Friday, May 13, 2016

Ervina Halili, Poezia si imazh surreal





Poezia e saj është imazh. Një emocion intensiv që i vjen në mend si një fotografi, të cilën më pas ajo e përkthen në vargje, që i cilëson eliptike. Letërsinë e saj, më shumë se surrealiste e cilëson si dekonstruksionaliste. Një lloj dekonstruktimi që e bën të fuqishme, si mbinjeriu në kërkim të rrëzimit të miteve… 
Nga Suadela Balliu
…rreze dielli ka ça ujin e ti/ ke veshë ngjyrën e koraleve ku ke fjete/ e vrushkull valëvitun prej gurine ke dalë tue/ mallku tetë krahët e tërbuem/ njëri prej të cilëve natën ka pa nji andërr
sikur…Një imazh iu fotografua në mendje me një oktapod që gjallonte në thellësi të deteve dhe çdo natë një prej këmbëve të tij po shihte një ëndërr, që ishte e njëjta dhe prej ankthit të padurueshëm vendosi të hajë këmbën e tij, e prapë po e shihte atë ëndërr, e çdo natë këpuste nga një këmbë e të teta përfunduan në barkun e tij, por ëndrra se dikush po e pinte etshëm detin
e sikur oktapodi dhe koralet po lundronit në labirint- barkun e errët të dikushit
ngulfatshëm… Është kjo poezia e Ervina Halilit, me të cilën pagëzoi pastaj librin me titullin “Gjumi i Oktopodit” , i botuar dy vite më parë. “A e di se oktapodi është një specie shumë interesante, se e ka sistemin nervor të shpërndarë në tentakulat e tij?” -thotë ajo, ndërsa kthehet në apartamentin e saj pas një mbrëmjeje kaluar në “Hemingway bar”, një rutinë e këndshme ku takohet me miq dhe njerëz të rinj gjatë muajit të kaluar si shkrimtarja e rezidencës letrare “Tirana in between” , aktivitet ky, i cili prej më se tri vitesh organizohet nga Poeteka në bashkëpunim me rrjetin “Traduki” dhe Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, me Ambasadën Gjermane në Tiranë, Fondacionin kulturor të Liechtensteinit,“Më erdhi si imazh e gjithë poezia” – vijon të tregojë, ndërsa rrëfimi e çon te Jung dhe te misteri i ëndrrave për të shkuar prapë te gjumi i oktapodit të saj dhe ëndrra e ankthshme që shihte që më pas u bë realitet. “Unë besoj në realitetet paralele. Realiteti që kemi ndërtuar nga presioni social dhe morali konvencional e i jemi bindur atij realiteti dhe mendojmë se po e perceptojmë drejtë. Realiteti i ndrydhur, domethënë realiteti i ndërdijshëm që është bota e ëndrrave, ajo ndoshta është vetja jonë, ndoshta ai është realiteti…” , thotë ajo. Poezia e Ervina Halilit, një poete e re por e vlerësuar me disa çmime letrare, jo vetëm në vendin e saj, është imazh. Një emocion intensiv që i vjen në mend si një fotografi, e të cilën më pas ajo e përkthen në vargje, që i cilëson eliptike. “Shkrimi që unë pretendoj se bëj është dekonstruksionalist total. Me këtë lloj dekonstruktimi, ndihem shumë e fuqishme në atë që bëj, -thotë bindshëm ajo, ndërsa qëllimi i parë është rrëzimi i miteve. “Mua nuk më intereson nëse arti im përthithet ose jo, mua më intereson që ai të mos jetë argëtues”, pohon. Pas Rezidencës njëmujore në Tiranë, do të niset në një udhëtim të gjatë me një grup shkrimtarësh që lëvrojnë letërsinë eksperimentale të pagëzuar me emrin “Crowd”. Ervina do të udhëtojë nga Oslo në Kopenhagë, duke u ndalur në disa stacione për performanca letrare. Ky grupim ashtu edhe Ervina e lidhin letërsinë edhe me mediume e arte të tjera si: muzika, filmi, filozofia, psikologjia.
Pas pak ditësh do të nisesh në një turne në Europë me një grup shkrimtarësh të letërsisë eksperimentale, “The Crowd”. Kur i je bashkuar këtij grupi ?
Qysh kur është formuar, sepse në moshën 11-vjeçare, në protestat e vitit 1997 unë shkrova një poemë, e cila titullohet “Turma 97”. Kjo poemë u përkthye në gjuhën suedeze dhe në disa gjuhë të tjera dhe tregonte realitetin e protestave. Ishte poezi surreale, por unë nuk e kuptoja se ishte surreale, sepse isha fëmijë. Është përkthyer në disa gjuhë, në vitin ‘ 97. Nuk e kuptoja se isha poete në atë kohë. Vazhdova të shkruaja dhe në moshën 17 –vjeçare u botua libri im i parë . Kur shkova në Beograd në rezidencë në vitin 2014, e rimora “Turma 97” dhe e rishkrova në formë të esesë, por me narracion infantil. E shkrova siç unë e mendoja në atë kohë. Pastaj “The Crowd” u përkthye në gjuhën gjermane, u prezantua në Panairin e Lajpcigut dhe emri Turma u bë shumë e madhe, u mblodhën disa organizata letrare dhe vendosën që grupi të quhet “The Crowd” (Turma) dhe ky është një grup me 100 shkrimtarë nga e gjithë bota.
Kur e kuptove se ishe poete dhe i përkisje rrymës së surrealizmit?
E kam botuar librin e parë më 2004-ën. Nuk e di nëse e quaja veten poete surreale. Megjithatë poezia ishte pak e errët. Krahasohej pak me poezinë e Edgar Allan Poe-së, sepse isha një person shumë i mbyllur…Ishte poezi imazhiste në fakt, aspak surreale. Për shembull është një poezi ku subjekti sheh një portret në fund të qytetit, sepse vazhdimisht shihja portretet e njerëzve dhe ishte poezi me predispozita shumë të errëta. Kur përfundoi libri i parë, mendova që nuk duhej të bëja gjë tjetër përpos letërsisë, ndaj u regjistrova për të studiuar Letërsinë Shqipe në Universitet.
Fole pak më parë për portretin në fund të qytetit, që është pak ndikimi i luftës në nënvetëdijen tënde. Sa ka ndikuar në personaliet, por dhe në mënyrën tënde të të shkruarit, poezitë e tua flasin për dhimbje, për humbje, për boshllëk….
E kam pak të vështirë të flas për veten, por kur e kam shkruar “Turma 97” ka qenë një situatë shumë e frikshme. Shtëpia ku banoja ka qenë e ndarë më dysh. Në njërën pjesë të shtëpisë jetonin studentë, sepse i gjithë stafi shqiptar, i cili jetonte në Kosovë dhe punonte në institucione u dëbua. Nga universiteti dhe nga konviktet u dëbuan studentët, profesorët…. Ne u munduam t’i strehonim. Shkollat u mbyllën dhe u hapën shtëpitë-shkolla. Njerëzit në një farë mënyre ilegalisht shkonin në shkolla. Kjo për mua ishte një situatë shumë interesante, por e frikshme,.
Por, pak përpara se të ndodhte kjo, në vitin 1996, prindërit e mi punonin si gazetarë në Shkup dhe po jetonim atje. Atëkohë në Gostivar dhe Tetovë ndodhi e njëjta sikurse në Prishtinë në vitin 1994; helmime masive me anë të ushqimit. Kësaj here nuk ndodhi në universitet, por në shkollat e mesme. Babi im po hulumtonte çfarë kishte ndodhur saktësisht dhe po bënte një shkrim në “Bota Sot” në Maqedoni, që titullohej “Spray politik mbi qiellin maqedonas” dhe për shkak të kësaj na u desh të ndërronin shtëpinë. Një mëngjes arrestohet mami edhe babi. Babi u kthye në Kosovë bashkë me një vulë të kuqe, pa të drejtë hyrjeje më në Maqedoni, ndërsa mami kthehet pas një dite në shtëpi me dy policë, më kap përkrahu dhe më thotë: “Likuidoje makinën e shkrimit, zhduke!” . Unë isha një fëmijë 10–vjeçar, mora makinën e shkrimit dhe u mundova ta fsheh bashkë me qiradhënësen. Për mua ajo makinë shkrimi ishte shumë interesante: “Pse duhet të fshihet një makinë, ku unë kisha dëgjuar prindërit e mi të shkruanin gjithë jetën mbi të?!” Mami im ishte daktilografe dhe gjëja e parë që kisha dëgjuar ishte zhurma kur shtypte. Kur u kthyem në Kosovë në vitin 1997, me të njëjtën makinë shkrova “Turma 97”. Ende e kam makinën e shkrimit. Shkrova me idenë se po shkruaj diçka që unë e shoh me një mjet që është i ndaluar.
A të jepte një lloj pushteti kjo?
Po ishte një lloj revolucioni.
