Friday, May 13, 2016

Mira Meksi, Kur fatin ta shkruajnë librat






Shkrimtare, përkthyese dhe padyshim ithtare e letërsisë, Mira Meksi  rrëfen marrëdhënien me librin, që nga njohja e parë në motet e hershme të fëmijërisë kur ia prezantuan prindërit, takimet  vetëm për vetëm  çdo pasdreke me të, arratisjet në leximet e ndaluara,  pjekuria e marrëdhënies gjatë viteve të studimit për filologji frënge, lidhja e ngushtë me anë të përkthimit  e deri tek martesa me të, duke u shndërruar vetë në autore. Ajo rrëfen edhe ca sekrete që e  bëjnë edhe më shumë pikante dhe e mbajnë ndezur marrëdhënien me librin…
Nga Suadela Balliu 
Në psikologji thuhet se shpesh fëmijët përmbushin  profecitë vetjake, duke zgjedhur të bëhen në jetë atë çka të tjerët kanë profetizuar që herët për ta.
Mira Meksi e dinte që kur ishte vetëm  një vajzë e vogël pesëvjeçare , kur sapo mësoi të bashkonte gërmat , duke formuar fjalë  shpesh pa kuptim për të, se fati i saj do të ishte i lidhur ngushtë, përgjithnjë me librat, me të lexuarit, me letërsinë….
Andaj e nuk e la në dorën e të panjohurës, por e mbërtheu fort fatin  që e gjente t’i shfaqej herë i  bardhë në faqet e përrallave, herë  i verdhë i rrezikshëm që e ftonte në aventurat e shfletimit të  librave të ndaluar , jo vetëm  të regjimit por edhe të moshës.
Nga  joshja  e zanave,  gishtove, pyjeve të magjepsur kafshëve që flasin, kështjellave dhe kullave të rrethuar nga zjarre e dragonj, princeshave flokëarta e princërve të kaltër mbi  kuajt të bardhë tek shija e  pazëvendësueshme të  së ndaluarës, në faqet e verdha- jo prej kohës sesa përmbajtjes kontroverse. Ajo do ta sfidonte të ndaluarën për t’i përpirë  veprat e Le Blanc-it me aventurat e Arsen Lupenit, “Rrethi i kuq” i Conan Doyle-it me Sherlock Holmes-in, “Gruaja me të zeza” dhe “Bija e mallkuar” e Richenbourg-ut e shumë tituj  të tjerë, për të cilat sakrifikonte fëmijërinë e saj.
Pastaj do të vinte mosha e studimeve të larta dhe zgjedhja për filologji frënge nuk do të qe në dorë të rastësisë. Përpara iu hap një  dhomë e madhe e letërsisë  botërore.
Nga aty do të zgjidhte më të dashurin; realizmin magjik dhe letërsinë latine, të cilën e bëri të tingëllonte edhe në shqip, me ngulmin dhe kureshtjen e asaj vajzës së vogël që zbuloi  universin magjik mes librave.
Mira Meksi do të përkthente kryeveprat e Dymasë, Bodëlerit, Lamartinit, Markezit, Borgesit, Nerudës, Sabatos, Lorkës e shumë të tjerëve. Njohja me gjuhën frënge dhe atë spanjolle do ta bënte që të përcillte për lexuesin e huaj edhe poezi shqipe. “Kur janë libra që më pëlqejnë, pa dyshim që kam dëshirë t’i ndaj me të tjerët dhe që është përkthimi në gjuhën time, në shqip. Madje kjo ka qenë edhe shtysa ime parësore për t’u marrë me përkthimin letrar: dëshira për të ndarë me të tjerët letërsinë që vlerëson”- zbulon përkthyesja. Përkthimi do të ishte një  urë që do ta lidhte me destinacionin e saj profetik; të shkruarit apo shkrimësia siç  ka dëshirë ta quajë ajo duke  luajtur me fjalëformime që marrin jetë nga pena e saj, të cilat janë kthyer tashmë në markë dalluese jo vetëm në përkthimet që mbajnë firmën e Meksit , por edhe në veprat origjinale si:  “Frosina e Janinës”; “Porfida –Ballo në Versailles”, “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave të  Ilirisë” etj. “Fat të madh quaj faktin që e kam kuptuar që herët që fati im është letërsia, shkrimësia”- thotë Mira, pavarësisht ngjyrave që mund të marrë…
Cili është kujtimi më i hershëm për  librin?  E mbani mend  të  parin  që keni lexuar apo jua kanë lexuar të tjerët?
Pa dyshim që po, dhe është nga ato kujtime që edhe në këtë moshë më jep një ndjesi të veçantë. Ka pasur sigurisht edhe të tjerë libra për fëmijë të kohës që prindërit më lexonin në fëmijërinë e hershme, si për shembull  “Orizi i milingonave” i Adelina Mamaqit apo “Xhaxha Stefi” e të tjerë, por libri vërtet i rëndësishëm i jetës sime fëmijërore është “Xinxifillua” e Mitrush Kutelit. Është libri që ime më, mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ma lexonte gjatë orëve të pasdrekës, kur qe edhe riti ynë i përditshëm i leximit. Mbaj mend që koha e leximit fluturonte shpejt dhe kish raste kur një përrallë mbetej përgjysmë. Padurimi për të ditur ç’ndodhte më tej më mundonte gjatë. Kam qenë pesë vjeç kur vendosa të marr vetë në dorë “fatin e leximit” për të mos u varur prej askujt dhe jo pa mundim, edhe me ndihmën e sime gjysheje, ia dola të mësoja të lexoja shumë koha përpara klasës së parë. Dhe libri i parë që kam lexuar vetë dhe me vështirësi të mëdha ka qenë pikërisht vazhdimi i përrallave të “Xinxifillos”.
Ç’mbani mend prej tij?
