Një libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat, aq sa edhe mbi gjurmët e shëmtuara të komunizmit, edhe pse depërtoi me vështirësi aq lart dhe aq thellë, në një krahinë që e kishte ruajtur fort identitetin
Nga Suadela Balliu
Vajtimet e zëshme të disa këlyshëve ariu që jehojnë prej pyjeve e përplasen dhimbshëm në trupin e murrmë e të pajetë të një arushe të vrarë që dergjet mes fshatit të rrethuar nga malet e mjegulla, ku nga mallkimi i një arushe të vrarë të shpëton vetëm nëse i pret thonjtë dhe ia mban si hajmali…Kjo është mjegulla prej brumi legjendash dhe besëtytnish që Namik Dokle – politikani dhe dramaturgu –mbështjell romanin e tij të parë, titulluar “Vajzat e mjegullës”, i promovuar pak ditë më parë gjatë Panairit të 18-të të Librit në Pallatin e Kongreseve.
Një libër mbi traditat, gjuhën, dashurinë e një bashkësie si ajo gorane, e rrethuar nga mitet e gojëdhënat, aq sa edhe mbi gjurmët e shëmtuara të komunizmit, edhe pse depërtoi me vështirësi aq lart dhe aq thellë, në një krahinë që e kishte ruajtur fort identitetin dhe gjuhën – edhe pse të paqartë shpesh për prejardhjen. Shkrimtari Zija Çela e ka quajtur të parin roman
që letrave shqipe i vjen prej kësaj treve, ndërsa poeti dhe filologu Sadik Idrizi, e ka cilësuar si librin më të bukur të shkruar deri tani për Gorën.
E vjetra, e reja, e shkuara, e sotmja, të moçmit e më të vegjlit, miqtë e të paftuarit, të huajt e të afërmit, legjendat dhe historia, besëtytnitë dhe besimi në Zot, festat dhe vajtimet, mësuesit e jetës dhe ata të librave, varfëria dhe shpirti i pasur, traditat e një populli dhe përpjekjet e dhunshme të një shteti për ndërtimin e idealeve të rinj, dielli dhe mjegulla…të gjitha të sjella në sytë e një fëmije, me një shije Realizmi Magjik prej stilit dhe narracionit.
Pikërisht ndërsa autori e prezantonte librin për të ftuarit, dikush, një burrë nga krahina e Gorës, pikërisht nga fshati ku u lind dhe u rrit edhe vetë shkrimtari, i afrohet për t’i treguar një thua arushe, që ai e kish trashëguar prej dy brezash dhe i dhuron një kornizë me një fotografi të këtij thoi mistik që e bën realitetin të pështjellohet fort me imagjinatën e një vendi ku dielli lind dy herë. Si një zonë pak e studiuar, Gora me 29 fshatrat e saj të shpërndara në kufijtë e tri shteteve, mbetet në kufijtë e legjendës, siç shkruan studiuesi Mark Krasniqi.
Mjegullën e së panjohurës dhe së keqes, autori e shpërndan me mirësinë që populli e pret në formë femërore. “Asaj mjegulle, të hirtë, të errët, të lagësht, të ftohtë që është e keqja që na rrethon, jam munduar t’i jap një element optimist, vajzat. Vajzat simbolizojnë të bukurën dhe të mirën që e presim çdo ditë, gjithmonë. Të vijnë ato e të shpërndahet mjegulla!” – rrëfen autori ndërsa flet për këtë roman të parë, i cili udhëtoi në mendjen e tij për 20 vjet, derisa u shkrua e që e bëri të mendojë edhe të heqë dorë nga politika – siç iu drejtua ai duke qeshur miqve që e shoqëruan gjatë promovimit të librit. “Mendoja se do të hiqja dorë nga letërsia, por tani që botova këtë roman, do të heq dorë nga politika e jo nga letërsia”, – u shpreh Dokle, i cili thotë se qëllimi ka qenë të sjellë një roman të sinqertë, të bazuar mbi ngjarje të vërteta, disa të marra nga shënimet e të ungjit, prej një ditari që ka mbledhur kronikat e jetës së një fshati për 20 vjet në pesëqind faqe të shkruara me dorë.