The pak më përpara se e shihje atë që ndodhi në ‘97, nga dritarja e gjysmës së shtëpisë…
Banoja afër vendit ku mblidheshin studentët, ku kishin vendtakimin dhe shpërndahej turma. Ishte shtëpia e parë prej nga ku shpërndahej turma dhe të gjithë vinin në oborrin tim. Unë shihja gjithçka dhe nuk mund të mos i përjetoja. Në atë moment nuk u ndjeva poete, por u ndjeva si një njeri që mund të bëjë diçka që shoh dhe mund ta bëj me një formë të cilët të tjerët nuk e bëjnë. Ata e bënin me protesta, babit tim i ishte ndaluar të shkruante, ndërsa unë mund të shkruaja dhe askush nuk më ndalonte dhe ndihesha shumë e fortë me shkrimin; po bëja diçka që askush nuk ma ndalonte dot.
Vazhdon ta kesh ende atë ndjesi? Ideja se nuk bën letërsi për art, por si një armë më shumë…
Jo, nuk është vetëm art, është diçka që unë e shpreh dhe nuk ma ndalon kush. Është dekonstruksion. Më bën të ndihem sikur zoti në miniaturë dhe kjo është e njëjta ndjesi që kisha në moshën 11-vjeçare. Shkrimi që unë pretendoj se bëj është dekonstruksionalist total. Me këtë lloj dekonstruktimi, ndihem shumë e fuqishme në atë që bëj. Nuk ka rëndësi nëse e kam mirë apo jo, e rëndësishme është nëse është ndërtuar një harmoni konvencionale në bazë të miteve, unë i dekonstruktoj ato, duhet t’i rrëzoj. Ndihem njësoj si atëherë kur isha 11 vjeç, në protestat e vitit 1997.
Mendon se duhen rrëzuar të gjitha konvencionet?
Jo, absolutisht. Thjesht i poetizoj. Vetëm, kam dëshirë të tregoj se janë mite. Të rrinë aty, por të kuptohet se janë mite.
Me rritjen, letërsia nuk qe më revolta e parë, apo jo?
Po, pastaj nisa të studioj letërsinë, të udhëtoja shumë dhe ta studioja letërsinë edhe jashtë. Duke studiuar dhe duke njohur edhe njerëz, nisa të kuptoj formacionin që më flet mua për letërsinë. Atë që unë dua prej letërsisë. Edhe tash, ndoshta mendoj se e kam gjetur formën, e cila është Unë. Është një formë haiku, por jo 7-5-7 apo 5-7-5, por është imazh dekonstruktiv, ose surreal, por nuk është narrativ. Është thjesht imazh.
Kam bërë shumë punë derisa e kam gjetur këtë formë.
Pra e ndjek një lloj rregulli, një formë…
Mendoj se njeriu ka shumë gjëra për të thënë, por jo të gjitha ato që ka për të thënë janë letërsi. Mandej, për mua letërsia është paragjuhë. Nuk është gjuhë. Nuk pajtohem me idenë se letërsia është gjuhë, mendoj se vjen si paramendim, pra vjen si emocion dhe është keq nëse atë emocion e bastardon me narracion, e bastardon duke thënë shumë gjëra. Është mirë që atë paramendim e thua me një kompaktësi ose me një fotografi. Kjo është shumë e vështirë sepse është intensive, por arrihet me kohën.
Duke lexuar poezitë e tua, ajo që të krijohej ishte imazhi i menjëhershëm në mendje, herë pas here edhe imazh i trishtë apo i errët, por i fuqishëm. Është ky lloji i poezisë që shkruan në përgjithësi?
Nganjëherë tingëllon e errët. E kam parë që prej të tjerëve absorbohet si e errët. “Amuletë”, libri im i tretë duket i errët, sepse ideja e tij është një libër ku subjekti lirik, poeti, është zoti. Poeti shihte të gjithë njerëzit që ishin poshtë dhe nuk i cilësonte me një gjini, sepse i shihte nga perspektiva e mbinjeriut, por zotit i vinte keq ngaqë ata vuanin nga një kompleks apo sëmundje sociale, nga morali konvencional dhe ideja e errësirës është të paraqitësh sesi individi po e përjeton jetën. Nëse ai po e përjeton jetën të errët është për shkak të perceptimit të tij mbi jetën, por jo se jeta është ashtu. Atëherë unë, nga lart mundohem të kap perspektivat e ndryshme të individëve. Kjo ka qenë ideja. “Amuletë” kishte idenë që ky, zoti në miniaturë po e shëronte individin nga ky lloj morali social, por në fund nuk ia arrin ta shërojë. Sepse ai e ka ndërtuar atë që është më e përshtatshme për të dhe ai funksionon vetëm brenda atij morali.
Deri diku duket se zoti në miniaturë i rrëzon këto konvencione morale e të krijohet ideja se është e mundshme, por në fund thua se nuk ia arrin dhe gjithë ai optimizëm shuhet. Pse vendose të mos i thyeje konvencionet deri në fund?
Mendoj se të gjithë poetët janë shumë idealistë dhe unë do bëhesha një nga ata poetët, si zoti në miniaturë. Zoti religjioz është shumë idealist ndërsa mua më pëlqen jo zoti, por antimorali apo imorali niçean, që është shumë njerëzor. Ky zoti në miniaturë nuk ishte zoti, por ishte mbinjeriu dhe si mbinjeri, ai e shihte që thjesht ashtu funksionon; nuk e shëron dot. Në poezinë “Fundi i fundit” personazhi vuan nga kjo sëmundja sociale kujt nuk e jeton të tashmen, por mendon gjithmonë për fundin, për vdekjen dhe nga kjo u shpik edhe ajo nevojë e njeriut për të vazhduar përtej jetën.
Cilat janë temat e magjepsjes poetike? Çfarë e ngacmon imagjinatën tënde?
Janë njerëzit e thjeshtë, jo të institucionalizuar. Kam nevojë të shoh perspektivën e tyre mbi jetën sepse nganjëherë mendoj se njerëzit që udhëheqin në politikë apo elita intelektuale e dinë të vërtetën dhe nuk e thonë, sepse nuk u leverdis, ndërsa ata e thonë. Njerëzit e thjeshtë edhe kur nuk e dinë të vërtetën, ajo çka thonë është shumë e vërtetë. Nëse besojnë në një besëtytni, nga kjo besëtytni e sheh të vërtetën, idenë pse beson. Ndërsa në shtresat e tjera kjo lloj gjëje është shumë e fshehur.
Të ndihmon të jesh vëzhguese në letërsinë tënde?
Gjithë njerëzit mendojnë se po të përqendrohesh në studim, kam bërë tani një hulumtim të detajuar “Mbi automatizmin kolektiv dhe surrealizmin” dhe kjo më ka ndihmuar shumë të përfundoj librin “Gjumi i oktopodit”, sepse gjumi ka në një farë mënyrë si bazë vetëshkatërrimin. Çdo hulumtim që kam bërë më ka ndihmuar shumë për poezinë, edhe për esenë. Për mua poezia është shumë e rëndësishme si arrin ta perceptojë realitetin, ndërsa formacioni stilistik është individual dhe nëse shkruan vazhdimisht e gjen. Këtu nuk më ka ndihmuar hulumtimi, por më ka ndihmuar sidomos konteksti analitik, për ta analizuar ndryshe realitetin.
Në librin Amuletë, ka një A, të cilit i shkruan. A është një njeri konkret?
E thashë që më pëlqen të takoj njerëz, por pa u bërë me dije se po marr diçka prej tyre. Unë marr shumë nga ata dhe arsyeja që nuk ua bëj me dije është se nuk e di a jam në gjendje t’u jap aq sa marr, por ky ‘A’ ishte një person që vuante nga ideja e fundit, e vdekjes dhe në vend të shijojë mendon se dita kryhet. Ishte një shkak për të krijuar një personazh nga fillimi deri në fund dhe ky A-ja në një farë mënyrë është një prototip, i cili mund të ishte çdokush. Nuk jam nga ata poetë që shkruaj për një person konkret. Janë personazhe të kontekstualizuara, më nevojitet personazhi dhe ideja e tij dhe më pas e rikontekstualizoj në një gjendje universale. Nëse nuk universalizohet, për mua nuk është poezi. Për mua poezia është poezi, poeti është poet atëherë ku nuk është egoist, domethënë kur ai nuk mendon për ndjenjat e veta. Poeti për mua është mbinjeri. Ashtu e perceptoja në moshën 11-vjeçare. Ashtu është poeti. Jo zoti religjioz, por një zot i imagjinuar, a thua se do të mendonte për ndjenjat e tij? Nuk besoj. Për mua poeti është një mbinjeri, i merr ndjenjat e dikujt, i fut brenda dhe i universalizon. Edhe nëse ato shprehen si intime, shprehen ashtu që tjetri ta shohë konceptin universal.
Sa e absorbueshme është për lexuesin rryma që shkruan? A ka gjetur vend letërsia eksperimentale?