I mbaj mend të gjitha përrallat e “Xinxifillos” me shumë faqe, dhe gjer më kujtohen edhe ilustrimet e mrekullueshme grafike të faqes të parë të çdo përralle. Për shembull nuk mund ta harroj kurrë macen me maçokun të martuar, dy heronjtë e një përralle, të zënë për krahu dhe shumë të lumtur, ku macja e bukur si nuse, me qerpikë shumë të gjatë dhe të kthyer si bisht dallëndysheje, mbante një kurorë me lule mbi kokë, nga e cila lëshohej një vello e hollë.
Kur ishit fëmijë, a ishit natyrë që ju pëlqenin leximet ?
Leximi ka qenë për mua fëmijë, nëse mund të shprehem kështu, “loja” ime më e parapëlqyer. Madje fjalët e shkruara përherë më kanë mrekulluar; mbaj mend që më argëtonte pa masë bashkimi i gërmave të rastësishme që shkruaja në një fletë dhe fjala e pakuptimtë që krijohej prej  tyre, por me një tingëllim krejt të veçantë. Mbaj mend po ashtu se shpikja rrëfenja apo përralla për shoqet e mia, të cilat më nxisnin gjithsaherë të vazhdoja rrëfimin edhe kur përralla kishte mbaruar. Dhe mbrëmja na zinte në shkallët e pallatit ku prisnim zemërdridhura të na thërrisnin prindërit, ndërkohë që unë isha kthyer në heroinën e vajzave të vogla të lagjes sime.
A keni lexuar libra për të rritur në vitet e fëmijërisë? Ç’ libra ? Mbresat e
tyre
?
Në librin tim me ese “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”, në esenë që i ka dhënë titullin librit kam shpjeguar pikërisht leximin e librave të ndaluar në fëmijërinë time dhe që ishin jo vetëm libra për të rritur dhe që për ne fëmijët qenë të ndaluara prej prindërve dhe mësuesve, por edhe libra të ndaluar në përgjithësi për arsye se i kundërviheshin ideologjisë së kohës. Mes tyre, dhe që për ne fëmijët e asaj kohe qenë më të çmuarit, qenë librat e ashtuquajtur “të verdhë” si disa libra të Le Blanc-it me aventurat e Arsen Lupenit, “Rrethi i kuq” i Conan Doyle-it me Sherlock Holmes-in, “Gruaja me të zeza” dhe “Bija e mallkuar” e Richenbourg-ut por edhe “ Spartaku” i Giovagnol-it, “Ivanhoe” e Walter Scott-it dhe “Romeo e Zhuljeta” e Shakespeare-it, të cilët nuk qenë të ndaluar në përgjithësi, por që ishin të tillë për ne fëmijët. Ndonëse shumë gjëra nuk i kuptoja gjatë leximit të këtyre librave, ata jo vetëm më zhvilluan më tej dëshirën time pothuaj të natyrshme për të lexuar, por më kultivuan shijen për letërsinë dhe mbi të gjitha, më mësuan me një lloj lirie që shkonte përtej kufizimeve të mëdha të kohës në lidhje me letërsinë. Në librin tim me ese shkruaj: “Sot jam e bindur se, ndonëse bota njeh shumë periudha me libra të ndaluar, ne qemë, ndoshta, të vetmit 10-13 vjeçarë në univers që iu përkushtuam aq shumë, me mish e me shpirt, fesë së leximit, sidomos leximit të këtyre librave të tjetërsojtë, duke sakrifikuar për hir të tij gjithçka: lojërat tona, plazhin, vizitat pasdrekeve te kushërinjtë, paratë e kumbarave që i mblidhnim me mundim dhe i shpenzonim në një dorë për të “blerë” heshtjen e një motre a të një vëllai që na kish zbuluar të fshehtën e leximit “të fajshëm”.”
Po me përrallat i ruani ende  marrëdhëniet ?
Vazhdoj ende t’i ruaj lidhjet me përrallën, sidomos atë popullore. Kur mundem edhe sot lexoj përralla nga popuj të ndryshëm. Mendoj se i kam lexuar librat më të famshëm të botës me përralla dhe ende më magjepsin kur i rishfletoj. Kam shkruar edhe vetë libra me përralla.
Kur keni pasur një raft të mirëfilltë librash?
Përherë. Kam jetuar me rafte librash pranë. Ka pasur bibliotekë të pasur në shtëpinë e gjyshërve të mi, të prindërve gjithashtu, dhe sigurisht unë kam një bibliotekë shumë të pasur.
Cili  është libri më i vjetër në  raftin tuaj të librave?  E mbani mend cilin libër keni blerë të parin me paratë tuaja?  I ruani librat e fëmijërisë?
Nuk di ta them me saktësi, por kam libra të botuar në Shqipëri të kohës së paraçlirimit, kam libra të klasikëve francezë të botuar që në shekullin e 19 dhe së fundmi te bukinistët e Mexico City gjeta libra të Jorge Luis Borges-it të botuar që në 1953. Kam botuar në revistën “Yllkat” përrallën time të parë të quajtur “Erida dhe lulet” në moshën 11 vjeç dhe me honorarin që më dhanë bleva “Tom Sojerin” e Mark Twan-it dhe qerasa dy shoqe me akullore te pastiçeri “Rinia”. Në shtëpinë e prindërve të mi ndodhen librat e fëmijërisë sime.
Kur jeni njohur fillimisht me veprat e  shkrimtarëve bashkëkohorë perëndimorë? Në ç ’gjuhë i keni lexuar?
Kjo ka ndodhur kur nisi për mua leximi serioz, kur kisha fituar përgjegjësinë e leximit dhe isha bërë e kujdesshme në mirëzgjedhjen e tyre:   aty nga viti i tretë i shkollës së mesme kur lexoja lirisht në frëngjisht dhe më pas në shkollën e lartë kur studioja për filologji frënge dhe kur, nga një pakt i fshehtë që munda të bëja me pedagogët francezë, arrita të siguroja bollshëm letërsi bashkëkohore.
Cila letërsi është e preferuara juaj?
Fiksionet e Jorge Luis Borges-it, tregimet neofantastike të Cortazar-it, letërsia e Marques-it…Në përgjithësi letërsia e Amerikës Latine që quhet e realizmit magjik.
