Friday, May 13, 2016

Një maratonë swing dhe treni i linjës së xhazit






30Prilli, Dita Ndërkombëtare e Xhazit, në Shqipëri u kremtua me një maratonë të gjatë 12-orëshe nga Tirana drejt Shkodrës. Udhëtim me tren, biçikleta e këmbë…që vallëzojnë shfrenuar nën ritmet e swing-ut. As garë, as festival…Të dyja bashkë dhe një festë e madhe që përfshiu me qindra njerëz
Nga Suadela Balliu
Udhëtarët, ata pak që këto ditë zgjedhin të lëvizin përmes linjës hekurudhore, përpiqen të mbajnë vesh se prej nga vijnë tingujt e fuqishëm të muzikës që janë shpërndarë nëpër vagonët e trenit Vorë-Shkodër. Si kurrë më parë ky tren i vjetër, i mbetur në kushte funksionale prej regjimit komunist ofronte këtë luks për veshët e pasagjerëve, që për të mbërritur deri në stacionin e fundmë paguajnë një biletë që kushton më pak se çdo tjetër mjet transporti urban.
Më kureshtarët që i afrohen xhamave të kompartimentit i shqyejnë sytë nga habia tek shohin njerëz me veshje të çuditshme si të mbirë aty brenda prej një tjetër kohe, të shkuar, edhe më të shkuar se mosha e këtij gjarpri gjigant metalik që rrëshqet mbi shina…Udhëtarë që do jenë ngjitur në një tjetër stacion, sepse askush nuk i ka vënë re më parë, as djemtë me kapela e tiranda që vallëzojnë e as vajzat me fustane të zinj me thekë e dantella e pupla në flokë.
Dikush pyet kontrolloret, ato të njëjtat prej mëse 30 vitesh në të njëjtën linjë se ç’ngjet për të mbetur edhe më gojëhapur nga përgjigja. “Janë më shumë se 200 njerëz, të veshur ashtu si për festë që janë nisur nga stacioni i Kasharit e do ndalen në Shkodër. Kanë me vete edhe disa muzikantë, që i bien instrumenteve dhe janë edhe disa balerinë që po të panë të rrëmbejnë me vete duke kërcyer”…
Ishte kjo atmosfera e Ditës Ndërkombëtarë të Xhazit, ditë që u kremtua me shpirtin improvizues së kësaj magjie të muzikës së ardhur prej New Orleans-it edhe në Shqipëri.
Ftesës së hapur të ‘Hemingway Fan Club Albania’ për një maratonë të gjatë 12-orëshe iu përgjigjën me qindra njerëz, duke respektuar edhe kodin e veshjes që po aq sa edhe muzika i transportoi një shekull më parë. Vajzat ishin kujdesur edhe për detajet më të imëta për ta risjellë në 2016-n modën e të artave ’20 – ’30 , por as djemtë nuk mbeteshin pas, në vend të bluzave të pambukut një këmishë, xhinset të ndërruara me pantallona ngjyrë toke apo të zeza dhe në kokë kapele të leshta, si ato që mund t’ua kishin parë njëherë e një kohë gjyshërve.
Ishte pikërisht koha e gjyshërve dhe të jetoje në epokën e tyre , nuk ishte aspak e dalë mode, sidomos muzika. Tromba e fuqishme e gazmore kompozitorit amerikan Michael Supnick, saksofoni kumbues e i guximshëm i Fabiano “Red” Pellini-it, kontrabasi pompoz jo vetëm përmasave por edhe tingujve që lëshon prej telave e Giuseppe Talone-s , bateria vibrante e Alberto Botta-s dhe pianoja madhështore e Luca Fillastro-s që në tren ishte zëvendësuar me një organo. Muzikë që gërshetohej herë pas here edhe nga tingujt e “All in band” , katër djem të rinj e të talentuar të Akademisë së Arteve që në klubet e kryeqytetit kanë vendosur të luajnë muzikë, nga ajo e mira, dhe për t’i dhënë ca nota më moderne mendonte Dj Nik H.