Mendoj se në këtë kohë, arti ka marrë përmasat e artit argëtues. Unë po bëj tani një hulumtim për baletin dhe kishte një moment kur baleti ishte i shenjtë. Ka një mori vallëzimesh dhe gjestikulacionesh të ndryshme, të cilat më vonë religjionet i bënë si rituale të shenjta, si sufizmi, dervishizmi etj. etj. Ishin të shenjta në një farë mënyrë, sepse njerëzit arrinin Nirvanën me to. E pastronin veten. Ishte një lloj meditimi. Binin në gjendje transi dhe në këtë lloj shenjtërie. E njëjtë është edhe poezia. Pastaj poezia në mesjetë u shndërrua në thuajse totalisht religjioze, e njëjtë ishte edhe muzika. Pastaj erdhi një kohë kur të gjitha këto filluan të rimerren nga familjet e pasura, ndërsa tani është një kohë kur po kthehen gati në një stad argëtues. Kjo më shqetëson shumë. Mua nuk më intereson nëse arti im përthithet ose jo, mua më intereson që ai të mos jetë argëtues. Do doja që njerëzit ta kuptonin se poezia nuk është argëtuese. Poezia nuk është tekst muzike.
Synimi yt është ta kthesh artin në gjenezë, në gjendjen primordiale?
Vetëm me një dallim të vogël: jo e shenjtë! Njerëzore. Në atë kohë, në paganizëm nuk ishte e shenjtë dhe ishte shumë mirë. Përdorej për nevoja trupore por ishte primitive. Nuk po flas vetëm për poezinë, por për baletin, muzikën, ritmet… Ajo që unë dua nga poezia është të kthehet në stadin fillestar, por të mos jetë e shenjtë. Të jetë e shenjtë në kuptimin njerëzor.
A e humb kështu lexuesin?
Mendoj se ti e bën lexuesin dhe jo të të bëjë lexuesi ty. Nëse kemi egon për të qenë në vëmendje të lexuesit, atëherë nuk jemi poetë. Poeti është mbinjeri. Thashë, në moshën 11–vjeçare mendova se bëra diçka që ishte e ndaluar. Çdo poet duhet të ketë këtë ndjesi. Jo kur është njeri i zakonshëm, por përmes letërsisë e tij.
Ke bërë një hulumtim mbi veprën e Martin Camajt dhe lidhjen e tij me surrealizminPse Camaj dhe ç‘lidhje ka ai me këtë rrymë?
Zgjodha Camajn sepse ishte shumë i përafërt me atë çka thashë deri tani. E para, sepse ai rimori mitet dhe e dyta, se po më interesonte surrealizmi dhe hasa te Martin Camaj disa vargje që ishin shumë surreale dhe më vinte keq që në ditët e sotme, Martin Camaj ishte interpretuar në një kontekst tjetër. Nuk më pëlqen kur interpretohen poetët, sepse kam frikë se kritikët i interpretojnë poetët për nevojat e tyre, por poetët duhen kuptuar në një stad më të lartë sesa çështja e nacionalizmit, etnisë, folklorit etj. etj. Gjeta disa koncepte surrealiste, i cili po mundohet të rimerrte mitet shqiptare e t’i bashkonte në një kulturë komplet moderne dhe kur i bashkonte këto të dyja krijonte një surrealizëm krejt natyral. Të natyrshëm po e quaj, por edhe natyral. Pse e quaj kështu? Sepse ai më frymëzoi të krijoj një term, i cili është miratuar prej disa studiuesve, “surrealizmi biologjik”, që nuk kishte të bënte me surrealizmin e institucionalizuar, të Bretonit, të viteve 1923-’24 , sepse Martin Camaj ishte i një kulture krejt tjetër e nuk kishte të bënte me kulturën franceze e zvicerane, por kishte të bënte me një rimarrje instinktive të miteve dhe bashkimin e miteve me realitetin ku jetonte. Por atë që shihte të brendshme ishte totalisht surreale. Po të lexosh “Njeriu me vete dhe të tjerët” është krejt surreale apo “Kështjella mbi ujë”…Po të marrësh ta lexosh këtë është krejt e njëjtë me “Kështjella mbi ujë” e Magritte-t. Mund të krahasosh e të mendosh se e shkroi duke parë pikturën e tij.
Gjurmë të tjera të surrealizmit në letërsinë shqipe ke hasur?
Ka, por jo si koncept surreal. Ka më shumë si elemente, të cilat shpesh herë kalojnë në letërsinë meditative. Ka një poet shqiptar të Shqipërisë, i cili ka vdekur në moshë të re –Ilir Belliu –dhe prej tij kam mësuar shumë, sepse e lexoja shumë Ilirin dhe ai më ka frymëzuar të kuptoj se në letërsi nuk ke nevojë të thuash gjithçka, mjafton ta gjesh. Ai ishte shumë eliptik. E gjente fjalën kyçe dhe bënte bartjet. Dhe ai ishte fantastik. Mësova se në letërsi nuk ke nevojë të thuash gjithçka, mjafton të gjesh fjalën kyçe.
A është e rëndësishme edhe forma në poezinë surrealiste?
Varet. Nuk e kam thënë ndonjëherë që bëj letërsi surreale, sepse nuk mund ta vlerësoj çfarë bëj. Thjesht bëj atë si e ndiej. Arsyeja pse e bëj është së më pëlqen psikedelia dhe kjo letërsi eliptike, ku fjalitë nuk janë të përfunduara por e nënkuptojnë domethënien, për mua është totalisht psikedelike.
A është poezia mjet për të arritur transcendencën?
Mendoj se nga transcendenca vjen poezia. Duhet të arrish në atë gjendje, të marrësh çfarë ke parë aty dhe pastaj të kalosh në poezi. Kur zbret në realitet është një mes, një parakoshiencë dhe prej aty mund të transmetosh diçka.
The se letërsia eksperimentale që ti bën, lidhet me mediumet dhe artet e tjera. Me çfarë e lidh letërsinë tënde dhe pse është kjo ideja për të pasur një ndërthurje të arteve me njëri-tjetrin?
Në Rezidencën e Gracit në Rezidencën e Tiranës kam qenë duke punuar një balet. Nuk mund ta shoh letërsinë si thjesht letërsi e shkruar. Sepse edhe nëse unë e shkruaj, e shkruaj me idenë për t’u parë. Është shumë e rëndësishme që do të vijë një kohë ku artet do të shkrihen më njëra-tjetrën dhe nuk do të jenë të lokalizuara. Është shumë e rëndësishme të mos ketë ndasi.
Sa libra ke botuar deri më tani?
Amuletë është libri im i tretë dhe ka marrë Çmimin e Përvitshëm të Letërsisë “Ali Podrimja”, ndërsa në Vjenë botova “Gjumi i Oktopodit”, i cili është një përmbledhje afërsisht e punëve të mia dhe të disa teksteve të reja, që nuk i kam botuar më herët. Janë katër libra me poezi.
Po punimet në eseistikë dhe studimi për Camajn?
Punimet eseistike ende nuk janë botuar si libër, ndërsa studimi është duke u përmbledhur si libër por pjesë-pjesë është botuar në institucione të ndryshme. Është botuar në Francë. Tani po mendoj të aplikoj për doktoraturë me të njëjtin studim, por më të zgjeruar.
Kur ulesh dhe shkruan?
E kam organike. Shkrimi më vjen si emocion, jo si nevojë për të thënë diçka. Jam në një vend dhe më vjen si emocion, që nuk e kuptoj çfarë është.
Jo domosdoshmërish ulesh dhe e shkruan në çast, apo jo?
Jo, mundohem të incizoj veten. Në fakt mundohem të përkthej emocionin. Ndodh që ne nuk e njohim veten, sepse edhe ti do të ishe ashtu, por vetëm se nuk ndalemi të thellohemi në veten tonë. Unë jam njeri fotografik, më vjen nga emocioni vizual. Emocioni është shumë intensiv dhe nga ai emocion vjen fotografia. Ndonjëherë më ndodh një gjendje gjysmë transi.
The diçka rreth perceptimit të realitetit. Po realiteti për një poete si ty a ekziston ?
Jo. Është shumë problematike kjo, sepse mund të ketë një realitet të përgjithshëm dhe unë mund ta përjetoj në formë krejt subjektive, por ajo çka mund të gjesh te libri “Gjumi i Oktopodit” është një botë paralele. Mund të merret në dy forma. Ka nga ata që e marrin në stad shumë mistik, por nuk është se unë ka dashur ta paraqis një stad mistik, por është mirë edhe kjo sepse ideja e misticizmit ka lindur nga mosnjohja e vetes. Një person mundohet të ikë nga këtu në një botë tjetër, vazhdimisht dhe shumë njerëz e ngatërrojnë se unë dua të vdes. Unë nuk dua të vdes, unë dua të iki nga këtu e të shkoj në një realitet tjetër. Dhe ai realiteti tjetër është po aq irreal sa ky këtu. Unë besoj në realitetet paralele. Realiteti që kemi ndërtuar nga presioni social dhe morali konvencional e mendojmë se po e perceptojmë drejtë. Realiteti i ndrydhur, që është bota e ëndrrave, ajo ndoshta është vetja jonë, ndoshta ai është realiteti. Personazhi në këtë libër, subjekti –individ, dëshiron në një farë mënyrë të vdesë në realitetin konvencional dhe të ikë në gjumë. Sepse atje e mendon realitetin, realitet.