A keni pasur ndonjë libër që të gjithë përreth jush e donin dhe ju e urrenit? A ka të   tillë libra që ju lënë këtë ndjesi?  Po ndonjë libër që herën e parë nuk ju ka pëlqyer por pasi e keni rilexuar vite më vonë e keni parë nën një tjetër dritë?
S’kam urryer kurrë asnjë libër dhe s’jam në gjendje ta bëj këtë. Jo nuk më ka ndodhur.
A ka ndonjë libër që e mbani gjithmonë afër, për ta shfletuar gjithmonë? Po ndonjë që  e merrni gjithmonë  me vete kur udhëtoni?
Sigurisht që po. Përherë  kam pranë vetes një libër të Borges-it, s’ka rëndësi se cilin prej tyre. Në çaste dëshpërimi të thellë apo kur më ngjan se kam humbur shijen për jetën streha ku gjej paqe janë Mesha e Madhe e Bach-ut dhe librat e Borges-it. Madje “talismani” im nëpër udhëtime është sërish një nga librat e Borges-it.
Faqja e fundit e një libri është e fundit që lexoni apo ajo që shfletoni të parën?
E fundit, pa dyshim.
Cili është heroi juaj nga personazhet e librave?
Pierre Menardi autori i Kishotit, tregim i Borges-it.
A ka ndonjë shkrimtar që ende nuk i keni lexuar asnjë vepër ?
Sigurisht që po.
Libra të përdorur apo të rinj? Ndodh që të blini në kioskat e librave të vjetër ?
Të gjitha llojet, por kam kënaqësi të veçantë kur “peshkoj” libra të vjetër te bukinistët buzë Senës në Paris.
A keni pasur ndonjë mentor që ju këshillonte cilat libra të lexoni apo i keni eksploruar vetë?
Siç tregova edhe më sipër pikërisht shija që zhvillova që gjatë fëmijërisë për librat e ndaluar dhe që më pas e identifikova me lirinë dhe përtej dogmave të kohës, më bëri të “shpërfillja” mentorët e këtij lloji e që të parët qenë prindërit e më pas mësuesit. Kam pasur veç miq që më mundësonin gjetjen e librave të ndaluar dhe që ishin edhe kryeveprat e letërsisë botërore në më të shumtën e rasteve.
A mund të na zbuloni zakonet tuaja  të të lexuarit? Ndonjë episod lidhur me to?
 Nuk di sa kam mundur të jem e qartë se sa shumë rëndësi ka për mua leximi. Për ta shprehur, do të jepja një thënie të Borges-it: “ Nuk është e rëndësishme të jetosh, të lexosh po”. Lexoj çdo ditë, sidomos në pauzat që bëj nga shkrimësia ime e përditshme. E kam bërë zakon që kur  zgjohem në mëngjes, me një filxhan të madh me kafen e parë të ditës, të vazhdoj të rri në shtrat duke lexuar rreth një orë përpara se të çohem. Por koha e artë për leximin janë udhëtimet me avion.
Bëni shënime në faqet e librave gjatë leximit ? Jo tek ato libra që keni në plan t’i përktheni…
Jo, asnjëherë.
Kur lexoni autorë në origjinal a  e shihni   me syrin që “duhet sjellë në shqip” ?
Kur janë libra që më pëlqejnë, pa dyshim që kam dëshirë t’i ndaj me të tjerët dhe që është përkthimi në gjuhën time, në shqip. Madje kjo ka qenë edhe shtysa ime parësore për t’u marrë me përkthimin letrar: dëshira për të ndarë me të tjerët letërsinë që vlerëson.
Nga ndryshon Mira lexuese  nga  përkthyesja profesioniste?  Librat që keni sjellë në shqip kanë qenë ata të preferuarit tuaj ?
Ndryshimi nuk është i vogël sepse unë lexoj shumë shkrimtarë dhe shumë lloje letërsish, ndërkohë që nuk mund të përkthej cilindo shkrimtar, apo cilëndo letërsi që lexoj dhe pëlqej. Domosdo autorët që kam sjellë në shqip dhe librat që kam përkthyer kanë qenë të parapëlqyerit e mi, por mbi të gjitha më kanë shkuar së brendshmi, pra kam pasur një lloj afrie letrare me ta, dhe ky është elementi më i rëndësishëm në artin e përkthimit letrar.
Sa libra lexoni njëherazi?
Rrallë më ndodh tani që të lexoj më shumë se një libër në të njëjtën kohë.
Jeni grua e letrave, shkrimtare dhe përkthyese letrare. Brenda pasionit tuaj të madh për letërsinë si ndërthuren këto dy zeje? E konsideroni veten me fat që merreni me letërsi?
Shiko, fat të madh quaj faktin që e kam kuptuar që herët që fati im është letërsia, shkrimësia. Nuk di të them nëse është fat, pra fat i mirë, që jam e lindur për letërsinë. Sepse është një pasion kaq i madh shkrimësia sa shkrimtari është gati të bëjë çdo lloj sakrifice për të dhe në emër të tij; është i gatshëm të heqë dorë gjer edhe nga të jetuarit normal dhe komod vetëm për ta kënaqur këtë pasion. Sa për raportin mes përkthimit letrar dhe shkrimësisë, u bë vite tashmë që prioriteti im është shkrimësia.   
Si përkthyese apo shkrimtare a ka rëndësi kritika letrare për ju? Po lexuesi vetë, mendimi i tij a kanë rëndësi për profesionin tuaj?
Kritika letrare te ne  lë shumë për të dëshiruar, por gjithsesi gjykoj se ajo i shërben lexuesit dhe jo shkrimtarit. Sa për lexuesin mendoj se lexuesi i mirë është për tekstin letrar po aq i rëndësishëm sa autori i tij: ndërsa autori e nxjerr tekstin në dritë në një formë të dukshme të përcaktuar, por edhe në shumë të tjera, me gjasë të mundshme, lexuesi i mirë, nëpërmjet leximit, bën që teksti të gjallojë e të ketë jetë në një mori formash. Dhe në një mori kohësh. Si të tillë e konsideroj shumë të rëndësishëm për profesionin tim. Por edhe në një tjetër kuptim e konsideroj të rëndësishëm: ndërsa numri i lexuesve të veprës time është rritur konsiderueshëm, kjo më ka bërë akoma më të kujdesshme në punën time.
