi shoqërore”. Pa guxuar ta pyesin se mbi ç ‘argumente dhe dokumente arkivore e mbështeste një pohim të tillë një pjesë e historiografisë tonë nxitoi të ngrinte në qiell “trimërinë dhe heroizmin” e këtij anadollaku që u përpoq ta rikthente me dhunë sërish Shqipërinë nën zgjedhën otomane.
Me anë të këtij libri ju e sillni tablonë e Xegës si të parën e rrymës së Realizmit Historik, por edhe të fundit. Si është pritur ky përfundim nga kritika? Ka pasur kundërshtime për teorinë tuaj?
Deri tani kam pasur reagime pozitive nga miq dhe dashamirës, të cilët herë me mesazhe dhe herë në telefon apo në takime më kanë shprehur vlerësime. Me siguri që libri mund të ketë mjaft për të diskutuar, por nganjëherë miqve mbase u vjen keq të të prishin kënaqësinë e botimit me vërejtje. Por i mirëpres kritikat. Më pëlqen dialogu me të tjerët dhe jo monologu me veten.
Përse thoni se është e fundit? A nuk ka në historinë e pikturës shqiptare vepra të tjera që pasqyrojnë me anë të gjuhës artistike vetë realitetin vetëm nga vëzhgimi skrupuloz i fakteve…?
Duhet të theksoj se e kam fjalën për veprën e parë dhe të fundit të realizmit historik, pra, një tablo ku tregohet në një situatë përditësie një personazh historik. Të paktën për aq sa e njoh unë historinë e artit tonë pamor nuk di të ketë ndonjë tjetër të tillë. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vëzhgimin skrupuloz të fakteve, por sidomos për imperativin etik të Realizmit, sinqeritetin. Xega i ka njohur pjesëtarët e bandës së Matrakut dhe me disa prej tyre, si p.sh. me Kajo Babjenin, nipin e Shahinit që paraqitet në katërshen drejtuese të bandës majtas, sipas disa të dhënave ka pasur hyrje – dalje familjare. Xega natyrisht e dinte se mishin që hanin nuk e blinin në shitore. Ai dinte po ashtu se të grabisje bagëtitë e dikujt nuk ishte punë fort e paqme dhe e ndershme. Por ai e tregon këtë fakt si dhe shumë detaje aspak mikluese për moralin e miqve të tij. Kjo e bën këtë vepër për mendimin tim të papërsëritshme dhe të veçantë në traditën e artit tonë pamor. Një sinqeritet që merr edhe më shumë vlerë nëse sheh se gjatë periudhës së realizmit socialist manipulimi i subjekteve të tablove historike ishte një rutinë e zakonshme. Mjafton të përmendim tablonë e njohur të Guri Madhit Mbledhja e Moskës ku pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën piktori u urdhërua të fshijë delegacionin kinez. Mashtrimi i parë ishte që delegacioni kinez i kryesuar nga Ten Hsiao Pini i cili e përbuzte hapur Enver Hoxhën nuk pranoi ta takonte, e jo më të rreshtohej përkrah tij në mbledhje duke i njohur atij drejtimin e opozitës ndaj Hrushovit. Po aq arbitrare ishte edhe fshirja e delegacionit kinez nga ajo ngjarje historike pas së cilës lëvizja komuniste nuk do të ishte më e njëjta. Më pas duke ndjerë se po teprohej duke fshirë edhe ish-kryeministrin Shehu pasi “e vetëvranë”, tablonë e mbyllën në karantinë. Për t’u shfaqur sërish në vitin 1999, pas pothuaj njëzet vitesh në një kontekst tjetër historik dhe teorik si pjesë e ekspozitësSurrealizmi socialist.
A ka ky piktor punime të tjera që mund të quhen kompozime realiste?
Një vepër padyshim realiste është Vetëportreti i tij që gjendet në Galerinë Kombëtare. Edhe aty me një vëmendje të veçantë ai regjistron çdo hollësi si në portret ashtu edhe në veshje. Vëmendja ndaj detajit (nganjëherë do të thosha e tepruar) është njëra nga karakteristikat e artit të Spiro Xegës.
Libri “Heronjtë janë të uritur” është i pari i një serie rreth artit pamor të pagëzuar “khora” . A mund të na thoni diçka rreth librit të ardhshëm? Çfarë do të trajtojë konkretisht?
E vërteta është që po punoj njëkohësisht me dy seri librash. Njëra është Khora, ajo që përmendni ju dhe tjetra Surrealizmi socialist. Libri i ardhshëm i përket kësaj të fundit dhe titullohetKinostudioja “Shqipëria e Vjetër”. Është një trajtesë e përdorimit të simbolikës së huazuar haptas nga fjalori arkitekturor i kishave bizantine në një ndërtesë të projektuar në vitin 1951 në kështjellën e ateizmit, në Moskë, dhe e përuruar nga Enver Hoxha, ideatori i ciklonit antifetar dhe i kushtetutës së parë ateiste. Në libër trajtohet edhe heterotopia dhe heterokronia, pra, regjimet hapësinore dhe kohore që krijon Kinostudioja përmes produktit të saj, filmit. Po ashtu, po i kësaj serie është edhe libri në proces Aura teologjike e trupit politik.
Ndërsa nga seria Khora mendoj se do të dalin shpejt librat në proces prej shumë kohëshShkretëtira e reales dhe Zbrazëtia ludike e objektit që hulumtojnë përmbajtjen e disa veprave nga krijimtaria e Edi Hilës. Po ashtu, në proces është edhe studimi Paradigma të narcisizmit kolektiv i cili trajton monumentet mbi kalë të Skënderbeut si dhe Antropologjia e mungesës që hulumton tablonë Motra Tone, veprën e parë që nis traditën tonë të pikturës laike. Më pas vijojnë, siç e thashë edhe shumë subjekte te tjerë të cilët shpresoj të kem kohën dhe mundësinë t’i përfundoj.
No comments:
Post a Comment