Sa vend zë fizikja dhe spiritualja në poezinë tënde?
Fizikja është shumë e rëndësishme. Për ta ndërtuar këtë botën paralele duhen të dyja bashkë, përndryshe unë nuk funksionoj në poezi. Duhet patjetër një bazë që është fizikja dhe një ikje që është ana spirituale që në rastin tim, ana spirituale është prapë fizike. Ana spirituale mund të jetë një univers i pafund përtej tridimensionales, që mund të jetë katër apo pesëdimensionale, por është brenda nesh. Nëse ne funksionojmë me një përqindje të caktuar të trurit dhe atë përqindje e kemi nënshtruar ndaj realitetit konvencional, atëherë ndoshta brenda nesh është një aftësi tjetër për të perceptuar një dimension tjetër, por edhe ajo është fizike.
Koncepti kohë rrëzohet nga ajo çka ti percepton , çka shkruan?
Absolutisht po. Koha është absolute. Nëse dikujt i duken ato surreale, ideja e surrealizmit është të rrëzohet koha, sepse koha të bëhet absolute, por jo në një sens patologjik, por në një sens sugjestiv: Hajde ta provojmë ta mendojmë kështu!
Kush janë autorët e preferuar?
Nuk kam shumë poetë të preferuar. Kam një filozof të preferuar që është Niçe dhe kam një poet të preferuar, i cili është Fernando Pessoa sepse ka përafërsisht këto ide, të paktën unë kështu mendoj. Ai shkruante në tri identitete të ndryshe: si një religjioz, si një ateist dhe një spiritualist. Shkroi të tria identitetet dhe nëse e analizon, për mua si hulumtuese, ajo çka mundohet të thotë është se unë jam poeti dhe të tria këto, janë të njëjta. Të gjitha janë të njëjta. Një nga thëniet e tij që më pëlqen është “Ne nuk ndryshojmë, thjesht bëhemi ata që kemi qenë”. Ai besonte në këtë memorien kolektive, jo vetëm atë të trashëguar kur lind, por të trashëguar gjenetikisht, edhe shumë më herët. Unë besoj se koha është zero, ka një kohë absolute të vërtetë. Kur ti fle apo je në gjendje të meditimit, atëherë ti ke zbrazur një formë të trurit me këto informacionet e përditshme, konvencionet dhe moralizmat, por të është hapur një pjesë tjetër e trurit, ai mundet të jetë shpirti yt. Informacioni është kudo, ti vetëm e kap.

Vdekja e oktopodit
rreze dielli ka ça ujin e ti
ke veshë ngjyrën e koraleve ku ke fjetë
e vrushkull valëvitun prej gurine ke dale tue
mallku tetë krahët e tërbuem
njëri prej të cilëve natën ka pa nji andërr
sikur
dikush po e pinte etshëm detin
sikur
ti e koralet po lundronit në labirint- barkun e errët të dikushit
ngulfatshëm

ke nxanë krahun e parëm e ke gëlltitë dënueshëm
edhe tjetrin pas tij
edhe të tjerët
deri sa të janë harxhu kujtimet e makthit nëpër krahë
dhe të janë mbyllë sytë në paqe

ka ikë rreze dielli prej ujit e
krahët n‘barkun tand kanë pa nji andërr përsëri
përsëri
sikur
ti e koralet po lundronit në labirint- barkun
ngulfatshim 

Një maratonë swing dhe treni i linjës së xhazit






30Prilli, Dita Ndërkombëtare e Xhazit, në Shqipëri u kremtua me një maratonë të gjatë 12-orëshe nga Tirana drejt Shkodrës. Udhëtim me tren, biçikleta e këmbë…që vallëzojnë shfrenuar nën ritmet e swing-ut. As garë, as festival…Të dyja bashkë dhe një festë e madhe që përfshiu me qindra njerëz
Nga Suadela Balliu
Udhëtarët, ata pak që këto ditë zgjedhin të lëvizin përmes linjës hekurudhore, përpiqen të mbajnë vesh se prej nga vijnë tingujt e fuqishëm të muzikës që janë shpërndarë nëpër vagonët e trenit Vorë-Shkodër. Si kurrë më parë ky tren i vjetër, i mbetur në kushte funksionale prej regjimit komunist ofronte këtë luks për veshët e pasagjerëve, që për të mbërritur deri në stacionin e fundmë paguajnë një biletë që kushton më pak se çdo tjetër mjet transporti urban.
Më kureshtarët që i afrohen xhamave të kompartimentit i shqyejnë sytë nga habia tek shohin njerëz me veshje të çuditshme si të mbirë aty brenda prej një tjetër kohe, të shkuar, edhe më të shkuar se mosha e këtij gjarpri gjigant metalik që rrëshqet mbi shina…Udhëtarë që do jenë ngjitur në një tjetër stacion, sepse askush nuk i ka vënë re më parë, as djemtë me kapela e tiranda që vallëzojnë e as vajzat me fustane të zinj me thekë e dantella e pupla në flokë.
Dikush pyet kontrolloret, ato të njëjtat prej mëse 30 vitesh në të njëjtën linjë se ç’ngjet për të mbetur edhe më gojëhapur nga përgjigja. “Janë më shumë se 200 njerëz, të veshur ashtu si për festë që janë nisur nga stacioni i Kasharit e do ndalen në Shkodër. Kanë me vete edhe disa muzikantë, që i bien instrumenteve dhe janë edhe disa balerinë që po të panë të rrëmbejnë me vete duke kërcyer”…
Ishte kjo atmosfera e Ditës Ndërkombëtarë të Xhazit, ditë që u kremtua me shpirtin improvizues së kësaj magjie të muzikës së ardhur prej New Orleans-it edhe në Shqipëri.
Ftesës së hapur të ‘Hemingway Fan Club Albania’ për një maratonë të gjatë 12-orëshe iu përgjigjën me qindra njerëz, duke respektuar edhe kodin e veshjes që po aq sa edhe muzika i transportoi një shekull më parë. Vajzat ishin kujdesur edhe për detajet më të imëta për ta risjellë në 2016-n modën e të artave ’20 – ’30 , por as djemtë nuk mbeteshin pas, në vend të bluzave të pambukut një këmishë, xhinset të ndërruara me pantallona ngjyrë toke apo të zeza dhe në kokë kapele të leshta, si ato që mund t’ua kishin parë njëherë e një kohë gjyshërve.
Ishte pikërisht koha e gjyshërve dhe të jetoje në epokën e tyre , nuk ishte aspak e dalë mode, sidomos muzika. Tromba e fuqishme e gazmore kompozitorit amerikan Michael Supnick, saksofoni kumbues e i guximshëm i Fabiano “Red” Pellini-it, kontrabasi pompoz jo vetëm përmasave por edhe tingujve që lëshon prej telave e Giuseppe Talone-s , bateria vibrante e Alberto Botta-s dhe pianoja madhështore e Luca Fillastro-s që në tren ishte zëvendësuar me një organo. Muzikë që gërshetohej herë pas here edhe nga tingujt e “All in band” , katër djem të rinj e të talentuar të Akademisë së Arteve që në klubet e kryeqytetit kanë vendosur të luajnë muzikë, nga ajo e mira, dhe për t’i dhënë ca nota më moderne mendonte Dj Nik H.
Të paktë ishin ata që shijonin ulëset e trenit, i cili për hir të së vërtetës i kishte kushtet minimale për udhëtim, me përjashtim të ndonjë xhami të krisur tek-tuk, por që për pjesëmarrësit e maratonës- veçanërisht për shumicën prej tyre që udhëtimin me tren e kishin për herë të parë në jetën e tyre – ishte magjepsje më vete dhe moment për të çliruar imagjinatën e pasur. Vallëzim, vallëzim, vallëzim nën ritmet swing ishte çka shihje në të tre vagonët që u vunë në dispozicion për këtë ngjarje nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave.
Udhëtimi me tren zgjat katër orë, por askush nuk është i lodhur prej lëkundjeve të swing-ut…dikush ka mësuar ndonjë lëvizje prej filmave me subjekt të asaj epoke, dikush ka ndjekur ndonjë orë kurs e dikush bën një performancë të hatashme, ndihmuar edhe nga treni që këtë ditë është swing.
Duket si një sheshxhirim i madh për një film xhazi, përshtypje që të krijohet edhe më shumë prej kamerave që lëvizin vagon më vagon.
Hollësia e vetme që të shkëput nga kjo botë swing-u janë stacionet e ndërmjetme, që prej zbrazëtisë dhe qetësisë sjellin atmosferë fantazmagorike të Laçit e Lezhës dhe banorë që u valëvisin duart dhe qeshin me udhëtarët e çuditshëm.
