Foto: Armand Sallabanda
Në Tiranë e ka
sjellë promovimi i videos “Live session @Vollga” –një projekt muzikor me pesë
këngë të interpretuara dhe regjistruara live, në hotel “Vollga” në Durrës.
Vlashent Sata,
muzikanti shqiptar, i cili prej 13 vitesh e ka ndërtuar karrierën në Paris,
rrëfen artistin -përmes albumit të parë “Hana”, me të cilin do i shfaqet
publikut në një koncert të madh në muajin prill - dhe njeriun, një kaleidoskop
kujtimesh e emocionesh të mbledhura nga fëmijëria, ëndrrat, jeta...të gjitha
brenda muzikës, që e sjell si dhuratë për ata që e dëgjojnë
Një burrë me
flokë të bardha e të buta, mbi një varkë
të vogël që lëkundet në detin e qetë të mesverës hedh përtueshëm grepin e
peshkimit të mbushur me krimba të shijshëm për peshqit që i lëshon
sërish në ujët e kristaltë dhe kotet me
diellin e butë të pasdites, i lumtur që i shkon ditët në paqe...Mund të ishte fare
mirë plaku Santiago i nxjerrë nga romani i Enerst Heminguei dhe i
transportuar diku në brigjet e
Adriatikut. Ose, mund të ishte një tekst kënge, nga ato që i bëjnë himn gjërave
në dukje të vogla, të përditshmes, miqve, dashurisë, kujtimeve të hershme të
moshës së pafajësisë...Nga ato që ai di t’i shkruajë i mbushur me frymëzim në
një gjuhë që të ngjet si epos, pak e largët për të birësuarit e zhargoneve të epokës dixhitale dhe ca edhe më e largët
për dikë që jeton në Paris. Në fakt është
përfytyrimi, që pasi bëhet i zëshëm trupëzohet në një tablo plot ngjyra
të së ardhmes, e cila thërret rikthim...
Por me gjithë lirizmin
që ndjell një përshkrim i tillë, i kthehet së tashmes ku jeta gjallon nga
idetë, që në melodi, pasurohen me vargje e thuren në këngë...Si ato të pesta që
pianisti dhe kantautori i ka sjellë si gjerdan në një video të gjatë 27-minutëshe realizuar aty, buzë detit
Adriatik.
Mjediset gjysmë të
rrënuara të një hoteli që po shkatërrohet, korridoret e zbrazur, suvaja e rënë, boja
e shpëlarë dhe e zhveshur jo vetëm që nuk ia zbehin, por ia theksojnë edhe më
atmosferën këngëve. Kantautorit që
shpërfaq shpirtin prej bohemi, i mjafton një piano, një kitarë e të mbyllë sytë duke u përhumbur në mesazhin që përcjell me “Ëmbël” “Ëndërruar” “ Këmbëzbathur” “Hana” dhe “Tregimi i
fluturës”, shoqëruar nga fizarmonika me shije retro e Genti Rushit, klarineta që herë sikur vajton
e herë sikur gëzon në mjeshtërinë e Ermal Rodit, bateria që e shpreh prezencën me
pompozitet e Gerti Himës dhe bass-i me
tinguj të urtë si prej njeriu të moçëm
në duart Enver Muhamedit. “Janë
muzikantë nga më të mirët që kemi”, - konfirmon Vlashenti, ndërsa forma e të
regjistruarit live, pa dubla, pa montazh, pa grim, pa studio, është hera e parë
që vjen në Shqipëri.
“Është xhiruar
në plane të ndryshme, me kamera të një cilësie shumë të lartë, nga ato që
përdoren në Hollivud për filma me efekte speciale”.
Një video që i
erdhi si dhuratë, ku rastësia dhe “providenca” bashkuan forcat për ta sjellë këngëtarin me zë dhe figurë për publikun shqiptar, që pak e njeh prej vitit të shkuar erdhi në
Tiranë, për koncertin te Piramida ku ai shoqëronte këngëtaren e
xhazit, Elina Duni ndërsa
prezantonte për publikun albumin
“Muza e Zezë”.