Romani “Vajzat e mjegullës” nis me përkujtimin e disa ngjarjeve 57 vjet të shkuar. Po juve, sa kohë ju desh ta shkruanit këtë libër?
Oh, m’u deshën 20 vjet! E kam fjalën, 20 vjet që sillej si ide në mendjen time, mblidhja informacione, flisja me njerëz që më rrëfenin, mbaja shënime. Kam pasur impulse dhe shtysa nga miqtë e mi, të cilëve u kisha folur për këtë ide, derisa mendova se erdhi momenti ta hidhja në letër. Kjo ka qenë puna jashtë tryezës, ndërsa për ta shkruar m’u deshën dy vjet. Një muaj e ca për t’u shkruar dhe pjesa tjetër duke u redaktuar. E kam parë dhe riparë 6 herë, duke hequr pjesë, duke shkurtuar e shkurtuar deri në formën që ka sot. Sot them e kam bërë punën time, tani libri është i lexuesit.
Lexuesi ju njeh kryesisht nga dramat që keni shkruar, pse vendosët vetëm tani të shkruanit roman?
Kam shkruar drama, sepse të kërkojnë më pak kohë sesa proza e gjatë. Por edhe drama kam shkruar kur kam pasur ndonjë temë që duhet të shpërfaqja. Më vjen mirë që pjesa më e madhe janë transmetuar në Radio Tirana dhe janë shfaqur në teatër. Nga 18 drama që kam shkruar, vetëm tre apo katër nuk janë shfaqur, të cilat janë shkruar herët e janë quajtur revizioniste.
Narracioni dhe e gjithë atmosfera duket sikur evokojnë letërsinë e Realizmit Magjik. A ishte i qëllimshëm zgjedhja e këtij stili?
Kur e cilësojnë të tillë, më vjen shumë mirë dhe e marr për kompliment. Prej shkrimtarëve shqiptarë kam admiruar gjithnjë të tillë si; Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Zija Çela, etj. Ata kanë qenë jo vetëm shkrimtarë, por një shkollë e të shkruarit, e letërsisë, dhe me këtë shkollë kemi mësuar të gjithë. Nga letërsia botërore, shkrimtarin që e njoh më mirë, nga rreshti i parë e deri te i fundit –madje i kam lexuar edhe biografinë e një autori anglez, i cili ka punuar 19 vjet për ta shkruar –është shkrimtari Gabriel Garcia Markez, përfaqësuesi më i shquar i Realizmit Magjik. Me siguri kam pasur edhe si të thuash ndikime, apo kam ecur në shkollën e tij. Ashtu siç edhe vetë Markezi thotë se ka mësuar nga dy shkrimtarë të mëdhenj, Faulkner dhe Hemingway. Jam përpjekur të jem nxënës modest, qoftë i Markezit, qoftë i Kadaresë.
Te “Vajzat e mjegullës”, legjendat dhe mitet janë po aq të vërteta, po aq të besueshme sa edhe komunizmi që po vinte. Si e mbani mend prezantimin e parë të komunizmit me banorët e fshatit?
Çdo kohë ka gjurmët e veta dhe natyrisht që gjurmët shtresëzohen, siç rrathët e pemëve lënë gjurmët e kohës dhe po t’i shohësh kupton se ç ‘vit ka qenë me klimë të mirë e ç ‘vit me klimë të thatë që nuk ka lejuar zhvillimin e pemëve. Kështu është edhe puna e miteve, traditave, legjendave dhe e komunizmit që vjen, një komunizëm primitiv siç e kam njohur unë dhe siç është përshkruar në libër. Këto ndikojnë te njëra-tjetra dhe lënë gjurmët e veta. Më duket se në atë kohë, mbi shpirtin e njerëzve, mbi dashurinë për jetën, mbi dashurinë për të bukurën, mbi dashurinë për traditën, komunizmi linte disa gjurmë –që kanë mbetur të pashlyera –e mund t’i quajmë shëmti brenda bukurisë.
A ishte identiteti dhe gjuha e dallueshme që ia bënte komunizmit të vështirë mbërritjen në komunitetin goran?