Në stacionin hekurudhor të Shkodrës, maratona e swing-ut nis një tjetër etapë. Me t’u përshëndoshur me trenin – të cilin me siguri shumë syresh do e vizitojnë sërish nga kureshtja –ata më atletët hipin mbi biçikleta. Janë njëqind dyrrotakë të vënë në dispozicion prej kompanisë “Eco-mendja” . Të tjerët shijojnë pasditet nëpër rrugicat e vjetra të Shkodrës, ndalen për t’u fotografuar përpara godinave dy a tri katëshe të stilit arkitekturor italian të viteve ’30. Ende ka mbetur pak shije retrospektive në qytetin, që siç rëndom në Shqipëri po mbytet nga ndërtimet e reja e shumëkatëshe. Ishte pikërisht edhe kjo pasuri e Shkodrës, një tjetër arsye pse organizatorët vendosën që stacioni i fundit i Maratonës dhe festimet më të gjata të bëheshin atje.
Ku kalojnë do vajza t’bukra me pupla n’kry nuk mundet mos me i tërheq vëmendjen shkodranëve që pyesin se ç’kanë ardhur të bëjnë në qytetin e tyre këta njerëz.
“A përnjimen a?! Ka festival t’xhazit? Keni ardhë prej Tiranet?” –pyet pronari i një bari të vogël në pedonale, ndërsa thotë se do të vijë patjetër në Teatrin Migjeni në mbrëmje.
Edhe turistë të huaj që po vizitojnë Shkodrën, ndalen e pyesin festuesit “Charleston?”- pyet një gjerman kur sheh një vajzë të veshur enkas për ditën.
Pasditja gjallohet në sheshe të vogla të qytetit ku bandat luajnë live dhe të ardhurit nga Tirana përzihen me vendasit në vallëzim.
Jo vetëm të moshuarit që kanë nostalgji për xhazin dikur të ndaluar në Shqipërinë komuniste, por edhe më të rinjtë i gëzohen festës që përfshin të gjithë qytetin.
Mbrëmja i mbledh të gjithë në teatrin Migjeni, vendet e të cilit mbushen të gjitha plot, madje edhe shkallët…
Mbi skenë është tryeza e punës me makinën e shkrimit të Ernest Hemingway-t, kumbari i klubit të admiruesve shqiptarë që patën idenë për ta sjellë për të parën herë Ditën Ndërkombëtare të Xhazit, në një ngjarje më gjithëpërfshirëse, jo vetëm me grup të vogla eklektike të ithtarëve të kësaj rryme e për ta çuar pak larg nga kryeqyteti, për të dëshmuar se me dëshirë të mirë , vullnet këmbëngulës e disa dashamirës që japin mbështetjen e tyre mund ta bëjnë një festë që zgjat gjysmë dite pa ndalur e transportohet natyrshëm drejt një qyteti tjetër, për të mos e bërë Tiranën më të privilegjuar në jetën kulturore.
Një performancë dridhmuese e baterisë së Alberto Botta-s ia lë vendin hyrjes së instrumenteve të tunxhit. Pellini e Supnick nuk hyjnë nga skena. Nga plateja, zbresin shkallët ndërsa tromba e saksofoni tingëllojnë fuqishëm.
Michael Supnick është protagonisti i mbrëmjes. Me italishten e tij të papërsosur që bëhej e këndshme pikërisht prej mënyrës si shqiptohej me theks amerikan, lëvizjeve koreografike që bënte në skenë që i shkojnë për shtat një muzikanti të xhazit të New Orleans-it dhe rrymës swing. Ai prezanton pjesët që luhen nga banda dhe këndon.
Të gjithë anëtarët e bandës kanë kohën e tyre të performancës solo, një përshëndetje në gjuhën e instrumenteve të tyre për të gjithë ata që shijonin swing-un.
“Happy feet” apo këmbët e lumtura është pjesa që përmbyll mbrëmjen ndërsa skena mbushet plot me balerinët profesionistë që ftojnë publikun. Askush nuk i reziston muzikës dhe këmbët që lëvizin shpengueshëm sundojnë terrenin.
Gjithçka ndizet mbi skenë, ndërsa banda nuk largohet duke e kënaqur publikun me një bis…edhe me një tjetër…
Skena e Teatrit Migjeni nuk kishte parë kurrë aq ‘aktorë’ mbi të. Të gjithë shijonin në mënyrën e tyre… sepse në fund xhazi është i të gjithëve. Shpirti i improvizimit dhe i situatës…ky është xhazi, në fund të fundit.
Alberto Botta, bateristi që luan swing dhe xhaz prej tridhjetë vjetësh tashmë në Itali thotë se ndjehet i mrekulluar kur sheh kaq njerëz që vijnë për të dëgjuar këtë zhanër. Sepse situata e muzikës në vendin fqinj nuk është aq e ndryshme nga Shqipëria. “Mos u besoni italianëve në çështjet e muzikës” – thotë Botta, ndërsa e di që shqiptarët kanë pasur ndikim të madh nga muzika italiane. Ai vetë e ka nisur rrugëtimin me muzikën nga rock e funk progresiv britanik, por me t’u takuar me xhazin i braktisi të gjitha për të, edhe pse e di që nuk janë shumë ata që zgjedhin ta dëgjojnë kur ai dhe miqtë e tij interpretojnë. Shqipërinë e ka njohur prej “Radio Tirana” kur transmetonte propagandën komuniste edhe në gjuhën italiane , por thotë se do të vijë sërish këtu për të luajtur, pas shijes së mirë që mori gjatë gjithë ditës së shtunë.
Michael Supnick i quan dy ditët e kaluar në Shqipëri, shumë të veçanta. “Dje teatri ishte plot. Nuk kishte asnjë personazh televiziv apo yll rroku”, duke thënë se këtë, në Romë, vendi ku është i stacionuar , nuk ndodh shpesh që njerëzit t’i përgjigjen xhazit në këto përmasa.
Pas ritmeve electro-swing në hollin e teatrit “Migjeni” , garuesit e maratonës, të gjithë fitues të një përvoje ndryshe që premton të hedhë themelet e një tradite çdo 30 prill, bëhen gati të kthehen në stacionin prej nga ku u nisën, që tashmë ka marrë padyshim emrin swing.

Të shkruash poezi është të bësh dashuri


Si të ishte duke zbuluar një sekret të madh, atë që mbajnë të fshehur mirë rrethi i poetëve të gjallë e të vdekur, Dan Coman thotë se momenti i krijimit poetik, ia kalon edhe  procesit të ngjizjes, sepse pasi ke shkruar një poezi, thotë ai, di të bësh dashuri më bukur

Psikologu që i thyen barrierat e vetmisë me poezi




Zvika Szvernfeld, poeti me profesion psikolog flet rreth jetës, ku gjen brumin për krijimin e tij dhe rreth vetmisë që e gjen te çdo qenie njerëzore, pavarësisht kombësisë. Nëse dikush do t’i jepte shumë vite jetë, por do t’i merrte poezinë, ai do të zgjidhte të vdiste nesër. Ai flet rreth librit të tij “Tempulli i Vetmisë” përkthyer edhe në gjuhën shqipe, për jetën, psikologjinë, tokën e premtuar, Zotin dhe thyerjen e barrierave të vetmisë…
Nga Suadela Balliu
Herën e parë në Shqipëri e solli ideja për të bërë një aventurë të çmendur …një vizitë në një vend të panjohur. Herën e dytë e solli Java Poetike e Zërave Mesdhetarë, një aktivitet i organizuar nga Qendra e Studimeve letrare “Pjetër Budi” i cili u organizua në Tiranë e Durrës për një javë, nga data 25 prill deri më 1 maj. Gjatë këtyre ditëve ka shkruar poezi edhe për Shqipërinë. Zvika Szvernfeld, poeti me profesion psikolog flet rreth jetës, ku gjen brumin për krijimin e tij dhe rreth vetmisë që e gjen të çdo qenie njerëzore, pavarësisht kombësisë. Mënyra për të komunikuar përmes poezisë dhe për të folur rreth ndjenjave të thella e afron më shumë me njerëzit, qofshin këta publik në një aktivitet letrar në një bibliotekë, studentë universiteti apo edhe njerëz që vuajnë dënimin në burg. Nëse për të tjerët poezia është një lloj terapie, për psikologun dhe poetin është shumë më shumë sesa kaq. Nëse dikush do t’i jepte shumë vite jetë, por do t’i merrte poezinë, ai do të zgjidhte të vdiste nesër. Ai flet rreth librit të tij “Tempulli i Vetmisë” përkthyer edhe në gjuhën shqipe, për jetën, psikologjinë, tokën e premtuar, Zotin dhe thyerjen e barrierave të vetmisë…

E keni titulluar librin tuaj “Tempulli i Vetmisë” e megjithatë brenda ka poezi për njerëzit tuaj të dashur . Përse ky titull?
