Monday, May 16, 2016

Mesha e fundit e Imzot Rrok Mirditës



Në vitin 1993, la Amerikën për të ngritur themelet e kishës në Shqipërinë e drobitur nga regjimi totalitar dhe në 23 vjet shërbesë baritore, ai pa lulëzimin e bashkësisë katolike, ndërtimin e katedraleve, qendrave sociale dhe qe një mbështetës i fuqishëm i harmonisë mes feve. I bekuar nga Zoti do të ndihej si kleriku që pa dy Papë ta vizitonin vendin e tij. Nga mesha e parë nën një lis, te mesha e fundit në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës, u largua në amshim ditën e djeshme… 
Ishte një e premte e zezë ajo për besimtarët katolikë në meshën e mbajtur nga imzot Rrok Mirdita në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë, në mes të së cilës ai nuk u ndje mirë.
Pas tri ditë beteje për jetën në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza pasi pësoi një insult cerebral, Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës, imzoti ndërroi jetë për të kaluar në shtëpinë e Atit, ka bërë me dije pikërisht kjo arkidioqezë ku ai kryente shërbimin si bari shpirtëror për besimtarët e krishterë. Ishte ora 14:30 e datës 7 dhjetor, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale të tri ditëve më parë, zemra e imzotit 76-vjeçar pushoi së rrahuri për këtë botë. Ishte viti 1992 – në një Shqipëri të drobitur që kish rrëzuar më në fund një regjim që e mbajti vendin thuajse gjysmëshekull larg ushtrimit të një prej të drejtave themelore të njeriut, atij të ushtrimit të besimeve fetare –kur imzot Rrok Mirdita emërohet nga Papa Gjon Pali i II, Arqipeshkëv i Dioqezës Durrës –Tiranë. Imzoti, i lindur në Shqipërinë përtej kufijve më 28 shtator 1939, në Këllezen të Ulqinit, e kish vizituar Shqipërinë për herë të parë një vit më herët, më 1991-shin. Kishte ardhur për të parë me sytë e tij atë çka kish njohur prej emigrantëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë viteve ku kryente shërbimin e tij baritor në Nju Jork, ku qysh prej vitit 1973, Rrok Mirdita ishte dërguar nga Arqipeshkvi i dioqezës së Tivarit për t’u ardhur në ndihmë në nevojat shpirtërore emigrantëve shqiptarë në qendrën “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks. Pas emërimit si Arqipeshkëv i Dioqezës Durrës – Tiranë ai vjen në Shqipëri për të jetuar përgjithmonë, duke ia kushtuar ditët e tij ngritjes shpirtërore të popullit, përmes kujdesit të tij si bari i zgjedhur i grigjës së zotit si edhe për të shëruar plagët e një vendi që ai e quan të martirizuar dhe për ta afruar drejt rrugës së Hyjit, një rrugë pak e harruar për shqiptarët…Një vit më pas, më ’93 shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon Pali i II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri,në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist- Zef Simoni, Frano Illia dhe Robert Ashta.
“Më 1993 u ftova nga Ati i Shenjtë të vija nga SHBA, ku isha me shumë i lumtur dhe një katolik I mirë shqiptar i Nju Jorkut. Ftesa e thirrja ishte e papritur dhe më krijoi emocione së bashku dhe me ndjenja të gëzuara për faktin që Papa më kishte gjetur boll larg në një kontinent tjetër që të vij në Shqipëri dhe të jem i emëruar si Arqipeshkvi i Durrësit e Tiranës.” – do të shprehej një vit më parë imzot Rrok Mirdita në një intervistë televizive me gazetaren Ilva Tare, ndërsa kujtonte fillimet e punës së tij baritore në Shqipëri. Ishte po kjo ditë, hyrja zyrtare në dioqezë, i shoqëruar nga Ati i Shenjtë. Një ditë e paharruar jo vetëm për imzotin, por edhe të gjithë besimtarët, ditë kur hidheshin themelet për ndërtimin e Kishës Katolike Shqiptare. Në po të njëjtën intervistë, kujtonte sesi e kishte nisur nga zeroja rijetësimin e kishës katolike në vend, një kishë që ai e mbante mend se e kish gjetur në agoni. “Unë kam bërë mbledhje në një restorant kur kam ardhur. Hapa derën e makinës ‘Toyota’,improvizova altarin dhe nën një lis kam thënë meshën”, do të kujtonte ai. Në vitin 1994 emërohet President i “Caritas” për Shqipërinë, një detyrë që do e mbajë deri në vitin 2000. Gjatë luftës në Kosovë më ’99 ai angazhohet me të gjitha forcat për lehtësimin e vuajtjeve dhe më 29 mars të këtij viti ai lëshon një thirrje për institucionet katolike të Evropës për t’u ardhur në ndihmë nevojtarëve në gjendje të mjerueshme. Thirrja e tij nuk bie në vesh të shurdhët. Shumë prej këtyre institucioneve gjegjen të gatshëm për ndihmë. Arqipeshkvi u angazhua që Kisha Katolike më Shqipëri t’i vinte në ndihmë të gjithë kategorive të popullsisë. Për këtë qëllim ai i nxiste misionarët të ishin më të angazhuar edhe në fusha të tjera si arsimi, shëndetësia, mbrojtja e fëmijëve, mbështetja e familjeve në vështirësi dhe, strehimi i të braktisurve përmes hapja e shkollave fillore e të mesme, azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qendrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rikuperimin e të rinjve të prekur nga droga. E gjithë kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore, me moton se të gjithë janë fëmijë të Perëndisë.
