Monday, May 16, 2016

Burrnesha në kërkim të gruas


Pasi bëri xhiron e suksesit në kinematë botërore dhe në disa festivale prestigjioze të filmit, filmi “Burrnesha” mbërriti edhe në Tiranë për të çelur zyrtarisht edicionin e 13-të të Tirana International Film Festival. Regjisorja Laura Bispuri rrëfen se si e ka studiuar fenomenin dhe se si përmes një burrneshe sjell jetët dhe motivet e gjithë atyre që e kanë përqafuar këtë zgjedhje. Në fund, burrnesha çlirohet duke rimarrë femëroren që i ishte mohuar
Nga Suadela Balliu
Në shoqëritë postmoderne ku diskutimet mbi seksualitetin sillen –ose edhe i kanë tejkaluar në disa syresh –rreth temave si feminizmi dhe çlirimi transgjinor publikut botëror dhe kinofilëve u vjen një histori arkaike nga Shqipëria…Burrneshat apo virgjëreshat e betuara që nga identiteti i tyre seksual kanë hequr dorë me një premtim sipas ligjësive të Kanunit, një kod zakonor ndoshta vështirë i shpjegueshëm për pjesën tjetër të botës, por që regjisorja italiane Laura Bispuri ka marrë përsipër ta bëjë me filmin e saj “Burrnesha”, i cili pasi bëri xhiron e suksesit në kinematë botërore dhe në disa festivale prestigjioze të filmit (rrugëtimi kujtojmë që nisi në Berlinale ku filmi u prit mirë edhe nga kritika) mbërriti edhe në Tiranë për të çelur zyrtarisht edicionin e 13-të të Tirana International Film Festival.
Ashpërsia e maleve dhe e traditave të lashta, së cilave banorët, burra e gra u binden siç forcës së gravitetit, fotografi e fuqishme dhe dialogë të thjeshtë, lakonikë, ndoshta prej vështirësisë që mund të kishte hasur aktorja protagoniste, italiania Alba Rohrwacher ose për të përcjellë ashtu thjesht karakterin malësor ku fjalët duken të tepërta dhe…një histori gruaje në kërkim të rigjetjes së asaj çka kishte humbur; vetes.
Sigurisht që tematika është ekzotike, me një lloj joshjeje të menjëhershme, për të cilën regjisorja Bispuri ishte e vetëdijshme qysh prej fillimit, kur zgjodhi të trajtojë në kinematografinë fiction një fenomen si ai i burrneshave. Filmi është një përshtatje e romanit “Hana” të shkrimtares Elvira Dones.  “Historia e ka një tërheqje shumë të fortë dhe qysh prej fillimit e kishte këtë, por besoj se nuk do të tërhiqte më pas nëse filmi nuk i përgjigjej kësaj pritshmërie dhe nuk i kënaqte ato”, – u shpreh regjisorja Laura Bispuri gjatë konferencës për mediat, gjithashtu e pranishme në premierën shqiptare – ku u vu re mungesa e protagonisteve Alba Rohrwacher dhe Flonja Kodheli, të cilat, për shkak të angazhimeve profesionale nuk mundën të ishin dje në Tiranë.
Sipas regjisores Bispuri, suksesi i këtij filmi, për të cilin ajo shprehet se është i dashur dhe i pëlqyer nga publiku botëror, i dedikohet jo vetëm historisë, por edhe dashurisë dhe transparencës së hedhur në punë.
“Është një film që të bën të reflektosh mbi dilema të mëdha dhe që emocionon, sepse arrin të depërtojë dhe kjo ishte ajo çka desha pikërisht”, – është shprehur Bispuri.
Fenomeni i burrneshave vjen i trajtuar me seriozitet dhe për të shmangur keqkuptimet, qoftë edhe ato kulturore të një regjisoreje të huaj, e cila kishte perceptimin e saj për vetë fenomenin e që ndryshoi gjatë rrugës, Bispuri rrëfen se ka hulumtuar gjatë, duke iu referuar literaturës dhe studimeve të ndryshme mbi këtë temë. Megjithatë, shqipja në gojën e protagonistes, portretizuar nga Alba Rohrwacher tingëllon e huaj, edhe pas përpjekjeve për të qenë në dialektin gegë, e bën të qartë që regjisorja Bispuri ka pasur vëmendjen te publiku i huaj. Në fund të fundit, ky fenomen arrin të habitë vetëm këtë të fundit.
“Kam lexuar Kanunin, natyrisht, librat e Kadaresë e gjithçka mund të lexoja. Kam lexuar librin e Antonia Young-ut ‘Gratë që bëhen burra’, ku flet për virgjëreshat shqiptare të betuara. Në fakt ka mjaft material që qarkullon. Vetë Elvira Dones ka xhiruar një dokumentar duke intervistuar burrnesha dhe gjendet në internet. Në fillim ideja ime lidhej me të kuptuarit fenomenin e burrneshave, ligjeve dhe zakoneve. Ajo që ndodhi më pas ishte përvoja ime e drejtpërdrejtë, jo vetëm me takimet me burrneshat, por edhe me vendin. Grumbulloja informacione që ndonjëherë ishin kontradiktore me idenë time rreth fenomenit të burrneshave.
Kjo gjë në fillim më sfidoi dhe më stepi, por më pas u mundova t’i jap forcë kësaj historie, sepse kuptova se fenomeni lidhet me persona të ndryshëm dhe me nuancimet rreth fenomenit. Çdo burrneshë ka një histori të vetën dhe një motiv për këtë zgjedhje ekstreme. Çdo virgjëresha ka historinë, frikërat, pasiguritë, melankolitë… secila ka botën e saj”, – ka rrëfyer Bispuri, duke shtuar që të gjithë traditën dhe fenomenin e burrneshave e ka projektuar te njëra syresh. “Nuk mund të tregoja historitë e të gjithave, përvoja dhe njohuria e fenomenit brenda një personazhi që vjen me shtresëzimet e duhura”.
Filmi rrëfen historinë e njërës prej virgjëreshave që vendos ta braktisë këtë zgjedhje.
Hana e kthyer në Mark, pas shumë vitesh kaluar në ashpërsinë e maleve dhe izolim ku trupi i saj është ngurtësuar njësoj si malet nisë ta dëgjojë zërin e brendshëm të Hanës dhe për herë të parë në jetën e saj nis të kënaqë këtë trup që çlirohet –përmes simbolikës së ujit –dhe rimerr anën femërore që ishte mohuar.
Udhëtimi i Markut është njëherazi i jashtëm –në takimin me kushërirën Lila, me të cilën ishte rritur – dhe i brendshëm në zbulim të seksualitetit, të cilin e gjen në krahët e një burri.
Alba Rohrwacher, edhe me pak dialogë në shqipen gege, ka arritur të portretizojë fuqishëm burrneshën apo gruan e mbërthyer pas petkave të një betimi burrëror, ndërsa Flonja Kodheli në rolin e Lilës sjell gruan shqiptare, që di të jetë e butë edhe pse e rritur në male dhe po aq e fortë për t’i thyer rregullat e të marrë vetë në dorë frerët e jetës së saj, siç ishte edhe arratisja me të dashurin që më pas bëhet bashkëshorti i saj, e cila vjen me një lojë të zhdërvjellët interpretuese.
Bruno Shllaku sjell patriarkun malësor që pas sipërfaqes së vrazhdë të një shoqërie maskiliste, zbulon dhembshurinë dhe pafuqinë për t’i ndryshuar rregullat.
Aktorja nga Kosova, Ilire Çelaj në rolin e nënës, arrin të dëgjohet në monologët të saj të heshtur, një zë që flet për të gjitha gratë e malësisë.