Në gjuhën angleze fjala temple ka dy kuptime; e para është vendi ku ti lutesh dhe e dyta ka kuptimin e tëmthave. Ishte një problem sepse titulli i librit kishte më shumë domethënien e dytë, por doli ky kuptimi i dyfishtë . Në hebraisht kemi dy fjalë të ndryshme, por duke qenë se ishte shkruar në anglisht, më pëlqeu ideja e kuptimit të dyfishtë, por në shqip u bë thjesht “tempull”. Titulli u mor nga një varg i një poezie, e cila nuk është përkthyer në shqip e që thotë “të shtiesh mbi tempullin (tëmthat) e vetmisë” dhe unë besoj se poezia, mbase edhe psikologjia, është një mënyrë për të qëlluar këtë tempull (tëmth) të vetmisë. Por besoj se sa më shumë moshohem aq më shumë kuptoj se njerëzit ndihen të vetmuar, në të gjithë botën. Ti mund të kesh një familje, një bashkëshort a bashkëshorte, fëmijë… e sërish të ndihesh i vetmuar. Një nga gjërat më të mëdha që dua në këtë jetë është të thyej këtë ndjenjë të vetmisë të të tjerëve dhe të vetes. Të thyej barrierat e kësaj vetmie. Dhe poezia është një nga gjërat që e bën këtë. Kur njerëzit lexojnë poezitë e tua, jo gjithmonë e kuptojnë se çfarë ke dashur të thuash, por kjo nuk ka shumë rëndësi sepse bëhen pjesë e jotja, lexojnë edhe kështu thyhet vetmia. Libri është një zgjidhje. Është një tempull vetmie, por njerëzit mund të shkojnë bashkë .
Pra poezia mund të jetë një lloj tempulli që i mbledh njerëzit bashkë…
Po, por tempulli duhet të jetë brenda nesh. Ndonjëherë e krahasoj poezinë me një tempull indian. Në një tempull indian mund të shkojë kushdo, madje sheh edhe elefantë të hyjnë brenda. Ndryshe nga një kishë apo xhami, mund të hyjnë shumë dhe prapë mbetet i shenjtë. Edhe poezia është kështu; ti mund të flasësh për banalitete, mund të flasësh për seksin, për gjëra të pista, të shëmtuara edhe njëkohësisht mund të mbetet e shenjtë si një tempull.
Do të thotë se për ju poezia nuk është vetëm një formë arti, është më shumë se kaq?
Mbaj mend një pyetje bazike që ma ka bërë mësuesja e artit në shkollë, kur isha 10-vjeç: “Çfarë është arti?” Unë mendoj se arti është formë komunikimi dhe ky është fakt. Poetët për shembull, janë njerëz që i botojnë gjërat e tyre. Pse i botojnë? Ata nuk fitojnë shumë para nga kjo punë, vetëm nëse herë pas herë fitojnë çmime të rëndësishme. E bëjnë në mënyrë që njerëzit të ndjehen të admiruar?! Nëse do njerëz të të admirojnë, atëherë ky është një lloj komunikimi. Pra ata i nxjerrin poezitë nga xhepi sekret dhe i botojnë, sepse arti është rrugë komunikimi.
Pra ju e gjetët këtë formë komunikimi kur ishit 8-vjeç dhe shkruat poezinë e parë. Po më pas në jetë zgjodhët psikologjinë. Si qe ky ndryshim në rrugën tuaj?
Shumë më vonë në jetë. E dija se isha poet që kur kam qenë 9-vjeç dhe e dija se do të isha psikolog vetëm kur isha 21-vjeç , sepse në Izrael shkojmë për tre vite në ushtri. Gjatë shërbimit ushtarak ke mjaft kohë të vendosësh se ç’do të bëhesh më vonë në jetë. Ndaj mendoj se studentët izraelitë janë më të pjekur se studentët në vende t tjera të botës, sepse kanë kohë të mendojnë, të maturohen përpara se të zgjedhin. Kur nisa të studioja psikologjinë as e dija tamam se çfarë është psikologjia. Mendoj se vetëm pak e dinë vërtet çfarë është psikologjia kur e studiojnë. Më kishin thënë se meqë je dëgjues i mirë i njerëzve mund të bëhesh psikolog. Duke qenë se isha i talentuar në shumë fusha , nuk e dija se ç‘doja të bëja, mendova se Psikologjia ishte zgjedhje e mirë, por studiova njëherazi edhe Gjuhë Hebraike . E bëra sepse gjatë gjimnazit ndodhesha jashtë Izraelit dhe humba gjashtë vjet nga hebraishtja. Im atë punonte në një kompani anijesh izraelite jashtë vendit dhe deri në moshën 15-vjeçare kam jetuar në Belgjikë e më pas për dy vite të tjerë në Gjermani ku ndoqa një shkollë Ndërkombëtare . Nga mosha 18 vjeçare shkova në Bruksel dhe studiova një vit mjekësi. Ka qenë ëndrra e prindërve të mia të bëhesha mjek, jo e imja. Ne ikëm nga Polonia kur isha 2 vjeç dhe në moshën 3 vjeçare ata e dinin tashmë se në të ardhmen do të bëhesha mjek. Gjatë kohës së ushtrisë u njoha me një piktor, ishte një djalë shumë intelektual dhe kalonim orë të gjata duke folur për artin. Ai e dinte që do të bëhej piktor dhe nuk kishte shumë plane për të ardhmen veç kësaj. Ishte shumë interesante për mua, pasi në atë kohë e konsideroja veten intelektual, por njohuria e tij ishte shumë më e madhe se e imja. Njëherë më foli për Van Gogun dhe më thoshte se megjithëse dukej si i çmendur, ai kishte punuar fort për të gjetur stilin e duhur. Mendova se nëse Van Gog ka punuar kaq gjatë të përsosë stilin e tij, nuk e kuptoja pse unë nuk duhet të punoja aq shumë për të përsosur gjuhën time. Gjuha ime është piktura ime. Kështu zgjodha të studioja gjuhën hebraike.
Jeni larguar nga Polonia në moshën 2-vjeçare. A ka ndikuar kultura polake në fëmijërinë tuaj?
Do ju tregoj diçka gazmore. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri dhe njerëzit e morën vesh që jam hebre nga Izraeli kishte kritikë letrarë që flisnin rreth librave të mi duke bërë krahasime hebraike. Kuptova papritur se sensi im i humorit është tipik hebre, por duke qenë se në Izrael të gjithë janë hebrenj, askush nuk e përmend faktin e të qenit hebre. Disa kritikë vite më parë, shkruan se isha ndikuar nga poetët polakë dhe kjo ndodhi edhe më përpara se t’i kisha lexuar ata poetë. Por mendoj se kam ndikim nga kultura polake, tani herë pas herë kur shkoj në Poloni ndjej afërsi. Për më tepër prindërit e mi kanë folur polonisht deri kur unë isha 12-vjeç pastaj ikëm në Belgjikë dhe im atë tha se duhet të flasim hebraisht. Por përrallat e para më janë rrëfyer në polonisht, di këngë e poema për fëmijë të autorëve polakë. Ime ëmë lexonte Pushkinin në rusisht dhe ma përkthente në polonisht kur isha fëmijë, sepse ajo ka ardhur nga Rusia në Poloni. Mendoj se gjuha, edhe në mënyrën e të menduarit, është e rëndësishme. Kur lexoj poetë polakë i ndjej të afërt dhe shumë të ngjashëm me veten, i njëjti sens humori, e njëjta mënyrë për të parë botën. Është një mënyrë polake, jo hebraike apo izraelite.
Hebrenjtë e Izraelit kanë ardhur duke sjellë me vete edhe kulturat e vendeve ku u lindën dhe jetuan. Si është ky këmbimi kulturave të tjera mes jush?
Por jemi hebrenj nga kultura të ndryshme dhe mos harro që kemi edhe 1 milion e gjysmë arabë që jetojnë në vend dhe në 15 vitet e fundit kam qenë shumë pranë kulturës së tyre. Kam shumë studentë arabë që më rrëfejnë sekrete dhe historitë e tyre dhe ndonjëherë u them se më shumë di unë për kulturën e tyre sesa ata vetë. M’i thonë mua, jo një arabi, por mua!. Unë di se për çfarë ëndërrojnë vajzat arabe… Në Shqipëri mund të shoh shumë gjëra të ngjashme me kulturën arabe, sepse është një shoqëri konservatore në disa vende. Në Izrael ka shumë vajza arabe që ëndërrojnë të largohen nga vendi. Jo për arsye ekonomike, por kulturore. Për më shumë liri. Megjithëse jetojnë në shoqëri konservatore kanë televizion, internet dhe shohin botën jashtë, gjë që nuk i bën të lumtura. Jam ekspozuar shumë ndaj kulturës së tyre dhe libri imi i gjashtë, me te cilin kam fituar edhe një çmim të rëndësishëm, flet i gjithi për gratë arabe , mbi sekretet dhe dëshirat që studentet e mia më kanë rrëfyer, sigurisht pa emra, por në forma poemash.
Cili ka qene reagimi i arabëve rreth librit?