Kam përshtypjen që ishte më e vështirë, por ama ishte edhe e vështirë t’i rezistoje. Ishte e vështirë t’i rezistoje -jo vetëm në romanin tim-por e kam hasur edhe në shumë zona të tjera. Në atë kohë arroganca politike shfaqej në mënyra nga më të ndryshmet. Një njeri që drejton një grup njerëzish politikisht në një fshat të humbur të Shqipërisë, rreh gjoksin e thotë: “Unë jam Stalini fshatit!”. Një tjetër në një fshat të Matit që thoshte: “Jam Lenini i fshatit!” dhe ndërkohë dhjetëra të tjerë kam takuar që thoshin: “Jam Enver Hoxha i fshatit!”. E keqja është se kjo lloj arrogance vazhdon dhe njerëz të vegjël, mediokër, inatçinj, ziliqarë mundohen që këtë arrogancë politike ta përdorin në interes të tyre apo të një grupi të caktuar njerëzish. Kjo arrogancë asnjëherë nuk është e mirëpritur në një mjedis të thjeshtë njerëzor. Kjo krijon ato kontradiktat që ka romani. Megjithëse jam munduar t’i jap në një plan sa më të thjeshtë pa hyrë në drama të mëdha, por gjithsesi ndjehet dhe ka momente që përfundojnë tragjikisht siç është edhe fundi i romanit.
Megjithatë, fundi tragjik i romanit nuk e shuan shpirtin e revoltës te njerëzit. A nuk është kështu?
Një konstatim shumë i saktë, jo thjesht për romanin, por jetën në tërësi, Në roman ka detaje të jetës, shumica e tyre janë realisht të vërteta, jo thjesht fantazi mbi realitetin. Edhe fantazia mbi realitetin është një vlerë në letërsi, por disa raste në roman janë realisht të jetuara dhe kjo duket në pjesën e ndërmjetme të romanit që janë fragmente nga një ditar i një fshatari.
Xhaxhai juaj vërtet ka mbajtur një ditar?
Po vërtet ka mbajtur një ditar për mbi 20 vjet. Ditari është mbi 500 faqe, ndërsa unë kam shfrytëzuar vetëm 20 faqe, por më kanë bërë përshtypje dy gjëra midis shumë të tjerave…E para ku shkruan: “21 dhjetor 1950. Shqipëria sot feston ditëlindjen e Stalinit. Edhe ne në fshat jemi mbledhur disa burra dhe kemi mbledhur ca lekë për të bërë festë dhe kemi bërë fasule dhe hallvë, që është gjella tradicionale e mortit. Askush nuk e kuptoi këtë hile”.
Ose një datë tjetër, e fundit e ditarit, që unë kam shfrytëzuar nga ditari i xhaxhait, natyrisht me disa përpunime të vogla. “Shteti dëshiron të ndërrojë racën e deleve tona rudë”– Raca e deleve rudë është nga më të famshmet në Europë. Nga racat më të mira që ka ruajtur ky vend, e megjithatë shteti kishte sjellë një dash merinos nga Mongolia për të ndryshuar racën e deleve. Ai thotë në fund: “O Zot na ruaj gratë!”. Me frikën se komunizmi do të ndryshonte edhe racën e grave, siç edhe u përpoq ta bënte me krijimin e njeriut të ri me shartimin e një tradite, e një legjende, gjë që është e pamundur.
Është hera e parë që shkruhet një roman në shqip për Gorën?
Në letërsi- siç thotë Zija Çela- është romani i parë që vjen nga ajo zonë. Por ndërkohë, Gora është në komentet prej 29 fshatrash, i ndarë në tre shtete. Siç është Shqipëria, një popullsi aq e vogël e copëtuar ndër fqinj. Edhe Gora qè po kështu e ndarë nga po ai komision i ndarjes së kufijve, pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër; 18 fshatra janë në Kosovë, 9 janë në Shqipëri dhe 2 janë në Maqedoni dhe natyrisht ka edhe autorë të tjerë. Pjesa e Gorës së Kosovës ka disa shkrimtarë shumë të mirë dhe një prej tyre Sadik Idrizi ka lexuar librin dhe ka bërë një shënim – duke shkruar se është libri më i mirë i shkruar për Gorën. Por unë kam lexuar shumë nga poetët e asaj zone dhe kanë libra shumë të mirë. Një shkrimtar boshnjak Medo Islamoviç i ka bërë shumë libra që marrin nismë nga jeta në këtë krahinë dhe është shumë i njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Interesant është artikulli i “Zërit të Amerikës”, për këtë krahinë që ju e keni përfshirë në roman. Ekziston vërtet?