“E kam parë si dhuratë të çmuar rolin e Katrinës. E kam gjetur një sfidë të jashtëzakonshme që një grua malësore së cilës nuk i jepet e drejta të flasë, të mund të veprojë në heshtje dhe heshtur pas vdekjes me dashurinë e nënës, t’i afrojë dy motrat. Këtë e shoh si një linjë shumë të bukur emocionale, në kontrast me malet e ashpra. Ajo që më ngjall emocion sa herë shoh filmin është ideja që liria është universale dhe nuk ka rëndësi se nga cila krahinë apo kanun vjen… lidhet me një sakrificë, që e bën më të bukur përjetimin e kësaj lirie.
Regjisorja Laura Bispuri vlerësoi edhe punën e dy vajzave nga Valbona, Drenica dhe Dajana Selimaj, për të cilat rrëfen se i gjeti në udhëtimet e saj të para në zonën e Valbonës, ku më pas do të xhirohej dhe ngjashmëria e dy motrave me aktoret protagoniste ishte mbresëlënëse.
“Për mua, të punoja me dy vajzat ishte shumë e rëndësishme. Më shumë se një herë me Albën e kemi vëzhguar Drenicën dhe kemi mësuar ne nga ajo. Drenica, një vajzë shumë emotive, bashkë arritëm shumë shpesh të komunikonim në mënyrë të drejtpërdrejtë, përtej gjuhës. Ka qenë e jashtëzakonshme, sepse edhe një aktore me eksperiencë të madhe nuk do të arrinte të bënte planet që ka bërë Drenica”, – përfundoi Laura Bispuri, duke shtuar se tashmë, qysh prej nisjes në Berlin, ky film ka ende rrugëtim për të bërë në kinematë e botës, duke çuar jo vetëm një histori ekzotike, të virgjëresha të betuara që e shkojnë jetën si burra në një cep të botës, në malet e Shqipërisë, jetesën arkaike sipas kodeve zakonore, si Kanuni, trashëgimi kulturore si “Gjama e burrave”, e cila portretizohet fuqishëm në një skenë të filmit, por edhe një histori çlirimi të gruas, e cila edhe në situata të vështira vendos vetë për veten.

Çerekshekulli tranzicion; A ka ende për t’u shkruar?



BustiPas pak ditësh bëhen plot njëzet e pesë vite nga Lëvizja e 8 Dhjetorit 1990, që do të shërbente si ndezës i  ndryshimeve të mëdha në vend, ose për t’i shtuar edhe më dramacitet periudhës së gjatë të tranzicionit, u bë çerekshekulli që shoqëria përjeton periudhën e ndryshimit pa arritur në pikën fundore, tokën e premtuar…
Nga Suadela Balliu 
Nëse do të kishim një vegim biblik, shqiptarët e vitit 1990 mund t’i përngjisnin popullit të Izraelit në brigjet e Detit të Kuq, në pritje për të kaluar drejt tokës së premtuar…Asaj toke të premtuar me emrin demokraci, pluralizëm, liri dhe të drejta, prosperitet, sisteme që do të lulëzonin ekonominë i ishin drejtuar edhe shqiptarët, ndërsa luftonin me armët demokratike
(edhe pse  për gjysmë shekulli ishte harruar edhe fjala bashkë me kuptimin) të protestave, demonstratave dhe grevave të urisë për t’i dhënë fund regjimit autoritar.
Periudha e kalimit drejt atij sistemi të shumë-ëndërruar, që do ta bënte Shqipërinë si e gjithë Europa, quajtur ndryshe tranzicion do t’i përngjiste më shumë endjes së gjatë 40-vjeçare  të hebrenjve nëpër shkretëtirë, gjithnjë nëse paralelizmi biblik qëndron.
Pas pak ditësh bëhen plot njëzet e pesë vite nga Lëvizja e 8 Dhjetorit 1990, që do të shërbente si ndezës i  ndryshimeve të mëdha në vend, ose për t’i shtuar edhe më dramacitet periudhës së gjatë të tranzicionit u bë çerekshekulli që shoqëria përjeton periudhën e ndryshimit pa arritur në pikën fundore, tokën e premtuar…
Një kalim që ka dëshmitarët e saj dhe shkruesit e historisë së re. Aktorë të lëvizjes studentore, themelues të partive opozitare, pjesëmarrës në zgjedhjet e para pluraliste, protagonistë të politikës së re, studiues e kritikë…Shumë janë ata që kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë për tranzicionin shqiptar, i cili si shndërrim pambarim duket temë që askush- sado hollësi, sado fakte të reja, sado të fshehta të hedhura në dritë të lexuesit të sjellin – nuk mundet ta shterojë. UET Press është një nga shtëpitë botuese që temës së tranzicionit i ka kushtuar rëndësi të veçantë  në botimet e saj.
Qëllimi ka qenë për të mbushur një vakum, si edhe për të kontribuar në qartësimin e asaj çka është bërë deri më tani, por edhe duke hedhur teza se ç’mund të ishte bërë më mirë apo ç’mund të ishte shmangur.
Janë katërmbëdhjetë titujt e botuar nga  UET Press për tranzicionin e shpalosur në tri dimensione; atë politik, shoqëror dhe ekonomik.
Kryeministri i  27-të i Shqipërisë, ose i pari kryeministër pas regjimit komunist, Aleksandër Meksi ka sjellë versionin e tij të fakteve dhe të kujtimeve për dhjetorin e vitit ’90.
“Kam qenë ndër të parët që kam këmbëngulur që historia e popullit shqiptar duhet të rishkruhet në kushtet e çlirimit nga ideologjitë prapanike dhe të presioneve të shtetit autoritar. Ajo duhet të rishkruhet mbi baza të rrepta shkencore dhe jo e politizuar. Që të mund ta arrijë këtë ajo duhet të mbështetet në fakte të pakundërshtueshme e të dokumentuara me akte e dëshmi të besueshme dhe me një analizë të mirëfilltë shkencore e me ndershmëri”- shkruan Meksi në librin e tij “Dhjetor 90”, botuar nga “UET Press” në kolanën “Scripta manent”.
E duke i mbetur këtij pohimi latin, me të cilin është pagëzuar kjo kolanë, se  e shkruara mbetet, ndërsa fjalët i merr era, për Meksin  publikimi i dokumentacionit historik do të pamundësojë hamendësimet apo sajimet për nga naiviteti dhe dashakeqësia.
“Ky ka qenë edhe synimi ynë në përgatitjen e këtij botimi, t’i japë lexuesit, mbështetur në dokumente autentike, një tablo të asaj që ndodhi, por jo opinionet apo kujtimet e protagonistëve, të dhëna në kohë të ndryshme shpesh dhe jo të njëjta”, – përfundon Meksi.
Shkrimtari Preç Zogaj,  njëherazi aktor i zhvillimeve politike qysh prej’90  vjen me tre tituj, të lidhur pikërisht me zhvillimet  në  vend gjatë këtyre 25 viteve.
“Ngjarje ka shumë, por nuk pretendoj se janë të gjitha këtu. Nuk më shkon mendja. Unë nuk jam historian, as i kam vënë vetes për qëllim të ulem e të shkruaj një libër historik. Jam një shkrimtar dhe publicist që ka qëlluar të jetë edhe pjesëmarrës në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme politike të viteve nëntëdhjetë dhe më vonë”- do të shprehej Zogaj në një intervistë rreth librit të tij më të fundit.
“Fillimet’ është thjesht libri im, nuk është historia e fillimeve. Janë shkruar disa libra për vitet nëntëdhjetë. Sekush ka shkruar librin e tij, por edhe sikur t’i shkrinim në një libër të vetëm gjithë librat e botuar nuk mund të themi se kjo është historia. Deviza e shkrimtarit është e vërteta për ngjarjet që fut në libër, jo tërësia e tyre”- është i mendimit Zogaj.