Falë Zotit nuk e kanë lexuar. Ata nuk lexojnë. Studentet e mia, vajzat arabe e lexuan dhe e pëlqyen. Por gjithnjë e më pak njerëz lexojnë poezi dhe shanset që të lexohet një libër me poezi është edhe më i vogël. Ndonjëherë njerëzit nuk e pëlqejnë kur dikush vjen nga jashtë dhe sheh e flet rreth problemeve të tyre , veçanërisht në Izrael ku ekziston konflikti mes dy kulturave. Unë shoh dhimbjet e tyre , por shumë mendojnë se po erdhe nga jashtë patjetër ke ardhur për të kritikuar. Por flisja me një grua shqiptare dhe më tha: “Në fund të ditës, unë jam një shqiptare dhe ti je hebre!”. Shkrova një poezi për këtë. Jemi ne që e vendosim kur është fundi i ditës, nëse ka një fund.
A është kaq i rëndësishëm ky identitet, ai i kombësisë?
Jo për mua. Sigurisht që ndihem shumë izraelit, por në radhë të parë ndihem njeri dhe ndjej dhimbjen e njerëzve. Kur ajo grua më tha se në fund të ditës unë jam shqiptare e ti hebre , i thashë se mund të më kishe thënë “Në fund të ditës unë jam grua dhe ti je burrë”. Është edhe më e largët kjo distancë. Sepse një shqiptar mund të bëhet një izraelit, dhe një izraelit mund të bëhet shqiptar, por një grua nuk mund të bëhet burrë dhe e kundërta. Gruaja më e afërt me ty është bashkëshortja dhe prapë nuk e di se çfarë ndjen ajo si grua. Nuk e ndjen dot se çfarë ndjen një grua kur është shtatzënë, kur është me menstruacione, dhe pse është personi më i afërt me ty. Dhe pse tha kështu në fund të ditës? A është një burrë dhe një grua më afër sesa një shqiptare dhe një izraelit? A është? Ka më shumë diferenca mes një burri e një gruaje. Mendoj se një nga arsyet që zgjodha psikologjinë dhe më pëlqen poezia është se i thyej këto barriera. Më pëlqen të ndihem i afërt me njerëzit,
A është më e lehtë t’i thyeni barrierat përmes poezisë apo psikologjisë?
Kur isha në Durrës, në universitet pashë që studentët u kënaqën shumë. Dhe mendoj se më shumë sesa shijuan poezitë po ndiheshin mirë se po flisnin me një psikolog , kur po flisja rreth ndjenjave tyre, rreth vetmisë… E përdor poezinë për këtë , por zakonisht kur flas në publik me 200 njerëz dhe ata ndihen të afërt me mua, ndodh sepse flas për ndjenjat e tyre . Edhe pse nga një kombësi tjetër, ndihesh i afërt me njerëzit kur flet përmes ndjenjave. Edhe pse jam përkthyer nga anglishtja në shqip, prapë i ndjeja pranë njerëzit. E shihja nga sytë e tyre që ishin të afërt me mua. Një grua në Bibliotekën e Durrësit më tha: “Po unë të ndjej shumë pranë”. Mbase nuk është psikologjia, por aftësia njerëzore për të kuptuar njëri-tjetrin ajo që i thyen barrierat. Poezia është madhështore për mua. Me poezinë ndihesh afër, është mënyrë tjetër për të ndjerë dhe parë botën . merr gjërat më banale dhe i sheh ndryshe. Është të zbulosh gjëra çdo ditë.
A është aftësia e të qenit vëzhgues i mirë apo empatia që e bën poezinë?
Janë të dyja. Është të qenit vëzhgues, empatia dhe aftësia për të krijuar, për të qasur gjërat. Për mua poezia është të afrosh gjëra që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Kur shkon te dentisti, zakonisht ju thotë se nuk duhet të hani për 24 orë nga kjo anë. Kështu ndodhte njëherë një kohë, tani janë më moderne. Dhe shkrova poezi me dy vargje, një nga më të shkurtrat, zakonisht nuk shkruaj aq shkurt. Dentisti më urdhëroi të haja nga një anë, kjo është mënyra si jetoj. Kështu jetoj sepse nuk mund të bësh gjithçka, nuk mund të jesh i martuar dhe i çmendur, ose je njëra ose tjetra. Nëse je gazetar nuk mund të jesh edhe mjek.
Por në fund ju u bëtë mjek.
Psikologjia është të ndihmosh njerëz, jo t’i kurosh. Sepse nëse thua se i kuron do të thotë se janë të sëmurë. Ti thjesht sa u përmirëson cilësinë e jetës, ua bën më të mirë . Mendoj se ky është roli i psikologjisë të përmirësojë cilësinë e jetës. Të gjithë duhet të shkojnë te psikologu, nëse kanë para sigurisht. Mbase jo të gjithë por shumë prej nesh. Nuk ka kufizime sesa shumë mund ta përmirësosh cilësinë e jetës. Nuk e ndjej se po kuroj, ndjej se po ndihmoj. Ky është ndryshimi.
Çfarë e ka ndikuar poezinë tuaj?
Gjithçka… Jeta. Dhe një pjesë e mirë e jetës do të thotë leximi. Mendoj se jeta është plot me poezi. Kur isha në Durrës, isha duke folur me njerëz për letërsinë, disa të rinj po luanin bukur në piano, dikush po lexonte poezitë dhe papritur një grua e fshehur pas perdes fliste në telefon dhe mendonte se meqë nuk e shihnim, as e dëgjonim. Po fliste gati me zë të lartë gjatë gjithë kohës dhe ndjehej mirë sepse ishte e fshehur pas perdes. Mendova se kjo ishte poezi, sepse ajo kombinonte ndjesinë e të parit e të dëgjuarit dhe e shihte realitetin se “kur nuk më sheh as më dëgjon”. Mendova kjo është poezi. Poezia është kudo.
Poezia mund të jetë kudo, por duhet të jesh i aftë ta nxjerrësh në pah…
Mbaj mend kur isha i ri dhe kisha shefe një grua në punë dhe kishte një vajzë mjaft inteligjente dhe një ditë erdhi te ime më dhe i tha: “Jam shumë e trishtuar për ty” dhe ime më i tha: “Përse?” “Sepse ti nuk e sheh jetën, e sheh atë vetëm përmes poezisë’ .Mendoj se poezia është një mënyrë për t’i kapërcyer vështirësitë, problemet,. Një ndjesi gati sikur je Zoti, se po krijon diçka. Nuk mendoj se po i arratisem jetës. Në psikologji shkoj në thellësi të jetës, ndërsa në poezi e zbukuroj atë.
Thatë se kur krijoni ndiheni thuajse si Zot. E keni shpesh këtë ndjesi teksa krijoni?
Për mua kur shkruaj jam në një gjendje të ndryshme vetëdije. Ndiej se jam në një lloj marrëdhënieje dhe nuk i them vetes ulu dhe shkruaj. Thjesht vjen si një lloj ëndrre dhe ndiej një gjendje të veçantë që nuk e përshkruaj dot dhe pastaj shkruaj dhe kur shkruaj ndjej një kënaqësi të vërtetë dhe. Është një ndjesi e lartë, ndoshta jo si zot, por e ndiej veten lart. Zoti hamendësohet të jetë lart në qiej. Gjatë kohës këtu në Shqipëri po lexoja një poete amerikane në hebraisht Anne Sexton dhe ajo thotë se Zoti gjendet kudo ku nuk duhet të ishte. Një nga librat e mi të ardhshëm titullohet “Paparaci i Zotit”, dhe poemat janë ironike rreth Zotit, Dhe poeti francez Jacques Prevert thotë “Zoti ynë që je në qiell, thjesht qëndro aty ku je!”
Cila është rëndësia që ka Zoti për ju si hebre, poet dhe psikolog?
Mendoj se religjioni i mbajti hebrenjtë të bashkuar . Është i vetmi komb në histori, i cili qëndroi për 2 mijë vjet jashtë vendit dhe nuk u zhduk, ata kontribuuan në botë dhe vazhdojnë të zhvillojnë kulturën janë kultura hebraike. Mendoj se religjioni i ndihmoi. Tani që kemi një vend, mendoj se religjioni nuk është i nevojshëm, mendoj se kultura është e nevojshme. Kultura jonë dhe religjioni janë të gërshetuara. Mendoj se është mirë të ndezësh qirinj të premteve mbrëma, jo se jam religjioz por për atmosferën dhe darkën bashkë me familjen. Mendoj se roli i religjionit duhet të ndryshojë tani nga kombi hebre, është thuajse primitiv në shekullin XXI. Pati një rol, por roli u krye dhe duhet ndryshuar tani. Dhe për keqardhjen time në Izrael kemi parti fetare. Bibla për shembull reflektohet në disa poema sepse është kultura ime. Duhet të jesh i lidhur me të shkuarën por nuk ka pse të jetë e shkuara jote.