Si përkthyese ju pëlqen të lexoni vetëm në origjinal apo preferoni edhe përkthimet në shqip?
Kam mundësi të lexoj libra në origjinal në sajë të gjuhëve të huaja që njoh. Pa dyshim që kam shumë interes të lexoj përkthime në gjuhën time, në shqip. Për fat të keq ka shumë pak përkthime të mira sot në tregun shqiptar.
Për shkak të punës suaj keni takuar  shpesh  shkrimtarë, por ndoshta më i veçanti ka qenë ai me Garcia Marquez,  takim që ju e keni përshkruar edhe në parathënien shqip të librit “Dashuri në kohërat e kolerës”. Çfarë mbresash ruani nga ai takim?
Ka qenë takimi i parë që kam pasur me një shkrimtar nobelist, të cilin e kisha përkthyer. Qe një takim i jashtëzakonshëm jo vetëm për momentin që u bë, qe viti ‘90, por edhe për faktin se për herë të parë në jetë time prej përkthyeseje u përballa me autorin, kur dihet se asnjëherë shkrimtarët nuk janë të kënaqur nga përkthyesit e tyre. Në këtë pikë biseda jonë qe shumë profesionale, ndonëse në fillim m’u duk sikur isha në një provim të rëndësishëm me një profesor të rreptë përpara, dhe këshillat konkrete në lidhje me përkthimin e “Dashuria në kohërat e kolerës” më vlejtën shumë, duke më krijuar bindjen e ngulët se shkrimtari dhe përkthyesi duhet të bashkëpunojnë ngushtë gjatë përkthimit të veprës.
 Znj. Meksi, cilat janë sipas jush librat më të rëndësishëm të letrave universale, të cilat duhen lexuar pashmangshmërisht? Cili do ishte libri i librave dhe përse?
“Komedia Hyjnore” e Alighieri-t, “Don Kishoti” i Cervantes-it dhe tragjeditë e Shekaspeare-it. “Komedia Hyjnore” gjykoj është libri i librave, është një përsosmëri estetike.

Jetëgjatësi e shkurtër, Tirana si një poemë gri



Në poezitë e Kevin Patrick Cullen, Tirana duket e veshur me një gri smogu që të lejon ta shohësh mjerimin edhe pisllëkun të pakamufluar, mes lypsarëve dhe qenve endacakë që vuajnë nga zgjebja, mes landfilleve, Lanës që kundërmon urine dhe gurgullon ujëra të kafenjta. Si një dehje poetike, me fjalëformime që ndoshta tingëllojnë të reja edhe për gjuhën angleze, e shqipëruesja Eva Sula i ka qëndruar besnike stilit të autorit, duke ruajtur formën e tyre, që ashtu si edhe tabloja që përshkruajnë, shpesh duket e veshur me absurd.
Suadela Balliu
Një djalë me flokë të kuq e me sytë blu, i shoqëruar kurdoherë nga qenushja e tij lozonjare që shëtit në rrugët e Tiranës apo pi një birrë në ndonjë klub në zonën e Bllokut, përveçse do të na çonte menjëherë te klisheja e të menduarit (kësaj here do qëllonim në shenjë me stereotipizimin) se vjen nga viset e Irlandës nuk do të dukej si “një alien…një englishman in New York”, siç thotë Sting në këngën e tij, por ca vite të shkuar kur Kevin Patrick Cullen erdhi për herë të parë në Tiranë, atmosfera ishte krejt tjetër.
Ishte pranvera e vitit 2012 kur mbërriti në vendin, të cilin as që e njihte më parë, duke pranuar një punë si mësues i gjuhës angleze në një gjimnaz privat. “Në fillim njerëzit m’i ngulnin sytë. Ishte e çuditshme, sepse në Irlandë askush nuk të sheh. Edhe sikur flokët t’i kesh në ngjyrë violë. Por më pas mësova edhe unë t’ua ngul sytë njerëzve. Më dukej vetja si i arratisur, sikur kishin dalë postera me fytyrën time “Kërkohet!” – thotë Kevin ndërsa qesh.
Tani pas disa vajtje-ardhjeve nga Dublini në Tiranë ia ka marrë dorën edhe mënyrave shqiptare dhe nuk ndihet më aq i huaj sa më parë.
Ndryshe nga dy vizitat e para, që zgjasin nga një vit secila (herën e dytë u rikthye në qershor të 2014–s), tashmë po merret me diçka krejt ndryshe nga gjuha angleze – për të cilën me bindjen e një irlandezi thotë se në Irlandë flitet anglishtja më e mirë dhe si një shkrimtar i ri i diplomuar për Letërsi dhe Shkrim argumenton se vendi i tij ka shkrimtarët më të mirë, duke përmendur disa syresh, si: James Joyce, Samuel Becket apo Oscar Wilde.
Prej pak kohësh ka çelur dyqanin e tij “The Gentelman Tirana” – një studio e stilit vintage irlandez, ku ofrohen trajtime jo vetëm për prerje dhe stilim flokësh, por ku edhe serviret falas whiskey i ardhur prej nga ku tjetër veçse nga Irlanda.