Të paktë ishin ata që shijonin ulëset e trenit, i cili për hir të së vërtetës i kishte kushtet minimale për udhëtim, me përjashtim të ndonjë xhami të krisur tek-tuk, por që për pjesëmarrësit e maratonës- veçanërisht për shumicën prej tyre që udhëtimin me tren e kishin për herë të parë në jetën e tyre – ishte magjepsje më vete dhe moment për të çliruar imagjinatën e pasur. Vallëzim, vallëzim, vallëzim nën ritmet swing ishte çka shihje në të tre vagonët që u vunë në dispozicion për këtë ngjarje nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave.
Udhëtimi me tren zgjat katër orë, por askush nuk është i lodhur prej lëkundjeve të swing-ut…dikush ka mësuar ndonjë lëvizje prej filmave me subjekt të asaj epoke, dikush ka ndjekur ndonjë orë kurs e dikush bën një performancë të hatashme, ndihmuar edhe nga treni që këtë ditë është swing.
Duket si një sheshxhirim i madh për një film xhazi, përshtypje që të krijohet edhe më shumë prej kamerave që lëvizin vagon më vagon.
Hollësia e vetme që të shkëput nga kjo botë swing-u janë stacionet e ndërmjetme, që prej zbrazëtisë dhe qetësisë sjellin atmosferë fantazmagorike të Laçit e Lezhës dhe banorë që u valëvisin duart dhe qeshin me udhëtarët e çuditshëm.
Në stacionin hekurudhor të Shkodrës, maratona e swing-ut nis një tjetër etapë. Me t’u përshëndoshur me trenin – të cilin me siguri shumë syresh do e vizitojnë sërish nga kureshtja –ata më atletët hipin mbi biçikleta. Janë njëqind dyrrotakë të vënë në dispozicion prej kompanisë “Eco-mendja” . Të tjerët shijojnë pasditet nëpër rrugicat e vjetra të Shkodrës, ndalen për t’u fotografuar përpara godinave dy a tri katëshe të stilit arkitekturor italian të viteve ’30. Ende ka mbetur pak shije retrospektive në qytetin, që siç rëndom në Shqipëri po mbytet nga ndërtimet e reja e shumëkatëshe. Ishte pikërisht edhe kjo pasuri e Shkodrës, një tjetër arsye pse organizatorët vendosën që stacioni i fundit i Maratonës dhe festimet më të gjata të bëheshin atje.
Ku kalojnë do vajza t’bukra me pupla n’kry nuk mundet mos me i tërheq vëmendjen shkodranëve që pyesin se ç’kanë ardhur të bëjnë në qytetin e tyre këta njerëz.
“A përnjimen a?! Ka festival t’xhazit? Keni ardhë prej Tiranet?” –pyet pronari i një bari të vogël në pedonale, ndërsa thotë se do të vijë patjetër në Teatrin Migjeni në mbrëmje.
Edhe turistë të huaj që po vizitojnë Shkodrën, ndalen e pyesin festuesit “Charleston?”- pyet një gjerman kur sheh një vajzë të veshur enkas për ditën.
Pasditja gjallohet në sheshe të vogla të qytetit ku bandat luajnë live dhe të ardhurit nga Tirana përzihen me vendasit në vallëzim.
Jo vetëm të moshuarit që kanë nostalgji për xhazin dikur të ndaluar në Shqipërinë komuniste, por edhe më të rinjtë i gëzohen festës që përfshin të gjithë qytetin.