Keni shkruar rreth Jezusit në një prej poezive tuaja kur thoni se “Jezusi u ngjall vetëm një herë”…
Duke jetuar në Europë, Jezusi ekziston në vetëdijen time , sepse hebrenjtë nuk e besojnë Jezusin. Madje edhe fëmijët e mi. Kam jetuar në Belgjikë me familjen dhe njerëzit e kanë Jezusin në çdo cep rruge . Edhe fëmijët e mi ishin shumë të vetëdijshëm rreth Jezusit. Në librin tim është një poemë për Maayan, time bijë. Janë dy vargje që i ka shkruar ajo kur ishte 14 vjeç “qiriri djeg herë-herë fitilin dhe kryqi shkatërron kishën nën të”, vargje të cilat nuk do t’i kishte shkruar nëse nuk do të kishte jetuar në Belgjikë. Pra është edhe në vetëdijen e tyre.
A besoni në Zotin judaik?
Së pari më pëlqen të them se nuk besoj te Zoti, por kur e them këtë gjithnjë ndjej një frikë në zemër” Si mund ta them? Zoti do më ndëshkojë për këtë!” Është një shkrimtar i famshëm danez, Jacobsen, ai shkroi një libër për një njeri që donte të mos besonte te zoti, por kur e shoqja dhe i biri i vdiqën ai tha: “Zot të urrej! Por nëse them këtë ,do të thotë se të besoj” . Ishte edhe më i inatosur kur kuptoi se besonte ende te zoti. Është pak e ngjashme, sepse nuk gjej shumë arsye për të besuar te zoti, por shpesh më pëlqen të them se besoj në mitologjinë greke, edhe pse e di se nuk ekzistojnë. Por kur isha në Qipro shkova të shihja tempullin e Afërditës. Po kur nuk ekziston pse shkon t’i vizitosh? Është pak a shumë kështu.
A jeni për shkatërrimin e miteve?
Mendoj se mitet janë të bukura, sepse u përgjigjen nevojave tona. E urrej atë që ka ndodhur, ikonoklazmin, shkatërrimin e vendeve mitike të bëra në emër të patriotizmit. Ne na duhen mitet për të ekzistuar si njerëz, nga njëra anë. Nga ana tjetër, më pëlqen mënyra racionale  e të parit të jetës. Është një lloj konflikti i brendshëm. Ky është flamuri im. Unë them gjithmonë se të jesh njeri është të jetosh mes konflikteve. Për shembull, gratë arabe duan burrat që t’i ndihmojnë në shtëpi, por kur ata e bëjnë mendojnë se kështu nuk janë më mashkullorë sa duhet. Mendoj se vetëm me konflikte dhe kundërshtime brenda. Unë punoj në terapi çiftesh në Izrael dhe ky është problemi; burrat duan të dinë nëse gruaja është bardhë apo zi, edhe gratë po ashtu . Unë u them se duhet të jenë të dyja gjërat, të fortë dhe ndihmues, konformistë dhe modernë. Quhet përzierje, por e quaj të jetosh me kontradikta. Është e mundshme, por shumica nuk e kuptojnë. Kjo çon në konflikte dhe vuajtje. Kështu ndodh edhe me arabët dhe hebrenjtë në Izrael. Nga njëra anë ata i duan hebrenjtë jashtë vendit, dhe nga ana tjetër duan t’i përkasin shtetit të Izraelit. Nëse hebrenjtë do të ishin pak më të mençur dhe do ta kuptonin këtë, do të ndihmonin në ndjenjën e përkatësisë. Është një kontradiktë ku ti do t’i përkasësh këtij vendi dhe do që ky vend të mos ekzistojë. Kur ua kam thënë studentëve të mi këtë, njëri tha: “E saktë, këtë ndjejmë”.
Nëse njerëzit do ta kuptonin, jeta do të ishte më e lehtë.
A është e vështirë bashkëjetesa e hebrenjve me arabët në përditshmëri?
Do të të përsëris çka më ka thënë një student arab: “Jeta jonë do të ishte shumë e mërzitshme nëse hebrenjtë nuk do të ishin”. Për mua është e njëjta. Ndonjëherë ndien inat kur duan të shkatërrojnë shtetin ku jetojnë, ku shkojnë në spitale, shkolla, universitete dhe paguajnë taksa dhe pastaj çmendesh kur ka sulme terroriste dhe sheh se ata nuk janë kundra kësaj. Dhe zemërohesh pse nuk janë kundra terrorizmit dhe ndonjëherë identifikohen me të. Por ditën tjetër e kupton, sepse janë një minoritet dhe është e vështirë të ndihesh i urryer. Është e ndërlikuar. Por bie dakord me atë student. Do të ishte e mërzitshme pa hebrenjtë.
Po Toka e Premtuar, a është një mit?
Është një pyetje politike, por një pyetje e mirë për mua. Nuk jam nga ata izraelitë hebrenj apo të krishterë, edhe të Amerikës që thonë se duhet të shkojmë në Izrael sepse është toka e premtuar. Unë them jo, sepse kam nevojë për vendin, ndaj shkoj. Nuk dua të jem “çifut” dua të jem hebre. Për këtë. Kam nevojë për vendin e të eci krenar sepse është vendi im, por gjithashtu edhe për rrënjët historike. Im atë ka lindur në Poloni dhe e dinte për Izraelin. Megjithëse nuk jemi religjiozë i kremtojmë festat dhe të gjithë hebrenjtë në botë luten “Vitin tjetër në Jerusalem” . Ka një lidhje. Kam nevojë për një shtëpi, një vend, me rrënjë kulturore e historike, edhe nëse është religjioz. E dua këtë shtëpi dhe mendoj se e kemi të drejtën për këtë shtëpi për dy arsye: E para sepse ishim të parët. E kam fjalët të gjithë që jetojnë atje kanë ardhur pas nesh. Por ka nga ata që thonë se nuk keni të drejtë të jetoni atje. Kush e jep të drejtën ? Nëse nuk është fakti që ishim të parët është fakti që jemi më të fortë? Ne jemi të fortë tani. Në të dy rastet kemi të drejtën. Nëse flasim për Izraelin, ka shumë vende arabe, por vetëm një vend hebre. Nuk kemi vend tjetër. Mund ta shijoj Shqipërinë, mund të ndjej se një pjesë e vogël e imja është në Poloni, por Izraeli është vendi im, është shtëpia ime. Fëmijët e mi nuk kanë tjetër shtëpi. Prindërit e gruas sime kanë ardhur nga Rumania, gruaja ime ka lindur në Izrael. Një prej fëmijëve të mi është martuar me një grua , prindërit e së cilës kanë ardhur nga Ukraina, një tjetër me gruan që prindërit kanë lindur në Marok, e kështu… Nuk ka tjetër vend për ne. Ku të shkojmë ?
Shkruani vetëm poezi, a keni provuar në prozë?
Jam përpjekur të shkruaj prozë, por tingëllon si poezi e prishur. Kam bindur veten: jam poet, jo shkrimtar. Nuk ishte mënyrë për të mashtruar veten. Më vinte turp nga ajo që kisha shkruar.
Por ka poetë që bëhen shkrimtarë e nuk mund të shkruajnë më poezi …
Mendoj se në shumicën e rasteve, do them diçka që mund të më urrejnë shumë njerëz, mendoj e poetët e vërtetë nuk e braktisin kurrë poezinë .
A është hera e parë që vizitoni Shqipërinë?
Jo, kam qenë vitin e kaluar, për 60 –vjetorin tim. Doja të bëja diçka të çmendur dhe vjet mendoja se të vija këtu do të ishte gjëja më e çmendur që kisha bërë. Kontaktova me një poet që e e kisha njohur në një festival poezie në Izrael dhe bleva biletat për disa ditë, pastaj kontaktova me Alisa Velajn dhe ajo organizoi një aktivitet në Vlorë që ishte i mrekullueshëm dhe një ditëlindje e paharruar. Më pas kam qenë në kontakt me Alisën dhe folëm për mundësinë për të ardhur sërish, kontaktuam me Behar Gjokën nga Qendra “Pjetër Budi” dhe më pas me ambasadën. E kam shijuar Shqipërinë, dhe po mendoj se do të kthehem sërish për të vizituar Veriun. Kam njohur njerëz të këndshëm, këtë herë kam njohur shumë njerëz dhe kam folur me shumë njerëz. Kupton se njerëzit janë të ngjashëm. Edhe kur isha në një takim në burgun e Durrësit kupton se njerëzit janë të njëjtë ngado, kanë nevojë të përqafohen, të marrin dashuri. Ka vetmi kudo…
A është poezia terapi për ju si psikolog?
Jo është më shumë. Poezia vjen para Psikologjisë. Nëse dikush do të me jepte të gjitha paratë e Bill Gates-it dhe të më thotë se do të zhduken të gjitha poezitë e nuk do të shkruash më, do të thosha jo, Por nëse dikush më jep të gjitha paratë e Bill Gates-it dhe më thotë të mos punoj më si psikolog do të pranoja. Jam pa dyshim poet e nuk do e ndryshoja për asgjë. Edhe sikur të më thotë se do të vdisja nesër dhe poezitë e mia do të jetonin, por mund të jetoja edhe 30 vjet të tjerë e poezitë e mia nuk do të rronin, do të zgjidhja të vdisja nesër.