Kjo video vjen
edhe si një lloj shpërblimi për të gjithë ata që e duartriokitën kur ai këndoi
disa këngë të tijat te Piramida , atyre që pyetën përreth dhe deshën të dinin më
shumë rreth këngëtarit, madje që u larguan “disi të zhgënjyer” kur ai nuk u prezantua me albumin, ashtu si kolegia
e tij.
Ishte ajo shije
e mirë që ai u dha admiruesve të muzikës,
që më pas iu kthye në një surprizë të këndshme.
Një
prej këngëve të tij, “Hana”, e cila u pëlqye menjëherë, po aq menjëherë e gjeti
rrugën për t’u përfshirë në mes të këngëve që vijnë këto ditë në “Live session
@ Vollga”, një video e realizuar nga Kube Studios. “Një djalë me emrin Erti
Lutaj, të cilin e kisha njohur para disa vitesh kur isha student. Ai kishte një
qendër interneti dhe më pëlqente të bisedoja me të, kur vija. Kishte shkruar në
Facebook se më kërkonte për të më prodhuar albumin tim. E takova Ertin, i cili
tanimë ishte njeri i rëndësishëm në Marrëdhëniet Publike. Më tha: “Ti duhet të
bësh patjetër një video”. I shpreha se kisha parë punët e një djali, të cilin
nuk e njihja personalisht dhe do të doja, nëse do realizoja një video, ta bënte
ai. Ndërkohë Erti më thotë se do më sugjeronte një mikun e tij. Të dy e kishim
fjalën për të njëjtin: Erfort Kuken” –
vijon Vlashenti, ndërsa ajo që vjen më pas në rrëfim, e bindën se ishte koha
për të realizuar një video, me të cilin do i prezantohet publikut shqiptar.
I
kënaqur dhe me mbresa nga koncerti te Piramida,
Erfort Kuke ishte në kërkim të kontakteve të Vlashent Satës për t’i bërë një
propozim. Do i realizonte një video pa parà, si një lloj shpërblimi për
kënaqësinë që kish marrë prej muzikës së Vlashentit.
“E
takova Erin, i cili ishte shumë i gatshëm për të më realizuar videon. Por e
kisha të vështirë të zgjidhja se cilën këngë prej atyre që kisha shkruar, do të
realizoja me video. Nuk kam ditur kurrë të zgjedh”. I propozoi të organizonte
një mbrëmje muzikore, ku ai të këndonte, ndërsa stafi që do të merrej më pas me
realizimin e videos, të zgjidhte. Në fund, u vendos se do të xhiroheshin të
gjitha.
Ajo
çka Vlashenti mëton të transmetojë është thjeshtësia, e atij lloji që e vë në
pah, në gjendjen e saj të pastër, të bukurën. “Më pëlqen liria për të qenë i
thjeshtë. E thjeshta është rruga më e mirë, më e sigurt. Më pëlqen edhe që në
Vollgën e cila po shkatërrohet përfundimisht, kemi krijuar diçka nga ana
humane”.
Videoja
muzikore, ka nisur transmetimin në kanale televizive dhe internet që në javën e fundit të muajit shkurt. Por është vetëm pjata e
parë, që Vlashenti ka gatuar për
publikun.
“Në
fund të muajit Prill do të vij me koncertin e parë solo dhe do të prezantoj
albumin tim, që është i përfunduar” – zbulon ai, duke planifikuar një koncert
me përmasa dhe mesazhe të mëdha. Këngët do të vijnë të shoqëruara me
projeksione video, të realizuara po nga “Kube Studio”, me të cilët ka
bashkëpunuar për realizimin e videos
“Live Session@ Vollga” Erfort
Kuke, Ina Lisi, Borin Leka, Martin
Bejleri, etj., që kanë punuar vetëm me
dashuri e krejtësisht falas për një periudhë të gjatë..
“Janë
rreth 11 këngë, por mendoj se do të shtoj ndoshta edhe disa te tjera, sepse jam
i frymëzuar gjatë kësaj periudhe. Është për t’i thënë ‘Faleminderit’ Elina
Dunit e cila u bë shtysa e parë me koncertin dhe në një vit unë kam krijuar një
album. Elina ishte shkrepësja dhe ëndrra ishin njerëzit që kaq thjesht më kanë
treguar zemrën, të cilën unë nuk e kam marrë me vete, por e kam lënë në
Shqipëri”.