Edhe artikullin nga një revistë e Zagrebit dhe atë të Zërit të Amerikës i kam marrë ashtu siç janë, veçse të zhvendosura në kohë. Gazetarit të Zërit të Amerikës ia di edhe sot e kësaj dite emrin. Para disa vitesh, gjatë një vizite zyrtare në Kosovën e pas çlirimit, bashkë me Edi Ramën, bëmë takim me një drejtor politik, të organizmave ndërkombëtare që operonin në Kosovë, kur më thanë emrin m’u kujtua dhe gjatë bisedës mendoja: “Të jetë ky ai gazetari i Zëri të Amerikës që ka shkruar?”. Në fund e pyeta dhe doli që ishte ai.
Kur ju ka rënë në dorë ky artikull?
Diku nga vitet ’80. Është shkruar më vonë, por e kam sjellë në kohë, në funksion të ngjarjeve.
Jemi goranë, jemi jetimë…siç citohet nga artikulli i “Zërit të Amerikës”. A e ka shoqëruar kjo paqartësi mbi prejardhjen këtë komunitet?
Është e vërtetë kjo. Jam munduar të jem sa më i sinqertë dhe këtë ndjesi e kam njohur kur kam qenë i vogël dhe i ri. E njoh edhe sot dhe ajo ekziston. Më ka mbetur një thënie, perfekte për të përcaktuar realitetin, e mikut tim, profesor Mark Krasniqit, që ka shkruar për Gorën në librin “Gjurmë dhe gjurmime”. Ai thotë se është zona më pak e studiuar, e cila mbetet në kufijtë e legjendës. Duke qenë më pak e studiuar, ka pak elemente historikë, megjithëse ka të dhëna për popullsinë e atjeshme që datojnë nga vitet 1340-1360, por gjithsesi mbetet një gjë që më pëlqen ta them “Mbetet në kufijtë e legjendës, në mjegull”. Asaj mjegulle, jam munduar t’i jap një element optimist, vajzat.
Një pjesë të librit ia kushtoni legjendës së Sinan Pashës. Ju keni shkruar edhe një dramë rreth tij apo jo?
Kam shkruar një monodramë, thuajse në të njëjtën kohë me romanin. Dhe ndërkohë aktori Dhimitër Orgocka, po më kërkonte diçka dhe unë i them që e kisha diçka, por po e nxirrja nga tryeza e punës së romanit dhe po ta jap si monodramë. Ai e mori dhe e vuri në skenë në Korçë me shumë sukses dhe deri tani e ka shfaqur në dy festivale: Në festivalin e Monodramës në Podujevë dhe në festivalin e monodramës në Strumicë të Maqedonisë dhe në të dyja ka fituar çmimin e parë. Dhe është ftuar në festival të Monodramës në Vollogda të Rusisë, nga pranvera do të zhvillohet ai festival dhe mendoj që është diçka shumë e mirë.
Ka të dhëna historike për këtë personazh?
Ka disa elementë, por si në çdo rast mbi një fakt historik dhe nuk i kam vërën emrin e vërtetë. Sinan Pasha i Kallabakut nuk është mbiemri i tij i vërtetë, Kallabaku është bjeshka e fshatit tim, bjeshka e rrethinave të krahinës që mbyll vargmalet e Sharrit, që shtrihen në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri e ndajnë kufirin dhe përfundojnë me Kallabakun.
A ka qenë e ndaluar të flitej gorançe gjatë komunizmit?