Mbrëmja i mbledh të gjithë në teatrin Migjeni, vendet e të cilit mbushen të gjitha plot, madje edhe shkallët…
Mbi skenë është tryeza e punës me makinën e shkrimit të Ernest Hemingway-t, kumbari i klubit të admiruesve shqiptarë që patën idenë për ta sjellë për të parën herë Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, në një ngjarje më gjithëpërfshirëse, jo vetëm me grup të vogla eklektike të ithtarëve të kësaj rryme e për ta çuar pak larg nga kryeqyteti, për të dëshmuar se me dëshirë të mirë , vullnet këmbëngulës e disa dashamirës që japin mbështetjen e tyre mund ta bëjnë një festë që zgjat gjysmë dite pa ndalur e transportohet natyrshëm drejt një qyteti tjetër, për të mos e bërë Tiranën më të privilegjuar në jetën kulturore.
Një performancë dridhmuese e baterisë së Alberto Botta-s ia lë vendin hyrjes së instrumenteve të tunxhit. Pellini e Supnick nuk hyjnë nga skena. Nga plateja, zbresin shkallët ndërsa tromba e saksofoni tingëllojnë fuqishëm.
Michael Supnick është protagonisti i mbrëmjes. Me italishten e tij të papërsosur që bëhej e këndshme pikërisht prej mënyrës si shqiptohej me theks amerikan, lëvizjeve koreografike që bënte në skenë që i shkojnë për shtat një muzikanti të xhazit të New Orleans-it dhe rrymës swing. Ai prezanton pjesët që luhen nga banda dhe këndon.
Të gjithë anëtarët e bandës kanë kohën e tyre të performancës solo, një përshëndetje në gjuhën e instrumenteve të tyre për të gjithë ata që shijonin swing-un.
“Happy feet” apo këmbët e lumtura është pjesa që përmbyll mbrëmjen ndërsa skena mbushet plot me balerinët profesionistë që ftojnë publikun. Askush nuk i reziston muzikës dhe këmbët që lëvizin shpengueshëm sundojnë terrenin.
Gjithçka ndizet mbi skenë, ndërsa banda nuk largohet duke e kënaqur publikun me një bis…edhe me një tjetër…
Skena e Teatrit Migjeni nuk kishte parë kurrë aq ‘aktorë’ mbi të. Të gjithë shijonin në mënyrën e tyre… sepse në fund xhazi është i të gjithëve. Shpirti i improvizimit dhe i situatës…ky është xhazi, në fund të fundit.
Alberto Botta, bateristi që luan swing dhe xhaz prej tridhjetë vjetësh tashmë në Itali thotë se ndjehet i mrekulluar kur sheh kaq njerëz që vijnë për të dëgjuar këtë zhanër. Sepse situata e muzikës në vendin fqinj nuk është aq e ndryshme nga Shqipëria. “Mos u besoni italianëve në çështjet e muzikës” – thotë Botta, ndërsa e di që shqiptarët kanë pasur ndikim të madh nga muzika italiane. Ai vetë e ka nisur rrugëtimin me muzikën nga rock e funk progresiv britanik, por me t’u takuar me xhazin i braktisi të gjitha për të, edhe pse e di që nuk janë shumë ata që zgjedhin ta dëgjojnë kur ai dhe miqtë e tij interpretojnë. Shqipërinë e ka njohur prej “Radio Tirana” kur transmetonte propagandën komuniste edhe në gjuhën italiane , por thotë se do të vijë sërish këtu për të luajtur, pas shijes së mirë që mori gjatë gjithë ditës së shtunë.
Michael Supnick i quan dy ditët e kaluar në Shqipëri, shumë të veçanta. “Dje teatri ishte plot. Nuk kishte asnjë personazh televiziv apo yll rroku”, duke thënë se këtë, në Romë, vendi ku është i stacionuar , nuk ndodh shpesh që njerëzit t’i përgjigjen xhazit në këto përmasa.
Pas ritmeve electro-swing në hollin e teatrit “Migjeni” , garuesit e maratonës, të gjithë fitues të një përvoje ndryshe që premton të hedhë themelet e një tradite çdo 30 prill, bëhen gati të kthehen në stacionin prej nga ku u nisën, që tashmë ka marrë padyshim emrin swing.

No comments:

Post a Comment