Servet Pëllumbi, ish- Kryetar i Kuvendit dhe një prej drejtuesve të Partisë Socialiste, ka sjellë fakte dhe këndvështrimet e tij mbi tranzicionin në librin “Përmbysja e komunizmit”.
Libri tërhoqi menjëherë vëmendjen e mediave  për shkak të ngjarjeve që Pëllumbi ka përfshirë  në libër si  eksodi i ambasadave të 2 korrikut,  mbledhje e Plenumit të PPSH-së më 26 korrik apo mbledhja e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit më 12 gusht në Pallatin e Kongreseve për të diskutuar çështjen e pluralizmit… Në këtë libër duket se Pëllumbi ka sjellë një atmosferë të gjallë të atyre ditëve si edhe ka sjellë fakte të paskuintave, edhe pse autori e ka  cilësuar si këndvështrim filozofik mbi ngjarjet e vitit ’90-91.
“Shumëkush që ka shkruar apo ka folur për atë kohë i tregon historitë sikur regjimi komunist u përmbys nga individët dhe nuk kuptohet që realisht komunizmi nuk është çështje individësh, nuk është përmbysja e tij çështje e një sekretari të parë të partisë, ajo është një çështje e sistemit politik. Pra në këtë kuptim e konceptova librin tim, shkrova filozofinë e përmbysjes së komunizmit, jo me shembuj dhe fakte apo përvoja dhe kujtime personale, të cilat nuk mungojnë por janë anësore, por ajo që unë jam përpjekur të bëj është të shkruaj filozofinë e përmbysjes”, tha ai duke folur gjatë promovimit të librit të tij”- do të deklaronte Pëllumbi gjatë promovimit të librit në Universitetin Europian të Tiranës.
Më e reja që i është bashkuar rrjedhës së shkrimeve mbi tranzicionin është ish-ministrja e Integrimit, deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu, e cila gjatë Panairit të Librit vitin e kaluar promovoi librin “Europë Ik E ja”; rrugëtimi i Shqipërisë  dhe i vetë ministres si përfaqësuese   drejt integrimit europian.
“Nxitur dhe nga fakti që ky proces (i integrimit) është i gjatë por i padokumentuar dhe duke qenë se eksperienca ime ishte më e gjata në këtë ministri, 7 vjet, nisi nga marrëveshja e Asociim-Stabilizimit dhe përfundoi me marrjen e statusit kandidat, i cili vetëm datën e lançimit arriti me qeverinë aktuale, sepse çdo gjë tjetër u përfundua gjatë qeverisjes tjetër. Ndaj mendova se mund të ishte interesante për t’i shkruar, megjithëse aty mungojnë qindra detaje. Sigurisht kisha shumë kohë, sepse kur je në qeveri nuk ke kohë, sidomos në këtë proces që ka gjithmonë afate”- është shprehur Bregu pak ditë pas botimit të librit, duke e quajtur rrugëtimin europian si një  përçapje ku shpesh  na është dashur ta nisim rrugën nga e para, si të ishte një lloj destini i keq ai që bëhet pengesë për integrimin europian.
Më gjithëpërfshirës në trajtimin e historisë ka qenë avokat Spartak Ngjela, i cili i ka dhuruar lexuesit  një fushëpamje të gjerë kohore, prej vitit 1957 e deri më  2010 –ën, periudhë të cilën ai e ka quajtur tirani.  “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” ka ardhur më tre vëllime nën siglën “UET Press” dhe kolanës “Scripta  Manent” . E kthyer thuajse në një sagë me kujtimet, përjetimet e refleksionet e Spartak Ngjelës për një kohë tiranie, vëllimi i tretë i ka sjellë ngjarjet  më të afërta në kohë, aty ku edhe memoria kolektive është më e gjallë edhe i ka të freskëta ngjarjet e përmbysjet.
Autori rrëfen për Tiranën e marsit ‘92, kur kishte ardhur në pushtet Partia Demokratike.
Shoqëria kishte hyrë më në fund në një rrjedhë historike që nuk i vinte dot emër, që e ndiente se gjithçka po shtyhej nga kotësia, por që asnjëherë nuk e mendonte si të ardhme. Prandaj kishte ardhur një kohë që gjithkush ishte hedhur në jetën e tij dhe askush nuk e dinte se cila duhej të ishte në fakt ajo që do të shpresonte. Rrëfimet dhe refleksionet e Ngjelës për kohën e tiranisë vijojnë deri në vitin 2010 dhe autori ka në plan të sjellë ndoshta edhe dy vëllime të rinj për lexuesin.
“Historia e përjetuar shkruhet, ndërsa historia e shkruar përjetohet. Ky është thelbi i historicizmit dhe këtë kam dashur të jap dhe unë në librin tim. Kam përjetuar një histori, e kam analizuar një periudhë prej 30 vjetësh dhe e kam shkruar. Pse e kam shkruar ? E kam shkruar se kam përshtypjen se ne kemi një segment bosh në histori. Historia është kontinuitet, prandaj ndihet. Fakti që duhet mbushur ky boshllëk, unë hodha i pari idetë e mia”, – e argumentonte Ngjela librin e tij.
Studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni, në vazhdën e pasqyrimit të historisë së re të Shqipërisë pluraliste ka sjellë librin e saj “Trashëgimtarët”, i cili zë fill më 12 qershor të vitit 1991. Një libër studimor mbi fasadën dhe kulisat e themelimi të Partisë Socialiste të Shqipërisë, informacione, të dhëna arkivore dhe nga burime të ndryshime e intervista ekskluzive të disa protagonistëve si: Xhelil Gjoni, Spiro Dede, Ismail Lleshi, Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Guro Zeneli, Dritëro Agolli  e Ramiz Alia. Aktin e themelimit të gjithë janë rrekur ta përcjellin ashtu siç e kanë mbajtur mend. Por autorja nuk e ka ndërprerë rrëfimin. E ka vijuar më tej, kur historia nis të vishet edhe me të pavërteta, gjysmë të vërteta apo manipulime të së vërtetës. Pas disa vitesh, fjalët dhe veprat e munguara kujtesa i merr si të vërteta. Luljeta Progni shtron pyetjen nëse ishte e aftë Partia e Punës e Shqipërisë ta kryente vetë ndryshimin për të cilin edhe kishte pretenduar, apo rrekeshin ta mbanin ende në këmbë sistemin komunist.
Janë mbushur 25 vite dhe shteti pluralist shqiptar, tashmë një burrë i ri, gati për t’i marrë frerët e fateve të veta në dorë,  është duke u endur në një proces të dhimbshëm shndërrimi për ta parë veten nga larvë, në flutur. Por treni i tranzicionit, siç e quan ekonomistja Luljeta Minxhozi këtë periudhë, duket një rrugëtim pambarim.
Kishim menduar të gjithë se regjimi nuk e lëshonte pa shkuar gjaku në gju të kalit. Ashtu ishte kapur, me thonj e me dhëmbë, në udhëkryqin e kohës tirania shqiptare. Kishim menduar se do të bëheshim me gjak. Por ishim bërë vetëm me baltë. Nuk e dinim at’botë se, balta, do t’i ngjitej si mallkim tranzicionit të gjatë të Shqipërisë, shkruan Preç Zogaj në librin e tij.