Një
zemër që i mbushet me dashuri saherë kthehet në Tiranë, një dashuri që e
frymëzon për të shkruar e kompozuar pa u ndalur.
Albumin,
i cili do të ndjekë një trajektore jashtë procesit të zakonshëm nëpër të cilin
duhet të kalojë një i tillë- me dy koncerte, një në Tiranë dhe një në Prishtinë,
përpara se të përfundojë në studiot e regjistrimit, e ka menduar si një dhuratë
që i bën vendit.
“Është
një dhuratë e fëminisë, e njerëzve të thjeshtë që nuk kanë nevojë për bojna,
por për dashni dhe vëmendje. Është një kthim pagese për dashurinë që kam marrë
në Prill, i papërballueshëm fizikisht dhe moralisht”.
Përpara
se ta paketojë brenda një disku kompakt, ai do ta transmetojë gjallë emocionin
e një rrugëtimi jete, në dy koncertet. Shokët e aventurës do të jenë disa prej
atyre që e shoqëruan edhe gjatë realizimit të videos. “Armend Xhaferri në
kitarë, këtë herë dua të dal kitarë e dytë, Enver Muhamedi në bass, Gent Rushi
në fizarmonikë dhe sintetizator, Ermal Rodi në klarinetë, flicorn dhe trompë,
në bateri Enes Bajramlliqi, nga grupi
“Cute Babulja”, do të kemi një piano të vërtetë, ku unë do të luaj, pasi
instrumenti im i parë është piano, në kitarë jam amator” –thotë, ndërsa i
zhytur në një udhëtim kohe, zbulon motivet e këngëve.
“Flasin
për fëmininë, shokët e parë. Kam pasur një shok që quhej Yllson dhe nuk e
harroj sesi një ditë shiu më përcolli deri të shtëpia me mushama. U largua më
pas në Amerikë dhe nuk e di ç’bëhet me të, por nuk e harroj atë gjest. Albumi
flet për familjen, jo vetëm anëtarët me lidhje gjaku, por edhe me fantazinë. Kam
pasur fatin që në familjen time kanë qenë të gjithë një botë e veçantë secili.
Flet për dashurinë, por jo kjo dashuria si paracetamol, që kalon dhimbja për
dhjetë minuta”, - thotë duke qeshur, ndërsa shton se aty brenda ka këngë ku ai
shpreh këndvështrimin mbi jetën dhe veten, sesi kanë ndikuar tek ai 13 vite
larg vendit dhe familjes.
Koncerti
që do të realizojë në Prill, do të jetë i gjithi për bamirësi. “Im atë është
jetim nga e ëma dhe do të doja shumë që paratë e mbledhura nga biletat të
shkonin për fëmijët jetimë. Jo për rroba apo ushqime, por instrumente dhe mësime muzike, që mendoj se kanë më shumë
vlerë, sipas këndvështrimit tim. Unë nuk kam planifikuar të marr asgjë me vete
nga koncerti. Do të ishte mirë që njerëzit të na ndihmonin, do më ndihmonin
mua, por edhe kauzën” –thotë, ndërsa synon me muzikën e tij të zgjojë vëmendje
dhe gatishmërinë që njeriu duhet të ketë për tjetrin, diçka më shumë sesa
dashuria, pranon ai.
“Shpresoj
të kemi mbështetje nga institucione, por edhe biznese që mbështesin artin të na
ndihmojnë. Jam i sigurt që gjithçka do të jetë mirë. Ka folur tashmë me akademinë muzikore
“Hollyëood”, e cila do të sigurojë mbarëvajtjen
e mësime në kor dhe në grupe për fëmijët jetime dhe me instrumente si
violina ose kitara. Do të angazhohet edhe një psikologe për të mundësuar përzierjen e fëmijëve jetim që vijnë nga institucionet dhe atyre që vijnë në shkollë nga familjet e tyre.
Premton
se do të jetë emocionuese, ajo çka do të servirë menyja e tij muzikore në
Prill.