Por gjatë kohës që ka qëndruar në Tiranë, Cullen përveçse është miqësuar thuajse me të gjithë qentë endacakë të qytetit dhe i ushqen çdo ditë – një prej tyre e ka adoptuar kur ishte ende këlysh pasi e pa të pamundur të gjente tjetër rrugë shpëtimi për të pastrehët e gjorë në Parkun e Liqenit që kishin rënë në ligësinë e një piromani që kërkonte t’i digjte – ka botuar edhe një libër me poezi në dy gjuhë, shqip edhe anglisht. Janë afro njëzet poezi ku Cullen sjell ndjesitë e tij rreth Tiranës. Nuk mundohet të tregohet politikisht korrekt, as nuk u ngjan të huajve që i fshehin mendimet e vërteta pas buzëqeshjeve apo habisë për mirë që u lë Tirana ekzotike e me shumë ngjyra. Jo, në poezitë e Kevin Patrick Cullen, Tirana duket e veshur me një gri smogu, që të lejon ta shohësh mjerimin edhe pisllëkun të pakamufluar, mes lypsarëve dhe qenve endacakë që vuajnë nga zgjebja, mes landfilleve, Lanës që kundërmon urine dhe gurgullon ujëra të kafenjta. Si një dehje poetike, me fjalëformime që ndoshta tingëllojnë të reja edhe për gjuhën angleze, e shqipëruesja Eva Sula i ka qëndruar besnike stilit të autorit, duke ruajtur formën e tyre që ashtu si edhe tabloja që përshkruajnë shpesh duket e veshur me absurd .
Libri është i ndarë në dy pjesë, sipas kronologjisë kur autori e ka shkruar “Zogu i Zi” që daton në periudhën mars-qershor të 2012–s, pjesë që Cullen ua ka kushtuar qenve të këndshëm të rrugëve të Tiranës, plakut që më qerasi me një paketë cigare një dreq nate të pirë e me xhepa bosh dhe Public House-it dhe “Këngë Vere” kushtuar qenit të tij të parë Aisling, shkruar nga qershori –tetor të 2014 –s.
“Aty, në rrugët sterr të zeza të Tiranës, humba të vetmen mendje, Aty, në rrugët hënore të Tiranës, ia dhashë erës marraqeshëse. Dhe kur të shohësh qentë e ngrënë zgjebesh tek ulërijnë në erë, krenarë e të uritur, shkelja syrin dhe vazhdo të ecësh. Nuk e kanë me të keq. Dhe kur të shohësh zogjtë këngëtarë të hirnosur tek i çukisin, murmurijnë një vaj të lashtë. Nuk është për fajin tënd që ata kanë harruar si të këndojnë”, shkruan në prologun e librit Cullen.
Ky është libri i parë i Cullen-it, por ai thotë se nuk shkruan vetëm poezi por edhe prozë, dramë dhe artikuj gazetareskë.
Ai thotë se nuk kishte qëllim botimin e këtij libri, i cili erdhi rastësor. “Nuk shkruaj për t’u botuar, i shkrova për qejf, por dikush i lexoi, i pëlqyen dhe më tha se donte t’i botonte”.
Kështu erdhi “Jetëgjatësi e shkurtër” apo “Seasonal Ephemera” në gjuhën angleze. “Ephemera në anglisht është diçka që përdoret apo gëzohet vetëm për një kohë të shkurtër. Të shkruash fjalë në letër, të mbash shënime apo gjëra vetjake për pak kohë dhe në fund t’i hedhësh tej” –thotë Cullen, duke shtuar se ai në fakt më shumë sesa i shkruan poezitë, i gdhend ato.
“Nuk i kam shkruar si poema. Janë si momente, një shkrirje, kur kisha kompozimin për të shkruar. Nganjëhrë më duket sikur nuk jam unë, është thjesht dora ime. Kam hedhur në letër shumë mendime dhe më vonë i gdhenda si poema. Është më shumë gdhendje e poemave sesa shkrim i tyre” – rrëfen ai duke zbuluar se ka edhe shumë poezi të tjera, porse për momentin është i fokusuar në shkrimin e dramave. Thotë se e ka përfunduar një dhe ka folur me një regjisor teatri për ta ngjitur në skenë në Tiranë.
“Kam shkruar edhe një dramë rreth Tiranës. Po shpresoj të bashkëpunoj me regjisor për ta vënë në skenë. Por kam mësuar që këtu mbretëron mentaliteti ‘avash-avash’”  -thotë duke qeshur, i shoqëruar gjithmonë nga e pandashmja Lady që ka nisur të kuisë çuditshëm, sikur të ndiqte muzikën që luan Gent Rushi në bar “Radio” ndërsa përgatitet për mbrëmjen live.
Duket se dashuria për qentë e ka shoqëruar gjithmonë , por vitet e fundit sidomos kur erdhi në fillim në Shqipëri u bë edhe më e madhe.
“Kur erdha në fillim në 8 muajt e parë nuk njihja askënd, nuk kisha miq, miqtë e mi ishin qentë që i ushqeja . Ishte i vetmi ndërveprim social që kisha për një kohë të gjatë me qentë.
Doja të shoqërohesha me njerëz por mënyrat ishin krejt të ndryshme, tani i kam tejkaluar. Pastaj nuk kisha shumë kohë pasi punoja shumë gjatë gjithë kohës. Nuk kisha shumë kohë” –thotë,
Ata nuk mungojnë në poezitë e tij. Kaosi i Tiranës i duket pjellor dhe atij si vëzhgues i jashtëm nuk i shpëton asgjë. “Tirana më ndihmon për të shkruar sepse është jashtë zonës sime të rehatisë. Kur je brenda zonës normale, nuk motivohesh, nuk ka frymë për të shkruar, por kur gjërat janë të huaja është më e lehtë, sigurisht varet nga rrethanat. Nis ta shohësh botën në një mënyrë krejt të re, nuk është më rutina jote. Je i vetëdijshëm dhe me sytë hapur për të mësuar gjithçka të re” – vijon Cullen, ndërsa i drejtohet biznesit të tij të ri, duke bërë bashkë letërsinë dhe coiffeur-in. “Oh shkojnë shumë bashkë. Për mua është një formë tjetër e artit”- thotë duke qeshur.
Kjo është çmenduria, mani raki-pëlcitëse mes qiellit të helmatisur, qerpikët e gjatë të gazmendit dhe ligjeve, lira dhe Ilirë dhe dëlir, shpërthime lotësh të fermentuar. Ah këto vite, këto vite. Edhe një u iku tutje, një dekadë u zhduk tej. Këto vite vallë ku shkojnë, vdesin?