Duket se ashtu si populli hebre, jemi ende në brigjet e Detit të Kuq, në pritje të tokës së premtuar, pa e kuptuar se kemi kaluar në pritje njëzet e pesë vjet. Ndoshta  ka ende shumë për të shkruar, që të mos kalojnë edhe njëzet e pesë të tjerë në tranzicion…

Ermonela Jaho: Rruga drejt shtëpisë kalon përmes botës


ermonela jahoSopranoja me famë botërore flet për sukseset ndërkombëtare të këtij viti në Francë, Spanjë e Brazil dhe aktivitetet që e kanë sjellë shpesh në Tiranë. Ndonjëherë rruga drejt shtëpisë, rrëfen Ermonela Jaho, të bën të kalosh përmes gjithë botës, ndërsa zbulon rolet, kalendarin artistik të vitit që vjen, që e sheh sërish me Madama Butterfly në Gjermani, Suor’ Angelica në Londër, Përrallat e Hoffman-it në Paris e Desdemona në Madrid…
Intervistoi: Suadela Balliu 
Ishte 18 vjeç kur e interpretoi për herë të parë Violetën, pak përpara se ta linte Shqipërinë për ta ndërtuar karrierën gjetiu. Tani, pas 25 vitesh numëron 232 interpretime të operës “Traviata” në petkat e heroinës romantike me fatin e keq…Hera e fundit ishte në Operan Mbretërore të Madridit. Një sukses i vërtetë -e quajti shtypi spanjoll- e kjo për meritë të madhe të sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Në Operan e Bastille-ës, ku së fundi interpretoi “Madame Butterfly” e pagëzuan si “Mrekullia Ermonela”, një zë që do ta bënte edhe më të pandjeshmin të lotonte.
Qysh kur e la Shqipërinë i ka rënë kryq e tërthor botës dhe është ngjitur thuajse në të gjitha skenat e operave më në zë, por duke mos harruar t’i kthejë sytë edhe nga vendi. Ndonjëherë thotë ajo, rruga drejt shtëpisë kalon përmes botës…Vitin e kaluar iu prezantua publikut shqiptar si Cio-Cio-san në “Madama Butterfly” e paskëtaj nisi një seri rikthimesh për sopranon; një koncert bamirësie dhjetorin e shkuar , në fillim të këtij viti në rrobën e bardhë të “Suor’ Angelica” dhe vetëm pak ditë më parë iu përgjigj ftesës për të qenë pjesë e një kursi specializimi për artistët e rinj të kantos lirike.“Kur njeriu largohet nga shtëpia e tij, detyrimisht jeta e bën të shohë të gjitha aspektet e jetës, por sidomos vendin e tij, nga një perspektivë tjetër. Shumë shpejt problemet e “mëdha” që të ngacmonin më parë në vendlindje marrin një dimension shumë më të vogël dhe pranë realitetit. Gjithsesi, kthimi në një vend ku ke kaluar vështirësi të jep gjithmonë një kënaqësi të veçantë”, – rrëfen Ermonela , me dëshirë gjithnjë për të dhënë pjesën e saj në artin shqiptar. E hapur për ftesa nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Tiranë, edhe pse diçka konkrete ende nuk ka, Ermonela Jaho zbulon kalendarin e ngjeshur për vitin që vjen, i cili nis me “Zaza” një opera të Leoncavallo-s me orkestrën simfonike të BBC-së, e cila do të shfaqet si koncert i në Barbican Hall, në Londër. Më pas e pret “Butterfly” në Poloni, në Barcelonë e çon “Desdemona”, “Suor’ Angelica” në Londër, “Manon Lescaut” në Mynih, Butterfly në Berlin, Turandot në Shtutgart, recital në Paris Theatre des Champs-Elysees, Butterfly në Orange, Francë, “Desdemona” në Madrid, “Përrallat e Hoffman” në Operan Nacionale të Parisit, etj. 
Ka pak që keni mbyllur “Madame Butterly” në Operan e Bastille-s. Ç’ndjesi ju la komenti i gazetarit dhe poetit Alain Daualt, i cili ju quajti “Mrekullia Ermonela Jaho”?
Është e kuptueshme që kur lexon fjalë vlerësimi nga profesionistë në fushën tënde ndihesh shumë mirë. Për sa kohë artisti është i sinqertë me veten dhe publikun, kufijtë e shteteve dhe diferencat kulturore mes popujve zbehen krejtësisht. Mendoj se kjo është edhe filozofia ime si artiste.
Në Teatrin Mbretëror të Madridit, në Operan “Traviata” mediat spanjolle shkruanin se një pjesë e madhe e suksesit të shfaqjes i dedikohet sopranos Ermonela Jaho. Si ishte kjo eksperiencë për ju? Si e sollët Violetën për publikun spanjoll?
Edhe në këtë rast çelësi i suksesit ka qenë vërtetësia. Nuk duhet të harrojmë që po flasim për vende, të cilat kanë një shkollë dhe kulturë operistike shekullore. Ajo që unë kërkoj të jap sa herë ngjitem në skenë, është një emocion i pastër i Ermonelës, pa imituar askënd. Përsëritja është nëna e dijes, por në art është njerka më e keqe. Profesionisti i vërtetë mëson nga shumë kolegë të tjerë, por asnjëherë nuk duhet të përsërisë si papagalli një zgjedhje teknike apo shije artistike pa e asimiluar tërësisht atë. Unë i qëndrova besnike vetes dhe rolit dhe kjo jehoi tepër natyrshëm me shijet e publikut spanjoll. Pikërisht ne atë moment shkëmbimi i energjive mes të dy palëve u be tepër efikas dhe shprehës.
Gjatë verës ishit në San Paulo të Brazilit me operan “Thais” , një rrugëtim fizik dhe një rrugëtim karakteresh. Gjuha e muzikës lirike është universale, por sa të afërt e ndjetë publikun brazilian?
Publiku brazilian qe i veçantë për mua, sepse ishte hera e parë që këndoja dhe përballesha me të. Ky produksion ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura të karrierës sime. Një kombinim fantastik ku të gjithëve na bashkoi një eksperiencë shpirtërore, filozofike si ajo e Thais. Të gjithë artistët, duke filluar nga regjisori, skenografi, orkestra etj., u bëmë pjesë e një rrugëtimi drejt një dimensioni tjetër. Thais është një opera me një efekt meditimi kolektiv dhe sa kohë që ky efekt respektohet, është e pamundur të mos jehojë edhe me publikun. Mendoj pikërisht se efekti që cilado vepër arti duhet të japë është ai i zhytjes se publikut në një katarsis kolektiv, i cili nuk mund të dalë dot nga teatri përveçse në mendime dhe reflektim të thellë.
Duhet thënë që ky vit ju ka parë edhe shumë pranë skenave shqiptare. Pas “Madame Butterfly” në TKOB, jeni kthyer për disa evente, si koncerti i bamirësisë dhjetorin e shkuar, opera “Suor’ Angelica” e së fundi me një kurs specializimi për artistët e rinj. Si është kthimi në shtëpi?
Rruga për në shtëpi kalon përmes gjithë botës ndonjëherë… por mendoj se ky rrugëtim është një eksperiencë pozitive dhe rritëse për këdo. Kur njeriu largohet nga shtëpia e tij, detyrimisht jeta e bën të shohë të gjitha aspektet e jetës, por sidomos vendin e tij, nga një perspektivë tjetër. Shumë shpejt problemet e “mëdha” që të ngacmonin më parë në vendlindje marrin një dimension shumë më të vogël dhe pranë realitetit. Gjithsesi, kthimi në një vend ku ke kaluar vështirësi të jep gjithmonë një kënaqësi të veçantë. Kam pasur gjithmonë dëshirën që të jap kontributin tim në e vendin ku jam lindur dhe formuar një pjesë të madhe të karakterit tim. Mendoj se ka shumë potencial të paeksploruar në mbarë botën e shqiptarëve të emigruar, të cilët mund të kontribuojnë jashtë mase drejt vendit të tyre. Sa kohë që ata ftohen dhe respektohen për mendimet e tyre dhe anasjelltas, vendi ynë mund të përfitojë shumë.
A keni ftesa apo projekte të tjera që ju lidhin me Shqipërinë?