Jo nuk ndalohej, por as nuk stimulohej. Thoshin se është e pashkruar, etj. etj. Nuk është e vërtetë. Alfabeti latin, është i mjaftueshëm për të shkruar atë gjuhë. Sot për fat janë botuar shumë libra në atë gjuhë, ekziston një fjalor mbi 40 mijë fjalë fjalori gorançe-shqip, i shkruar nga një Dokle tjetër. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme; ka mbledhur këngët, traditat, përrallat, gjëegjëzat, fjalët e urta të Gorës dhe ka bërë një kryevepër siç është fjalori. Kam një respekt për të gjithë ata që punojnë për fjalor. Fjalori është kulturë. Kopjen e parë ë këtij libri ia kam dërguar profesorit tim Dritëro Agolli, më ka dhënë mësim në Gazetari dhe pashë se mbi tavolinën e tij kishte dy fjalorë. E pyeta nëse po shkruante ndonjë libër të ri, më tha: “ Jo, por vazhdoj t’i lexoj fjalorët sepse zbulon gjithmonë diçka interesante”. Përmenda Markezin. Ai ka botuar një libër “Aroma e Guajabës”, që nuk është përkthyer në shqip- dhe aty tregon metodën e tij të punës dhe thotë se mbi tryezë mbante dy fjalorë: Fjalorin e Akademisë Mbretërore të Spanjës, ai zyrtar dhe fjalori e shkruar nga një grua, e cila ka qëmtuar në Spanjë e vendet e Amerikës latine fjalë të veçanta, të pashkruara në fjalorin zyrtar, të cilat nëpërmjet letërsisë kanë marrë qytetarinë për t’u përdorur. Dhe unë kam përdorur fjalë të tilla që zëvendësojnë fjalët e huaja, turqizmat për shembull. Përse t’i thuash hajat, kur ekziston fjala shqipe “kjostër”? E shumë e shumë të tjera. Ka fjalë që populli i ka përdorur dhe nuk janë fjalë që i kam dëgjuar vetëm nga bisedat me njerëzit, por i kam qëmtuar edhe në veprat shkruar nga Fishta, Camaj, Qosja, Rugova, Esad Mekuli e shkrimtarë të tjerë kosovarë që i përdorin me shumë mjeshtëri këto fjalë të pastra të gjuhës sonë.
A ka pasur vërtet gjurmë të hebrenjve në fshatin tuaj, apo është trill letrar përfshirja e tyre?
Si ngjarje është e vërtetë. Në zonën tonë nuk ka pasur ndonjë ngulim të hebrenjve siç kanë ardhur në Berat apo zona të tjera të Shqipërisë apo në Kaninë të Vlorës, e kështu me radhë.
Vetëm ai rast që përshkruar, dhe nga ai rast sot ekzistojnë pasardhës që këtë element e kanë humbur fare, por një nga njerëzit që njoh e kujtonte dhe ma ka treguar të gjithë atë histori mbi të cilën unë kam shkruar. Ardhja e një çifti çifut që lë foshnjën në pragun e derës së dikujt, është e vërtetë dhe mbi të vjen trilli letrar.
Romani prek edhe ndarjen e kufijve. Si e kanë përjetuar goranët ndarjen e krahinës së tyre në tri shtete?
Regjimi i kufirit ka qenë shumë i ashpër dhe e kam përshkruar me dhimbje, sepse realisht ashtu ka qenë. Për fat të mirë kemi ardhur në një kohë që kufijtë janë thjesht konvencionalë. Por ama, këtë dhimbje e kemi ndjerë dhe po ju kujtoj një element që nuk e kam shkruar në roman. Një fshatar u mbledh banorëve para për të ndërhyrë në Komisionin e ndarjes së kufijve dhe më pas u tha se Serbia kishte më shumë florinj ndaj dhe na mori gjithë atë tokë, jo thjesht Gorën por edhe Kosovën dhe trevat shqiptare. Kaq është në roman, por ka diçka më shumë se kaq. Ka ekzistuar një fshatar që e ka bërë këtë veprim dhe ai derisa vdiq ishte borxhli ndaj fshatarëve nuk u qëndroi fjalës që u dha dhe punoi shiti pronat për të shlyer borxhet, derisa vdiq.