Kjo është rruga, ky është udhëtimi, kjo është mëngjes-çapitja xurxull-pagdhirëse përmes portave të Betlehemit. Dua që yjet zogj-zjarri të të mbajnë sy-djegshëm zgjuar natën, dua që dielli hakërryer të të ndukë e lëpijë fytyrën. Dua që hëna të këndojë një vat të vjetër të hirnosur tek tinëzon ëndërr-sëmurë mbi qytet. Dhe dua që zotat të lajnë këmbët e tua çapitje-kalbura.
“Amen. Kështu qoftë. Mirë se vjen, O jetë!” – shkruan si epilog Cullen, në qytetin që ndoshta i ngjan me shprehjen e Henry Miller-it, “Qyteti rritet si një kancer, mua më duhet të rritem si një diell”, me të cilën e ka hapur edhe këtë libër. Megjithë zymtësinë, duket se ka nisur ta pëlqejë këtë vend me të cilin mësohet çdo ditë, aq sa mendon të qëndrojë edhe ca vjet të tjerë.
*****
-qentë e rrugës
me një sy e këmbë-thyer kujisin
shkuar dëm në plehra dhe zgjeve.
-endacaku kokë-mbathur e këmbë prerë deri në gju,
kostum-veshur, zvarrit-çaluar
rrugëve në agim.

-jevgu i atrofizuar
në komë e diellpjekur trotuarit,
gjymtyrët litar-dobta shtypur
lëkunden nga një kafkë kudhër,
teksa shtrin dorën për monedhën.

lypsi pa këmbë zvarritet
mes rruginave qelq-thyera,
krahët i dridhen,
duart përzier me zhavorr e gjak.

-vajza ushqehet në kazan plehrash,
flokët e verdhë, sytë blu
fytyra e zhgërryer në zi.

Dhe mes gjithçkaje,
mespermes gjtihçkaje – Lumi Lana
baltë-gurgullues i kaftë
aromat hundëshpuese helmojnë.

Mbaj frymën
dhe shpreso të kalosh matanë
shpreso të kalosh edhe një ditë.

******

Parku i Lurës, Shpresa ka formën e fidanit të pishës





500 fidanë iu shtuan parkut që e ka humbur lavdinë e dikurshme, për shkak të masakrës së dorës njerëzore. Por duar të tjera, vullnetarësh të ndjeshëm ndaj shkatërrimit të mjedisit, nga e gjithë Shqipëria, bashkuan forcat me shpresën për ta ripyllëzuar parkun e për t’ia rikthyer Lurës gjelbërimin e njëherë e një kohe. Që trashëgimia natyrore të mos jetë thjesht kujtim i së shkuarës…
Nga Suadela Balliu
Foto: Andi Haxhihyseni
Që një pemë e re të lindë, më parë duhet që një farë të vdesë… që erërat ta shkundin prej degëve, që toka ta presë në shtratin e saj të errët e të lagësht, e që prej saj të gjallojë një filiz. Kur duar që mbeten gjithnjë pa fytyra ia ndalojnë natyrës të ndjekë ritmin e saj të jetës duke e djegur, duke e prerë… ka nga ato duar që mbajnë fidanë dhe hapin gropa, duke mbjellë më shumë sesa një pishë, një shpresë…Janë të të gjitha moshave, vijnë nga qytete të ndryshme, nuk njihen me njëri-tjetrin dhe të përbashkët kanë vetëm një thirrje: Të gjithë për shpëtimin e Lurës!
Njoftimit në rrjetet sociale të një grupi aktivistësh i përgjigjen më shumë se 200 njerëz, të ndjeshëm për masakrat mjedisore, të cilët në orën 6 të mëngjesit janë gati t’i hyjnë një aventure shpëtimi që nis nga Pallati i Kongreseve për të përfunduar pas 150 kilometrave drejt veriut. Udhëtimi zgjat gjashtë orë – edhe pse organizatorët për inkurajimin thonë se është vetëm katër orë – dhe rruga sa kalon Rrëshenin bëhet e mundimshme, sidomos për ata që nuk e kanë vizituar kurrë Lurën.
Dhe nuk janë të paktë, mes vullnetarëve që iu përgjigjën alarmit që vunë aktivistët e “Ecovolis”, ata që nuk e kanë parë kurrë Lurën përpos fotografive, kartolinave apo dokumentarëve që ambientalistë, gazetarë apo edhe operatorë të Radio Televizionit Publik Shqiptar kanë realizuar me punë vite të shkuara, për ta mbërthyer mrekullinë e natyrës në ekranin e televizorit.
Për fat të keq, Parku Kombëtar i Lurës nuk i ngjet më asaj që vazhdon ende të transmetohet në ekran. Ened Mato, aktivist dhe organizator i fushatës për mbjelljen e 500 fidanëve pishash që udhëtuan në mikrobusë bashkë me vullnetarët që i mbollën ato, u bind dy javë të shkuara në rrugëtimin e parë kur kuptoi se Lura, me liqenet e saj akullnajorë dhe pyjet halore, nuk qe më ajo për të cilën me aq krenari i kish folur i ati, ambientalisti dhe gazetari Xhemal Mato.
Pasi mbollën 30 fidanë dy javë më parë me një grup të vogël aktivistësh, e panë detyrim të riktheheshin me më shumë shpresë, në formën e fidanëve, të cilët prej donacioneve të njerëzve që e duan natyrën, në gjendjen e saj primordiale, u kthyen me pesëqind fidanë.