Shqipëria është pjesë e ekzistencës sime, ka qenë dhe do jetë. E dua vendin tim, dhe jo në mënyrë retorike, por në mënyrë ideale dhe sa të kem frymë dua të jap kontributin tim profesional dhe human, me dashuri të pakushtëzuar. Kam disa ftesa, por ngarkesa profesionale më kushtëzon jashtë mase në këto momente. Gjithsesi ku ekziston dëshira, ekziston edhe mundësia.
Sa i ruani lidhjet me artistët shqiptarë jashtë vendit? Në një intervistë me pianistin Genc Tukiçi, më foli rreth një bisede që ju kishit pasur se sa mirë do të ishte sikur ju artistët shqiptarë me karrierë e famë jashtë të bëheshit më shpesh bashkë në aktivitete… Ideja juaj është edhe për bashkëpunime jashtë kantos lirike?
Mendoj se bashkëpunimi midis shqiptarëve do të jetë një hap shumë domethënës, për arsye se predikohet shumë, por bëhet shume pak. Aftësia për të punuar me njëri-tjetrin do të na bënte të kuptonim dhe përdornim të gjithë potencialin e kësaj energjie, e cila për momentin humbet me “luftëra” të pavlera individuale ose nuk arrin të materializohet fare për arsye izolimi individual . Bashkëpunimi, vlerësimi dhe respekti për njeri-tjetrin na bën qenie njerëzore më të mira dhe si pasojë, shqiptarë më të mirë.
Sa janë rolet që keni interpretuar deri më tani dhe nëse do të veçonit një – atë që e doni më fort- cili do të ishte?
Rolet janë të shumta dhe nuk arrij dot t’i kujtoj të gjitha pas 25 viteve karrierë profesionale. Nuk mund të veçoj një rol të vetëm, sepse kam zbuluar se bie gjithmonë në dashuri me rolin që po punoj në atë moment. Mendoj se kështu duhet të jetë e vërtetë, artisti duhet të jepet krejt në cilindo vepër që po përgatit.
Kam lexuar në një artikull se deri para pak kohësh e kishit interpretuar rolin e Violetës në “Traviata” e Verdit 228 herë, pa përfshirë Teatrin Mbretëror të Madridit. Sa ka shkuar numri i interpretimit të këtij roli dhe a është ajo më e dashura për ju?
E vërtetë, Traviata është roli që kam kënduar më shumë dhe numri i tyre ka arritur në 232. Është një rol që e dua shumë, sepse me të kam thurur ëndrrën për t’u bërë këngëtare operistike dhe në të njëjtën kohë ka qenë opera e parë që kam parë në teatër. Traviata është një lloj termometri, teknik dhe shpirtëror për mua. Sa herë ngjitem në skenë me këtë rol shoh ëndrrën time që realizohet, por edhe kuptoj rrugëtimin e vështirë që i nevojitet një artisti për të arritur në majë.
Duke mbetur te rolet, cili ka qenë roli juaj i parë në opera? Si e kujtoni atë kohë? emocionet e para…
Roli im i parë ka filluar në Tiranë me Traviatën, por ai profesional jashtë Shqipërisë, të cilën e kam lënë kur isha 18 vjeç, ka qenë L’amico Fritz nga Mascagni. E këndoja këtë rol dy herë në ditë për të mbijetuar dhe vetëm sot e kuptoj se çfarë bën vrulli dhe dëshira e papërmbajtur për të kënduar në skenë . Ishte një aventurë që me logjikën e sotme nuk do ta merrja kurrë përsipër, megjithëse shumë më e përgatitur teknikisht sot.
A mbeten emocionet po aq të fuqishme edhe pas shumë vitesh përvojë? Po procesi i të bërit tuajin një rol është po i njëjti, edhe kur i keni interpretuar me dhjetëra e qindra herë ?
Emocionet janë po aq të forta edhe pas shumë vitesh. Kam zbuluar se me kalimin e viteve ajo që zhvillohet tek unë është aftësia për t’u zhytur në thellësi të tjera të një roli. Diçka kjo që sa vjen dhe zhvillohet edhe më shumë me eksperiencë. Artisti dhe veçanërisht muzikantët nuk dalin kurrë në pension, ata shkruajnë dhe këndojnë muzikë derisa nuk kanë me muzikë brenda vetes. Shpresoj që kjo muzikë të mos shterojë kurrë, sepse nuk e imagjinoj dot jetën pa të.
Nga Tirana në skenat më të mëdha botërore, si e shihni veten kur ktheni kokën pas? E kishit imagjinuar një përmasë të tillë të famës? A është e vështirë të menaxhohet kjo e fundit?
Unë jam shumë ëndërrimtare si njeri dhe gjithmonë kam menduar të bëhesha kjo që u bëra. Ajo që nuk mendoja ka qenë sakrifica që duhej dhe duhet për të arritur, mbajtur dhe zhvilluar suksesin.
Nëse do të mundeshit me një fjalë, si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj?
Përkushtim.
Me kalendarët e ngjeshur artistikë dhe punën intensive nga roli në rol, a mbani një regjim të fortë fizik?
Absolutisht po. Disiplina fizike, por edhe ajo dietike dhe profesionale janë të panegociueshme. Trupi human është një makinë vetëriparuese, por ushqimi i duhur, aktiviteti fizik dhe pushimi i bollshëm janë elementë që duhet të jenë gjithmonë të pranishëm që kjo makinë të funksionojë siç duhet.
A ju vjen keq kur ju duhet të ndaheni nga një rol, pra kur mbaron numri i shfaqjeve për një opera të caktuar?
Kjo më ndodh shpesh, por gjej gjithmonë ngushëllim në faktin që roli tjetër do më ofrojë të shoh botën me një sy tjetër. Artisti ka gjithmonë privilegjin të udhëtojë në kohë përmes personazheve dhe kjo është një aftësi që e bën jetën shumë interesante.
Pas “Madame Butterfly”, me çfarë jeni e angazhuar aktualisht? Në cilat skena dhe opera do ju shohim?
Jam duke u përgatitur për një opera të vështirë veriste të Leoncavallo-s, që nuk është regjistruar asnjëherë e plotë dhe pa ndryshime. Titullohet “Zaza” dhe do kem kënaqësinë ta regjistroj për “Opera Rara” me orkestrën simfonike të BBC-së dhe ta shfaqim në formë koncerti në ‘Barbican Hall’, në Londër. Më pas vijon ‘Butterfly’ në Poloni, dhe fillon 2016-ta në Barcelonë me ‘Desdemona’, ‘Suor’Angelica’ në Londër, ‘Manon Lescaut’ në Mynih, ‘Butterfly’ në Berlin, ‘Turandot’ në Shtutgart, recital në ‘Paris Theatre des Champs-Elysees’, ‘Butterfly’ në Orange, Francë, ‘Desdemona’ në Madrid, ‘Përrallat e Hoffman’ në Operan Nacionale të Parisit etj

Një roman për një vend në kufijtë e legjendës



namik dokleNjë libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat, aq sa edhe mbi gjurmët e shëmtuara të komunizmit, edhe pse depërtoi me vështirësi aq lart dhe aq thellë, në një krahinë që e kishte ruajtur fort identitetin
Nga Suadela Balliu 
Vajtimet e zëshme të disa këlyshëve ariu që jehojnë prej pyjeve e përplasen dhimbshëm në trupin e murrmë e të pajetë të një arushe të vrarë që dergjet mes fshatit të rrethuar nga malet e mjegulla, ku nga mallkimi i një arushe të vrarë të shpëton vetëm nëse i pret thonjtë dhe ia mban si hajmali…Kjo është mjegulla prej brumi legjendash dhe besëtytnish që Namik Dokle – politikani dhe dramaturgu –mbështjell romanin e tij të parë, titulluar “Vajzat e mjegullës”, i promovuar pak ditë më parë gjatë Panairit të 18-të të Librit në Pallatin e Kongreseve.