“Këngët
janë shërim i plagëve të mia”, – thotë. Dhimbja kur nuk sheh të atin tek
plaket, shokët kur thinjen si ai. “...kur nuk ndjej më të njëjtën erë”. E
megjithëse trishtimin dhe dhimbjen që përcjellin, për Vlashentin ka një motiv
të gëzohet, për vlerën që të gjitha kanë për të. Kompozon në një formë aq
personale, duke folur për veten, por duke i sjellë si dhuratë për dikë tjetër.
Për dikë që e gjen veten të njëjtësuar mes vargjesh, mes tingujsh.
“Janë
këngë të përjetuara, shumë personale, me dhembje që shkojnë deri në kockë. Ka
shumë simbolikë aty brenda. Këto këngë i kam bërë për vete dhe dua t’ua dhuroj
të tjerëve. Duke qenë se gjuha ime nuk
është në vetë të parë, mendoj se njerëzit i përvetësojnë dhe i bëjnë personale,
janë histori shumë të ngjashme... Shpresoj të jem sa më shumë i sinqertë me
njerëzit”. Për titullin e albumit, i ka ardhur krejt e natyrshme, gati e
pashpjegueshme ta pagëzojë “Hana”, për rrugën që e ka gjetur vetë kjo këngë e
shkruar katër vite më parë, për simbolikën e fortë që mbart brenda dhe për
imazhin e fortë që sjell në mendjen e kujt e dëgjon dhe ndjenjën që përcjell
ndaj kujt ia hap zemrën asaj.
Vargjet i hedh vetë në letër, ndërsa ndjesitë i
kalojnë prej shpirtit në duar, në dialektin gegë. Jo vetëm të pesë këngët në
“Live session @ Vollga”, por i gjithë albumi. “Përdor gegnishten kryesisht,
pasi mendoj se është shumë e pasur. Sidomos ajo e Shkodrës. Më ka ardhur si
thirrje normale. Më pëlqejnë rimat në gegnisht, dhe për fat të keq nuk është
vlerësuar kurrë sa duhet. Mendoj edhe se shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë
kanë qenë gegë; Migjeni dhe Fishta dhe mendoj se gegnishtja është pasuri për
Shqipërinë”.
Nuk
di të thotë me siguri se do të shkruajë gjithmonë gegnisht, por që do ia
prezantojë albumin publikut gegë, për këtë është i bindur. Këngët do të shkojnë
në Kosovë e pastaj në Maqedoni, thotë ai, por për to ka parë horizonte edhe më
të gjera. “ Pasi albumi të publikohet, do të përshtatet në gjuhën frënge për
koncerte te ndryshme. Për të hapur derën e jetës artistike në Francë, me këngë
që kam krijuar vetë, jo adaptime dhe për të përçuar gjuhën shqipe, muzikën
shqipe përtej. Plani është afatgjatë” – zbulon besimplotë, i kënaqur nga kjo
shkakësi, që duke u ndezur si rastësisht prodhoi shumë artistikisht. Një
koncert që solli video muzikore, të cilat sollën albumin me dy koncerte,
përkthimin e tij dhe përshtatjen për skenën franceze.
Deri
tani tabloja duket e kënaqshme, ndërsa ai vetë e pikturon, e rafinon herë pas
here, i shton detaje , por mendja i rri
atje...te ai portreti i qetë i plakurt flokëbardhë në det që zë peshk dhe e lëshon sërish në det, në
paqe me jetën, me veten, me natyrën. Por deri atëherë ka shumë kohë. I duhet
ende të japë shumë, përpara se të marrë . E për t’i dhënë të dashurve, miqve, dashamirësve të muzikës ushqim të mirë për shpirtin dhe ëndrrat, i
duhet të kthehet në qytetin që e ka ‘birësuar’, Parisin, ku pasi ka mbyllur
orët e leksioneve mbi piano në Konservatorin e Parisit, pedagogu çlirohet nga
petku zyrtar, merr pamjen e artistit me shpirt të lirë që shëtit me kujtimet,
fantazitë, ndjenjat, në tinguj të
rinj...
No comments:
Post a Comment