A jeni duke shkruar diçka të re? Do të jetë sërish një roman?
Po kam diçka të re në plan, madje mund të them se e kam nisur punën. Ngjarje zhvillohet sërish në ato treva, pak më gjerë, përreth Gjallicës – Dodona e Veriut siç i thonë – dhe ngjarjet fillojnë me bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Jam shumë më afër në kohë. Nëse në romanin “Vajzat e mjegullës” kam shfrytëzuar ditarin e xhaxhait tim në një masë të konsiderueshme, me këtë të riun do të shfrytëzoj ditarin tim, Si duket do ta kemi pasur traditë, Nuk e di si është zhvilluar kjo. Përpara xhaxhait tim, ka qenë burri i motrës së gjyshit tim – i cili është pak edhe personazh në roman –ai ka mbajtur një ditar, gjatë kohës kur funksiononte komisioni i ndarjes së kufijve dhe ka shkruar për çdo ditë sesi ndaheshin kufijtë, sesi veprohej, si po ia grabisnin Shqipërisë pjesë-pjesë trevat. Për fat të keq këtë ditar e mori një mësues i Historisë në Kukës para shumë vitesh, pastaj jam interesuar për ta gjetur dhe më kanë thanë që është në Arkivin e shtetit, kam shkuar edhe atje, por ende nuk është gjetur. Do të ketë qenë ditar shumë interesant. Xhaxhai im ka pasur dijeni për këtë fakt dhe si duket ndoshta edhe nga kjo është nisur dhe ka shkruar një ditar për ngjarjet e fshatit. E kam marrë vesh pak më vonë për ditarin. E dija që merrej me diçka, por se çfarë nuk e dija. Nuk ka pranuar t’ia japë askujt ditarin për ta lexuar, deri në vitin ’82 dhe personit të parë që ia ka dhënë kam qenë unë. Nuk ma dha në dorë, por më tha “Nëse do ta lexosh, hajde në shtëpinë time”. Kam ndenjur 10 ditë në shtëpi për të lexuar ditarin. I kam marrë leje për të mbajtur shënime. Kur vdiq, i tha të birit që ditarin të ma jepte mua, por nuk e mora. Ndoshta kur të vijë një koha për ta botuar…
Zija Çela: Namik Dokle në temën e tij
Duke zbuluar identitetin e një komuniteti të vogël, atij goran, që jeton në 29 fshatra në tre kufij të sotëm shtetërorë, Namik Dokle zbulon njëkohësisht edhe identitetin e vet. Prandaj bëhet i besueshëm. Është rasti kur autori mund të pohojë: “Po, jam pikërisht në temën time!”. Dhe rasti bëhet më shënjues prej faktit se është romani i parë që letrave shqipe i vjen prej kësaj treve. Ndërkohë që mjegulla ngrihet, pas grisë së saj shfaqen ngjyrat e një tabloje që, ndonëse aq e veçantë për autenticitetin e vet, e përjashton spekulimin me ekzotiken.
Sadik Idrizi*: Një roman prekës
Romani “Vajzat e mjegullës” është një roman prekës dhe libri më i bukur që është shkruar deri tani për Gorën. Me sinqeritetin dhe trishtimin që e përshkon, më ngjan dhe më kujton “Njëqind vjet vetmi” të Markezit. E tillë është jeta për të cilën shkruan Namik Dokle, e trishtë dhe e largët, të tillë janë njerëzit, jetimë dhe të vetmuar.
*Poet dhe filolog, profesor në Universitetin e Prizrenit
Anrila Spahija: Simboli i vetëdijes mbi misterin
Goranët dhe Gora, përmes këtij rrëfimi grishës nga faqja e parë deri tek e fundit, vijnë te lexuesi përmes një simboli të fortë që prek në mënyrë sa poetike aq edhe tragjike sferën e vetëdijes mbi misterin dhe atë çka përcillet si e njohur e pakundërshtueshme. Po “vajzat e mjegullës”? Ah, jo! Ato i shquajmë qartë tek lodrojnë si mjegull e bardhë nëpër faqet e këtij romani që nuk duhet