Një libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat, aq sa edhe mbi gjurmët e shëmtuara të komunizmit, edhe pse depërtoi me vështirësi aq lart dhe aq thellë, në një krahinë që e kishte ruajtur fort identitetin dhe gjuhën – edhe pse të paqartë shpesh për prejardhjen. Shkrimtari Zija Çela e ka quajtur të parin roman
që letrave shqipe i vjen prej kësaj treve, ndërsa poeti dhe filologu Sadik Idrizi, e ka cilësuar si librin më të bukur të shkruar deri tani për Gorën.
E vjetra, e reja, e shkuara, e sotmja, të moçmit e më të vegjlit, miqtë e të paftuarit, të huajt e të afërmit, legjendat dhe historia, besëtytnitë dhe besimi në Zot, festat dhe vajtimet, mësuesit e jetës dhe ata të librave, varfëria dhe shpirti i pasur, traditat e një populli dhe përpjekjet e dhunshme të një shteti për ndërtimin e idealeve të rinj, dielli dhe mjegulla…të gjitha të sjella në sytë e një fëmije, me një shije Realizmi Magjik prej stilit dhe narracionit.
Pikërisht ndërsa autori e prezantonte librin për të ftuarit, dikush, një burrë nga krahina e Gorës, pikërisht nga fshati ku u lind dhe u rrit edhe vetë shkrimtari, i afrohet për t’i treguar një thua arushe, që ai e kish trashëguar prej dy brezash dhe i dhuron një kornizë me një fotografi të këtij thoi mistik që e bën realitetin të pështjellohet fort me imagjinatën e një vendi ku dielli lind dy herë. Si një zonë pak e studiuar, Gora me 29 fshatrat e saj të shpërndara në kufijtë e tri shteteve, mbetet në kufijtë e legjendës, siç shkruan studiuesi Mark Krasniqi.
Mjegullën e së panjohurës dhe së keqes, autori e shpërndan me mirësinë që populli e pret në formë femërore. “Asaj mjegulle, të hirtë, të errët, të lagësht, të ftohtë që është e keqja që na rrethon, jam munduar t’i jap një element optimist, vajzat. Vajzat simbolizojnë të bukurën dhe të mirën që e presim çdo ditë, gjithmonë. Të vijnë ato e të shpërndahet mjegulla!” – rrëfen autori ndërsa flet për këtë roman të parë, i cili udhëtoi në mendjen e tij për 20 vjet, derisa u shkrua e që e bëri të mendojë edhe të heqë dorë nga politika – siç iu drejtua ai duke qeshur miqve që e shoqëruan gjatë promovimit të librit. “Mendoja se do të hiqja dorë nga letërsia, por tani që botova këtë roman, do të heq dorë nga politika e jo nga letërsia”, – u shpreh Dokle, i cili thotë se qëllimi ka qenë të sjellë një roman të sinqertë, të bazuar mbi ngjarje të vërteta, disa të marra nga shënimet e të ungjit, prej një ditari që ka mbledhur kronikat e jetës së një fshati për 20 vjet në pesëqind faqe të shkruara me dorë.
Romani “Vajzat e mjegullës” nis me përkujtimin e disa ngjarjeve 57 vjet të shkuar. Po juve, sa kohë ju desh ta shkruanit këtë libër?
Oh, m’u deshën 20 vjet! E kam fjalën, 20 vjet që sillej si ide në mendjen time, mblidhja informacione, flisja me njerëz që më rrëfenin, mbaja shënime. Kam pasur impulse dhe shtysa nga miqtë e mi, të cilëve u kisha folur për këtë ide, derisa mendova se erdhi momenti ta hidhja në letër. Kjo ka qenë puna jashtë tryezës, ndërsa për ta shkruar m’u deshën dy vjet. Një muaj e ca për t’u shkruar dhe pjesa tjetër duke u redaktuar. E kam parë dhe riparë 6 herë, duke hequr pjesë, duke shkurtuar e shkurtuar deri në formën që ka sot. Sot them e kam bërë punën time, tani libri është i lexuesit.
Lexuesi ju njeh kryesisht nga dramat që keni shkruar, pse vendosët vetëm tani të shkruanit roman?
Kam shkruar drama, sepse të kërkojnë më pak kohë sesa proza e gjatë. Por edhe drama kam shkruar kur kam pasur ndonjë temë që duhet të shpërfaqja. Më vjen mirë që pjesa më e madhe janë transmetuar në Radio Tirana dhe janë shfaqur në teatër. Nga 18 drama që kam shkruar, vetëm tre apo katër nuk janë shfaqur, të cilat janë shkruar herët e janë quajtur revizioniste.
Narracioni dhe e gjithë atmosfera duket sikur evokojnë letërsinë e Realizmit Magjik. A ishte i qëllimshëm zgjedhja e këtij stili?
Kur e cilësojnë të tillë, më vjen shumë mirë dhe e marr për kompliment. Prej shkrimtarëve shqiptarë kam admiruar gjithnjë të tillë si; Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Zija Çela, etj. Ata kanë qenë jo vetëm shkrimtarë, por një shkollë e të shkruarit, e letërsisë, dhe me këtë shkollë kemi mësuar të gjithë. Nga letërsia botërore, shkrimtarin që e njoh më mirë, nga rreshti i parë e deri te i fundit –madje i kam lexuar edhe biografinë e një autori anglez, i cili ka punuar 19 vjet për ta shkruar –është shkrimtari Gabriel Garcia Markez, përfaqësuesi më i shquar i Realizmit Magjik. Me siguri kam pasur edhe si të thuash ndikime, apo kam ecur në shkollën e tij. Ashtu siç edhe vetë Markezi thotë se ka mësuar nga dy shkrimtarë të mëdhenj, Faulkner dhe Hemingway. Jam përpjekur të jem nxënës modest, qoftë i Markezit, qoftë i Kadaresë.
Te “Vajzat e mjegullës”, legjendat dhe mitet janë po aq të vërteta, po aq të besueshme sa edhe komunizmi që po vinte. Si e mbani mend prezantimin e parë të komunizmit me banorët e fshatit?
Çdo kohë ka gjurmët e veta dhe natyrisht që gjurmët shtresëzohen, siç rrathët e pemëve lënë gjurmët e kohës dhe po t’i shohësh kupton se ç ‘vit ka qenë me klimë të mirë e ç ‘vit me klimë të thatë që nuk ka lejuar zhvillimin e pemëve. Kështu është edhe puna e miteve, traditave, legjendave dhe e komunizmit që vjen, një komunizëm primitiv siç e kam njohur unë dhe siç është përshkruar në libër. Këto ndikojnë te njëra-tjetra dhe lënë gjurmët e veta. Më duket se në atë kohë, mbi shpirtin e njerëzve, mbi dashurinë për jetën, mbi dashurinë për të bukurën, mbi dashurinë për traditën, komunizmi linte disa gjurmë –që kanë mbetur të pashlyera –e mund t’i quajmë shëmti brenda bukurisë.
A ishte identiteti dhe gjuha e dallueshme që ia bënte komunizmit të vështirë mbërritjen në komunitetin goran?