Atë çka e nisi nga zeroja, duke improvizuar vende për të kremtuar mesha, imzot Mirdita e pa të trupëzohej në katedralen “Shën Pali” në Tiranë, të cilën e përuron në vitin 2002, si një dhuratë për bashkësinë katolike por edhe një pikë referimi për rritjen shpirtërore. Vetë imzoti, i shuguruar meshtar dyzet vjet të shkuar Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic, më korrik të ’65, do të përjetonte vetë një rritje shpirtërore,kur Papa Gjon Pali i II më 2005 –ën e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit “Platiniumin e Metropolit”. Një vit më vonë, presidenti i asokohe, Alfred Moisiu i akordon Urdhrin “Nënë Tereza” – një nderim për njeriun i cili ndihmoi në ndërtimin e institucioneve të kishës katolike në vend e jo vetëm aq, por edhe në themelimin e institucioneve të ndihmës sociale për njerëz në kushte të pafavorshme,si edhe për vëmendjen e veçantë që imzoti i kushtoi dialogut ndërfetar. Për lulëzimin e harmonisë mes feve dhe rilindjen e besimit në vend, edhe kryetari i bashkisë, më herët e kishte nderuar me titullin “Qytetar Nderi” të Tiranës. Po atë vit asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e zgjedh rishtas Kryetar të saj, pasi ishte zgjedhur për herë të parë më ’96. Vit kur zgjidhet edhe kryetar i Shoqërisë së sapothemeluar Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri. Një tjetër president i vendit do të nderonte punën e klerikut Rrok Mirdita. Bamir Topi do t’i akordonte më 2010-ën urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Më 2014-ën,21 vite pasi kishte mirëpritur Papa Gjon Palin e II, Papën që e emëroi në detyrën e shenjtë si Arqipeshkëv i dioqezës Durrës- Tiranë, imzot Rrok Mirdita do të priste një tjetër Papë që vizitonte vendin tonë, Papa Françeskun. Do të shprehej se ndihej i bekuar, kur e pyesnin mbi ndjesitë sesi ishte të prisje dy Papë në vendin ku ai po bënte thuajse çerekshekulli shërbesë. Të paktë kishin qenë ata klerikë kanë pasur mundësinë të presin e shoqërojnë dy Papë brenda mandatit të tyre. “Ndërmend më ka shkuar një fjalë e urtë që e përdorin amerikanët. “ To good to be true” (Është tepër e mirë të jetë e vërtetë), sepse nuk kishte një motiv, në kuptimin e fortë dhe të jashtëzakonshëm, sepse sigurisht që Papa e ka shpjeguar shumë bukur e shkurt ditën që e ka shpallur në mënyrë solemne nga Bazilika e Shën Pjetrit datën dhe qëllimin për të vizituar Shqipërinë. “ përgjigjej ai, ndërsa ndante kujtimet dhe emocionet mes 25 prillit të vitit ‘93 dhe atyre të 21 shtatorit 2014. Ishte imzot Rrok Mirdita që e shoqëroi Atin e Shenjtë edhe në meshën e mbajtur në katedralen Shën Pali, përpos asaj në Sheshin Nënë Tereza, kishën që ai e kish parë të ngrihej e të merrte jetë mes besimtarësh. Në të njëjtën kishë ku imzot Rrok Mirdita, bariu i zgjedhur për të lënë shërbesën në Bronks, në famullinë e Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë ai, për të dëgjuar zërin e Zotit që e thërret në një tjetër shërbesë drejt Shqipërisë, do të mbante meshën e fundit për besimtarët të premten e 4 dhjetorit, ku një insult cerebral do ta ndërpriste rrugëtimin e tij tokësor, ndërsa ditën e djeshme ai do të largohej drejt amshimit, duke lënë pas një Kishë që u rrit në sytë e tij në 23 vjet shërbesë si bari i saj. E njëjta katedrale, ajo e Shën Palit ka pritur trupin e pajetë të imzotit, ndërsa ka hapur dyert e saj për homazhet dhe lutjet për klerikun. Homazhet zyrtare ka bërë të ditur Arkidioqeza Tiranë-Durrës do të bëhen ditën e mërkurë, më 9 dhjetor, ndërsa të enjten e10 dhjetorit do të mbahet mesha e funeralit dhe përshëndetja e fundit. Trupi i Imzot Mirditës do të pushojë në Kriptën e Katedrales, në vendin e caktuar për varrimin e Ipeshkvinjve, sipas traditës së Kishës Katolike.

Përgatiti: Suadela Balliu

No comments:

Post a Comment