Puna për t’i mbjellë nuk qe mision aq i vështirë sa ishte ngjitja drejt liqeneve…Rruga bëhej edhe më e vështirë se gjashtë orët e lëna pas, ndërsa shtegu i ngushtë malor i veshur nga një shtresë bore ende e pashkrirë prej diejve të prillit e bënte edhe më të mundimshme ngjitjen drejt Liqenit të Madh, furnizuesit kryesor të më të vegjëlve, që së bashku bëjnë dymbëdhjetë liqene akullnajorë, edhe pse mrekullitë e Lurës shpesh thuhet të jenë vetëm shtatë. Mes më të njohurve janë i Madhi, i Ziu, i Lopëve apo ai i Luleve, me zambakët e ujit…Shtrihen në Lindje, në pragun e Nezhdës së Lurës. Mbi liqene rritet një bimësi higrofile, siç është zambaku i ujit me lulet e bardha të mëdha, të cilat në verë pushtojnë gjithë sipërfaqen e tyre, duke u dhënë një bukuri të rrallë. Vlera botanike dhe ekologjike e parkut pyjor të Lurës lidhet si me pasurinë, shumëllojshmërinë dhe vjetërsinë e drurëve, shumë prej të cilave kanë moshë shekullore, ashtu dhe me liqenet akullnajore, që janë nga më të bukurat e Shqipërisë me relievin e thyer e të larmishëm.
Ajo çka të sheh syri drejt ngjitjes nuk është pamja që do kishe dëshiruar. Në 1280 hektarë në të cilat shtrihet ky park, sheh sipërfaqe të tëra të djegura, trungje pemësh mes të cilave ka kaluar sharra, e ku më pas janë ngarkuar qindra kamionë që kanë transportuar këto trashëgimi të natyrës për lëndë drusore. Edhe ato që u kanë shpëtuar masakrës lëngojnë nga sëmundjet…Asnjë masë nuk është marrë për shërimin e tyre, e aq më pak për mbrojtjen e zonës nga vandalët që djegin hektarë të tërë pyjesh.
Nëse do të funksiononte mbrojtja e kësaj zone, Hasan Hoti, banor i Lurës dhe një biznesmen i vogël i zonës, thotë se natyra do të kishte mundësi të rigjeneronte veten. Ashtu siç ka ndjekur rendin qysh prej krijimit, farat e pishave do të mbinin në tokë e kështu do të lindnin pisha të reja, disa tek-tuk t’i zë syri… “Banorët e zonës janë ndërgjegjësuar. Nuk janë ata që presin apo djegin. Para do kohësh tre djem të rinj që u kapën duke prerë pemë, erdhën e më kërkuan falje të penduar. Kanë nisur ta kuptojnë rëndësinë” -shpjegon Hasani, ndërsa na bën udhë drejt liqeneve dhe na shpjegon çka ndodhur me zonën, ku shpate të tëra malesh të veshura me gri djegin ende dhimbshëm prej zjarreve. Askush ama nuk e thotë nëse zjarret janë vënë qëllimshëm apo kanë ndodhur vetiu prej temperaturave të larta.
Me të mbërritur, vullnetarët e ndarë në grupe, mes tyre ka fëmijë, adoleshentë, të rinj, shqiptarë prej Kosovës apo edhe të huaj kureshtarë për të eksploruar bukuritë që ofron Shqipëria, nisin aksionin për të mbjellë fidanët e pishave. Veglat e punës i ka siguruar Hasan Hoti, duke i blerë të reja, pasi e vështirë t’ua kërkosh fshatarëve që pranverën e kanë stinën e të punuarit të tokës.
Me koordinim, entuziazëm dhe frymë bashkëpunimi, aksioni realizohet shpejt dhe në harkun e një gjysmë ore në shpatet rreth Liqenit të Madh janë pozicionuar 500 fidanë të rinj. Gjithçka është kryer me kujdes, që bima e re të hedhë rrënjë e të rritet.
Shumë fotografojnë dhe premtojnë se do të kthehen me shpresën për ta gjetur pemën e mbjellë të gjelbëruar dhe me bija pranë, që do të mbijnë nga riprodhimi natyror…
Aksioni për ripyllëzimin e Parkut të Lurës, qe i menduar prej një viti, zbulon organizatori Ened Mato, drejtues i “Ecovolis”. “ Kujtimet tona ishin shfarosur. Ishin djegur, prerë dhe sharruar. E morëm vetë fatin e kësaj mrekullie të natyrës. Menduam të paktën që liqeneve t’u kthejmë peizazhin, që është nevojë e menjëhershme e më pas të shohim për ripyllëzimin e zonës dhe mbrojtjen e parkut” –thotë Mato, i cili në këtë nismë nuk ka qenë i vetëm, por ka gjetur mbështetjen e shumë njerëzve, që e mendojnë si ai. Mes tyre Arbër Çepani, i cili vite më parë kur u shpall fitues i spektaklit “Big Brother” vendosi të mbjellë disa fidanë në Lurë me paratë e fituara. Eljan Tanini është një prej aktivistëve që i ka për zemër çështjet e mjedisit dhe mbjelljen e pemëve, duke nxitur qytetarë për të kontribuuar dhe mbjellë një pemë në qytet, që mban emrin e tyre e që po ashtu ka ngritur fort zërin për të ndaluar ndërtimin e Parkut të Lodrave në zonën e Liqenit Artificial, e kjo protestë e ka çuar shpesh edhe në dyert e komisariateve të policisë.
Por nuk janë vetëm ata. Janë më shumë se dyqind njerëz. Ka nga ata shqiptarë që jetojnë jashtë si Sami Milloshi, që kanë kontribuuar në blerjen e fidanëve. “Unë e mbolla pemën në Lurë. Miq të dashur, siç e shihni në foto është një fidan pishe i sapombjellë në Lurë. Duket edhe emri im. A vajta unë ta mbjell atë pishë? Jo. E mbolli për mua, mikesha ime e Facebook-ut, Jetmira Halilaj. Unë i çova me Western Union 20 dollarë nga Amerika. Jetmira e mbajti fjalën. Unë lutem: O Zot i Madh jepi jetë pemës sime të mbijë e të rritet…” shkruan Milloshi në rrjetin social Facebook, duke i ftuar miqtë e tij t’i bashkohen nismës për të mbjellë pemë në Shqipëri, pak rëndësi në cilën zonë të saj.
Janë edhe disa banorë të fshatit që i bashkohen nismës, edhe pse me ngurrim. Më i riu prej tyre është Gysi, djali 10–vjeçar që mbjell pesë fidanë, por që shokët e tij nuk e ndihmuan e as iu bashkuan nismës.