Kam përshtypjen që ishte më e vështirë, por ama ishte edhe e vështirë t’i rezistoje. Ishte e vështirë t’i rezistoje -jo vetëm në romanin tim-por e kam hasur edhe në shumë zona të tjera. Në atë kohë arroganca politike shfaqej në mënyra nga më të ndryshmet. Një njeri që drejton një grup njerëzish politikisht në një fshat të humbur të Shqipërisë, rreh gjoksin e thotë: “Unë jam Stalini fshatit!”. Një tjetër në një fshat të Matit që thoshte: “Jam Lenini i fshatit!” dhe ndërkohë dhjetëra të tjerë kam takuar që thoshin: “Jam Enver Hoxha i fshatit!”. E keqja është se kjo lloj arrogance vazhdon dhe njerëz të vegjël, mediokër, inatçinj, ziliqarë mundohen që këtë arrogancë politike ta përdorin në interes të tyre apo të një grupi të caktuar njerëzish. Kjo arrogancë asnjëherë nuk është e mirëpritur në një mjedis të thjeshtë njerëzor. Kjo krijon ato kontradiktat që ka romani. Megjithëse jam munduar t’i jap në një plan sa më të thjeshtë pa hyrë në drama të mëdha, por gjithsesi ndjehet dhe ka momente që përfundojnë tragjikisht siç është edhe fundi i romanit.
Megjithatë, fundi tragjik i romanit nuk e shuan shpirtin e revoltës te njerëzit. A nuk është kështu?
Një konstatim shumë i saktë, jo thjesht për romanin, por jetën në tërësi, Në roman ka detaje të jetës, shumica e tyre janë realisht të vërteta, jo thjesht fantazi mbi realitetin. Edhe fantazia mbi realitetin është një vlerë në letërsi, por disa raste në roman janë realisht të jetuara dhe kjo duket në pjesën e ndërmjetme të romanit që janë fragmente nga një ditar i një fshatari.
Xhaxhai juaj vërtet ka mbajtur një ditar?
Po vërtet ka mbajtur një ditar për mbi 20 vjet. Ditari është mbi 500 faqe, ndërsa unë kam shfrytëzuar vetëm 20 faqe, por më kanë bërë përshtypje dy gjëra midis shumë të tjerave…E para ku shkruan: “21 dhjetor 1950. Shqipëria sot feston ditëlindjen e Stalinit. Edhe ne në fshat jemi mbledhur disa burra dhe kemi mbledhur ca lekë për të bërë festë dhe kemi bërë fasule dhe hallvë, që është gjella tradicionale e mortit. Askush nuk e kuptoi këtë hile”.
Ose një datë tjetër, e fundit e ditarit, që unë kam shfrytëzuar nga ditari i xhaxhait, natyrisht me disa përpunime të vogla. “Shteti dëshiron të ndërrojë racën e deleve tona rudë”– Raca e deleve rudë është nga më të famshmet në Europë. Nga racat më të mira që ka ruajtur ky vend, e megjithatë shteti kishte sjellë një dash merinos nga Mongolia për të ndryshuar racën e deleve. Ai thotë në fund: “O Zot na ruaj gratë!”. Me frikën se komunizmi do të ndryshonte edhe racën e grave, siç edhe u përpoq ta bënte me krijimin e njeriut të ri me shartimin e një tradite, e një legjende, gjë që është e pamundur.
Është hera e parë që shkruhet një roman në shqip për Gorën?
Në letërsi- siç thotë Zija Çela- është romani i parë që vjen nga ajo zonë. Por ndërkohë, Gora është në komentet prej 29 fshatrash, i ndarë në tre shtete. Siç është Shqipëria, një popullsi aq e vogël e copëtuar ndër fqinj. Edhe Gora qè po kështu e ndarë nga po ai komision i ndarjes së kufijve, pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër; 18 fshatra janë në Kosovë, 9 janë në Shqipëri dhe 2 janë në Maqedoni dhe natyrisht ka edhe autorë të tjerë. Pjesa e Gorës së Kosovës ka disa shkrimtarë shumë të mirë dhe një prej tyre Sadik Idrizi ka lexuar librin dhe ka bërë një shënim – duke shkruar se është libri më i mirë i shkruar për Gorën. Por unë kam lexuar shumë nga poetët e asaj zone dhe kanë libra shumë të mirë. Një shkrimtar boshnjak Medo Islamoviç i ka bërë shumë libra që marrin nismë nga jeta në këtë krahinë dhe është shumë i njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Interesant është artikulli i “Zërit të Amerikës”, për këtë krahinë që ju e keni përfshirë në roman. Ekziston vërtet?
Edhe artikullin nga një revistë e Zagrebit dhe atë të Zërit të Amerikës i kam marrë ashtu siç janë, veçse të zhvendosura në kohë. Gazetarit të Zërit të Amerikës ia di edhe sot e kësaj dite emrin. Para disa vitesh, gjatë një vizite zyrtare në Kosovën e pas çlirimit, bashkë me Edi Ramën, bëmë takim me një drejtor politik, të organizmave ndërkombëtare që operonin në Kosovë, kur më thanë emrin m’u kujtua dhe gjatë bisedës mendoja: “Të jetë ky ai gazetari i Zëri të Amerikës që ka shkruar?”. Në fund e pyeta dhe doli që ishte ai.
Kur ju ka rënë në dorë ky artikull?
Diku nga vitet ’80. Është shkruar më vonë, por e kam sjellë në kohë, në funksion të ngjarjeve.
Jemi goranë, jemi jetimë…siç citohet nga artikulli i “Zërit të Amerikës”. A e ka shoqëruar kjo paqartësi mbi prejardhjen këtë komunitet?
Është e vërtetë kjo. Jam munduar të jem sa më i sinqertë dhe këtë ndjesi e kam njohur kur kam qenë i vogël dhe i ri. E njoh edhe sot dhe ajo ekziston. Më ka mbetur një thënie, perfekte për të përcaktuar realitetin, e mikut tim, profesor Mark Krasniqit, që ka shkruar për Gorën në librin “Gjurmë dhe gjurmime”. Ai thotë se është zona më pak e studiuar, e cila mbetet në kufijtë e legjendës. Duke qenë më pak e studiuar, ka pak elemente historikë, megjithëse ka të dhëna për popullsinë e atjeshme që datojnë nga vitet 1340-1360, por gjithsesi mbetet një gjë që më pëlqen ta them “Mbetet në kufijtë e legjendës, në mjegull”. Asaj mjegulle, jam munduar t’i jap një element optimist, vajzat.
Një pjesë të librit ia kushtoni legjendës së Sinan Pashës. Ju keni shkruar edhe një dramë rreth tij apo jo?
Kam shkruar një monodramë, thuajse në të njëjtën kohë me romanin. Dhe ndërkohë aktori Dhimitër Orgocka, po më kërkonte diçka dhe unë i them që e kisha diçka, por po e nxirrja nga tryeza e punës së romanit dhe po ta jap si monodramë. Ai e mori dhe e vuri në skenë në Korçë me shumë sukses dhe deri tani e ka shfaqur në dy festivale: Në festivalin e Monodramës në Podujevë dhe në festivalin e monodramës në Strumicë të Maqedonisë dhe në të dyja ka fituar çmimin e parë. Dhe është ftuar në festival të Monodramës në Vollogda të Rusisë, nga pranvera do të zhvillohet ai festival dhe mendoj që është diçka shumë e mirë.
Ka të dhëna historike për këtë personazh?
Ka disa elementë, por si në çdo rast mbi një fakt historik dhe nuk i kam vërën emrin e vërtetë. Sinan Pasha i Kallabakut nuk është mbiemri i tij i vërtetë, Kallabaku është bjeshka e fshatit tim, bjeshka e rrethinave të krahinës që mbyll vargmalet e Sharrit, që shtrihen në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri e ndajnë kufirin dhe përfundojnë me Kallabakun.
A ka qenë e ndaluar të flitej gorançe gjatë komunizmit?