“Javën që vjen do të dërgojmë 1000 fidanë, por do donim t’i mbillnit ju. Është kosto e madhe për ne të vijmë nga Tirana. Pse të mos organizoheni me fëmijët e shkollës së fshatit dhe t’i mbillni ju!?” – me këto fjalë Ened Mato u drejtohet banorëve të zonës.
Për ta çuar në fund fushatën e tyre, ky grup aktivistësh gjeti mbështetjen bujare të biznesmenit Dod Doçi, vetë një bir i Lurës. Nuk hezitoi t’i dëgjonte të rinjtë dhe t’u ofronte mbështetje financiare, duke u siguruar transportin.
“Ndihem i fyer për masakrën që i është bërë Lurës” – thotë Doçi, i cili aq për zemër e ka vendin e tij, saqë edhe kompaninë që drejton e ka pagëzuar “Lura”.
Në fund të kësaj fushate, aktivistët shpresojnë të mbjellin tre mijë fidanë. Udhëtimi i tyre drejt Lurës, që zgjati 12 orë vajtje dhe kthim për të mbjellë disa fidanë, më shumë ishte një thirrje ndërgjegjësimi e qytetarëve dhe institucioneve që mungojnë në të tilla nisma…
“Shpresojmë deri në fund të aksionit të kemi mbjellë 3 mijë fidanë, siç e kemi vënë tragetin, urojmë që shteti t’i kthejë sytë e të investojë te kjo fushatë” –shprehet Jetmira Halilaj, një aktiviste. “Politika është ajo nganjëherë që lejon shkatërrimin e një pasurie kaq të madhe, por është ajo që duhet ta ndryshojë këtë situatë. Prandaj ka shumë rëndësi dhe ndikimi i politikës dhe shtytja e politikës për ta përmirësuar situatën dhe për ta mbrojtur Lurën,” shprehet ambientalisti Xhemal Mato.
Ka nga ata që premtojnë se do të vijnë sërish këtu, të mbjellin pemë, ose me shpresë për ta parë edhe njëherë ashtu siç i ka hije këtij vendi, për të cilën atdhetari, politikani, frati dhe shkrimtari Atë Gjergj Fishta ka thënë se nëse nuk ke parë Lurën atëherë nuk ke parë Shqipërinë. Megjithatë ende ky park është i vizituar më së shumti prej turistëve të huaj në kërkim të aventurave. Vendësit kryesisht zgjedhin fundjavat për t’iu arratisur zhurmave urbane e për t’u strehuar në kilometra të tëra livadhe e pyje, ku e vetmja zhurmë për veshët është simfonia e ujit që gurgullon, cicërimave të zogjve dhe zukatjes së insekteve. Ndërtesat e larta të metropoleve zëvendësohen me shtëpi të vogla njëkatëshe dhe pemë frutore që kanë shpërthyer në lulëzim të bardhë.
Sipërfaqet e buta të kullotave thyhen herë pas herë nga një radhë përrenjsh malorë, ku më të njohurit janë Seta, Uraka, Malla e Lurës. Parku shtrihet përreth malit Kurona e Lurës, 2121 metra mbi nivelin e detit.
E gjithë Lura përbëhet nga dhjetë fshatra, ndërsa banorët e saj janë rralluar pas viteve ’90. Gjithsej numërohen rreth 350 shtëpi, rrëfen Hasan Hoti, banor i zonës dhe administrator i një hoteli që mirëpret vizitorët. Ai thotë se fshatarët jetojnë në varfëri, ndaj shpesh ndarja si me thikë e ndalimit të prerjes së pemëve është pak e vështirë. “Unë mund të mos lejoj askënd dhe t’i parandaloj me sa mundem prerjen e pemëve, por dikush mund të më thotë se me ata drurë do të ngrohë fëmijët, se nuk ka kushte të tjera. Ç’mund t’u them unë? Por banorët kanë filluar ta ndjejnë rëndësinë” –thotë Hasani, ndërsa i përgëzon aktivistët, duke u thënë se sot janë ata për Lurën, ndërsa Lura do të jetë përherë për të gjithë vizitorët e saj.
Në Fushë-Lurë, ku të zë syri kullota bagëtish e disa shtëpi, është edhe një kishë katolike, “Kisha e Shën Mërisë”, e cila daton prej 1410–s, sqaron biznesmeni Dod Doçi, i cili ka financuar për restaurimin e saj, që është bërë nga arkitektë italianë, të cilët kanë ruajtur stilin e ndërtimin të asaj periudhe, si edhe muret e vjetra, që tashmë gjenden brenda kishës, mbuluar me një strukturë xhami. “Një i afërmi im kërkoi të varrosej në varrezat e Kishës, por aty nuk dukej asgjë nga kisha. Mora vesh që toka, që dikur i kish përkitur kishës, ishte shpërndarë me ligjin 7501. U informova s-e cilët ishin pronarët dhe e bleva tokën përreth” -thotë Doçi , i cili e ka për zemër historinë e kësaj kishe, e ndërsa bën udhë thotë se banorë nga zonat përreth e konsiderojnë këtë kishë si vend të shenjtë dhe vijnë e falen këtu.
Vetë natyra në Lurë është shenjtërore, për ata që duan të gjejnë kuptimin e jetës, kuptim që shpesh humbet mes rrapëllimës urbane. Por me shfarosjen pa kriter të atyre që e kanë humbur kodin e pyjeve, se kush pret një pemë duhet të mbjellë dhjetë të tjera, rrezikojnë jo vetëm liqenet, flora por edhe fauna. Rrezikon të zhduket ariu i murrmë, banor i këtyre pyjeve, rrëqebulli, zardafi, gjeli i egër, sorkadhja. Rrezikon të humbasë një pasuri e tërë natyrore, që u përket të gjithëve, jo vetëm shqiptarëve. Një fidan pishe, pesëqind, pesëmijë mund të mos mjaftojnë kurrë për t’ia kthyer zonës gjelbërimin, por janë një kambanë që kumbon, për ata që duan të dëgjojnë. Për kë bien kambanat? Nëse Lura vdes, është edhe vdekja jonë…