Jo nuk ndalohej, por as nuk stimulohej. Thoshin se është e pashkruar, etj. etj. Nuk është e vërtetë. Alfabeti latin, është i mjaftueshëm për të shkruar atë gjuhë. Sot për fat janë botuar shumë libra në atë gjuhë, ekziston një fjalor mbi 40 mijë fjalë fjalori gorançe-shqip, i shkruar nga një Dokle tjetër. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme; ka mbledhur këngët, traditat, përrallat, gjëegjëzat, fjalët e urta të Gorës dhe ka bërë një kryevepër siç është fjalori. Kam një respekt për të gjithë ata që punojnë për fjalor. Fjalori është kulturë. Kopjen e parë ë këtij libri ia kam dërguar profesorit tim Dritëro Agolli, më ka dhënë mësim në Gazetari dhe pashë se mbi tavolinën e tij kishte dy fjalorë. E pyeta nëse po shkruante ndonjë libër të ri, më tha: “ Jo, por vazhdoj t’i lexoj fjalorët sepse zbulon gjithmonë diçka interesante”. Përmenda Markezin. Ai ka botuar një libër “Aroma e Guajabës”, që nuk është përkthyer në shqip- dhe aty tregon metodën e tij të punës dhe thotë se mbi tryezë mbante dy fjalorë: Fjalorin e Akademisë Mbretërore të Spanjës, ai zyrtar dhe fjalori e shkruar nga një grua, e cila ka qëmtuar në Spanjë e vendet e Amerikës latine fjalë të veçanta, të pashkruara në fjalorin zyrtar, të cilat nëpërmjet letërsisë kanë marrë qytetarinë për t’u përdorur. Dhe unë kam përdorur fjalë të tilla që zëvendësojnë fjalët e huaja, turqizmat për shembull. Përse t’i thuash hajat, kur ekziston fjala shqipe “kjostër”? E shumë e shumë të tjera. Ka fjalë që populli i ka përdorur dhe nuk janë fjalë që i kam dëgjuar vetëm nga bisedat me njerëzit, por i kam qëmtuar edhe në veprat shkruar nga Fishta, Camaj, Qosja, Rugova, Esad Mekuli e shkrimtarë të tjerë kosovarë që i përdorin me shumë mjeshtëri këto fjalë të pastra të gjuhës sonë.
A ka pasur vërtet gjurmë të hebrenjve në fshatin tuaj, apo është trill letrar përfshirja e tyre?
Si ngjarje është e vërtetë. Në zonën tonë nuk ka pasur ndonjë ngulim të hebrenjve siç kanë ardhur në Berat apo zona të tjera të Shqipërisë apo në Kaninë të Vlorës, e kështu me radhë.
Vetëm ai rast që përshkruar, dhe nga ai rast sot ekzistojnë pasardhës që këtë element e kanë humbur fare, por një nga njerëzit që njoh e kujtonte dhe ma ka treguar të gjithë atë histori mbi të cilën unë kam shkruar. Ardhja e një çifti çifut që lë foshnjën në pragun e derës së dikujt, është e vërtetë dhe mbi të vjen trilli letrar.
Romani prek edhe ndarjen e kufijve. Si e kanë përjetuar goranët ndarjen e krahinës së tyre në tri shtete?
Regjimi i kufirit ka qenë shumë i ashpër dhe e kam përshkruar me dhimbje, sepse realisht ashtu ka qenë. Për fat të mirë kemi ardhur në një kohë që kufijtë janë thjesht konvencionalë. Por ama, këtë dhimbje e kemi ndjerë dhe po ju kujtoj një element që nuk e kam shkruar në roman. Një fshatar u mbledh banorëve para për të ndërhyrë në Komisionin e ndarjes së kufijve dhe më pas u tha se Serbia kishte më shumë florinj ndaj dhe na mori gjithë atë tokë, jo thjesht Gorën por edhe Kosovën dhe trevat shqiptare. Kaq është në roman, por ka diçka më shumë se kaq. Ka ekzistuar një fshatar që e ka bërë këtë veprim dhe ai derisa vdiq ishte borxhli ndaj fshatarëve nuk u qëndroi fjalës që u dha dhe punoi shiti pronat për të shlyer borxhet, derisa vdiq.
A jeni duke shkruar diçka të re? Do të jetë sërish një roman?
Po kam diçka të re në plan, madje mund të them se e kam nisur punën. Ngjarje zhvillohet sërish në ato treva, pak më gjerë, përreth Gjallicës – Dodona e Veriut siç i thonë – dhe ngjarjet fillojnë me bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Jam shumë më afër në kohë. Nëse në romanin “Vajzat e mjegullës” kam shfrytëzuar ditarin e xhaxhait tim në një masë të konsiderueshme, me këtë të riun do të shfrytëzoj ditarin tim, Si duket do ta kemi pasur traditë, Nuk e di si është zhvilluar kjo. Përpara xhaxhait tim, ka qenë burri i motrës së gjyshit tim – i cili është pak edhe personazh në roman –ai ka mbajtur një ditar, gjatë kohës kur funksiononte komisioni i ndarjes së kufijve dhe ka shkruar për çdo ditë sesi ndaheshin kufijtë, sesi veprohej, si po ia grabisnin Shqipërisë pjesë-pjesë trevat. Për fat të keq këtë ditar e mori një mësues i Historisë në Kukës para shumë vitesh, pastaj jam interesuar për ta gjetur dhe më kanë thanë që është në Arkivin e shtetit, kam shkuar edhe atje, por ende nuk është gjetur. Do të ketë qenë ditar shumë interesant. Xhaxhai im ka pasur dijeni për këtë fakt dhe si duket ndoshta edhe nga kjo është nisur dhe ka shkruar një ditar për ngjarjet e fshatit. E kam marrë vesh pak më vonë për ditarin. E dija që merrej me diçka, por se çfarë nuk e dija. Nuk ka pranuar t’ia japë askujt ditarin për ta lexuar, deri në vitin ’82 dhe personit të parë që ia ka dhënë kam qenë unë. Nuk ma dha në dorë, por më tha “Nëse do ta lexosh, hajde në shtëpinë time”. Kam ndenjur 10 ditë në shtëpi për të lexuar ditarin. I kam marrë leje për të mbajtur shënime. Kur vdiq, i tha të birit që ditarin të ma jepte mua, por nuk e mora. Ndoshta kur të vijë një koha për ta botuar…

Zija Çela: Namik Dokle në temën e tij
Duke zbuluar identitetin e një komuniteti të vogël, atij goran, që jeton në 29 fshatra në tre kufij të sotëm shtetërorë, Namik Dokle zbulon njëkohësisht edhe identitetin e vet. Prandaj bëhet i besueshëm. Është rasti kur autori mund të pohojë: “Po, jam pikërisht në temën time!”. Dhe rasti bëhet më shënjues prej faktit se është romani i parë që letrave shqipe i vjen prej kësaj treve. Ndërkohë që mjegulla ngrihet, pas grisë së saj shfaqen ngjyrat e një tabloje që, ndonëse aq e veçantë për autenticitetin e vet, e përjashton spekulimin me ekzotiken.
Sadik Idrizi*: Një roman prekës
Romani “Vajzat e mjegullës” është një roman prekës dhe libri më i bukur që është shkruar deri tani për Gorën. Me sinqeritetin dhe trishtimin që e përshkon, më ngjan dhe më kujton “Njëqind vjet vetmi” të Markezit. E tillë është jeta për të cilën shkruan Namik Dokle, e trishtë dhe e largët, të tillë janë njerëzit, jetimë dhe të vetmuar.
*Poet dhe filolog, profesor në Universitetin e Prizrenit
Anrila Spahija: Simboli i vetëdijes mbi misterin
Goranët dhe Gora, përmes këtij rrëfimi grishës nga faqja e parë deri tek e fundit, vijnë te lexuesi përmes një simboli të fortë që prek në mënyrë sa poetike aq edhe tragjike sferën e vetëdijes mbi misterin dhe atë çka përcillet si e njohur e pakundërshtueshme. Po “vajzat e mjegullës”? Ah, jo! Ato i shquajmë qartë tek lodrojnë si mjegull e bardhë nëpër faqet e këtij romani që nuk duhet